DR.MOIKOM MZEQO: SAMI FRASHËRI PËR SKËNDERBEUN

Tiranë, 5 nëntor 2018: Në vitin 1888 Sami Frashëri botoi Kamus-ul-alam (Fjalori i Madh i Diturive), që është Enciklopedia e Parë Turke me karakter historik dhe gjeografik të përbotshëm. Në këtë kryevepër diturake dhe sistematizuese Sami Frashëri nuk ka harruar që midis emrave të pafundëm të Fjalorit të madh të diturive të shënonte dhe emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut si një biografi lakonike. Ose si një histori tipologjike në vetvehte.
***
Në vitin 1888 në Turqi sundonte regjimi despotik i osmanllinjëve, me në krye autokratin më të urryer të popujve të Perandorisë Turke Abdyl Hamidi II-të.
Ky Sulltan mbeti i njohur në histori me emrin Kizil Sulltan (Sulltani i Përgjakur).
Në mjedisin e kohës dhe në historiografinë shekullore osmane, Heroi kombëtar i shqipëtarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu quhej nga propaganda zyrtare turke si “Eshkija”, – dmth. Bandit, Rebel, një armik i perandorisë.
Por në fakt dhe i vetë dinastisë së Sulltanit që ishte në fuqi.
Në Turqinë e Sulltan Hamidit të II-të ekzistonte një censurë e rreptë që përshkonte rrjesht për rrjesht dhe fjalë për fjalë çdo vepër që bëhej gati për botim.
Në këto rrethana kërcënuese dhe të frikëshme kuptohet se çfarë guximi ka patur Sami Frashëri për të shkruar diçka për Gjergj Kastriotin.
Samiu shkruan duke e quajtur edhe si pasardhës të Aleksandrit të Madh,- për më tepër dhe si kundërshtar realisht i dy sulltanëve, i Sulltan Mehmetit të II-të, i mbiquajtur Fatihu (Ngadhnjyesi),- që në fakt qe edhe stërgjysh i Sulltan Abdyl Hamid i II-të.
Sami Frashëri në mënyrë të pafrikëshme, pamvarësisht se qe i vetëdijshëm arrin- që me kryeveprën e tij Enciklopedike të shkruaj për Skënderbeun, -duke i thënë haptazi turqve bashkëkohës së tij dhe opinionit publik dhe atij shkencor se Gjergj Kastrioti nuk ka qënë një “Eshkija”,- por Hero Kombëtar i Shqiptarëve, -pasardhës i Aleksandrit të Madh – me të cilin kishte të ngjashme edhe formën e përkrenares, sipas Samiut.

Çfarë shkruan realisht në zërin Enciklopedik të quajtur
ISKENDERBEJ (SCANDERBEG):
Zanafillas, emri i tij është Xhorxh, ose Gjergj Kastrioti, biri i Jan Kastriotit, princ i krahinës së Krujës (Akçehtisarit) në kohën e pushtimit osman.
Ka lindur në vitin 1404, sipas një dëshmie tjetër në një 1414.
Kur Sulltan Murati i II-të nisi të pushtojë viset shqiptare, atit të tij iu desh të nënshtrohej.
Por Sulltani për të pasur garancinë e duhur të vazhdës së nënshtrimit, mori si peng katër të bijtë e Jan Kastriotit dhe i pruri në Andrianopojë.
Skënderbeu qe më i vogëli nga këta.
Jashtëzakonisht i zgjuar dhe trim, tërheq vëmendjen dhe hyn në zemër Sulltanit aty për aty, i cili e quan ose e emërton Iskënder, në përgjasim të bashkëkombasit të tij Iskënderi Dhul-Karneinit dhe kështu u edukua së bashku me princin perandorak Mehmetin e II-të, Fahtiun e ardhshëm.
Sapo u bë burrë emërohet Sanxhakbej.
Me të këtë cilësi ka shërbyer në Serbi, në Damaskë dhe në krahina të tjera të Perandorisë.
Në luftrat ku mori pjesë, gjithkund u nda në shenjë nderimi për karakterin e tij burrëror, për trimërinë me zotësi ushtarake të jashtëzakonshme.
Aq i rreptë ishte më forcën e tij trupore dhe më guxim sa edhe faqe Sulltanit u dilte në mejdan (në dyluftim) shumë atletëve duke u mundur asnjëherë preje asnjërit.
Me vdekjen e të jatit zotërimi i tij i pavarur iu shtua zotërimeve të Perandorisë Turke, duke u dërguar kështu njëherësh në Krujë një qeveritar kështjelle.
Në atë kohë Skënderbeu ndodhej në Sham (në Siri).
Kur kthehet së këtejmi, merr vesh, se që të tre vëllezërit i kishin vdekur.
Skënderbeu, në një kohë kur ishte në pritje, që me vdekjen e të atit, njëri prej vëllezërve ose ai vetë të merrte sundimin në viset e trashëguara dhe ashtu të vendosej princ mbi to, në një anë, duke mos parë të realizuar këtë, e në tjetrën nga pikëllimi për vdekjen e tre vëllezërve, u pezmatua aq, sa mori vendim të merrte malet.
Kështu, duke qënë i dërguar për në luftën e Moravës, më 1443, arratiset me një grup shqiptarësh, që kishte pranë vehtes.
Mbasi gaboi komandantin e Krujës dhe ai rishpiu në dorë zotërimin e të jatit, fton princat dhe kryezotët që ndodheshin në Shqipëri dhe ashtu bëri që të njihej kreu i krerëve të tërë shqiptarëve.
Me zotësinë e talentin e tij luftarak, duke qënë i favorizuar edhe prej pozitave natyrale, mundi t’i qëndrojë përballë për shumë ushtrive të Perandorisë.
Mbretërit e krishterë të Europës, posaçërisht Papa me Mbretin e Hungarisë, duke menduar se Skënderbeu do të bëhej një mur i hekurt karshi osmanëve, s’u kursyen ta inkurajojnë, duke lidhur aleance me të, por këto pushtete, që s’guxonin t’i dilnin vetë përballë stuhisë osmane, si e futën Skënderbeun në zjarr, qëndruan, duke bërë sehir për së largu.
Megjithatë Skënderbeu i mbështetur në atë strategji dhe mënyrë luftimi, që ishte një veçanti e tij, e sidomos duke mbajtur grykat e duke u fshehur nëpër pyje të pafundme, me mësymje të befasishme dhe duke iu shmangur betejave të hapëta arriti t’u qëndrojë ushtrive të komanduara nga vetë Sulltan Mehmeti i II-të.
Këto qëndresa bënë që si ushtria, ashtu dhe atdheu i tij, të dëmtoheshin mjaft. Për më tepër dëshpërimi i tij qe më i madh, kur pa kundër vehtes dhe të bashkuar me ushtrinë osmane nipin e tij, Hamza Kastriotin.
Aq më i madh qe dëshpërimi kur i braktis dhe prej më trimit shok të tij Moisiut të Dibrës, që, krahas ushtrive perandorike, t’i hidhet përsipër.
Por, më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë.
Sulltan Mehmeti i II-të, Fahtiu ka dërguar shumë herë ushtrinë mbi Skënderbeun.
Më në fund Skënderbeu qe shtrënguar të kërkojë paqe, kështu më 1461 u lidh një traktat.
Skënderbeu duke përfituar prej kësaj paqeje, kalon në Itali, ku krahas Feerdinandit, Mbret i Napolit dhe i Siqilisë lufton kundër mësymjeve të Karlit të VII, Mbret i Francës.
Si shpërblim ndaj ndihmës dhe ngadhnjimit në këtë luftë, Ferdinandi i jep Skënderbeut titullin e Dukës të Shën Pjetrit.
Me t’u kthyer nga kjo luftë në 1463, hidhet përsëri në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Kësaj here dërgohet një ushtri shumë e madhe, prej Sulltan Mehmeti i II-të.
Skënderbeu, duke kuptuar se s’mund t’i bënte ballë dhe, në anën tjetër duke e parë vehten edhe të sëmurë, niset për në qytetin e Lezhës për të kërkuar ndihmë prej venedikasve.
Por aty ndërron jetë, më 1467 (në 1468).
Sado që, ka qënë varrosur në Lezhë, luftëtarët, që u qe mbushur mendja se eshtrat e tij kishin një tallasum (talisman) që mbronte dhe shmangte goditjen e predhave i patën nxjerrë këto eshtra nga varri dhe pastaj shpërndarë dhe qepur nëpër veshjet e tyre.
Pati lënë një djalë të vogël, i cili së bashku me disa krerë pati ikur në Venedik, por më tej s’është marrë vesh gjë mbi fatin e tij.
Me vdekjen e Skënderbeut Kruja dorëzohet, pushtohet e tërë Shqipëria, vëndi ynë nën pushtimin osman.
Historia e Skënderbeut ka qënë shkruar në gjuhën latine, prej bashkëkohësit dhe mikut të tij Marin Barleti. (Sami Frashëri: Kamus-ul-alam (II, f.927-923).”
***
Ky shkrim i shkurtër i Samiut padyshim parë sot ka disa pasaktësira, që janë të kuptueshme në nivelin e njohjes të asaj kohe.
Por ka edhe ndonjë të dhënë të re.
Për Samiun Gjergj Kastrioti është dërguar si peng në një moshë të re.
Data e lindjes së Heroit jepet ose 1404 ose 1414 ndërkohë që mendimi kryesor i historianëve të kohës tonë mendojnë se Skënderbeu ka lindur më 1405.
Samiu e ka të saktë thënien që Skënderbeu është emëruar Sanxhakbej.
E mendon se Skënderbeu ka shërbyer në Damask, në krahina të tjera të Perëndorisë, por në fakt nuk ka asnjë të dhënë deri më sot që Skënderbeu të ketë shërbyer si Sanxhakbej në Serbi.
Shumica e të dhënave që citon Samiu bazohen në librin e Marin Barletit.
Por, dihet se Barleti në fakt nuk e ka njohur dhe nuk ka qënë bashkëkohës i Skënderbeut dhe as miku i tij.
Marin Barleti e ka botuar veprën për Skënderbeun më 1508 dhe ka shfrytëzuar dokumenta mesa duket edhe familjare të Kastriotëve, sepse ka qënë njohur nga afër me nipin e Gjergj Kastriotit, me Ferrante Kastriotin.
Samiu e përcjell tek lexuesit ritin e çuditshëm që ka ndodhur në nxjerrjen e eshtrave të Skënderbeut, me sakralizimin e tyre, sikur kishin fuqi magjike dhe mbrojtëse dhe jepe një hollësi që këto eshtra i kanë qepur në rrobat e tyre ata që i poseduan.
***
Sami Frashëri e quan Skënderbeun si pasardhës të Aleksandrit të Madh. Aleksandri i Madh njihet në botën arabe madje përmendet edhe në Kuran si Dhul-Karneini që do të thotë “Mbajtës i dy brirëve” (me shumësi dual tek arabishtja mbi Karmbrinë,- titull që arabët i dhanë Aleksandrit të Madh, i njohur nga shqiptarët me emrin Leka i Madh, për shkak të kurorës së tij me dy maja porsi brirë, ose për zotërimin e Lindjes dhe të Perëndimit ose të Iranit dhe Greqisë.
Viti i vdekjes 1467 i dhënë sipas kalendarit Venedikas është përmendur dhe nga autorë të tjerë dhe saktësuar që është viti 1468.

***
Në të njëjtin vit 1888 Sami Frashëri boton veprën e tij Enciklopedike, vëllai i tij Naim Frashëri boton Eposin e tij poetik “Historia e Skënderbeut”.
Libri i Naimit u botua në gjuhën shqipe dhe u shtyp në Bukuresht.
Ishte hera e parë mbas kaq shekujsh, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit që një poet shqiptar shkruan një Epos poetik në gjuhën shqipe.
Kjo vepër ka shprehje dhe qëndrime të ashpëra kundër Turqisë, qoftë dhe duke bërë evokime të historisë në shekullin e XV, si një reflektim për shekullin e XIX.
Natyrisht që guximi i Naim Frashërit prej poeti për të botuar këtë vepër është shumë herë më i madh edhe sa i Samiut, dijetarit.
Një shikim krahasimtar dhe përmbajtësor na bën të njohur se Naim Frashëri është mbështetur edhe ai mbi veprën e Marin Barletit ashtu si dhe Samiu, por ndoshta jo në variantin latinisht të veprës Barletiane por në ndonjë përkthim siç është përkthimi në gjuhën frënge.
Tek Historia e poetizuar e Gjergj Kastriot Skënderbeut Naim Frashëri ka shfrytëzuar edhe burime të tjera, por reflekton dhe një ndikim nga kryeveprat botërore siç është Eposi Homerik, Virgjilian por dhe Dantesk.
Ndërkohë duhet vënë në dukje se Naim Frashëri ka shkruar edhe ndonjë prozë që pasqyron ekspeditën e Gjergj Kastriotit në Itali për të mbrojtur Mbretërinë e Napolit.
Do kishte interes që gjatë shkrimit të Eposit për Skënderbeun të dihet nëse Naimi konsultohej me të vëllain Samiun, sepse ka një unison pikëpamjesh me karakter unik të Historisë Skënderbejane.
***
Në të vërtetë Samiu dhe Naimi po bënin demitizimin, shkatërrimin e mitit negativist osman, që në të gjitha kronikat e konsideronte Skënderbeun vetëm si “Eshkija”.
Ata arritën ta thyejnë përfundimisht këtë mit të mbrapshtë dhe deformues të histories.
Ky mit osman i shekullit XV gjallon ende sot si deformim historic-pra antihistorik.
Të dy vëllezërit në një mendje të kthjellët dhe të fuqishme nuk kishin ndërmend aspak që të ndryshonin në këtë pikë historiografinë zyrtare osmane.
Por kishin për qëllim të epërm për të çliruar nga deformimi figurën e Skënderbeut, për t’i dhënë statusin që meritonte jo vetëm në historinë e shqiptarëve por dhe në historinë europiane dhe botërore që Heroi e kishte gëzuar në të gjallë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura