Halil Alidema – Meteorë Lirie (16)

Halil Alidema – Meteorë Lirie (16)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 9 Korrik 2021

NË PRAG TË LUFTËS DHUNA PO SHKALLËZOHEJ

Duke pasur parasysh se Lili ishte gjallë deri më 19 mars 1996, prandaj, për çdo gjë që ai flet, për të gjitha ngjarjet që sheh e përjeton, kanë ndodhur deri në mars të vitit 1996, e të cilat sipas tij kishin arritur kulminacionin dhe kishin arritur pikën e vlimit dhe të shpërthimit të luftës mbarëkombëtare shqiptare, ndonëse pas vitit 1996 ndodhin skena edhe më rrënqethëse e më trishtuese, për të cilat ai ishte i vetëdijshëm dhe i parashihte, i merrte me mend. Deri në këtë datë ai zë ngoje dhe veçon disa ngjarje të dhembshme e tragjike, të cilat e shqetësonin pa masë, siç përmend. Në Kosovë, në çdo hap po shkilen jo vetëm të drejtat njerëzore, por edhe ato kombëtare. Përveç papunësisë së madhe, skamjes e mungesës së ushqimit, ndonëse shoqata të ndryshme solidare po i ofrojnë ndihma ushqimore e financiare, ndihma në veshmbathje e në barna në shëndetësi, duke u përpjekur që këto vështirësi të tij të kalohen e të mbijetohen disi. Mirëpo ç‘ti bëhet shkallëzimit të dhunës e të krimeve  anembanë Kosovës që po ushtron regjimi ushtarako-policor e paramilitar i satrapit Millosheviç.

Kanë filluar dhunime të femrave shqiptare. Për këtë flet edhe rasti i gruas së parë te Qafa e Duhlës, në Prizren e në Ferizaj. Një grua vritet në banesën e vet në Deçan, një tjetër në Gjilan, duke shtrirë rrobat në ballkon, një djalë vritet në rrugën Ferizaj – Prishtinë, ndërsa një djalë i ri nga torturat e policisë vdes në Sigurimin Shtetëror në Ferizaj, e pastaj hidhet për dritare nga kati i katërt, kinse duke kërcyer bënë vetëvrasje.

Të gjitha këto ngjarje trishtuese, që po merrnin shkallëzimin e dhunës dhe terrorit shtetëror mbi popullatën shqiptare të Kosovës Lilin e kishin dërrmuar jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, ndaj ndonëse ende nuk i kishte mbushur të 60tat, ai dukej i zbehtë dhe diç i krrusur nga torturat dhe qëndrimi i gjatë nëpër burgjet serbosllave dhe të dukej si një plak i moshuar, që kishte kaluar të 70tat. Atë e lodhte edhe angazhimi i tij në përgatitjen e Luftës Çlirimtare, sepse edhe Lili ishte njeri ndër themeluesit e UÇK-ës shqiptare. Në zemrën e në mendjen e vet ai ndrydhte thesarin më të çmuar, shpresën më të madhe, Kosovën e lirë dhe të pavarur. Jugosllavia po dërgonte forca të mëdha ushtarake në Kosovë bashkë me makinerinë e vet luftarake, duke rrezikuar paqen në tërë rajonin e Ballkanit. Madje, ajo u kërcënohej shqiptarëve me dëbim nga Kosova dhe me zhdukje fizike, siç ishte Vojisllav Sheshel, i cili thoshte: “Të gjithë shqiptarët do t’i dëbojmë përtej Bjeshkëve të Nemuna – për Shqipëri, sepse ata nuk e kanë vendin në Kosovë. Kosova gjithnjë ka qenë serbe, ndaj të dalim në shesh lufte, kush është më i fortë ai le të fitojë. Ky është ligji i luftës dhe fitorja e luftës”. Në këtë mënyrë ultranacionalisti shovenist – Sheshel, përbuzte e nënçmonte kërcënonte dhe provokonte popullin shqiptar, duke e ftuar për luftë të hapur. Mirëpo, kurrë nuk duhet nënçmuar një popull të tërë, sepse nuk ka popull të lig e frikacak, por ai pret momentin e bashkimit dhe të shpërthej në momentin e duhur si bletët kur dalin nga zgjoi, e sulmojnë përnjëherë nuk ka kush u del përpara, ashtu është edhe populli kur të mbushet kupa, kur të soset durimi dhe jeta më nuk ka kuptim, ai është i tmerrshëm, është si vala e lumit, si stuhia e zjarrit, ç‘të gjej përpara do të përlaj. Dhe një ditë do të vijë që ky Shesheli mburravec, do të pendohet për fjalët kaq të mëdha, do të kërkoj birën e miut për shpëtim. Sepse Zoti më parë ta rritë mendjen – e pastaj ta thyen qafën. Ardhacaku gjithmonë është më frikacak se vendasi. Vendasit i ndihmon e drejta, trualli e streha e stërgjyshërve të vet.

Duke e dëgjuar me vëmendje Lilin, unë i shtrova atij një pyetje:

-Mirë, o Lil, po ju ç‘mendoni për Ibrahim Rugovën? Dashtë e padashtë ne atë e kemi kryetar. Populli e ka zgjedhur dhe kush është kundër tij është kundër dëshirës e vullnetit të popullit. Dhe fillimisht, ai ndonëse në rrethana shumë të rrezikshme i ka prirë këtij populli, ka tubuar popullin brenda në Kosovë dhe jashtë Kosove, edhe në diasporë. Pastaj edhe Amerika po e përkrah atë. Ai sigurisht punon e vepron sipas mësimeve e instruksioneve të SHBA-ve BE e NATO-s. E ne në vend se të mburrremi e ta përkrahim atë, ka zëra që e kritikojnë për ngathtësi e tolerancë të tepruar dhe e quajnë pacifist?!!

-O, Bit, mos më ngre për maje të gjuhës. Ti fare mirë i di qëndrimet e mia, ndaj mos më detyro të flas. N’daç me prit – presim – është Ugandi e organizatat tjera ndërkombëtare. Zoti na ndihmoftë! Por Zoti nuk të ndihmon , po nuk i ndihmove vetit. Unë jam kundër interesave të ngushta klanore e grupore, madje edhe partitë shpesh mbjellin përçarje në popull, kur interesi partiak identifikohet me interesin e liderit të saj, si individ. Unë jam kundër padrejtësive dhe kundër korrupcionit. Neve duhet të na bshkojnë interesat e prbashkëta universitare e shkencore, kombëtare e shtetërore. Jugosllavia nuk e njeh Kosovën Republikë, nuk don të dëgjojë për ne. Mirëpo, ne duhet ta luajmë lojën diplomatike si lojën e degerxhikut. Duhet shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’i ikë luftës, por lufta është e pashmangshme, ndaj ne vijimisht duhet të punojmë në këtë drejtim. Duhet të përgatitemi edhe ushtarakisht. Është e domosdoshme që në Kosovë të dalë një forcë ushtarake – e kjo është UÇK-ja. Millosheviqi ka humbur besimin në tërë Jugosllavinë, sepse ai shkaktoi deri më tani tri luftëra në Jugosllavi. Ai do humb besimin edhe në popullin e vet, sepse po e çon atë drejt një katastrofe. Dhe popullit shqiptar nuk i ka mbetur rrugë tjetër, përveç opcionit të luftës. Ai është i gatshëm të luftojë. Shumë prindër janë të gatshëm ta dërgojnë në luftë edhe të vetmin djalë hasret, sepse ata hasret e kanë edhe Kosovën. Ne nuk kemi tjetër atdhe. Këtu kemi lind – këtu do të vdesim.

Dhe shpesh ai recitonte vargjet, atëherë të pabotuara:

Për emrin e emrit

me ty

Edhe me emrin e shkëmbit

me ngjyrën e dheut

të ujitur me lot e gjak,

me djersën e vaktë

…………………………….

me emrin e lashtë

kemi ëndërruar lirinë,

Emrin e emrit ta përtërijmë…1

Kosova duhet të jetë një vend i lirë ashtu siç i ka hije, si në kohën e Ilirëve dikur, të cilët kishin një atdhe të madh e të gjerë. Mirëpo tani ne do të pajtohemi me një Kosovë, ku flitet shqip.

Dukuria e migrimit të rinisë shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi nëpr botë e deri në Australinë e largët, është një plagë e dhembshme për popullin tonë.

Takimi i Halilit me mbesën e Ismail Qemalit, ishte edhe një frymëzim dhe një inkurajim. Ai pa tek ajo ndjenjën e flaktë patriotike, të cilën ajo e shprehte jo vetëm gojarisht, por edhe me shkrim në veprat e veta. Prandaj, me një njeri të këtillë duhet të mburret kombi shqiptar, sepse edhe jashtë atdheut, duhet dhe mund të punohet për atdhe, duke i kontribuar popullit e atdheut të vet në të gjitha fushat e afirmimit të vlerave arsimore e shkencore, gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.

Prandaj, sipas Lilit kudo që jemi, e kudo që gjendemi, duhet të sillemi, të punojmë e të veprojmë si shqiptar. Mbarë një popull duhet të jetë një popull i homogjenizuar me vlera të përbashkëta kombëtare. Ndonëse, armiqtë dhe pushtuesit e ndryshëm na kanë ndarë nga njëri-tjetri, ne duhet të sillemi, të duhemi, të punojmë e të veprojmë si vëllezër, si shqiptarë. Armiqtë tanë gjithmonë janë përpjekur e do të përpiqen edhe në të ardhmen që të na përçajnë ndërmjetveti shqiptarët e Kosovës, Shqiptarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, etj. Por a duhet ne të bijmë në këtë provim? Kurrsesi. Lili themeloi një celulë ushtarake në Pozheran, duke porositur që në këtë bërthamë ushtarake të rekrutohen njerëz besnikë, fshatarë, puntorë e barinj, duke u organizuar në grupe të vogla dhe duke punuar në fhsehtësinë më të madhe. Nëse, hetohen e zbulohen këto grupe, apo aktiviteti i ndonjërit nga veprimtarët, atëherë duhet të kalojmë në Shqipëri.

Meqenëse verpimtaria patriotike ilegale “armiqësore” e Halilit ishte zbuluar, ai u detyrua të kalonte në Shqipëri. Unë e kam dërguar Halilin deri në vijën e kufirit përtej Gjakove dhe pasi u përqafuam me lot në sy u ndamë njëri prej tjetrit për të mos u parë më për të gjallë.

VDEKJA E PARAKOHSHME E LILIT

Njeriu që i kushtoi një jetë të tërë çështjeve të pazgjidhura kombëtare, e rrumbullakësoi jetën e vet si tërësi, por mbeti pa e përjetuar e shijuar frytin e punës së vet. Ndonëse vdekja e Lilit na duket si e parakohshme, ai punët e atdheut i kishte kuptuar me kohë, e mund të themi edhe para kohe, qysh në moshën rionre në bankat shkollore. Shkollën e nacionalizmës shqiptare e kishte mësuar në familjen e madhe patriarkale të Alidemëve. Në odën e burrave, ku po kuvendoheshin çështjet tona të përhershme të historisë sonë kombëtare. Ai jetoi si një intelektual i formuar, por nuk jetoi vetëm për veti, jetoi edhe për të tjerët, jetoi gjithnjë në shërbim të popullit e të atdheut. Ai lindi dhe vdiq në një moskohë apo siç thotë edh vetë në një “Pakohë”

“Në heshtje zvarritej si uria,

Statujohej në pafundësi të detit

Dy pika lot shponin tokën,

E dhembja therrte qiellin

Pran portash të hekurta ndalhapi

Bluajm ndër dhëmb diellin.

Varrtarët rrmihur kanë varret

Duke e marrë vetveten

Me tallje dhe shpoti shekujsh”?1

Ndonëse larg vendlindjes së vet – në Tiranë, më 19 mars 1996 Halili u nda vetëm fizikisht nga kjo botë, ai nuk ishte pa shokë e pa miq, sepse kudo që shkonte krijonte rrethin e vet shoqëror, me shokë e miq të shumtë të idealit, të luftës për liri e çlirim të Kosovës, të lufts për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, ndaj edhe rrethi i miqve të tij ishte i madh.

Prandaj, varrimi i tij u bë në prani të një numri të madh shokësh e miqsh, duke ia bërë nderimet e fundit, u ndan prej tij me pikëllim e shqetësim të madh. Kështu, ndonëse shokët e miqtë u ndanë vetëm fizikisht nga Halili, në qarqet tona intelektuale e atdhedashëse, Halil Alidema mbeti një figurë e shquar, që e mbylli jetën e vet me nderë dhe shkëlqeu si një meteor në qiellin e nacionalizmës shqiptare. Pjesa dërrmuese, Halilin e njohin si artist të sportit kosovar, si poet, më vonë edhe si shkrimëtar, por mbi të gjitha ai ishte atdhetar i radhëve të para në mbrojtje të çështjes  shqiptare, rrjedhimisht edhe ndër personalitetet më të anatemuara nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij që në fillimet e përballjes vendimtare të historisë me antihistorinë; ishte edhe politikan, njeri me vizion, analist… mbase në pikëpamje të përcaktimit të një personaliteti kaq të gjithanëshëm do të mund të na ndihmonte definimi i Lasgushit – shkruan kritiku ynë mr. Hysen Matoshi – i cili për njerëzit e tillë – të cilët jetën e tyre shumë dimesnionale e kishin bërë pjesë të jetësimit të aspiratës kombëtare – përdorte atributin thjeshtë, por shumë të qartë dhe domethënës – shqiptar. I tillë ishte Halil Alidema kundruar nga aspekti i totalitetit të tij si personalitet”2

PORTRETI NJERËZOR E ATDHETAR I HALIL ALIDEMËS

Lidhur me portretin dhe virtytet njerëzore të Halil Alidemës, të cilin unë tërë jetën nga dashuria dhe afërsia intime e vëllazërore, e quajta Lili, kurse ai mua Bit, desha në fund të kujtimeve të mia të veçoja tri gjëra: 1. Kur e njofta dhe si e njofta Halil Alidemën 2. Si do ta mbaj në mend e në kujtimet e mia dhe 3. Cilat janë tiparet që e stolisin portretin njerëzor e atdhetar të Halilit,

1.Meqë Halili dhe unë i përkasim një trungu gjenealogjik të vëllazërisë Alidemaj të Pozheranit, unë pata fat që të rritem në një ambient të përbashkët familjar. Pra Halilin e njofta që nga fëmijëria e hershme. Ndonëse ai ishte dy vjet para meje, ky dallim moshor nuk më pengonte që të shoqërohesha me të. Ai ishte një fëmijë i gjallë, i shkathtë, i zgjuar dhe guximtar. Që në fëmijëri tek ai shquhej ndjenja e drejtësisë dhe urrejtja e padrejtësisë, ndaj ai gjithmonë më mbronte mga nxënësit më të mëdhenj se unë që më sulmonin. Pra, gjithmonë ishim bashkë, në lojëra, në shkollë,  në ara e në livadhe, kur prindërit na dërgonin t’i ruanim bagëtinë. Pra, Halilin unë jo vetëm e njoha në moshën fëmijërore, por pata fat edhe të jetoja gjitnjë bashkë me të, si kusherinj, të një vëllazërie e të një gjaku, që e dëshmon edhe mbiemri ynë i përbashkët, por pa e ditur dhe pa menduar se Halili një ditë do të bëjë emër, e do të mburrem e krenohem, jo vetëm unë si shok i fëmijërisë dhe i farefisit të tij, por mbarë kombi shqiptar. Do të thotë pata rastin ta njihja mirë, si vëlla, si shok e si bashkëpjesëmarrës në shumë sfida e rreziqe jetësore. Dhe unë mendoj se njerëzit e shquar si Halil Alidema, më mirë se e njohin periudhën e tyre të fëmijërisë, janë fëmijët vetë – shokët e tij. Ata mund të rrëfejnë në mënyrë më besnike një pjesë të biografisë së tyre.

2.Halilin, tani që më nuk gjendet në mesin e të gjallëve, unë do ta mbaj mend e do ta kujtoj gjithmonë si udhërrëfyesin e këshilluesin në jetën time. Nga dashuria e respekti që kisha për Halilin si kusheri, si shok jete, si atdhedashës, si trim i papërkulur para armikut, mua më mbeti malli e dashuria, përjetimet e kujtimet për të, të shpalos kujtimet e mia për këtë figurë të ndritshme patriotike, që edhe të tjerët të mësojnë diç edhe nga fëmijëria e tij e hershme, por edhe disa çaste e raste nga jeta e tij e mëvonshme e veprimtaria e tij e palodhshme për kauzën kombëtare.

3.Të flasësh për tiparet njerëzore, që e shquajnë Halilin si njeri, si mësues, si poet e si patriot, duhet shkruar një vëllim të veçantë për të, sepse ai është një figurë sa komplekse e tragjike, aq edhe stoike e heroike, duke i qëndruar me vendosmëri e guxim çdo rreziku e sulmi që i kanosej nga armiqtë shekullorë të kombit tonë. Të gjithë e dimë se njerëzit kanë prirje për profesione të ndryshme. Mirëpo, të gjithë e dinë se asgjë nuk arrihet pa punë. Ndërkaq Halili dallohej jo vetëm me punë, por edhe me guxim e besim të plotë se asnjë vepër e madhe në jetë nuk arrihet lehtë. Fitorja që pason pas një pune të mundimshme, është njëqin herë, jo vetëm më e dashur, por edhe më e shtrenjtë dhe më e vlefshme për individin, për shoqërinë për kombin. Të luftosh tërë jetën për të drejtën e popullitn tënd, nuk ka gjë më të ndritshme, më njerëzore e më fisnike, nga njëra anë, por edhe më të shenjtë e më të shtrenjtë, qëllim më të lartë e më madhor për çështjen kombëtare, nga ana tjetër.

4.Jeta patriotike e Halil Alidëmës, që nga ditët e para të rinisë së vet, në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të të drejtave njerëzore e kombëtare, u bë figurë e njohur në tërë hapësirat gjeografike shqiptare, sepse shpirtin e pastër e revolucionar me përplot sfida e ngjarje kundër armikut e në shërbim të popullit e atdheut e pret ballëlartë e krenar, me respekt e dinjitet një popull i tërë. E don dhe e çmon populli i vet, të cilit ai ia kushoti një jetë, e cila iu duk pak. Sepse Halili të kishte pasur dhe dy jetë të tjera, do t’ia kushtonte dhe do t’ia falte popullit të vet. Pikërisht për këtë arsye ai shquhet si një personalitet i përkryer i nacionalizmës shqiptare, i cili me shembullin e vet do t’i mësojë brezit  të ardhshëm se si i shërbehet populli e atdheut

Halili ishte njeri i sinqertë, sepse sinqeriteti për të ishte obligim njerëzor e kombëtar. Çdo gjë që e premtonte e ralizonte me saktësi, sepse ai thoshte se premtimi është borxh, e borxhi duhet larë. Ai urrente matrapazët, gënjeshtarët e mashtruesit, por mbi të gjitha urrente tradhtarët  e kombit. Halili shquhej si njeri fisnik e njeri i sinqertë, ndaj ai nuk lejoi veten që jeta t’i kalojë kot e pa një vlerë njerëzore. Ai tërë jetën punoi, duke e kurorëzuar jetën e vet me vepra të mëdha, me vepra të vlefshme në dobi të popullit e të atdheut. Njeriu ka shumë qëllime në jetë, por Halili kishte vetëm një – çlirimin kombëtar dhe këtij ideali e këtij qëllimi të lartë ai ia kushtoi një jetë. Halili në jetë ishte i qëndrueshëm. Qëndresa ishte njëri nga tiparet qenësore që e pajisnin atë me virtyte njerëzore e atdhetare. Ai u qëndroi besnik idealeve të veta fisnike edhe atëherë kur të gjitha forcat destruktive e armiqëosre ngriheshin kundër tij, madje edhe atëherë kur mbeti i vetmuar, ai qëndroi stoikisht, e kurrë as nuk u thye shpirtërisht e as nuk u dorëzua fizikisht, sepse kishte një zemër heroike.

Të gjitha këto tipare dëshmojnë se Halili ishte trim i madh, e trimave gjithmonë u prin ora e u ndihmon fati. Sepse njerëzit me karakter stabil e zemër të pastër e fisnike i stolis virtyti i mrekullueshëm – trimëria. Ndoshta njëri ndër tiparet që e shquajnë dhe e veçojnë Halilin nga të tjerët është – trimëria. Ai lindi trim, u rrit dhe u burrërua si trim, duke mos e njohur frikën as para policit, as para tytave të tyre, e as para kërcënimeve e sulmeve fizike të udbashëve gjatë torturave që i bënë. Ai nuk e njohu frikën. Frika nuk gjeti vend tek ai. Halilin armiku mund ta likuidonte kur të donte, por kurrë nuk mund ta frikësont e as ta thyente shpirtërisht. Madhështia e tij si njeri ishte se mbronte: të vegjëlit, të pafuqishmit, të dobëtit, që s’kishin krah; e ndihmonte të varfërin. Pra ishte gjithmonë në mbrojtje të njerëzishmes, të së drejtës, të mirës, të pastrës e fisnikës. Por poenta e të gjitha këtyre tipareve pozitive shkrihej e sublimohej në atdhetaren e kombëtaren, në çlirimin e atdheut e në fitoren e lirirsë e pavarësisë. Shtigjeve të të cilave u nis, por ndonëse nuk arriti vetë, e trasoi rrugën për të tjerat, për brezat në kalim. Ai ishte optimist i madh, ndaj kishte shpresë dhe besim të madh se idealet e tij do të kurorëzoheshin dhe do të bëheshin realitet.

Këto vlera njerëzore e atdhetare të Halil Alidemës, më nxitën dhe më shtynë t’i rrëfejë në kujtimet e mia. Unë kështu e kam njohur Halil Alidemën dhe gjithmonë të këtillë do ta kujtoj e nderoj me mburrje e krenari. Të këtillë do ta njohin edhe shokët, miqtë e dashamirët e tij, të cilët e dëshmojnë në kujtimet e veta në kaptinën: “Të tjerët për Halil Alidemën” që ky kapitull zë vend të merituar në këtë libër.

Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm. Sepse me veprën e vet madhore Halili ka fituar përjetësinë dhe pavdekshmërinë.

  • VIJON –  

_______________ 

Halil Alidema – Meteorë Lirie (15)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura