GJOKË DABAJ: PROFILE HEROIZMI TË KOHËS SONË (NIKO STILLOJA, BRANKO MANOLOVSKI, SIMË DOBRECI)

Durrës, 24. 06. 2014 – Janë 3 (tri) pika gjeografike të Shqipërisë, që, me punën e veprën e 3 (tre) njerëzve, bashkohen në një nyjë të përbashkët: në nyjën e përpjekjevet për të mos u shpërbërë Kombi Shqiptar. NIKO STILLOJA është nga PREVEZA. Ai po përpiqet, në mënyrën e vet, të dëshmojë kush janë çamët dhe cilët janë paraardhësit e çamëvet. Po përpiqet të dëshmojë me argumente rrënjët e Kombit Shqiptar, ndërsa prevezarët e tij po vazhdojnë të shkollohen në gjuhën greke dhe po vazhdojnë të flasin greqisht nëpër rrugë, nëpër zyra dhe në tubimet, ku mblidhen për të zgjidhur hallet e përditshëm.
BRANKO MANOLOVSKI është nga REKA E DIBRËS. Ai erdhi nga Amerika, e rindërtoi shtëpinë e dikurshme që ia kishin lënë të parët dhe ngriti aty flamurin shqiptar. Ndërkaq, bashkëkrahinasit e tij, të shpërndarë gjithandej nëpër Rep. e Maqedonisë, po vazhdojnë të shkollohen në gjuhën sllavo-maqedone, po vazhdojnë të flasin njëri me tjetrin në gjuhën sllavo-maqedone dhe hallet e përditshëm po i trajtojnë e po i zgjidhin jo si shqiptarë, por sikur të ishin sllavë.

– Niko Stillo – 

SIMË DOBRECI është me prejardhje nga një fshat në bregun veriperendimor të LIQENIT TË SHKODRËS. Ai ka një jetë të tërë që po përpiqet t’i sqarojë bashkëkrahinasit dhe bashkëfshatarët e vet, që nuk janë sllavë por shqiptarë. Me anë të revistës “Buzuku”, botuar në disa dhjetëra numra, me 1000 vështirësi, ai s’ka pushuar së foluri, me argumente e me dëshmi, që popullsia e Tivarit, e Shestanit dhe e vendevet të tjerë të asaj ane, ka qenë dhe është shqiptare. Megjithatë, as në fshatin e tij Dobrec, as në Ljare e as në Tivar, nuk ka shkollë shqipe, ndërsa njerëzit, nëpër zyra e kudo gjetkë, nuk i zgjidhin dot problemet që kanë në gjuhën e të parëvet të tyre, por në gjuhën malaziase.
Pikërisht kjo kontradiktë midis qenies dhe veprimtarisë së tyre dhe ambientit për të cilin ata veprojnë, na bën që t’i shikojmë këta 3 bashkëkombës me sy dhe vlerësim të veçantë. Çfarë mund të themi dhe çfarë duhet të themi, kur ndalemi përpara këtyre 3 shqiptarëve dhe para këtyre 3 gjendjeve të shqiprarëvet në vendet ku këta kanë jetuar apo jetojnë?!
Për NIKO STILLON do të themi, pa mëdyshje, të njëjtën gjë që kemi thënë për Marko Boçarin, për Abedinpashë Dinon, për Hoxhë Hasan Tahsinin, për Papa Kristo Negovanin dhe për Aristidh Kolën. Sado i vogël t’i duket dikujt Niko Stilloja, ai është e mbetet një kolos i Kombit tonë, i së njëjtës cilësi me të tjerë gjigantë të po atyre krahinave të Shqipërisë.

– Branko Manolovski –

Për BRANKO MANOLOVSKIN do të themi të njëjtën gjë që kemi thënë për Vojsavën (që lindi Gjergj Kastriotin), për Iljazpashë Dibrën, për Josif Bagerin, për Hoxhë Najdenin, për Elez Isufin dhe për Migjenin. Sado i thjeshtë t’i duket dikujt Branko Manolovski, kur e shohim të zbresë shkallët e shtëpisë së vet apo kur e shohim tek e puth flamurin tonë të saponxjerrë nga arka, ai është dhe mbetet i së njëjtës kahje me të tjerë gjigantë që kanë nxjerrë pikërisht ata vise të Dheut të Shqiptarëvet.
Për SIMË DOBRECIN do të themi të njëjtën gjë që kemi thënë për Gjon Buzukun, për Dedë Gjo Lulin, për Hafiz Ali Ulqinakun, për Cafobeg Ulqinin, për Atë Leonard Tagajn dhe për Atë Vinçenc Malajn. Sado 5 gram njeri t’i duket dikujt Simë Dobreci, ai është dhe mbetet i së njëjtës udhë me të tjerë gjigantë që kanë nxjerrë ato treva të shqiptarëvet në atë krah të Dheut tonë.
Thashë, çfarë mund të themi dhe çfarë duhet të themi. Por s’është puna vetëm aty. Puna është, se çfarë mund dhe duhet të bëjnë SHQIPTARËT E TJERË, sidomos ata që kanë në dorë të bëjnë diçka, kur gjenden para të këtillë individësh dhe, njëkohësisht, para të këtillë realitetesh që i rrethojnë këta individë.
Heronjtë, ndonëse mund të mos kenë topa e mitralozë në duar, janë njerëz që bërtasin fort, janë njerëz që lëshojnë kushtrimin: “Kthejeni mendjen këndej! Këtu po ndodh diçka që nuk duhet të ndodhë!”
Në PREVEZË po duan ta shndërrojnë një UJË gjakun e Marko Boçarit, Abedinpashë Dinos, Hoxhë Hasan Tahsinit, Papa Kristo Negovanit e Aristidh Kolës dhe Niko Stilloja po lëshon alarmin, ashtu si mund dhe si di, por gjithsesi me profilin e një heroi: “Ndaleni këtë epidemi! Mjekojeni këtë kancer kombembytës!”
Në REKË dhe gjithandej në ata vise po duan ta kthejnë në HIRRË gjakun e Vojsavës, të Iljazpashë Dibrës, të Josif Bagerit, të Hoxhë Najdenit, të Elez Isufit e të Migjenit dhe Branko Manolovski po thërret, ashtu si mund e si di: “Ndaleni këtë ligështi gjuhë-e-emërtharëse!”

– Simë Dobreci –

Në TIVAR po punojnë ditë e natë për ta kthyer në URINË DELEJE gjakun e Dom Gjon Buzukut, të Hafiz Ali Ulqinakut, të Cafobeg Ulqinit, të Atë Leonard Tagajt e të Atë Vinçenc Malajt dhe Simë Dobreci po tërheq vëmendjen ashtu si mund e ashtu si di, por gjithsesi me sakrificën e një heroi: “Ndalini këtë li e këtë lebër etniasgjësuese! Shërojini këto sëmundje këtu ku janë shfaqur, sa s’janë përhapur edhe në pjesët e tjera të trupit të Kombit tonë!”
***
Kjo është përpjekja titanike e këtyre 3 heronjve të kohës sonë, e cila, ndonëse s’kërcet me topa e mitraloza, më në fund, do të duhej ta tërhiqte vëmendjen, edhe të Tiranës, edhe të Prishtinës.
Puna e parë dhe më pakta që do të duhej të bënin, edhe z.B.Nishani (apo dikush tjetër), edhe z.A.Jahjaga (apo dikush tjetër), do të ishte: T’i thërrisnin të 3 këta njerëz, që të 3 së bashku, SA JANË ENDE GJALLË, dhe t’ua jepnin nga një dëshmi mirënjohjeje në emër të Kombit, të cilit po i dalin zot pa i paguar askush. Kjo duhej të ishte puna e parë.
Pas kësaj, duhet të merren masa të atilla që heroizmi i këtyre 3 heronjve, dhe i shumë të tjerëve rrotull tyre, të mos shkojnë kot: Të krijohet sa më parë një institucion i vetëmbrojtjes kombëtare! Vetëm ashtu do të mund të ringjallen së vdekuri, edhe Preveza, edhe Reka, dhe Tivari. Të ringjallen (jemi të detyruar ta theksojmë këtë), pa i bërë dëm asnjërit prej kombevet që na rrethojnë. Përkundrazi, duke e shëruar edhe gjakun e tyre nga helmi që u është injektuar prej shumë shekujsh.
Parë me këtë sy, që të 3 këta zjarre që po bëjnë prush, mirëfilli rilindës, në të 3 skajet e Dheut tonë, do të mund t’u shërbenin shqiptarëvet të sotëm për të ndezur mu në PRIZREN një zjarr tonin TË PËRJETSHËM, të cilit tashmë ia kemi vënë edhe emrin: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE.

 GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)

HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1276

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura