GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET

(Pashtriku.org, 03. 04. 2012) – Çdo komb ka nevojë për strategji, por Kombi ynë më shumë se cilido tjetër. Thënë ndryshe: Të gjithë njerëzit kanë nevojë për kujdes mjekësor, por i sëmuri më ngutshëm se kushdo. Është një e vërtetë e hidhur kur shohim që ne shqiptarët më një anë i kemi pasë karakteristikat, predispozitat, për të qenë shumë më mirë, më anë tjetër, jemi aq keq, sa jemi cilësuar dhe vazhdojmë të cilësohemi si kombi më i prapambetur në Evropë.
NË KËRKIM TË SYVET…
     Në këta çaste po më vijnë në mendje kuajt e verbër të Ismail Kadaresë. Përballë të gjitha përpjekjeve për të gjetrur një rrugë sa më të sigurtë drejt së ardhshmes, ne iliro – arbor – shqiptarët, në të gjitha kohët, filluar qysh prej mbretërivet të Ilirisë (e mbase edhe më parë), duket se na ka shoqëruar dhe mbisunduar sindroma fatale e kuajvet të verbër. A do të arrijmë më në fund që t’i vëmë sy, t’ia transplantojmë një palë sy, këtij lloj “kali”, i cili është më i fismi midis të gjithë “kuajve” të tjerë?!
… NË KËRKIM TË GJENERALËVET
     Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, botim 1980, STRATEGJI është arti dhe shkenca e përgatitjes dhe e drejtimit të veprimevet të gjërë me njësi të mëdha ushtarake ose të luftës në tërësi. Fjala STRATEGJI, thonë, vjen nga greqishtja στρατηγία (strategia). Ndërkaq, STRATEG do të thotë: komandant që drejton veprime të gjërë luftarakë, njohës i zotësisë për të luftuar.
     Por ne, shprehjen STRATEGJI E SHQIPTARËVET, do ta marrim me kuptimin e një tërësie parimesh e rregullash konkretë, hartuar me qëllimin që t’u tregojë shqiptarëvet çfarë duhet të bëjnë e çfarë nuk duhet të bëjnë sot, në mënyrë që e ardhshmja t’u dalë më e mirë se e tashmja. Thënë më shkurt, strategji për ne do të thotë të dimë ç’na del nesër nga kjo që po bëjmë sot. Ose: të dimë ç’të bëjmë sot, në mënyrë që nesër të mos na dalë keq. Kuptohet, fjalët sot dhe nesër po i përdorim, sipas natyrës së gjuhës shqipe, me domethënien kohë e tashme dhe kohë e ardhshme. Pra, shqiptarët, si edhe popujt e tjerë, duhet të ecin me një synim sa të jetë e mundur më të qartë për të ardhshmen e vet, por edhe të pasardhësvet të vet. Kjo ka rëndësi: Edhe të pasardhësvet!

_________________________________________________

     Për ta arritur këtë qëllim tonin të madh, del e domosdoshme të plotësohen së paku 3 kërkesa: Kombi duhet të ketë një palë “gjeneralë” të aftë për t’i shkruar strategjitë dhe një palë tjetër “gjeneralësh” për t’i vënë në jetë ato strategji. “Gjeneralët” që shkruajnë janë shkencëtarët, “gjeneralët” që e vënë në jetë strategjinë janë politikanët dhe shtetarët në përgjithësi. Por ka në praktikën e popujvet edhe një lloj tjetër “gjeneralësh”. Këta janë udhëheqësit shpirtërorë të kombit, propaganduesit e përditshëm të strategjivet tashmë të shkruara, madje imponuesit (me fuqinë e popullit, në rastet kur është e domosdoshme) si dhe modifikuesit e përmirësuesit e herëpas’hershëm të tyre. Asnjë strategji nuk mund të ketë kontinuitet, nëse mbështetet vetëm te ata që kanë pushtetin. Duhet doemos të ketë ndërthurje, kombinim, midis udhëheqjes shpirtërore të një kombi, e cila qëndron mbi të gjithë dhe është konstante, dhe strukturavet shtetërore, të cilat mund t’i përkasin, por edhe mund të mos i përkasin tërësisht të njëjtit komb.
     Cilësi thelbësore e një strategjie është: T’i marrë parasysh rrethanat, por të mos u dorëzohet rrethanavet. Ajo mbështetet në veprimet shumë të mençur dhe thellësisht të vetëdijshëm të subjektevet. Pëndryshe, nuk meriton të quhet strategji.
     Cilësi tjetër thelbësore: Të gjithë llojet e “gjeneralëvet”, po deshën që t’u shkojë populli prapa, duhet të jenë atdhedashës të përkushtuar. S’qenë të tillë, “ushtria” së cilës ata i prijnë, mbetet sërish llahtarisht e verbër dhe rroposet, shembet lemerishëm turma-turma në gremina e në rrëpira.
    Mirëpo, “gjeneralët” dalin nga vetë “ushtria”. Rrjedhimisht, përgjegjësia është prapë e vetë “ushtrisë”,  madje e secilit ushtar një për një, nëse lejon të komandohet prej kopukëvet dhe prej askushëvet.
     Ky do të jetë edhe qëllimi kryesor i këtij libri: Të mësojmë si ta bëjmë dhe si ta vëmë në jetë një strategji sa më të mirë për Kombin, të cilit i përkasim.
MAJA LAPSASH… JETË ROZAFASH
     Çdo komb ka nevojë për strategji, por Kombi ynë më shumë se cilido tjetër. Thënë ndryshe: Të gjithë njerëzit kanë nevojë për kujdes mjekësor, por i sëmuri më ngutshëm se kushdo. Është një e vërtetë e hidhur kur shohim që ne shqiptarët më një anë i kemi pasë karakteristikat, predispozitat, për të qenë shumë më mirë, më anë tjetër, jemi aq keq, sa jemi cilësuar dhe vazhdojmë të cilësohemi si kombi më i prapambetur në Evropë.
     Nuk duhet të lejojmë të mbetemi në këtë gjendje. Nuk duhet të mbetemi në pozitën e bredhjevet qorrazi nëpër mjegull, pa e ditur ku duam të mbërrijmë. Ku duam të mbërrijmë, por edhe ku mund të mbërrijmë.
Nuk pretendojmë që kemi hartuar strategjinë më të mirë të mundshme, por jemi të bindur se kjo rrugë, nisur e mos bitisur prej shumë së tjerësh, shekuj pas shekujsh, apo bitisur përgjysmë e copa-copa, duhet të marrë fund njëherë e mirë. (Natyrisht, nëse rrjedhat e historisë nuk na zhgënjejnë, siç na kanë zhgënjyer thuajse në të gjitha kohët.)
     Sa për të hyrë në thelbin e thelbit të çështjes, po e krahasojmë veten psh me izraelitët apo me grekët. Edhe ata kanë në histori një jetë shumë të gjatë, por duhet vërejtur midis nesh dhe atyre një dallim thelbësor dhe tepër domethënës. Ata, ndonëse kanë qenë etnose numerikisht të vegjël, nuk janë zhdukur, por përkundrazi, kanë krijuar nga një histori të madhe. Secili në mënyrën e vet. Kurse ne kemi qenë një etnos i madh, madje shumë i madh (përfytyro Ilirinë), por kemi ardhur duke u ngushtuar, duke u copëtuar dhe duke u zvogëluar. Cili është shkaku?! Shkaku kryesor, sipas nesh, është se ata kanë arritur të vënë shkrimin në përdorim, gjë që ne nuk e kemi bërë dot.
     Nuk besojmë të mos kemi pasur përpjekje individësh apo grupesh për t’i dhënë shkrimit vendin që i takon në jetën e një etnosi, por nuk kemi arritur, nuk ia kemi dalë dot që shkrimin, në gjuhën tonë, ta përdorim gjithanësisht në jetën e përditshme. 
     Ata, hebrenjtë dhe grekët, kanë qenë popuj shumë të vegjël dhe me siguri do t’ishin zhdukur prej kohësh, po të mos u kishin kushtuar rëndësinë e duhur atyre milingonavet të vockla që quhen shkronja, për t’i përdorur në gjuhën e vet. Po ta kishim “ulur” edhe ne veten aq “poshtë” sa të merreshim me punë të tilla “të vogla”, me siguri do t’ishim sot një komb shumë madh. Nuk e dimë si ka ndodhur në të kaluarën, por në 2 a 3 shekujt e fundit kanë qenë pikërisht shkrimi dhe shkollimi në gjuhën tonë, që armiqtë tanë kanë dashur të na i vrasin. Kanë dashur të na i vrasin dhe na i kanë vrarë, më shumë për fajin tonë se për fajin e tyre.
     Nuk duam të themi me këtë që shkrimi në gjuhën vetjake është çdo gjë. Por themi me bindje që ai është themeli. Për të ngritur një kështjellë apo urë, duhen, përveç themelevet, edhe shumë gurë, llaç, drurë e tjegulla, por pa bëje kështjellën, qoftë edhe kasollen, pa ia bërë më parë themelin! Përvoja jonë në këtë punë është më tepër se monstruoze. Që të na qëndrojnë themelet e kështjellavet, ne nuk kemi bërë kalkulime me lapsa, por kemi murosur atje nuse të reja, Rozafa. Dhe mburremi që i kemi detyruar muret e kështjellavet të mos na rrënohen!
     Një vërë në ujë kemi bërë! S’e kemi, të saktë dhe të ruajtur, as edhe një prej tyre! Të gjitha na janë rrënuar! Shko në Greqi, në Itali apo në Francën, krahasimisht shumë më të vonë se ne, dhe shih sa kështjellat, sa skulpturat, sa monumentet, i kanë në këmbë dhe sa mirë e kanë të siguruar jetën e përditshme: Punë, ushqim, veshmbathje, banesa, ambiente të këndshëm! Ne, ndërkaq, vazhdojmë ta mbulojmë me baltë vetëveten.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura