Halil Alidema – Meteorë Lirie (13)
Nga Sabit Alidema
VEPRIMTARINË TONË POLITIKE DUHET TA SHTRIJMË EDHE NË DIASPORË
“Nëno moj mos ki frikë
Se ke djemt në Amerikë”
Lili mendonte se veprimtaria patriotike e intelektualëve të Kosovës duhet të shtrihet edhe jashtë trojeve të Kosovës, pra edhe në disaporë. Lili në këtë frymë përpiqej të organizonte ekspozita me skulptura e piktuara me motive nga tradita jonë kombëtare, organizonte orë letrare e debate politike, shpërndante abetare, libra e vepra të tjera, duke u përpjekur kështu që të ruaj vlerat e kulturës materiale e shpirtërore të traditës shqiptare. Me këto aktivitete ai ua ofronte mërgimtarëve tanë më afër Kosovën dhe ngjallte tek ata dashurinë për çdo gjë shqiptare e kultivonte gatishmërinë e sakrificës për atdheun e tyre të shtrenjtë. çdo mërgimtarë në Evropë e gjetiu është një pjesë e Kosovës, është një Kosovë në miniaturë. Të gjithë mërgmitarët bartin me vete, në mendimet e tyre, në qenien e tyre, Kosovën martire. Sepse vëllezërit tanë që jetojnë sot në diasporë jetojnë, punojnë e mendojnë për Kosovën. Ata marrin frymë bashkë me ne, sepse me trup, do të thotë fizikisht janë në qytete e qendra të ndryshme të përendimit, por me shpirt e me zemër, me mend e me ideale ata janë në Kosovë. Ata digjen nga nostalgjia për vendlindjen e tyre, malli e dashuria për atdhe tek ata është eshkë e thatë, e cila pret vetëm shkëndijat e unorit për të marrë zjarr. Prandaj duhet shfrytëzuar këtë prush patriotik, këtë gatishmëri të tyre që përveç angazhimit në ngritjen e vetëdijes, të angazhohen dhe të integrohen në rrjedhat politike e ekonomike të Kosovës.
Dihet fare qartë edhe nga historia jonë kombëtare se veprimtaria politike më tepër është zhvilluar në diasportë sesa në atdhe. Sepse atdheu ynë gjithnjë ishte i robëruar, ndaj veprimtaria patriotike ishte më e vështirësuar. Ajo haste në pengesa të mëdha dhe shpesh para se të fillonte, dështonte dhe përfundonte edhe me pasoja të mëdha arrestimi e torturimi nga pushtetet ekzistuese.
Fati historik deshi ashtu që shqiptarët sot t’i gjejmë kudo në botë, madje edhe në Amerikën e largët. Mirëpo, ata nuk ndenjën daurkryq, por vijimisht punuan e vepruan për atdheun e tyre, për çlirimin e tij, lirinë dhe pavarësinë. Prandaj, qysh në kohën e Nolit si udhëheqës i Shoqatës “Vatra”, e cila zhvillonte një aktivitet të dendur patriotik, ku edhe sot tingëllojnë në mënyrë inkurajuese vargjet e Nolit: – Nëno moj mos ke frikë/ se ke djemtë në Amerikë/ që mendojnë, punojnë e veprojnë për Ty. Nuk është e kotë edhe shprehja popullore në këtë frymë “mashkujt e mirë janë për dynja”, të cilët me punën dhe sjelljet e tyre e përfaqësojnë popullin e vet dhe mbrojnë interesat dhe autoritetin e dinjitetin e tij.
Diaspora nuk ka nevojë të ndahet e të përçahet në parti të ndryshme, të cilat pastaj në vend që të merreshin me çlirimin kombëtar, të shpenzonin potencialin e tyre intelektual e material, psikik e fizik njëri kundër tjetrit. Kjo sipas mendimit tim është shumë e dëmshme për diasporën. Diaspora është mirë të organizohet nëpër klube e shoqata, e jo nëpër parti të ndryshme, ndaj si të këtilla të zhvillonin veprimtarinë e tyre patriotike në frymën dhe kahjen e zhvillimeve progresive të atdheut të tyre. Shikuar nga ky aspekt diaspora përbën një krah të fortë politik dhe ekonomik për atdheun e vet. Kjo masë njerëzish duhet të bashkohet e të vetëdijësohet për një qëllim të caktuar – për t’i kontribuar popullit e atdheut që sa më parë që është e mundshme të çlirohet nga robëria dhekullore. Mirëpo, duke pasur parasysh epërsinë ushtarako-policore, epërsinë në armatim të armikut tonë, puna jonë në këtë drejtim është shumë e vështirë.
Shi për këtë arsye diaspora jonë duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mënyrat e format e mundshme të saj paqësore e diplomatike, duke u përpjekur ta bind opinionin ndërkombëtar se populli shqiptar i Kosovës e meriton lirinë dhe pavarësinë si shumë popuj të tjerë të botës. Prandaj, në këtë drejtim duhet ndërkombëtarizuar zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.
Unë nuk do të flas për programet e partive të tjera, sado që ato mund të jenë të ngjashme me partinë, që e përfaqësoj unë. Mirëpo, një gjë di se kahdo që të nisemi, çfarëdo shtegu që të ndjekim në rrugëtimin tonë shumëvjeçar, të gjithë e kemi për detyrë të zhvillojmë një luftë të pandërprerë të rezistencës sonë, që do të na shpie në një pikë dhe në një cak, e ky është në fazën e parë çlirimi i Kosovës nga okupatori serb, shpallja e pavarësisë dhe konstituimi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.
Në shikim të parë, për pesimistët kjo duket e pamundshme. Mirëpo, optimistët që natë e ditë punojnë e veprojnë i tejkalojnë edhe pengesat më të mëdha, sepse pengesat ekzistojnë për t’i tejkaluar, e ato i tejkalon i pushton dhe i realizon njeriu me vullnet të çeliktë, populli me energji të pashterur dhe vendosmëri për të vepruar deri në realizimin e qëllimeve dhe synimeve të veta. E kjo mund të realizohet, përveç luftës së brendshme në atdhe edhe në diasporë. Diaspora është ajo që mund të kontaktojë me të gjitha institucionet ndërkombëtare, duke ndërkombëtarizuar çështjen tonë kombëtare, ajo arrinë që këtë çështje ta bëjë problem të dorës së parë ndërkombëtare, që kërkon zgjidhje. Vetëm kështu mund t’i afrohemi zgjidhjes së sigurtë, garancioneve ndërkombëtare, por me veprimin e pareshtur të luftës sonë orientimin e njerëzve në UÇK.
REKRUTIMI I DIASPORËS NË UÇK
Pasi të shtereshin të gjitha mundësitë e veprimit paqësor dhe diplomatik, pasi të shrytëzoheshin të gjitha format dhe mënyrat e rezistencës popullore kundër robërisë dhekullore, kur të vijë thika në asht pason edhe rezistenca e armatosur.
Armiku ynë shekullor zbatoi të githa fomat e represionit politik dhe ekonimik, duke filluar nga refoma agrare ia ngushtoi popullit shqiptar mundësitë e jetesës në trojet e veta stërgjyshore, filloi represionin politik, duke përdorë dhunën dhe terrorin kundër popullatës shqiptare në çdo sferë të jetës së tij. Filloi ndjekjen dhe dëbimin e tij në shkretëtirat e Anadollit, në Turqi, zbatoi masakrimin e popullsisë së padëgjueshme të Drenicës, Anamoravës e gjithkund në Kosovë, u përpoq të kufizojë edhe shtimin e tij, duke fyer nënat shqiptare se ato janë lavatriçe që prodhojnë mortajën e bardhë. Këtë politikë të shovenistëve serbë e përkrahu edhe renegati shqiptar, Ali Shukriu, i cili këshillonte popullatën shqiptare të lindnin sa më pak fëmijë, sepse shtimi i madh po sjell varfërinë e një jete të vështirë “qenqe” siç thoshte ai. Me këtë ai donte të fshihte shkaqet ekonomike, duke u marrë me pasoja e jo me shkaqe, akuzonte edhe shkallën e ulët të arsimimit e të civilizimit. Kështu, ai u bë argat i Ilia Grashaninit, Vasa çubrilloviçit, Ivo Andriçit e Dobrica Qosiçit kundër shtimit të qenies kombëtare shqiptare. Një veprim i këtillë i delegatëve serbë dhe një politikë e tillë raciste pati efekte negative.
Populli shqiptar nuk e ndali kurrë shtimin e tij. Ai arrinte shkallën më të lartë të natalitetit në Ballkan dhe në Evropë. Në shtimin e madh të popullatës shqiptare ndikuan dy faktorë të rëndësishëm: 1. Faktori fetar, sepse kufizimi i lindjeve është mëkat ndaj njeriut dhe Zotit dhe 2. Faktori tradicional kombëtar i shtëpive të mëdha patriarkale si bashkësi familjare, ekonomike dhe ushtarake, në rast rreziku të mbrojtjes së pragut të familjes, nderit e dinjitetit familjar e kombëtar. Sa më shumë mashkuj, sa më shumë anëtarë që kishte një familje, ajo ishte familja më e fortë ekonomikisht, ishte familje më e çmuar dhe më e respektuar. Ajo mund të jepte edhe ushtarë më tepër, ndaj ajo kishte edhe miq të fortë dhe gëzonte prestigj më të lartë.
Nga kjo e ka zanafillën edhe thëniea popullore: “Një kurrnjë, dy si një dhe tre si dy” apo ajo thënia e bajraktarit: “dhetë pak, e një tepër”.1
Nënat tona me lindjet e tyre të shumta vijimisht e kanë përtërirë qenien tonë kombëtare. Ajo konsiderohet si një luftëtare e paepur, ajo është një heroinë e vërtetë, e cila shpartalloi dhe mposhti të gjitha planet shoviniste e gjenocidale serbe.
Përkundër zbatimit të regjimit serb për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta përkundër vrasjeve e masakrave që ushtroi mbi popullatën shqiptare qe dyqind vjet e këndej, nuk mundën të ngadhnjenin mbi nënën shqiptare deri në ditët tona. Kjo është një luftë e guximshme e nënave tona. Edhe sot kemi raste të këtilla të nënave luftëtare me shtim, siç është zonja e Raif Shalës në Shkabaj, e cila në moshën e saj dyzetvjeçare ka lindur 18 fëmijë, 15 djem e tri vajza. Një nënë të këtillë duhet përshëndetur, duhet përkrahur e ndihmuar, madje duhet shpallur heroinë të Kombit. Populli ynë thotë: “vëllai i vetëm është i ngratë e krahthatë”. Vëllai është krah yti. Pikërisht se ne nuk patëm krah, nuk patëm vëllain e madh si serbët e popujt tjerë, hoqëm e vuajtëm më shumë se çdo popull tjetër.
Në luftën tonë shekullore për liri e pavarësi u gërshetuan të gjitha format e rezistencës: me dituri e strategji, me ndihma materiale e financiare, do të thotë me pasuri dhe me guxim e trimëri, do të thotë luftë të armatosur, duke dhënë qoftë edhe gjënë më të shenjt e më të shtrenjtë – jetën.
Meqë durimit i ka ardhur fundi, sepse armiku na ka mështetur për gardhi dhe nuk na ka mbetur tjetër dy duar për kokë, e kokën për atdheun, “o hunin o tirqit”, bijt dhe bijat më të mira, më luftëtarë e më guximtarë kapën pushkën dhe dolën në mal në luftë kundër armikut shekullorë. Ata u organizuan në togje, në çeta e batalione, ndaj këtyre duhet shkuar në ndihmë. Edhe diaspora mund ta jap kontributin e vet në këtë drejtim, sepse atdheu ka nevojë sot për trima e luftëtarë e jo për frikacakë e qyqarë.
Meqenëse lufta jonë është luftë e drejtë dhe çlirimtare dhe UÇK-ja është Ushtri Çlirimtare e Kosovës, atëherë rekrutohuni në UÇK”.
Vendosmërinë tonë dhe luftën tonë heroike do ta përshëndes edhe bota demokratike. Ajo do ta përkrah e do ta ndihmojë jo vetëm ekonomikisht, por edhe ushtarakisht. Kështu fliste patrioti i flaktë – Halil Alidema.
VETËDIJA E LARTË KOMBËTARE – KUSHT I DOMOSDOSHËM PËR TË ECUR DREJT EVROPËS
Robëria shekullore e zaptuesve të huaj ishte pengesë për zhvillimin normal të popullit shqiptar në të gjitha hallkat e zhvillimit shoqëror, nga njëra anë, por edhe analfabetizmi, injoranca e intrigat, shtypja, dhuna e terrori i armikut serbosllav që ushtroi me shekuj mbi popullin tonë, nga ana tjetër shkaktuan si pasojë fanatizmin e primitivizmin dhe shkallën e ulët të vetëdijes sonë kombëtare, e që është kusht i domosdoshëm për të ecur drejt lirisë e pavarësisë, drejt Evropës demokratike.
Për t’i këputur vargonjt e robërisë, popullit i nevojitet arsimimi, vetëdija, uniteti, qëllimi e synimi i caktuar.
Ndonëse, pushteti monist jugosllav, e veçanërisht komunistët serbo-çetnik gjithnjë e kritikonin dhe akuzonin popullin shqiptar për natalitetin e tij të madh, sepse i frikësoheshin këtij shtimi se një ditë do t’u dalë punë me ta. Ata me forma demagogjike përpiqeshin t’i shpjegonin jo shkaqet, por pasojat, duke thënë se primitivizmi është pasojë e shtimit e jo shtimi pasojë e primitivizmit dhe mungesës së emancipimit e civilizimit. Për të luftuar mushkajat duhet tharë moçalet. Pra, për të zvogëluar natalitetin duhej arsimuar dhe emancipuar, masën e shoqërisë shqiptare. Mirëpo, një gjë e këtillë shovenistëve serbë nuk u konvenonte, sepse po të arsimohej e vetëdijësohej shoqëria shqiptare, ajo me mënyra e forma të ndryshme do të kërkonte liri e pavarësi, vetëvendosje dhe shkëputje nga Serbia. Prandaj, edhe ata pak intelektualë, eventualisht intelektualë shqiptarë i shikonte me dyshim të madh, duke i përcjell veprimet e tyre në çdo hap. çdo ndërmarrje progresive ata i pengonte, ndaj krijonin inskenime, shpifje e kurdisje për akuza kundër ajkës së intelegjenciës shqiptare, duke i denoncuar gjykuar e dënuar nëpër burgje e kazamte famëkëqia serbosllave. Memzi prisnin të krijonin afera të ndryshme për të luftuar intelektualët patriotë shqiptarë, siç ishin infobyroja e 1948, Aksioni i Armëve i 1956; Dëbimi për Turqi që nga 1951 e tutje, grupet ilegale për bashkim kombëtar, demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, etj. Për të shfryrë mllefin e tyre shovenistë, për të marrë masa të rrepta drakonike, duke menduar se kështu do të gjunjëzonin e do të shuanin ndjenjat atdhedashëse dhe synimin për liri e pavarësi.
Pikërisht për këto arsye – thoshte Halil Alidema, për ne shqiptarët e Kosovës ende është herët të kufizojmë natalitetin. Sepse zvogëlimi i natalitetit shkon në dëm tonë e në favor të hegjemonizmit serbomadh. Shtimin tonë të natyrshëm shpeshherë e kanë zvogëluar luftërat e shpeshta dhe masakrat e armiqve tanë që kanë bërë mbi popullatën shqiptare të Kosovës, nga njëra anë dhe dëbimi me dhunë nga trojet stërgjyshore për Turqi e në vende të ndryshme të botës.
Prandaj, nuk është çudi që numri i shqiptarëve jashtë Kosovës mund të jetë shumëfish më i madh se në Kosovë.
Pra, intelektualët shqiptarë të Kosovës edhe për një kohë, derisa të çlirohemi nga robëria shekullore, nataliteti duhet të kuptohet si një rezistencë e vazhdueshme kundër armikut tonë shekullor. Nëna shqiptare me lindjet e saja të shumta, u bë arma më e fortë rezistuese kundër armikut. Ajo u bë tmerr për armikun. Kjo nënë, ndonëse në kushte të vështira jetese, me ushqim të dobët, veshmbathje të mjerë, kushte të papërshtatshme banimi, me një standard shumë të ulët jetësor, në mungesë të kushteve të nevojshme higjienike, por me një shtim të lartë, ngjallte frikë dhe tmerr tek armiqët. Populli ynë jetonte në familje të mëdha patriarkale. Këto familje kishin edhe një ekonomi më të gjallë, sepse kishin krah pune, ishin një shoqëri e organizuar, ndaj bënin edhe ndarjen e punëve fizike. Në këto familje ekzistonin odat e burrave. Në këto oda edukoheshin rinia shqiptare. Nga këto oda kishin dalë edhe pleqnarë e luftëtarë në zë, pra njerëz të mendjes e të pushkës. Mungonin njerëzit e pendës, të dijës e të arsimit. Këtë boshllëk në fillim e plotësonin hoxhallarët e priftërinjët nën ndikimin e të cilëve filluan të shkollohen edhe numri më i madh i shqiptarëve. Ata predikonin arsimimin e popullatës jo vetëm nëpër xhamia e nëpër kisha, por edhe nëpër oda. Prandaj, çdo familje e madhe dëshironte të shkollonte së paku një mashkull nga oxhaku e shtëpia e vet, që nesër të krenohen me të. Kështu u krijua bërthama e parë e intelegjencës shqiptare, të cilët luajtën rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në mbarim të saj, ndonëse Kosova u ripushtua dhe u aneksua nga Serbia, por etja për dije, për shkollim e arsimim kurrë nuk u shua. Është me rëndësi të veçantë se dëshira për shkollimin e arsimimin e fëmijëve më tepër u kultivua tek femrat sesa te burrat, më tepër te nënat sesa te baballarët. Mirëpo, në fillim kjo dëshirë më tepër ekzisotnte për shkollimin vetëm të djemëve, e shumë vonë u kuptua se edhe vajzat duhet shkolluar. Dallëndyshet e para të këtij progresi ishin mësueset e para nga qyteti, e pastaj nën ndikimin e tyre edhe nga fshatrat. Një plak i urtë i Berishës së Drenicës kishte pasë thënë: – Kosova do ta fitojë lirinë e vet, kur gjyshja do të kërkojë nga nipi ose mbesa të shkojë t’ia blejë gazetën për ta lexuar.
Sa simptomatike, sa sinjalizuese e largpamëse ishte kjo thënie e këtij plaku të urtë, i cili mendjehollësinë dhe intelegjencën natyrore i kishte “me t’leme, e jo me t’bleme” – siç thotë populli ynë. Kjo thënie sot u bë realitet, ndonëse me vuajtje e pengesa të mëdha, me ndjekje e persekutime, gjykime e dënime, vrasje e dëbime, por dëshirën e vullnetin për emancipim e shkollim, armiku nuk mundi ta pengojë dot. Pengesat ekzistojnë për t’i tejkaluar. Një popull që ka vullnet për jetë, energji për punë, vendosmëri për realizim, ai synimet e idealet e veta kurdoherë do t’i bëjë realitet.
Kështu, pas shkollimit të mesëm dhe të lartë, vetëdija kombëtare për liri e pavarësi u ngrit në shkallë shumë të lartë. Tani duhet të masivizohet çështja e unitetit kombëtar. Në favor të kësaj shkon edhe Lëvizja Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, plagëve e Ngatërresave, së cilës sot po i prinë plaku i urtë dhe intelektuali patriot profesor Anton Çetta.
Ky potencial intelektual sot në Kosovë po të orientohet drejt, duke kultivuar një vetëdije të lartë kombëtare, të organizohet edhe për rezistencë – është kusht primar për të çliruar më parë atdheun, e pastaj duhet të pasojë bashkimi kombëtar për të hyrë në Evropë si komb i bashkuar, e jo si komb i ndarë.
Kjo dëshmon se Halil Alidema ishte ithtarë i flaktë i Shqipërisë Etnike, ku do të bënin pjesë të gjitha trojet shqiptare që bëjnë pjesë në Ballkan dhe kanë një vazhdimësi të pandërprerë tokësore ndërmjetveti, ato krijojnë një tërësi etnike, një Shqipëri të natyrshme as të madhe as të vogël, por aq sa e ka falë dhe krijuar vetë perëndia.
Parulla “Shqipëria e Madhe” është parullë reaksionare e shovenistëve serbë, duke e paraqitur kështu Shqipërinë Etnike si shtet grabitqar e pushtues të trojeve të huaja në Ballkan gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk i përgjigjet realitetit historik. Serbia, Greqia e Mali i Zi, synimet e veta grabitqare mundohen me i maskuar, duke ia mveshur këtë tendencë shqiptarëve paqësorë e Shqipërisë Etnike e Demokratike.
– VIJON –
_________________________
Halil Alidema – Meteorë Lirie (12)