GJOKË DABAJ: PËR ÇFARË E LUSIM ZOTIN NE SHQIPTARËT NË KËTË DITË TË PARADËS RUSE?!

Durrës, 10. 05. 2015 – Edhe pa paradë ne e njohim forcën ushtarake të Rusisë. E njeh edhe Perendimi forcën ushtarake të rusëvet, si dhe arsyet PËRSE rusët po i forcojnë përditë ushtritë e veta. Më 9 maj, para 70 vjetësh, ushtria sovjetike nuk ka qenë një ushtri pushtuese. Ajo ka qenë një ushtri çliruese e popujvet. (Sigurisht, si thyerja e nazizmit, ashtu edhe çlirimi i popujvet, do të bëheshin me LUFTË, pra, me vrasje të pushtuesvet dhe të kundërshtuesvet, e jo me përkëdhelje.) Kjo karakteristikë çlirimtare e ushtrisë sovjetike ka ekzistuar dhe është zbatuar në praktikë deri në vitin 1953, kur J.V.Stalini ka vdekur. Pas vitit 1953 ushtria sovjetike ka filluar të marrë, gradualisht, tiparet e një armate popujkërcënuese.
Sot, ajo ushtri që pamë, pranë murevet dhe rrotull murevet të Kremlinit, është tërësisht një ushtri POPIJKËRCËNUESE dhe POPUJPUSHTUESE. Ajo e “kujton” 9 majin si një fitore ndaj nazizmit të gjermanëvet, duke qenë vetë një ushtri naziste me të gjithë tiparet e nazizmit, me përjashtim ndoshta të faktit që V.Putini nuk u çorr duke bërtitur si dikur A.Hitleri. Por, nuk bërtet ai, i cili s’ka nevojë të bërtasë! V.Putini i ka në rregull të gjitha punët, prandaj dhe nuk i duhet, as të çirret, as të ulurijë.
E ndoqa me vëmendje krejt paradën dhe po mundohesha të merrja me mend për çfarë po mendonin në këta çaste udhëheqësit e Perendimit. Duke mos qenë në gjendje as përafërsisht t’ia qëlloj se çfarë po mendonin ata, që e kanë për detyrë shtetërore të mendojnë për fatet e popujvet të tyre, unë, krejt natyrshëm, e bëra këtë pyetje: Ç’DUHET të mendojnë në këta çaste, në Perendim, sociologët dhe ideologët, ekonomistët, ligjehartuesit, pushtetushtruesit, ushtarakët, industrialistët, zotëruesit e kapitalevet, deri edhe fëmijët?!
Ç’duhet të mendojë Perendimi përballë demonstrimit të një të këtillë force frikëmbjellëse e panikshkaktuese?!

Puna e parë, për të cilën duhej të mendonte në ata çaste, do të ishte KARTA E TË DREJTAVET TË NJERIUT. E famshmja dhe e shumëhyjnizuara Kartë e të Drejtavet të Njeriut! Një dokument gjysmak! Një gjoja dokument, i cili s’i hyn në punë askujt, përderisa nuk e mbron dot Njerëzimin prej katastrofash, paralajmëruar më shumë se qartë, nga eshalonet medaljetundës dhe sykërcënues të atyre ushtrive, nga armatat e superblinduara, nga tanket trotuartundës, nga topat, nga raketat, nga armatimi jetazgjësues bërthamor dhe nga avionët e të gjithë llojevet e formacionevet, të lidhur madje me njëri-tjetrin edhe lart në qiell.
Ajo KARTË gjysmake duhet doemos të rihartohet dhe të rimiratohet ndërkombëtarisht. Asnjë E DREJTË njerëzore nuk mund të vihet në jetë, pa i përcaktuar mirë edhe DFETYRAT e njeriut. Ç’mund të presësh prej një V.Putini, në qoftë se nuk janë përcaktuar, në shkallë botërore, DETYRAT e cilitdo njeri?! Ç’mund të presësh nga ata rreshta të pafund njerëzish, veshur me uniforma dhe armatosur me të gjithë llojet e mjetevet njerëzasgjësuese?!
Unë e di që s’është lehtë të hartohet sot një KARTË E DETYRAVET dhe, vetëm pas kësaj, EDHE E TË DREJTAVET TË NJERIUT. Por, pikënisjen e kemi, të paktën që nga koha kur Zoti ia diktoi Moisiut të 10 urdhërat. Ajo s’është vetëm pikënisje. Ajo është edhe shenja e qartë që njerëzimit i është dashur prej mijëra vjetësh një KOD I DETYRAVET, jo detyravet në tërësi, por të thjeshta e të qarta për secilin individ-njeri. Individit-njeri nuk i lejohet të kullotë, të përvetësojë etj, mbi sipërfaqen e planetit Tokë, ç’t’i dalë përpara dhe, nëse e shkel këtë kod, atë, doemos, duhet ta presin ndëshkimet.
V.Putini, duke e demonstruar atë arrogancë antinjerëzore sot në Moskë, e ka merituar qartësisht ndëshkimin më të ashpër. Edhe ata mijëra kokëtulë, që pranuan t’i binden v.Putinit, i kanë merituar, secili veç e veç, ndëshkimet përkatës. V.Putini e ka merituar ndëshkimin edhe në ditën kur e pushtoi Krimenë dhe po ai V.Putin e ka merituar ndëshkimin përkatës edhe kur ia ka filluar ta shantazhojë ekonomikisht, politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht, shtetin fqinj të Ukrainës.
Por, si mund të ndëshkohet një individ, kur bashkësia e individëvet-njerëz, që quhet shoqëri njerëzore, nuk i ka të përcaktuara dhe të mirëpërshtatura për kohën moderne, me rregulla e me nene, së pari DETYTAR e njeriut dhe pastaj edhe TË DREJTAT?!
Pasi e sqarova veten, ç’duhet të mendojë Perendimi lidhur me të quajturën Kartë të të Drejtavet të Njeriut, mendja më shkoi te masa e dytë që Evropa Perendimore duhet të ndërmarrë në fushën e organizimit të vet SHTETËROR.
Evropa nuk mund t’i dalë zot vetes me këtë rregullim shtetëror që e ka sot. KUSHTETUTA e sotme e BE-së nuk vlen as për të pastruar xhamat e dritarevet. Duke mos pasur një kushtetutë të rregullt, BE-ja e sotme nuk i ka, as ekonominë, as kulturën, as diplomacinë, as politikën dhe as forcën ushtarake në lartësinë që i kërkon koha.
Mjafton të bëjmë këtë pyetje: A mund të organizojë BE-ja një manifestim të atillë ushtarak siç e organizoi sot Rusia?!
E gjithë ajo turmë gjeneralësh ishte nën komandën e 1 njeriu. I gjithë ai armatim ishte nën komandën e 1 njeriu dhe ky njeri quhet Vladimir Putin. Sekretari i Përgjithshëm i Forcavet të Armatosura i Aleancës së Atlantikut, që shkurt quhet NATO, a i ka kompetencat dhe autoritetin komandues të V.Putinit?!
Duke e parë kështu situatën, është fare e lehtë të parashikohet se ç’do të ndodhë me Perendimin në fare pak vite të së ardhshmes. PERENDIMIT, në qoftë se nuk do të shkundet prej letargjisë, që është sëmundje e tija e kahershme, DO T’IA DIKTOJË RUSIA KREJT POLITIKËN. Asnjë vendim të rëndësishëm nuk do të mund të marrë Perendimi pa marrë bekimin e rusëvet. Sidomos (fillimisht), në lidhje me Ballkanin, Perendimi nuk do të mund të ndërmarrë kurrfarë veprimi pa e pyetur Rusinë, dhe, TRAGJEDIA në radhë të parë DO TË BJERË MBI SHQIPTARËT.
Prandaj, duke medituar kështu në vazhdim, jo, Ç’DO TË BËJË Perendimi për ne, por Ç’DUHET TË BËJË Perendimi në drejtim të shqiptarëvet, për të shpëtuar ashtu njërin nga avanpostet e vet më të rëndësishëm, përgjigjja është fort e shkurtër: Perendimi duhet t’i fuqizojë shqiptarët EKONOMIKISHT.
Të gjitha të tjerat i bëjnë vetë shqiptarët. Vetëm SUPORTI EKONOMIK u duhet dhe kjo është krejt e kuptueshme.
Asgjë nuk ka bërë Perendimi deri më sot për të forcuar ekonominë e shqiptarëvet. Po përmend vetëm periferitë: Ç’ka bërë Perendimi për të forcuar ekonomikisht shqiptarët e Mitrovicës së Veriut?! Ç’ka bërë Perendimi për të forcuar ekonomikisht shqiptarët e Bujanovcit?! Po për Preshevën e Medvegjën ç’ka bërë?! Ç’ka bërë Perendimi për të forcuar ekonomikisht Kumanovën?! Sa mirë vrapon Perendimi për t’u mbushur mendjen të revoltuarvet të atij qyteti, që t’i dorëzohen policisë sllave?! Po për të ndihmuar ekonominë e shqiptarëvet të Shkupit, ç’ka bërë?! Për shqiptarët e Manastirit, për shqiptarët e Tivarit, për shqiptarët e Podgoricës, për shqiptarët e Plavës?! Asgjë! Asnjë kacidhe s’e ka investuar për popullatat e këtyre vendeve!
A e dini kur është kujtuar Evropa Perendimore për ta ndihmuar seriozisht Gjergj Kastriotin Skënderbeun? Atë vit kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka vdekur! Po, kur u kujtua Evropa Perendimore të bëjë, e bashkuar, Betejën e Lepantit? 103 vjet mbasi Gjergj Kastrioti Skënderbeu kish vdekur!
Rusia, sapo Greku të hapë gojën, është e gatshme t’i derdhë rublat për një gazsjellës të stërmadh, apostafat për Greqinë. Përse Perendimi nuk u akordon shqiptarëvedt 100 apo 200 miliardë euro investime?!
Ne nuk e duam Perendimin për sytë bukur. As nuk kërkojmë prej Perendimit të na dojë për sytë e bukur. Janë interesat ata që na lidhin! Mirëpo, për fatin e keq TË VETË PERENDIMIT, politikanët e atjeshëm nuk po e kuptojnë, sa rëndësi ka Shqipëria për popujt e Evropës dhe të Amerikës.
Prandaj, le ta lusim Zotin që, më në fund, TA KUPTOJNË PERENDIMORËT, SE, SHQIPTARËT, KREJT KOMBI SHQIPTAR, JANË MBUROJA E JETËS PËR POPUJT E EVROPËS! E lusim Zotin kështu, por shpresat i kemi fare të vakëta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura