GJOKË DABAJ: RIKARDIN, UNË E NJOHA NDRYSHE NGA SHUMË TË TJERË

Durrës, 21 Prill 2020: Ndërsa vetë Ljarja e gjyshërvet të tij, atje në një fushëz të Rumisë, dita-ditës po shuhej, emri i saj vazhdonte të jetonte nëpër ekranet e kinemavet. E mbante gjallë një aktor i madh.
Unë isha rritur në ato anë. E kisha njohur Ljaren qysh fëmijë. Shkonim atje, e pakta njëherë në vit, më 15 gusht në festën e Shën Mërisë… Do shtëpi të zhurmshme, sikur donin të ishin më të sigurta ngritur pranë njëra-tjetrës. Shumica njëkatëshe e të grupuara lagje-lagje. Do ubla grykëbukura, edhe ato pranë e pranë në një djerrinë, të cilat t’i shihje vetëm njëherë, s’i harroje kurrë më. Poshtë ublavet një kishë madhështore, me varre të bukur rrethuar me avlli.

Kjo Ljare, me shqipen e saj të veçantë, me veshjen mbresëlënëse shestanase, sidomos të vajzavet dhe të gravet, me vallen e lashtë rrethore iliro-arbërore, me një tufë baladash që kishin jetuar në këto anë me shekuj dhe që dukej se nuk mund të vdisnin, kjo Ljare, dalëngadalë po shuhej.
…Erdhi një kohë kur në atë fshat, dikur si qytet, mund të gjeje vetëm ndonjë plakë, e cila fillimisht do të çuditej se po i flisje shqip, pastaj, pa iu hequr fytyrës habia, do të ftonte: “Po ti hajde mrena! Nji gotë tamël e kena.”
…Ndërkohë, Rikardit i pata shkuar edhe në shtëpi, në rrugën “Myslym Shyri”. Sapo ishte kthyer nga mërgimi në Greqi. Më hoqi mallin e Ljares së dikurshme, kur Ljaren ende s’e kish asfiksuar kultura sllave. Kur ende në pllakat e varrevet emrat e të vdekurvet nuk gdhendeshin sllavisht, por shqip.
…Më erdhi Rikardi edhe në Ulqin bashkë me Marjetën, kur promovova librin „Shestani“. Qenë mbledhur në shtëpinë e kulturës të Ulqinit mbi 500 vetë, për t’iu gëzuar një libri që fliste për vendin e tyre, por të nesërmen, njerëzit që takoja, nuk flisnin më për librin tim, por për Rikardin. Vetë prania e tij dhe fjala e tij, e qetë dhe e thellë në mendime, ishin një ngjarje e paharrueshme në jetën e shqiptarëvet të anëvet tona.
I isha shumë mirënjohës çiftit Ljarja që më erdhën deri në Ulqin, dhe nuk gjeja mënyrë për t’ua shprehur mirënjohjen.
Dhe s’e di a do të mund ta shpreh ndonjëherë mirënjohjen, qoftë edhe për faktin që e kanë përjetësuar nëpër ekranet tanë emrin e Ljares sonë, të asaj Ljareje që dikur pat qenë, edhe strehë kulture, por edhe strehë qindvjeçare e arqipeshkvinjvet emërmëdhenj të Tivarit.
Te emri i Rikard Ljares, Ljarja rron dhe do të rrojë përjetë!
Gjokë Dabaj, Durrës – 21 prill 2020

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura