GJURMË TË PASHLYESHME HISTORIKE (1988/89) TË VEPRIMTARES BASRIE SAKIRI- MURATI

Pashtriku.org, 27 tetor 2017: Në verën e vitit 2016, në Shtypshkronjën ‘Blendi’ në Prizren, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka botuar librin: “GJURMË TË PASHLYESHME…” të autores Basrie Sakiri-Murati. Recensent i librit është Dr. Sabri Kiçmari, redaktor Dr. Gyrner Murati, ndërsa lektor Prof. Islam Gegaj. Libri i ka 193 faqe. Basrie Sakiri-Murati si protagoniste kryesore, në këtë libër (përmes ditarit) sjellë ngjarjet më të rëndësishme historike që kanë ndodhur në qytetin e Besianës (ish’Podujevës), në periudhën kohore shtator 1988 – qershor 1989. Ky libër me vlerë historike u promovua më 9 shtator 2016, në Teatrin e Qytetit ‘Avdush Hasani’, në Besianë.

KUSH ËSHTË BASRIE SAKIRI-MURATI
Basrie Sakiri-Murati ka lindur në vitin 1971, në fshatin Llapashticë e Poshtme të Besianës. Qysh si fëmijë ajo ka shkruar poezi dhe prozë me tema patriotike. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e vazhdoi në Besianë, por nuk arriti ta përfundojë dot për shkak të pjesëmarjes aktive në veprimtaritë atdhetare që zhvilloheshin në shkollë e gjetiu (shtator 1988 – mars 1989). Pas tre muajësh jete në ilegalitet me shokët e grupit “Ҫeta e Llapit” (27 mars – 20 qershor 1989), me 22 qershor të atij viti, ajo detyrohet të emigrojë në Zvicër së bashku me tre veprimtarë të ilegales. Në Zvicër përkundër vështirësive të shumta arrinë t’i gjejë rrugët e integrimit, të vazhdoj shkollimin dhe të orientohet në jetën profesionale. Në fillimet e viteve ’90-ta shquhet si veprimtare e palodhur në institucione të ndryshme sociale, si: në Caritas, entet shëndetësore dhe arsimore-edukative. Ndërsa sot ajo është një përkthyese e akredituar në organet juridike dhe në institucione të ndryshme sociale të Zvicrës. Njëkohësisht, ajo është aktive edhe në spitalin universitar, Inselspital, në Bern, ku ushtron me përgjegjësi detyrën e asistentes mjekësore në kirurgjinë ortopedike. Basrie Murati jeton në Bern, me familjen e saj. Kohën e lirë e kalon duke lexuar, udhtuar dhe shtegtuar…

Besianë, 9 shtator 2016: Basrie Sakiri-Murati, gjatë promovimit të librit në Teatrin e Qytetit ‘Avdush Hasani’, në Besianë (ish’Podujevë).

***
ҪKA SHKRUAN AUTORJA PËR LIBRIN
Autorja Basrie Sakiri-Murati për librin e saj “Gjurmë të pashlyeshme…” shkruan:
“Si autore e këtij libri marr lexuesin në një udhëtim nëpër kohë, nga tani (2016) në vitet 1988/89, ku ndoqa gjimnazin në Podujevë. Situata në Kosovë në atë kohë ishte tejet shqetësuese. Qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga diktatori S.Millosheviq, praktikonte shkeljet e të drejtave të popullit shqiptar. I kërcënonte ata dhe ushtronte ndjekje e bënte reprezalje ndaj tyre, edhe pse përbënin afër 95% të popullsisë së Kosovës.
Në mars të vitit 1989 u muar me dhunë edhe statusi i autonomisë. Për shkak të pakënaqësisë së shqiptarëve të Kosovës, populli ngritet në protesta e demonstrata, të cilat u shuan me dhunë nga policia dhe paramilitarët e armatosur. Në mesin e këtyre ngjarjeve isha edhe vetë. Në pamundësi të qëndrimit ilegal, për shkak të situatës së rëndë polike, pas tre muajve (ilegaliteti) detyrohem të marrë rrugën e arratisjes në mërgim, ku që nga qershori 1989 jetoj në Zvicër. Në maj të vitit 1990 fillova të shkruaj ditarin tim për ngjarjet që i përjetova në atdhe dhe tani vendosa, mendimet e mia të një kohe jashtëzakonisht intensive t’i publikojë në këtë libër. Këtë libër ua kushtoj refugjatëve anë e kënd botës, të cilët fatkeqësisht edhe sot janë të detyruar të kalojnë nëpër sfida të tilla. Njëkohësisht dëshiroj t’i falënderojë të gjithë familjarët, që më kanë dhënë mbështetje në veprimtarin time dhe më kanë strehuar gjatë kohës ilegale.
***
Shtigjet tona përmes jetës janë të shumta. Disa nga ato janë shtigje përvijuese me të papritura e ca të vështira e, disa ca më të lehta. Në rajone të catuara gjeografike rrjedhte jeta disi në suaza normale e, në rajone tjera me konflikte deri dhe të armatosura. Përse ishte ajo gjendje ashtu?, – pyesnin njerëzit vetëvetën që nga kohërat e lashta. Kjo ishte mister… Populli shqiptar, shikuar historikisht, e ka pësuar rëndë, fatkeqësisht. Ndonëse të ndarë në pesë shtete, na lidhë kultura dhe gjuha jonë e përbashkët.
***
Jam rritur në Kosovë, në rrethin e Llapit, në Llapashticë, në një familje të madhe dhe e jetova një fëmijëri të lumtur. Duke hyrë në moshën rinore, filloi të ndryshojë çdo gjë. Atëherë, kur në vendet tjera, rinia i gëzohej jetës me mundësitë e studimeve duke u përgatitur për të siguruar të ardhmen e ndritur, fati jonë po merrte tatpjetën e po shembej çdo gjë përpara. Ne po vuanim gjithnjë e më shumë nën kthetrat e pushtuesit serb. Të drejtat tona, jo vetëm që na cungoheshin dita-ditës, por edhe na kërcënohej egzistenca si popull. Luftëtarët e lirisë filluan të organizoheshin në çeta për ta luftuar pushtuesin e pamëshirë. Në atë kohë isha gjimnaziste, kureshtare dhe e pasionuar pas diturisë dhe, qëllimi im ishte të vazhdoja studimet, por lufta e padrejtë ndryshoi gjithçka. Kureshtja ime për dituri, u shndërrua në angazhim në luftën për liri dhe, më në fund, u desht të arratisesha jashtë atdheut.
***
Aktualisht, nëse ndjekim rrethanat e politikës globale, Evropa po përballet me problemin e fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika e, mjerisht ende edhe me shqiptarë nga viset e ndryshme që dynden për në vendet e Evropës. Kjo situatë më lëndon dhe më mërzitë. Ngjarjet e përjetuara të atyre kohëve, më kanë cytur për t’i publikuar në këtë libër – monografi timen në formë ditari. Të shkruara para një çerek shekulli e për t’rikujtuar si evokime nga jeta ime në atdheun tim, Kosovën që ajo të jetë e lirë; angazhimin tim të drejtpërdrejt në luftën ilegale me aksione të rrezikshme për kohën, e deri në arratisjen time në mërgim. Dhe, kjo nuk është thjesht një histori e jetës që dua t’ia dhuroj lexuesit, por edhe si mesazh për rininë e sotme, se si mund të angazhohen e të kontribuojnë sot e, mbase pasqyrimi i atyre krajatave që kemi përjetuar në atë kohë jo fort të largët. Ky libër iu dedikohet edhe gjithë atyre që sakrifikuan gjatë luftës, disa prej të cilëve ranë heroikisht në fushëbeteja e, shumë edhe migruan në vende evropjane. Të mos e harrojmë se çfarë fatkeqsishë fshifen pas tërë kësaj. Njëkohësisht, dëshiroj të falënderoj familjarët e mi për mbështetjen gjatë gjithë kohës së veprimtarisë sime ilegale që isha bërë shkak të përndjekjeve nga pushtuesi.
***
Më e rëndësishmja për mua është që ky libër të shërbejë si mësim nga e kaluara për të tashmen, që t’mos e lejojmë t’na përsëriten të njëjtat vuajtje e krajata. Nga gjërat e vogëla duhet të nisemi dhe t’i ruajmë ato, sepse në ato fillon, ajo çka duhet t’a lulëzoj atdheun. Pra, ky libër-monografi është zëri i ndërgjegjes së vrarë për zgjim kombëtar atdhedashës. Kështu, “Gjurmë të pashlyeshme…” është zëri i dikujt, që i përjetoj ato ngjarje dhe të pazbukuruara i ka përshkruar ato. Historia nuk është shkruar vetëm nga politikanët, por në veçanti nga njerëzit që janë viktim e politikës.
***
Lexuesit i kërkoj falje që, mbase nuk ia kam arritur për t’i pasqyruar gjithë ato ngjarje me shpirtin artistik e me një gjuhë më të ngjeshur letrare. Por se vërtetësia e ndodhive më la gjurmë të pashlyera dhe më obligoi t’i hyja punës për ta nxjerrur në dritë të botimit, për gjithë ata që kanë ndjesinë e asaj kohe aq të bujshme.
Autorja – Bern, Gusht 2016
***
FALËNDERIMET E AUTORES
Autorja i falënderon të gjithë ata qe e ndihmuan në botimin e librit.
Znj. Basrie në Falënderim shkruan:
“Unë do të doja të shpreh falënderimet e mia të përzemërta te njerëzit, të cilët drejtpërsëdrejti, tërthorazi ose shpesh edhe pa e ditur, më kanë mbështetur në punën time dhe e kanë dhënë kontributin e tyre në këtë libër. Për angazhimin e tyre dhe punën ekzakte i falënderoj: lektorin, redaktorin, shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën. Për mbështetje morale familjeve që më strehuan gjatë kohës se ilegalitetit. Për udhzime profesionale bashkëpunëtorët dhe miqtë e mi. Dhe më në fund por jo më pak se të tjerët, falënderoj familjen time për mbështetjen efikase, mirëkuptimin dhe durimin për kohën e dhuruar.”
***
KU MUND TA GJENI LIBRIN
Të nderuar lexues, librin e Basrie Sakiri-Muratit: «GJURMË TË PASHLYESHME… », mund ta gjeni në Biblotekën e Qytetit në Besianë, si dhe në libraritë “Shqiproja”, “Rilindja”. Në Prishtinë, në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në librarinë “Artini-Toena”, ngjitë me Institutin Albanalogjik, ndërkaq në Zvicër mund ta siguroni në librarin: “Buchhandlung am Stadtbach”, Bümplizstrasse 126, 3018 Bern dhe nga vetë autorja e librit…/ (Përgatiti editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura