Ladorisht – Strug, 25 prill 2017: Fjala e Guximtar Labënishtit, mbajtur në Manifestimin e organizuar nga Shoqëria LËVIZJA, në 24 vjetorin e MBLEDHJES KONSULTATIVE TË LËVIZJES POPULLORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS,(23-24.04.1993, në KOLLARË, KËRÇOVË)
– “Përshëndetje, motra e vëllezër, bashkëveprimtarë dhe gjithë tjerët që në një formë apo tjetër keni kontribuar dhe kontribuoni për çështjen e shenjtë dhe të drejtë kombëtare!
Nuk është e lehtë, biles majft vështirë, që pas një distance kaq të gjatë kohore të gjenden fjalët e duhura për raste si ky i sotmi!
Unë kisha nderin të jem pjesë e Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës (pas Mbledhjes së katërt të Përgjithshme – LPK) pak vite pas themelimit të saj! Aty gjeta veten më së miri, programi i saj ishte në përputhje me bindjet e mia dhe frymëzim për veprimtarinë e mëtutjeshme kombëtare!
Pas Luftës së Dytë Botërore, më se gjysma e popullit dhe trojeve etnike, përkundër vullnetit të tyre, me gjith’ të drejtën legjitime që u takoi pas kontributit në luftën kundër nazifashizmit, mbeti nën ish Jugosllavi!
Populli shqiptar nën sundimin kolonialist sllav, me gjithë sakrificat e shumta në dekada, nuk rreshti kurrë së luftuari për liri dhe të drejta kombëtare! LPRK ishte vazhdimësi e asaj lufte, duke përshtatur format e veprimit deri në luftë të armatosur!
Veprimi jonë në LPRK, nga gjiri i së cilës lindi edhe UÇK, ishte i detyruar nga regjimet e kohës, pozita inferiore dhe e nënshtruar e popullit shqiptar nën thundrën e egër sërbosllave, që nuk na jepte asnjë alternativë tjetër, përpos veprimit jashtëinstitucional, apo të ashtuquajtur “ilegal” për realizimin e të drejtave tona të mohuara.
Asokohe etiketoheshim nga pushteti dhe veglat e tij si: nacionalistë, iredentistë, terroristë, enveristë e çkamos tjetër, kurse sot, edhepse në situata të reja më të favorshme, të krijuara falë po asaj përpjekje dhe lufte të armatosur çlirimtare që rrodhi prej atij organizimi, nga qarqe të caktuara etiketohemi si enveristë, të kuq, apo marksistë-leninistë!
LPRK ka qënë e hapur për të gjithë, pa dallim përkatësie ideologjike, sociale, politike etj., po që na bashkonte qëllimi i vetëm – çlirimi nga sundimi fashist sllav; pas çlirimit populli do vendoste vet’ me vullnet të lirë se çfar’ sistemi do ndërtonte!Ata që mbetën jashtë asaj lufte,fajet le t’i kërkojnë diku tjetër,jo te ne!
Përkrahje të parezervë asokohe na dha Republika e Shqipërsisë me Enver Hoxhën në krye! Fat i madh për ne që kemi pasur krahët dhe shpinën e ngrohët prej saj, po sikur të ishte ajo e Ahmet Zogut, … atëherë vaj halli për ne!
Dikush mund të pyesë se a kemi pasur alternativë tjetër asokohe?!
Them se po, kemi mundur të zgjedhim mes: ENVERIT dhe TITOS!
Ne zgjodhëm ENVERIN – SHQIPËRINË, zgjodhëm përpjekjet dhe luftën për liri, pa marrë parasysh çmimin dhe nuk pendohemi për këtë! Kuptohet që etiketat na vijnë nga krahu tjetër – titistët, nostalgjikët jugosllavë, që dikur fshiheshin vrimave, rrinin anash, apo bashkëpunonin në forma të ndryshme me armikun e sot kanë dalë për ‘mejdani’ e lehin si hijenat; më e keqja është se janë edhe në pozita udhëheqëse, toleruar edhe nga ish shokët e LPK apo UÇK!
Dielli nuk fshihet dot me shoshë, historia dhe lëmit’ tjera përkatëse le ta thonë fjalën e tyre, të vërtetën në mënyrë të paanshme, e presim me kënaqësi dhe krenari këtë!
Vitet ’90 sollën një farë relaksimi relativ në trojet tona nën ish Jugosllavi, u liruan të burgosurit e fundit politikë, por pozita jonë në thelb mbeti e njëjtë, edhe përkrah “të drejtës” së organizimit legal politik! Me atë lloj organizimi u manipulua në mënyrë perfide nga qendra të ndryshme antishqiptare (që fatkeqëaisht, pak a shumë, vazhdon edhe sot), andaj u imponua vazhdimi i formave të mëparshme të veprimit dhe shkallëzimi i tyre!
Para 24 vitesh, këtu, në këtë vend, në këtë shtëpi u mbajt një takim i rëndësishëm shokësh të organizuar rreth Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës, e quajtur Mbledhje Konsultative e LPRK, mbledhje parapërgatitore e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPRK, që do mbahej pak muaj më vonë. Por kjo mbledhje ishte më shumë se kaq, aty u shqyrtua gjendja politike në trojet e okupuara dhe më gjërë, iu dha përkrahje luftës së armatosur për çlirim kombëtar, grupeve të armatosur që vepronin asokohe, unifikimit të tyre (më vonë nën emrin e përbashkët UÇK) si alternativë e vetme e mbetur, pasi ishte e qartë se mjetet tjera nuk jepnin fryt, si psh. “alternativat” shterpe politike gjithandej trojeve etnike!
Ishte nder dhe përgjegjësi njëkohësisht për pjesën e LPRK-së në trojet shqiptare nën IRJM që mbledhja do mbahej këtu, pasi ashtu dëshmohej se jemi një e të pandarë në trojet shqiptare nën ish Jugosllavi!
Gjithashtu ishte nder i veçantë për mua pjesëmarrja në Mbledhje, në cilësinë e anëtarit të kryesisë së LPRK, përfaqësues i rrethit të Strugës për LPRK dhe më parë përfaqësues i Këshillit Koordinues të LPRK për troje nën IRJM.
Së pari uroj Shoqërinë LËVIZJA për organizimin e këtij manifestimi të rëndësishëm dhe tjerë të kësaj natyre për promovimin e vlerave gjithëkombëtare;
Me këtë rast shpreh:
RESPEKT të thellë për familjen, që na hapi dyert e shtëpisë dhe zemrës për Mbledhjen Konsultative të LPRK;
RESPEKT për të gjithë ata që u kujdesën aq mirë për mbarëvajtjen dhe sigurinë e Mbledhjes;
RESPEKT për bashkëpjesëmarrësit në Mbledhje – anëtarë të LPRK;
RESPEKT sidomos për ata që nuk janë më fizikisht në mesin tonë, po që na lanë amanetin: “ATDHEU I LIRË MBI TË GJITHA”!
Gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës, UÇK dhe LPK ndryshuan disi nga misioni final i tyre – çlirimi i plotë i trojeve nën okupimin sllav; LPK u transformua në parti politike “moderne”, ndërsa UÇK u çarmatos! Mendoj se duhet dhënë shpjegim për këtë akt anakronik para brezave dhe historisë!
Nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës pasuan Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Si rezultat i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u çlirua Kosova (në bashkëveprim me NATO) nga pushtimi sërbomadh, ndërsa shpallja e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur u bë më 17 Shkurt 2008, por që akoma obstruohet nga Sërbia dhe nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar që kalkulon me mendësinë sërbe!
Në IRJM, konflikti i v. 2001 (është tepër ta quash luftë, se u zhvillua me taktizime dhe kontroll të tepërt), u mbyll me (mos)marrëveshjen e Ohrit, por që aq shumë dhe keq u manipulua me të, sa që edhe pas më se 15 vitesh “jete”, nuk mbeti gati hiçgjë prej saj!
Këtë e dëshmon edhe situata e krijuar së fundmi nga përgjimet e famshme dhe pas zgjedhjeve parlamentare të fundvitit 2016 në IRJM; nuk duket asnjë zgjidhje në horizont, përkundrazi, sikur po i fryhet zjarrit të një konflikt të ri, vetëm e vetëm që do pushtetarë të deritashëm, të zhytur thellë në krim, të shpëtojnë nga drejtësia, apo edhe të vazhdojnë me qeverisjen e njëjtë dhe kriminale.
Faktori shqiptar në këto troje duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën e krijuar dhe në përputhje me të, përkrah shumë shkeljeve deri më sot, të vazhdojë me hapat e duhur, se jemi përballë vendimesh e veprimesh historike, që nëse i lëshojmë, nuk do na falet kurrë! Por, kjo nuk arrihet me politikanë të korruptuar e komprometuar në forma të ndryshme!
Në mbarë trojet shqiptare, politika dhe pushteti janë prekur mjaft nga fenomene negative si korrupsioni, krimi i organizuar, kriza politike, gjë që reflektohet keq në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare si dhe në gjendjen socio-ekonomike të popullsisë.
Arsimi ka devalvuar tejmase në të gjitha nivelet, prodhimi i kuadrove të dyshimta dhe të paafta, përmbysja e sistemit të vlerave, papunësia, paperspektiva për jetë të denjë në vendlindje, migrimi në masë të madhe dhe të pandërprerë për arsye ekonomiko – politike që po boshatis trojet tona të lashta…janë plagë që sa vjen bëhen edhe më të thella, por që siç duket nuk janë në plan të parë për faktorin politik shqiptar, se për tjerët dihet!
Urgjentisht duhet rishikuar kjo politikë dhe të rregullohet çfar’ mundet në kët’ moment, sa nuk është bërë tepër vonë!
Faktori politik mbarëshqiptar ka të drejtë legjitime dhe natyrore që të koordinohet mes veti për të mirën e kombit, pa shkelur askënd në të drejtat e tij!
Padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve duhen korigjuar dhe drejtësia të vihet në vend! Këtu rolin e vet duhet ta luaj edhe Faktori Ndërkombëtar, i cili kishte rolin kyç në ato padrejtësi!
Në IRJM nuk mund të vazhdohet më me mendësinë e vjetër, hegjemoninë sllavomaqedone në raport me shqiptarët autoktonë dhe të tjerët në të, por si shtet duhet të vendoset në baza të reja, kushtetutë e simbole të pranueshme shtetërore për të gjithë, me shqiptarët shtetformues, me denoncimet e krimeve historike ndaj tyre etj. LIRIA dhe BARAZIA e shqiptarëve dhe gjith’ të tjerëve në IRJM duhet të jetë e vetmja alternativë e kësaj strukture të quajtur shtet, përndryshe mbetet alternativa e BASHKIMIT KOMBËTAR !
LAVDI VEPRIMTARËVE TË ÇËSHTJES KOMBËTARE QË NUK DEVIJUAN NGA RRUGA E DREJTË PËR ASNJË ÇMIM;
POSHTË TRADHTIA DHE TRADHTARËT;
LAVDI E PËRJETSHME DËSHMORËVE TË KOMBIT ! ”
Guximtar Labënishti – Ladorisht, 23.04.2017