Halil Alidema – Meteorë Lirie (18)

Halil Alidema – Meteorë Lirie (18)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 13 Korrik 2021

HALILI KACAFYTET ME TETË INSPEKTORË SIGURIMI

Gjatë vitit shkollor 1953/54 kreva shkollën fillore në Vushtrri dhe në vitin shkollor 1954/55 regjistrova Shkollën e Mesme Normale në Prishtinë, si dhkollë më të preferuar në atë kohë, e cila na përgatiste me dije profesionale për ta ushtruar misionin e shenjtë të mësuesisë, kuadër ky që i mungonte shumë shkollave shqipe në Kosovë.

Ditët e para në këtë shkollë paraqisnin plot të panjohura, si: adaptimi për herë të parë me një jetë sadopak të organizuar kolektive, njohja me moshatarë nga të gjitha trevat etnike shqiptare, ku gjëllinin shqiptarët me adete e zakone, me veshje e kostume të tyre e shumë atribute të tjera që secili i barte me vete nga vendi prej nga vinte për herë të parë në një rreth dhe shoqëri të re.

Nga këto vise të ndryshme shqiptare fillova të njoh edhe shumë shokë të rinj me të cilët na afronte edhe më tepër, qoftë mësimi, qoftë përcaktimi individual, qoftë koha që kalonim në aktivitete të lira për aq sa na lejonin mundësitë e asaj kohe, qofshin ato materiale apo edhe politiko – shoqërore.

Dihet, shkolla ishte e re dhe nga të gjitha këndet përcillej nga pushteti i atëhershëm, sepse edhe asthu nuk shikohej me sy të mirë, e mos të flasim për mosbesimin ,sepse arsimi i shqiptarëve në atë kohë, qoftë edhe ai fillestar, nga pushteti hegjemonist serb shikohej si mundësia e vetme që të njëjtit t’u kthehej si bumerang. Në këtë vazhdë, e në mesin e shumë shokëve të tjeë, për herë të parë e njoha edhe shokun e shkollës e të jetës – Halil Alidemaj, për të cilin desha të evokoj disa kujtime përmes të të cilave në mënyrë të veçantë do ta personifikoja personalitetitn e tij si shok, me tipare të një të riu me plotkuptimin e fjalës: i edukuar në frymë të pastërt kombëtare, i fortë moralisht, i pathyeshëm familjarisht, me vizione të qarta, rrugë që duhej shkuar kombi ynë dhe rrugën që duhej luftuar armikun, rrugë me vizione nga të cilat buronte inspirimi për ta ndërruar pozitën e vështirë në të cilën gjendej populli shqiptar në atë kohë.

Në këto kontakte të para, që na afronin me të, Halilin e njoha si poet, i cili në shkrimet që m’i lexonte, shprehte mllef e urrjetje ndaj padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar, duke ia mohuar lirinë. Këtë pakënaqësi ai nuk e shprehte vetëm para meje, por me gjithkë që i afrohej, ngase tek ai nuk kishte luhatje në shprehjen e mendimeve të veta. Ai ishte i qartë dhe i prerë, i vendosur në qëndrime, nuk e njihte fare frikën, ndaj si i këtillë respektohej dhe adhurohej nga të gjithë.

Një tipar tjetër i Halilit ishte, se fizikisht ai ishte i ndërtuar dhe i zhvilluar mirë, ndaj kishte predispozita të merrej me sport, me futboll dhe me boks. E veçanta e shfrytëzimit të kësaj dhuntie nuk ishte vetëm arritja e suksesit në sport, ndonëse pjesa dërrmuese e konsideronin lëmin e sportit si gjithanshmëri të Hlilit, por ai në mungesë të mundësive të tjera angazhonte tërë qenien e vet fizike t’i hakmerrej armikut, siç e pagëzonte atëherë pushtetin aktual të udhëhequr nga serbët, shfrytëzonte arenën e këtyre sporteve, që me humbjet që u shkaktonte, manifestonte kënaqësitë shpirtërore – emocionale mbi këta kundërshtarë, dhe gjithëherë duke thënë këtë tani ua bëjmë në fushën e sportit, kurse një ditë tjetër në të ardhmen do t’ua kthejmë në frontin e luftës, të cilët i shihte si humbës të përhershëm.

Kjo më së miri ilustrohej në ekipin e hendbollit “Normalisti”, i cili në atë kohë ishte i përbërë nga shqiptarët dhe nuk dinte për humbje në ekipet që vinin nga Serbia, kur çdo fitore edhe nga dashamirët e sportit konsiderohej si fitore mbi të keqen e quajtur Serbi. Edhe në ekipin e futbollit të Rilindjes së atëhershme e quajtur “Grafiçar” dhe ekipin e boksit të Prishtinës atëherë “Radniçki”, Halili luante të njëjtin rol, disiplinonte kundërshtarët serbë.

I veçova këto dy momente që më kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën time për një shok të dashur e të respektuar nga rinia ime e hershme, kur Halili me eksponimet e veta dhe me vendosmërinë e tij shprehte mllefin dhe urrejtjen e vet, u bë i respektuar dhe i dashur për të gjithë ne të tjerët që këto aktivitete i shikonim mga një kënd tjetër, si dhe me veprimet e veta, Halili u bë sinonim i frikës dhe i ballafaqimit me kundërshtarë, tek të cilët mbillte frikë dhe tmerr.

Pas kryerjes së Shkollës Normale valët e jetës na shprndanë në kahje e drejtime të ndryshme, por lidhmëria jonë shpirtërore dhe idealet tona nuk u shkëputën kurrë. Ai vazhdoi nga pozitat e njohura të një luftëtari të pathyeshëm për çështjen kombëtare. Kështu pas demonstratave të vitit, 1968 pasi u inkuadrua si punëtor administrativ në Kuvendin Komunal, ku aso kohe kryetar komune ishte Jovo Peçenoviç, dikur profesor i letërsisë jugosllave, profesor i Halilit dhe i imi.

Pas demonstratave të vitit 1968, Jovo Peçenoviçi duke njohur Halilin dhe duke ditur përcaktimet e tij politike, filloi me një breshërimë fyerjesh kundr popullit shqiptar dhe kundër demonstratave të organizuara, ndaj Halili duke mos mundur ta duronte këtë kanonadë fyerjesh pa një e pa dy e rrëmbeu një karrikë dhe i vërsulet Jovo Peçenoviçit që ta dërrmojë fizikisht dhe pas një ndërhyrje që bëhet ndërmjet tyre, Halilin e larguan nga puna, kurse Jovo Peçenoviçin e dërguan ambasador në Shqipëri.

Mirëpo, Halili me ndihmën e një grup shokësh, aty rreth viteve të shtatëdhjeta, punësohet në Higjienateknikë,. Këtu i bashkohem edhe unë. Kështu deri në vitin 1972 jemi bashkë me Halilin. Porsa arrita t’ia filloj punës, edhe këtu filluan ndjekjet e Halilit nga Komiteti Komunal, e veçanërisht nga kryetari i këtij komitetit – Dushan Ristiçit, i cili për Halilin dhe familjen e tij dinte shumë fshehtësi sa që u bë hije e përcjelljes së Halilit. Kështu Komiteti nxori përfundim se ky person është i rrezikshëm për shtetin, ndaj atij (Halilit) kurrsesi nuk duhet t’i lejohet puna e sekretarit të kësaj Organizate punuese që kishte 250 punëtorë dhe LKJ, por edhe për qytetin e Prishtinës.

Kështu mua më skujtohet si sot ajo kohë kur organizata partiake e detyrar nga Komiteti Komunal dhe nga përfaqësuesit e këtij Komiteti mbajti radhazi disa mbledhje për ta larguar Halilin nga detyra e sekretarit të organizatës punuese të Higjienateknikës, por ky qëllim i tyre nuk u realizua dot. Nuk pati sukses. Mirëpo, një ditë tjetër parpitmas në telefon paraqitet Dushan Ristiçi, aty isha edhe unë. Ristiçi kërkon që e gjithë organizata punuese me të gjithë punëtorët të shkojmë në sallë të Komitetit Komunal, duke kërkuar që atë ditë të mos punohet fare. Pasi i thashë se punëtorët nuk pranojnë të vinë atje, në Komitet Komunal, ai dërgoi policinë dhe me dhunë na dërguan në automjete të mbeturinave dhe na dërguan në sallë të komunës, ku Dushan Ristiçi me të gjithë faktorët komunalë bënë presion mbi punëtorët që të japin pëlqimin për largimin e Halil Alidemajt nga puna. Pas shumë diskutimeve të punëtorëve, të cilët mbornin Halilin dhe autoritetin e tij, u konsiderua si një dështim dhe disfatë e pushtetarëve të atëhershëm kundër Halilit dhe autoritetit të tij si njeri dhe si punëtor.

Mirëpo, përkundër mbrojtjes këmbëngulëse të punëtorëve, Halilin e larguan nga puna edhe këtu.

Pas kësaj afere kundër Halilit, lajmi u përhap në tërë Prishtinën. Disa shokë të Fakultetit Filozofik, e posaçërisht profesori i nderuar Ali Hadri, Halilin e pranoi në marrëdhënie pune në këtë fakultet. Ndërsa mua dhe Osman Lugollin nga larguan prej partie dhe nga marrëdhënia e punës diku në vigjilje të vitit 1973. Mirëpo, pas procedurave të rregullta gjyqësore na kthyen në marrëdhënie pune, më 1975, meqë nga kjo organizatë punuese u largua punëtori besnik i Dushan Ristiçit, Jusuf Zoraniq.

Janë këto disa kujtime për shokun tim të ngushtë të asaj gjenerate, të cilat dëshmojnë për personalitetin e Halil Alidemajt si vizionar, si përkushtues i çështjes kombëtare, si i papajtueshëm që nga e kaluara e hershme e kësaj familjeje, sigurisht edhe pas tij me gjendjen e rëndë në të cilën gjendej populli shqiptar, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Halili.

Pas kësaj odisejade, Halili vazhdon të punojë dhe ushtron ndikimin e vet të një patrioti në vazhdimësi edhe në Fakultet. Mirëpo, ai edhe aty përcillej, por ai vijimisht punonte pandërprerë deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981. Ai në vitin 1982, siç dihet burgoset si udhëheqës i grupit të intelektualëve shqiptarë.

Edhe për këtë konsekuencë të jetës së tij kam një kujtim që e kam mësuar nga një punëtor i Sigurimit Shtetëror, pa ditur ai fare se unë e njihja Halilin.

Një ditë në Prishtinë, porsa arrita në punë, para Sekretariatit të Punëve të Brendshme, takova policin – Hamdi Hysenin, bashkëqytetar imi. Pasi u përshëndeta me të e pyeta se ku po shkonte. Ndërsa ai më tha se dola nga ndërrimi i tretë dhe tani po shkoj në banesë. Pasi e pyeta se ku e kishte banesën. Ai m’u përgjigj se e kishte në Kodërdiell. I thashë eja se po të dërgoj unë, por ai në fillim sikur rezistoi vetëm përse i thashë unë, e pastaj erdhi me mua. Dhe duke shkuar rrugës së Dubrovnikut, ku ishte shtëpia e Halilit, polici duke mos ditur se unë e njihja Halilin dhe se e dija saktë shtëpinë e tij, m’u drejtua me kto fjalë:

-Xhemë, shiko kur të ecim edhe pak më tutje drejt kësaj rruge, në anën e djathë ta tregojë një shtëpi, ku banon familje e atij Halil Alidemajt, që gjendet në burg për pjesëmarrje në demonstrata.

Pasi e kaluam shtëpinë në të cilën unë kisha qëndruar për të mbramen herë para pesëmbëdhjetë ditësh, para se të burgosej Halili, ku kisha bujtur një natë, ai e filloi rrëfimin e vet për Halilin: – Shiko, a e njeh atë njeri – i thashë kam dëgjuar për të – shiko Xhemë në këtë punën time jam ballafaquar me llojlloj njerëzish, por shqiptarin si Halilin zor se do ta lind më nëna shqiptare. Siç e di se ky është burgosur me ata intelaktualët, ndaj një ditë më urdhëruan që me disa policë të tjerë, të cilët kishin ardhur nga tërë Jugosllavia, më thanë se duhet ta sjellë Halilin për ta marrë në pyetje. Shkuam dhe e morëm ashtu të prangosur, i cili të bënte përshtypje se qeshte dhe tallej me ne, dhe në fytyrën e tij shihej një shenj optimizmi. E dërguam lartë në korridor. Meqë unë udhëheqja, e dorëzova në zyrën e hetuesisë, dhe para se të dilja unë, ata i thanë: – Të kemi thirrë për të biseduar. Në dalje e dëgjova kur filloi t’u thotë me krenari dhe cinizëm: – E si të bisedojmë, unë i prangosur, e ju doni të bisedoni lirshëm. Atëherë më urdhëruan me zë të kthehem dhe ta lirojë nga prangat dhe si duket vetëm priti sa të dalë unë dhe pa një pa dy, dëgjova klithjet duke kërkuar ndihmë. Ndonëse është e pabesueshme, por në atë zyrë gjendeshin tetë inspektorë dhe kur hymë brenda, Halili duke i praptuar tavolinat mbi ta i kishte zënë përfundi dhe sillte mbi kë mund të sillte, atëherë ka filluar dhuna e njësive speciale mbi Halilin duke e dërrmuar dajak deri në alivanosje. Pas marrjes së tij për ta bartë në dhomë, e pashë se kishte pësuar lëndime të rënda në brinj, në duar dhe në gjymtyrë të tjera të trupit pas të cilave e dërguan në Spitalin e Shkupit. Pra, desha të them, se ai ishte njeri se nuk dinte se ç‘është frika, por edhe njeri më të fuqishëm deri më atë ditë sytë e mi nuk kishin parë në jetë, një luan të tillë.

I njëjti polic, në vazhdim më tha se kishte kuptuar nga inspektorët e lartë të Sigurimit Shtetëror që atë kohë kishin ardhur në Prishtinë se hiq më pak rrezik për këtë pushtet nuk paraqiste edhe bashkëshortja e tij – Teuta, bile thonin që së pari është dashur ajo të burgosej e pastaj të tjerët me Halilin në krye, ngase në komunikim me të e kishin kuptuar sesa e pathyeshme dhe e panënshtruar ishte ajo. E unë për të mos i përsëritur gjërat vetëm po theksoj për sa unë kam pasur njohuri, Halili pa bashkëudhëtarin e vet të jetës – Teutën besnike, të sigurtë, mbi të gjitha me largpamësi të përpikët dhe me veprimet e saja në këto aspirata, ndoshta në shumë raste do të mbetej i mangët për ndonjë nuancë, por të dy së bashku, kam bindjen e plotë se ia kanë arritur idealit të tyre jetësor, dhe kontributit  për ktë ideal që Kosova të ketë njerëz të tillë patriotë me synime të njëjta për ditë e më tepër do t’i afrohej qëllimit, sepse ky ishte i vetmi synim i njërit dhe tjetrit – Halilit dhe Teutës.

Vushtrri, më 5 janar 2005 Xhemajl Abazi – Pantina

***

DJALOSHI I DISHIRIT

Skicëz për një jetë të shokut

Halil Alidema, ai sportisti simpatik i Shkollës Normale Shqipe të Prishtinës, shpejt u bë si një djalosh i dishirit pas të cilit gjithkush i drejton shikimet dhe përkëdhelitë. Për të flitnin me adhurim dhe thurnin lavde, sepse sporti ishte argëtimi ynë më i mirë atëherë, kur edhe Prishtina nuk kishte veprimtari dhe jetë të kënaqshme kulturore as argëtuese.

Sporti ishte kënaqësi e veçantë dhe e dëshiruar për ne, që jetonim në at grykë të blertë të vetmisë, e cila cilësohej në Gërminë e shëtive dhe të dashurive.

Shkolla Normale Shqipe kishte do kushte, ku mund t’i zhvillonim prirjet tona: kush të poetit, kush të këngëtarit, kush të recituesit, kush të aktërimit, por ajo e sportit ishte më e gjithanshme dhe bënte jetën e gjallë e dinamike, sikurse thuhej simbolikisht, në qytezën e mësuesve.

Në këtë mjedis Halili nisi t’i zhvillojë prirjet e poetit, prijet që t’i kuptojë dhe t’i gjykojë gjërat në mënyrë të veçantë. Ai, para së gjithash, zhvillohej, përparonte në sportist të adhurueshëm. Për shkak të këtij adhurimi që kishim për të, për hir të brohoritjeve që kemi thirrur emrin e tij në terrenet e sportit, e quajta djalosh i dishirit. E cilësova këthu me atë dashurinë që kemi pasur për të, trajtë intime e përkëdheljeve prindore.

Halili kështu, na u bë shok në shëti, në lojë, në tubime kulturore.

Por, mbi të gjitha, te Hlili është vërejtur një veti tjetër, veti karakteristike e tij: një ndjenjë e gatishmëri  për t’i kundërshtuar padrejtësitë. Kushdo që bënte padrejtësi, ngado që shfaqeshin ato në mjedisin tonë, në çfarëdo rasti që thuheshin e bëheshin ato, ai i kundërshtonte dhe i gjykonte.

Veti tjetër ishte sinqeriteti, edhe kjo është shprehur haptas, sepse shumë dëshira atëherë, nga pasojat që mund të kishte, i kemi mbajtur sekrete, intime… Ai, përkundrazi shprehte adhurimin e çiltër për kulturën shqiptare dhe për liri të njëmendët. As në këtë drejtim nuk ka heshtur, madje ka qenë shumë i zëshëm.

Duke i kujtuar këto, mund të thuhet se Halil Alidema po formohej atëherë personalitet i veçantë, po bëhej njeri që kurrë nuk do ta durojë shtypjen.

Me qëllime të mira dhe për qëllime të mira, zëri i Halilit ka qenë më i artikuluar dhe më jehuesi.

Këto konflikte të vogla, këto kundërshtime, padyshim, mund ta kenë nxitur ndonjë arsimtar, i përkushtuar drejt vijës së regjimit që mbante ndaj nesh mbikqyrje të posaçme, që ta vlerësojë me nota të dobëta diturinë e Halil Alidemës. Edhe kjo ishte e kotë, sepse derisa klasëbjerrësit iknin nga shkolla, dëshproheshin, Halil Alidema vazhdonte mësimet në Shkollën Normale Shqipe. Natyrisht, ka pasur plotë brenga, por nuk ua ka shprehur shoqeve dhe shokëve, ndërkaq keqbërësve u ka dalë përpara si njeri më i lumtur i mjedisit tonë. Vërtet, ai e kishte klasën e humbur, por ai e kishte vullnetin më të madh e më të forcuar.

Fillimi i kujtimeve për të na shpie drejt te formimi i një djaloshi talent, te jeta e një nxënësi me peripeci të shumta, por çon asaj rruge kah e kur u formua tipi Halil kryengritësit.

Halil Alidema i përbuzte në trajtën më ironike përulësit dhe të gjithë ata që nuk e kishin në rregull stabilitetin njeri. I përbuzte frikacakët. I përbuzte lajkatarët. I përbuzte spiunët.

Me këto kujtime mbyllej koha e jetës sonë në Shkollën Normale Shqipe të Prishtinës.

Na prisnin nxënësit në katër anët e vendit. Na mbeti të pyesim për shoqet dhe shokët, ku punojnë, a janë shëndoshë, a bëjnë jetë beqarësh, apo janë martuar. Dëgjonim se disa e kishin filluar punën nëpër qendra, ku bëhej jetë më e mirë, ku ka më shumë hare. Halil Alidemën e kishin pritur fëmijët e Firajës, një fshat atje në prehërin e Malit Sharr, e , madje, Malisheva. Ai e dinte se edhe atje ka gëzime. Pse jo, Firaja ka gëzimet e veta.

E kishte filluar punën ngjashëm me përfundimin e jetës, larg vendlindjes për të cilën gjithmonë ka qenë i përmallshëm.

Disa herë e takova pas daljes nga  burgu. Në shpirtin e tij shiheshin vrragët e thella.

Por, ai nuk jepej. Halil Alidema nuk pushonte së vepruari. Ai e donte shkollimin, prandaj e mori gradën e magjistrit. Ai e donte Kosovën, prandaj i kundërvihej pushtetit jugosllav.

Halili ushqehej me ideal të lartë. Ai ishte optimist i pathyeshëm.

Mendova ashtu, ashtu edhe do të jetë, duke e bërë një krahasim me artin e tij sportiv, në moshë të djalërisë, dhe me punën e më vonshme, në moshën e burrërimit: Halilit dikur ia kishin frikën portierët dhe lojëtarët kundërshtarë, më vonë ia kishin frikën shkollimit dhe fjalës së tij.

Me kujtime të tilla desha të ndërtojë një pamje të jetës dhe të formimit të Halil Alidemës. Desha ta thurë një skicëz që sadopak na e sjell afër atë djalosh dhe të çmallemi me të nëpër thesaret e ditëve të rinisë, nëpër rrugën e gjatë pesëdhjetë vjeçe.

Jeta e tij është më e gjerë, më e pasur me veprime e hjeka, e ajo jetë përmban gjallëri specifike. Disa merita të Halil Alidemës, ndoshta, nuk do t’i dimë kurrë. Nuk do t’i dimë, sidomos, atë pjesën e shkuar në burg, nuk do të dimë as për raportet midis Halilit dhe hetuesve. Nuk do të dimë për mërgimin e tij të viteve të fundit të jetës dhe nuk do të dimë se sa ishte i madh pikëllimi i tij, ajo flaka nostalgjike, e cila i djeg të mërguarit, për familjen dhe për Kosovën. E dimë të sigurtë dëshirën e tij të parën e të parave: Liria e Kosovës. Këtë dëshirë e ka pohuar vetë. Këtë dëshirë nuk ka mund t’ia mohojë as burgu e as troturat.

Mungon shumëçka në këto kujtime. Mungojnë, sepse nuk di fisnikëritë e inkuadruara të prindërve dhe të vëllezërve në formimin e figurës së Halilit.

Halili ishte djalosh i tillë. Halili u bë më i mirë dhë më i rëndësishëm si i burrëruar. Ai nuk e pranoj as përuljen as mundjen. Të tillët i krijojnë nder vetit dhe vendit.

Mua më frymëzuan këto thërmia kujtimesh. Kujtimet i ka pasur frymëzim edhe Halili me prirjet e tij të poetit:

Kujtimet rrokullisen ortek

Nëpër rropamën e së kaluarës

Si dallgë të tërbuara

Dhe përplasin njëra tjetrën në kohë

Obligim e kemi ta ruajmë kujtimin për Halilin për ato, që bëri dhe për ato që shkroi. E kemi obligim ta mësojmë nëpërmjet kujtimeve dhe veprave të tij sa na deshi ne dhe sa e deshi Kosovën.

Kujtimet gjithmonë të ngrohin dhe të forcojnë.

Rrustem Berisha, Prishtinë

  • VIJON –  

______________________ 

Halil Alidema – Meteorë Lirie (17)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura