Halil Alidema – Meteorë Lirie (17)

Halil Alidema – Meteorë Lirie (17)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 13 Korrik 2021

TË TJERËT PËR HALIL ALIDEMËN

A. SHPALIME KUJTIMESH PËR HALILIN E TEUTËN NGA SHOKËT E SHOQET E SHKOLLËS, MIQTË E DASHAMIRËT E TYRE

A MUND TË KIDNAPOHET ARKANI?

Me Halilin jam njohur në vjeshtë të vitit 1956. Isha nxënës i vitit të parë të shkollës së Mesme të Fiskulturës në Prishtinë, kur zhvillonim një ndeshje të hendbollit me Shkollën Normale, ku Halili ishte nxënës. Ndër më të dalluarit ishte Halili. Ai ishte hendbollist cilësor. Kishte paradispozita të shkëlqyera të një sportisti kulminant. Ishte i shpejtë, i fuqishtëm, i qëndrueshëm dhe luftarak. Kishte gjuajtje, “shut”, të veçantë dhe të fortë, që rrallë ndonjë portier e përballonte. Zakonisht dallohej me mënyrën e gjuajtjes pas shpine, “Shrauba”, që atëherë rrallëkush  e përdorte.

Halili kishte edhe këto veçori të përsonalitetit: ishte i dashur, kishte aftësi të veçanta komunikimi, hynte lehtë dhe shpejtë në biseda, si me pleq, plaka, të rinj, bujq e punëtorë, por edhe me intelektualë të rangut të tij. Ajo, që e veçonte përsonalitetin e tij ishte trimëria dhe përcaktimi pa kompromis i atdhedashurisë për ta shporrur zgjedhën e rëndë serbe.

Që në fillim gjetëm gjuhë të përbashkët; na përputheshin mendimet; kishim botëkuptime të njëjta. Edhe fëmijërinë e kishim të ngjashme; kishim përjetuar peripeci të njëjta; Jugosllavia e Titos na kishte pushkatuar baballarët; rrjedhnim prej familjeve “armiqësore” si na quante serbo-jugosllavia. I kishim të ngjashme edhe disa veçori të personalietit, posaçërisht edukatën kombëtare e kishim të njëjtë. E donim Kosovën e bashkuar me Shqipërinë. Nuk pajtoheshim me robërinë serbo-jugosllave dhe me vendimet e padrejta që solli Lufta Dytë Botërore në coptimin e tokave shqiptare. Na afronte sporti dhe zbavitjet argëtuese rinore. U bëmë shokë dhe miq të ngushtë dhe vëllezër të të njëjtit ideal, dhe, kështu vazhduam për gjithmonë. Në të shumtën e rasteve kohën e lirë e kalonim së bashku. Një pjesë të pushimeve verore i kalonim në Pejë (Foto 1), ndonjë rast edhe në Pozheran. Kështu u familjarizuam dhe u bëmë si një familje. Ishim aktiv edhe në sporte. Halili në hendboll dhe në futboll, e unë, përveç sporteve tjera, boksier cilësor. Për ne interesoheshin klubet e ligës së parë Jugosllave. Për Halilin “Partizani” e për mua “Crvena Zvezda” nga Beogradi. Ne nuk kishim aspirata që karrierën sportive e jetësore ta lidhnim me Beogradin. Neve na tërhiqte Tirana, ishim te preokupuar për kauzën kombëtare. Nuk kishim përvojë politike. Synimet tona jetësore dhe kombëtare, mendonim t’i realizonim nëpërmjet  Shqipërisë. Mendonim të kalojmë në Shiqipëri dhe nga atje t’i realizojmë aspiratat e kauzës kombëtare. Kështu gjatë festave të nëntorit, më 1957 tentuam të kalojmë ilegalisht në Shqipëri. Nuk mundëm të realizojmë qëllimin për shkak se u keqësua moti. E lamë për herën tjetër në kushte më të përshtatshme kohore. Kështu në gusht të vitit 1958, nga shtëpia ime, në Pejë ia mësyem përsëri Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemuna) për të kaluar ilegalisht  në Shqipëri. Nëpër terren të vështirë udhëtonim vetëm natën. Ditën pushonim të fshehur në pyll, sepse stanet në bjeshkë vlonin prej barinjëve. Pas dy net udhëtimi, në agimin e mëngjesit ju afruam kufirit, te vendi i quajtur “Prroni shqiptar”, përkatësisht “albanski potok”, siç quhej zyrtarisht. Megjithatë ishim zbuluar nga barinjtë dhe banorët e Bogiçeviqës, të cilët i kishin lajmëruar kufitarët jugosllavë dhe na rrethuan buzë kufirit. Na dërguan në stacionin e policisë së Plavës. Pas 24 orë torturash psiko-fizike, Halili u torturua më shumë, na dorëzuan në burgun famëkeq të Karagaçit në Pejë. Methithatë aktivitetin e idealeve tona kombëtare nuk e ndalem (foto 2).

Halili, pas kryerjes së Shkollës Normale, pas disa peripetish, fejohet me shoqen e shkollës, Teuta Kryeziun, nga Peja, gjithashtu e përkushtuar ndaj kauzës kombëtare. Me kërkesën e babait të Teutës, Remzi beg Kryeziut, burrë i njohur dhe i respektuar, unë isha mësiti i tyre. Pasi u martuan, fillimisht punuan mësues fshati. Punënë e kryenin me pasion në frymë patriotike, duke ua zhvilluar ndjenjën kombëtare nxënësve dhe banorëve të fshatit. Kontributin në çështjen kombëtare e kishin të përhershëm. Atë e vazhduan kur u punësuan edhe në Prishtinë. Ishin aktiv në demonstratat e 1981, edhe në të gjitha manifestimet dhe demonstratat gjithëpopullore, në të gjitha periudhat kohore pas marrjes së Autonomisë së Kosovës nga Serbia. (F3.)

Pas demonstratave të 1981, Halili udhëtoi në Stamboll. Prej Ambasadës Shqiptare mori material propagandistik dhe literaturë kombëtare. Më vonë burgoset si organizator i “grupit intelektual” dhe vuajti disa vite në burgjet jugosllave. Pas daljes nga burgu ishte aktiv për kauzën kombëtare, për shka ishte në shënjestër të policisë dhe UDB-ËS Jugosllave. Për t’i shpëtuar persekutimeve, në muajin maj të vitit 1990, kërkoi nga unë që ta strehoja për një kohë në ndonjë vend të sigurt. Ia propozova Poreçin dhe Pulën në Istër të Kroacisë, sepse atje kisha miq dhe shokë. Halili pranoi. Në muajin korrik të po atij viti, shkova edhe unë në Poreç; i kaluam së bashku 20 ditë. Halili qëndroi tërë verën, duke ndërruar kohë pas kohe banimin në qytetet e Istrës. Shqiptarët, që punonin dhe jetonin në qytetet e Istres, e pritën përzemërsisht dhe u kujdesen për Halilin si më të dashurin e tyre. Edhe atje Halili politikisht ishte aktiv, shkruante në shtypin kroat, kritikonte politikën gjenocidale të Millosheviqit. Ndërsa me banorët e Poreçit e zhvilloi një tribunë publike, ku u debatua rreth Kosovës.

Pasi formoi Partinë e Unitetit Kombëtar, UNIKOMB-i, për t’i shpëtuar persekutimeve të policisë dhe UDBËS, së Millosheviqit kaloi në Shqipëri. Më vonë i bashkohet edhe Teuta, e cila gjithmonë e mbështeti Halilin. Edhe në Shqipëri Halili vazhdoi aktivitetin patriotik për kauzën kombëtare deri sa vdiq, Teuta vdiq para tij. Takimi i fundit me Halilin ishte në Tiranë, në muajin korrik 1994, ku i kaluam 27 ditë. Me Halilin takoheshim çdo ditë. Bisedonim haptas dhe pa rezerëvë për të gjitha gjërat. Më tregonte se ishte angazhuar në organizimin e përgatitjeve të grupeve guerile dhe luftarake për aksione diversante në Kosovën e robëruar. Përgatitjet zhvilloheshin në Malin e Dajtit, nën udhëheqjen e një amerikani nga Rodezia, specialist për përgatitjen e guerilëve dhe luftëtarëve legjionarë. Në një rast deri sa zhvillonim bisedë rreth situatës në Kosovë, më pyeti:

-A mund të kidnapohet Arkani, krimineli serb, kur të gjendet në Prishtinë?  Iu përgjigja – jo. Sepse është e pamundur në kushtet dhe rrethanat që gjendet Kosova sot: është shumë i ruajtur. Halili nuk u pajtua me mua. Ai kishte shumë besim në përgatitjen dhe aftësimin e djemve shqiptarë si dhe gatishmërinë e sakrificës për lirinë e Kosovës. Më tha se, ke për t’u bindur se ne mund t’ia dalim edhe kësaj vështirësie.

Halili me shëndet nuk ishte mirë. Kishtë dhembje të kokës dhe të barkut. Ishtë dobësuar shumë. Nuk ishte as hija e Halilit, kolosit dhe kreshinkut të dikurshëm. Edhe ekonomikisht nuk ishte mirë. Mërzitej, ishte i vetmuar edhe pse gëzonte respekt dhe autoritet te shtresat intelektuale dhe politike të vendit. i propozova të shkojë te fëmijtë në Gjermani, pasi nuk mund të vijë në Kosovë. Kishte nevojë të domosdoshme për kujdesje dhe mbikqyrje cilësore. Më tha se nuk mundet. U çudita! Si është e mundr…?! i rrudhi krahët, e fërkoi zverkun e kokës me pëllëmbën e dorës, siç e kishte zakon kur ndodhej në situata të palakmueshme. Me zë të pasigurt dhe buzëqeshje, më tha se, do të përpiqet. Vdiq pas dy vitesh, jo të plota. Nuk e lëshoi dheu i Shqipërisë që aq shumë e deshi.

Isha në Londër, kur mora lajmin shumë të hidhur për vdekjen e shokut të ngushtë, mikut dhe vëllait të idealit, Halil Alidemës, i cili do të jetojë për jetë në kujtimet e mia. I lutem Allahut të Madhëruar, t’ia falë mëkatet, se nuk ka njeri pa mëkate, ta pranojë në Ahiret pranë njerëzve të mirë. I qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë!

Prishtinë më 29 tetor 2004

Bardhyl Nushi

***

HALILI EDHE NË SPORT SHPREHTE ATDHEDASHURINË

Të flasësh për tiparet dhe karakteristikat e ndonjë personaliteti nuk është lehtë. Ëshë punë e vështirë dhe me përgjegjësi, sepse mund t’i hysh në hak, duke mos mund ta thuash të vërtetën autentike. Veçanërisht e ndjej një obligim dhe përgjegjësi të veçantë të flasë edhe për kusheririn, shokun e mikun tim të jetës, të nderuarin patriotin Halil Alidemën. Mirëpo, këtë unë e ndjej si detyrë dhe obligim që ta njoftoj opinionin me punën, angazhimin dhe veprimtarinë e tij të gjithanshme e në shumë fusha të jetës ndaj popullit e atdheut. Prandaj, unë si shok i tij i fëmijërisë dhe i afërt i tij ndjej detyrë që të paraqes qëndrimin e tij ndaj punës, të cilën ai e ka bërë me vullnet të madh e pa përtesë, me mund të madh e me sakrifica, në shërbim të çështjes kombëtare. Në radhë të parë ai ishte i dalluar si sportist i përkryer anembanë Kosovës, nga njëra anë, mirëpo meqë ai ishte patriot i patrembur dhe gjithnjë punonte me përkushtim në këtë drejtim, ai ishte i përcjell dhe i ndjekur nga pushteti okupues serb dhe organet e tyre hetuese të UDB-ës në çdo hap, nga ana tjetër. Mirëpo, Halili, veprimtarinë e vet patriotike e maskonte nën ambrellën e aktivitetit të tij të vazhdueshëm si sportist i dalluar, duke arritur të depërtojë me mjeshtri dhe të shkollohet si kuadër, në fillim mësues, e pastaj arriti të kryej edhe fakultetin, e madje edhe të magjistrojë në shkencat historike.

Është shkolluar me vuajtje dhe me peripeti të mëdha, duke ia ndërprerë edhe bursën për shkollim, sepse e konsideronin si bir armiku. Mirëpo, për fat të tij, komuna e Shtërpcës kërkonte bursistë, ndaj që të dy bashkë konkurruam dhe fituam bursën për shkollim të mesëm. Kështu që në vitin e katërt dhe të pestë të Normalës na u përmirësuan kushtet e shkollimit bukur mirë. Pasi kryem Normalen, u detyruam që të shërbenin në këtë komunë. Na caktuan në Shkollën e fshatit – Firajë, e cila ishte e vetmja tetëvjeçare në këtë komunë. Vlen të përmendim me këtë rast, se në shkollën e këtij fshati ne dy, Halili dhe unë, ishim mësusesit e parë të kualifikuar.

Popullata e fshatit Firajë na respektonin, na ndihmonin dhe na adhuronin pa masë. Përveç përkrahjes dhe respektit të popullit, një mbështetje të fortë kishim edhe nga sekretari i Komitetit të atëhershëm-Riza Ahmeti. Mirëpo, puna jonë, respekti dhe autoriteti ynë, ra në sy për të keq nga popullata serbe e fshatit Gotovushë, ndaj edhe këtu filluan përcjelljet e organeve të shtetit serb. Pjesëtarët e përkatësisë serbe të këtij fshati etnikisht të pastër ishin të angazhuar me detyra të caktuara nga operatori i UDB-ës së Gjilanit – Obrad Saviçit, duke na bërë me dije se edhe këtu nuk do të na lënë të qetë. Vazhdimi i mëtejm i punës sonë në shkollën e Firajës ishte me rrezik permanent. Prandaj, unë gjeta punë në Prishtinë, ndërsa Halili dhe Tetuta, falë ndihmës dhe guximit të shokut të tyre të shkollës, Qerim Gashit, u punësuan në shkollën e Malishevës, ku edhe vetë Qerimi punonte në administratë, ku kishte një ndikim të madh si funksionar i rëndësishëm politik i kësaj komune. Këtu, Hlili dhe Teuta punuan disa vite të qetë dhe pa përcjellje të pushtetit serb. Prej këtu, Halili kaloi në Pozheran, ku u aktivizua në çështjen e veprimtarisë kombëtare, veprimtari, të cilën e vazhdoi edhe pasi kaloi në Prishtinë, ku gjeti përkrahje, mirëkuptim e rreth më të gjerë në këtë drejtim. Synimet dhe qëllimet parësore të Halil Alidemës ishin kultivimi i dashurisë ndaj popullit e atdheut, ideali i tij më i lartë e më madhor, ishte çlirimi i atdheut nga okupatori serb, lufta për liri e pavarësi kombëtare, përpjekjet e tij të vazhdueshme ishin të koncentruara në instancat e fundit në një Shqipëri Etnike.

Me përgjegjësi dhe kënaqësi të veçantë mund të pohoj se jeta e atdhedashësit Halil Alidemës është konsumuar dhe është shkrirë për qëllime të ndershme e fisnike, për qëllime të larta e synime atdhetare. Ai edhe pas vdekjes mbetet i pavdekshëm. Me veprimtarinë e vet ai ka fituar përjetësinë në historinë tonë kombëtare. Ai jeton me ne, jeton në zemrat tona dhe në kujtimet tona, prandaj Halili zë një vend të merituar në historinë e popullit të vet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Lavdi qoftë për jetë e mot!

Kurtesh Kurteshi, Prishtinë

***

 HALILI LEGJENDË E HENDBOLLIT KOSOVAR

Halili ishte dhe mbetet legjendë e hendbollit kosovar.

Pas transformimit të Shkollës Normale nga Gjakova në Prishtinë, më 1953, ndonëse ishin kushtet e vështira për aktivitete sportive, ato nuk mungonin gjatë tërë vitit. Nga të gjitha sportet dalloheshin garat që organizoheshin në lojën e hendbollit, duke filluar nga ato në kuadër të paraleles ndërmjet paraleleve. Ato ishin interesante dhe tërheqëse, sepse në kuadër të ekipeve luanin individët – hendbollistët, të cilët ishin lojëtarë të reprezentacionit (ekipit normalist) të shkollës.

Në garat e shkollës, që u organizuan në vitin 1954/55, përveç të tjerëve, u veçua një i ri, nxënës i klasës së vitit të parë, i ardhur nga Pozherani me dëshirë që një ditë me ditar në dorë të arsimojë dhe edukojë brezat e rinj. Ai quhej Halil Alidema.

Halili u inkuadrua në ekipin e Normalistit dhe atë në shtatëshin e parë, duke iu falënderuar një dhuntie që ia kishte dhuruar natyra, e ajo ishte gjuajtja e fortë dhe precize. Hendbollist të tillë, në ato kohë në ekipet e Kosovës nuk kishte. Me indkuadrimin e tij, ekipi i normalistit u bë më efikas dhe më i pamposhtur, vite me radhë në garat e shkollave të mesme dhe të atyre të ligës së Kosovës e më gjerë.

Duke qenë gjithnjë në përbërjen e formacionit të parë në ekip, si dhe me ndihmën e trejnerëve – profesorit Xhavit Spahiut, ai filloi që të përvetësojë dhe të përsosë gjithnjë e më tepër gjuajtjet, të cilat për çdo ekip kundërshtarë, e sidomos për portier paraqitnin rrezik permanent.

Të rralla ishin rastet kur mbrojtja apo portieri i ekipit kundërshtar t’i mbrojnë gjuajtjet e Halilit.

Gjuajtjet e Halilit ishin të papritura dot. Ato ishin të forta dhe precize, i ekzekutonte pa kërcim, pa pritmas dhe në vrap. Ajo që e veçonte këtë ishte hendbollist, e që është i pari, ishte gjuajtja “Shraub” – gjuajtja nga prapa me rrotullim. Këtë gjuajtje, ai aq e përsosi sa që çdo herë që e përdorte, arrinte të shënonte – gol. Si hendbollist me shut të fortë, preciz, me “shraub”, ai u dallua gjatë tërë jetës së tij në lojën e hendbollit, sidomos në garat kualifikuese me ekipin e Normalistit me të cilin u afirmua si hendbollist me karakterisitka të veçanta.

Në këto gara (Leskovc, Prishtinë, Novisad) – ishte ndër hendbollistët më të dalluar, kurse për gjuajtjen me “shraub” zinte vendin e parë.

Për ta ilustruar këtë dëshmi, më kujtohen fjalët e portierit të ekipit të Partizanit të Beogradit (Shulentiç) në garat kualifikuese në Novisad kur pas dy gjuajtjeve të Halilit me “shraub” e para përfundoi në rrjet, kurse e dyta goditi shtyllën horizontale të portës, me ç‘rast porta shtyhet prapa 20-30 cm, më afrohet isha student në FKF Beograd dhe luaja për ekipin e Partizanit dhe më thotë tekstualisht: – reci onaj budali da ne shutira vishe, jer qe da me ubije! (shënim: thuaj atij budallai që të mos gjuaj më me “shraub”, sepse nëse më godit do të më mbys!).

Për këtë dhunti natyrore dhe të përsosur në vazhdimësi, Halil Alidema si hendbollist, bënë pjesë në radhën e legjendave të hendbollit kosovar.

Duhet shtuar se seukseset e ekipit të Normalistit janë rezultat i kontributit të lartë në aspektin e realizimit të aksioneve të ekipit ng ana e këtij henbollisti. Atë që Halili e ka arritur gjatë ditëve të kaluara në Normalen e Prishtinës si hendbollist, vështirë se do ta arrinte ndonjë lojëtar tjetër. Halili u afirmua si lojëtar dhe si personalitet. Çdo nxënës i Normales e njihte dhe me respekt e përshëndeste dhe me admirim fliste për të. Sot, kur ai më nuk gjendet në mesin tonë, por kur bëhet fjalë për hendboll, sidomos nga ish normalistët, nuk mund të kalohet biseda në heshtje pa u përmend e pa u zënë ngoje edhe ky lojëtar me specifikat e tija të veçanta dhe të rralla. / Beqir Hasangjekaj

– VIJON –  

__________________________

Halil Alidema – Meteorë Lirie (16)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura