HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE ( 22 )

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE ( 22 )

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 17 Korrik 2021

HALILI REAGONTE KUNDËR MËSIMIT TË GJUHËS SERBE

Unë i lindur dhe me banim isha nga fshati Sllatinë, ndaj udhëtoja për çdo ditë nga Sllatina deri në Pozheran. Këtu, Halil Alidemën e kisha jo vetëm shok shkolle, por edhe shok klase deri në mësimet e gjysmëmaturës. Halili ishte nxënës i sjellshëm dhe nxënës i mirë në mësime.

Në atë kohë kishte ardhur nga Gjilani apo nga Vranja, nuk më kujtohet mirë, një arsimtar i gjuhës serbe, i cili na mundonte shumë, sepse kërkonte prej nesh shumë, e ne nuk e dinim mirë gjuhën serbe, ndaj mua më kujtohet si sot kur Halili reagonte ashpër, përse ta mësonim gjuhën serbe, sepse ajo për ne nuk është gjuhë amtare. Mirëpo, ne të gjithë kishim kujdes ndaj Halilit dhe kujdeseshim për të dhe e ruanim të mos bie në sy të keq të pushtetit shovenist serb, sepse Halilit iu kishin vrarë babai dhe axha gjatë Luftës së Dytë Botërore nga partizano – çetnikët serbë.

Pasi mbaruam semimaturën, do të thotë shkollën tetëvjeçare, ne u regjistruam në Shkollën Normale në Prishtinë, ku ekzistonte një kriter i ashpër për pranim. Kështu në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 1954-1955, ai që kishte nota të dobëta përjashtohej nga shkolla. Halili vazhdoi mësimin. Atë e donin nxënësit dhe të gjithë profesorët e Normales, sepse Halili që nga fëmijëria ishte i edukuar  dhe i brumosur me ide nacionaliste, madje edhe kur luante dhe jepte gola prapa shpine, luante me shpirt e zemër dhe me një taktikë e metodë të veçantë dhe të papritur nga kundërshtari… Ndërkaq, Teuta Kryeziun e kishte të dashurën e vet, një vajzë bujare, burrërore dhe trimëreshë, e cila u martua me Halilin dhe i qëndroi besnike deri në fund të jetës së vet. Që të dy këta kishin ideale të përbashkëta lidhur me çështjen kombëtare, ndaj edhe u ndoqën dhe u përsekutuan si familje patriotike, por kurrë nuk u thyen as nuk u përulën e as nuk u gjunjëzuan, por qëndruan të fortë përballë stuhive të jetës dhe dallgëve politike të armikut shovenist serb.

Hajrullah Hoxha, më 10 gusht 2004, Ferizaj

RAPSODI TRIMËRIE – HIMN MENÇURIE

(Kushtuar Halil Alidemës)

Tungjatjeta, vëllai im!

Unë për Ty lëshoj një kushtrim.

Unë për Ty ngre lapidar,

Shpirti Yt mbetet pishtar.

Na dhé dritë – identitet-

Cilët jemi në këtë jetë.

Në përpjekje, në rrezik,

Asnjëherë Ti s’pate frikë.

Në shënjestër të spiunëve,

Deri në fund u shkove punëve.

Të prangosën, të burgosën,

Deri në grykë të varrosën.

Gjaku vrushkull si burim,

Plagët thernin si mallkim.

Por Ty s’mund ta ulnin kryet,

Aqsa mund të shuanin yjet.

Në atdheun tënd të lirë,

Pushoi zemra jote e dlirë.

Përse vallë asgjë nuk u tha?

Përse heshtja atje ra?

-O Halil, o im vëlla,

Vepra jote emër la!

Fjalë të arta na mësove,

Me fjalë të urta na këshillove.

Porositë që Ti na lé,

Rreze nderi për mbi atdhé:

Le të marrim mençuri,

Bash nga populli ynë gjeni.

Jemi keq, të gjithë e dimë,

Mirëpo, shpresa po na prinë.

Kombi ynë, vullkan që s’ndalet,

Ngjallë fushat, ndriçon malet.

Ne të ardhmen me durim,

çojmë përpara plot guxim.

Ideali i lirirsë,

Marshon në rrugën e Perëndisë.

Ne me rrënjë në Iliri,

E na thonë s’keni histori.

Armiku pret të dalim sheshit,

Që t’ia mbylli grykën thesit.

Për çdo hap të nxituar,

Pret i qetë me shtikë në duar.

Vrulli i tepërt fëmijëror,

Drejt në grackë, na hedh në varr.

Për një çast nëse mendjen humbim,

Gjarpëri shkaut ta ngulë thumbin.

Gjithkund në botë, anembanë,

Serbët rrahin një këmbanë,

Që përhap rrena e mashtrime,

Për të fshehur vrasje e krime.

Herë si ujk e herë si dhelpër,

Kësi armiku nuk gjen tjetër.

Vallë, a jemi ne të zotë,

Ta shtrijmë këtë bishë për tokë?

Para botës lakuriq,

Ta tregojmë, siç është, me gisht.

Po, e dua drejtësinë

Dhe e besoj demokracinë!

ç‘lamë pas e ç‘po dëgjojmë,

Me sy çelë, ne po vigjëlojmë.

Do “shqiptarë të ndershëm” boll,

Bashkë me armiq e drodhën holl.

Mercenarë, bij mercenarësh,

U zvarritën porsi skllavët.

Vendi ynë me gurë shtruar,

Është thesar me dhé mbuluar.

Njëqind vjet, një pemë s’e mbollëm.

-Mos harroni Shën Naimin!

Na tregoi në yll shpëtimin:

“Është dritë e diturisë,

Që hap rrugën e lirisë”.

Dhe Gjergj Fishta kryepari,

Na tregoi se ç‘është shqiptari;

Ai luftoi me penë të mprehtë,

Luftoi errësirën edhe shkietë.

Kjo Kosova – Nana jonë,

Është për ne, nga ne kërkon:

Të rilind si diell i plotë,

Jo si hana gjysmëkokë.

Në Evropë do shkojmë me zemër,

Po atje do hyjmë me emër,

Kryelartë dhe modest,

Jo me mendje në Mesjetë.

Anton Çetta, profesori,

Një vendim të lartë mori:

“O, vëllazën, bashkohuni me nderë,

Sepse gjaku ynë ka shumë vlerë!

Mos e derdhni si ujë burimi;

Se shtegu ynë është pajtimi.

Me armikun ballë për ballë,

S’luftojmë dot të përçarë!”

Kështu lart u ngrit miqësia,

Fitimtare – harmonia.

Zot të vetvetes do të jemi,

Krenari në zemër kemi.

Dituria na hap sytë,

Dashuria na jep dritë.

O Halil, o im vëlla,

Emri yt lart e më lartë.

Porositë që Ti na lé,

Rreze nderi mbi Atdhé

Prof. Sabit Alidema, 9 gusht 2004, Prishtinë

HALILI ISHTE NJË ATDHETAR I DEVOTSHËM DHE SHOK E SPORTIST I JASHTËZAKONSHËM

Halil Alidemën, nga Pozherani, kam pasur nderin ta njoh që nga viti 1952. Së pari e kisha takuar në Kabash, kur vinte te Hajrush Rexhep Nebiu (Zeqiri), i cili Halilin e kishte djalë daje. Më vonë Halilin me shokë e kisha takuar gjatë ndeshjeve të futbollit midis ekipeve të Gjimnazit të Ulët Shqiptar të Pozheranit dhe atij të Gjimnazit të Ulët shqiptar të Kabashit.

Halili qysh atëherë ishte sportist i dalluar.

Në shtator të vitit 1954 shtatë nxënës që kishin mbaruar klasën IV të Gjimnazit të ulët në Kabash dhe 17 sish të atij të Pozheranit, u regjistruam në klasën e parë të Shkollës Normale në Prishtinë. Halili nga Pozherani, Beqir Isuf Mustafa dhe unë nga Kabashi, Hajrush Halit Hyseni nga Smira dhe Mehmet Ferat Sokoli nga Vërbani, gjatë vitit shkollor 1954/55 ishim në paralelën 1/6 të Normales. Unë isha më i riu në klasë (15- vjeçar), kurse të tjerët më të moshuar dy-tri ose më shumë vjet. Unë gjithë kohën isha me Halilin me një bankë, në atë të parafundit, në rreshtin e bankave ngat dritareve.

Drejtor i Shkollës Normale ishte Kemal Deva, një pedagog dhe administrator i aftë dhe me autoritet ndër arsimtarë e nxënës.

Më duhet të theksoj se të jeshë normalist aso kohe ishte nder dhe privilegj. Të gjithë nxënësit e asaj gjenerate kishim bursa, që ishin 300-350 dinarë, të cilat i mbulonin shpenzimet e konviktit. Ishim të vendosur në dhomat e mëdha për rreth 25 vetë të Konviktit trekatësh, në lindje kah Gërmia. Në dhoma kishim shtretër hekuri me dyshekë të mbushur dhe me nga batania të trasha. Në dhoma nuk ndizej zjarr. Zgjoheshim në orën 6 të mëngjesit. Nën kontrollin e edukatorëve të konviktit, në fillim, të zhveshur në brez e lartë, ose me maica gjatë dimrit, bënim 20 minuta në fillim, dukë vrapuar për t’u nxehur, e pastaj bënim gjimnastikë. Halili ishte ndër më të zhvilluarit e më të fuqishmit, kurse unë si i ri që isha i kisha lakmi.

Klasët i kishim në dy godinat prapa menzës njëkatëshe aso kohe, që gjendeshin në anën verilindore të oborrit të Normales. Gjatë dimrit ngroheshim me stufa, duke futur dru dhe thëngjill. Mësimi fillonte në orën tetë dhe zakonisht kishim 5-6 orë.

Në menzën e Konviktit, që kishte rreth dyqind vende, hanim mëngjes, drekë dhe darkë. Në dy vitet e para kishim nga një të katërtën e bukës për racion. Për mëngjes kishim çaj ose qumësht amerikan (pluhur), margarinë, puter ose djath. Për drekë, pos të hënës kur kishim pasul pa mish, zakonisht kishim gjellë me mish, kurse darkën pak më të lehtë. Ëmbëlsira ose pemë kishim dy herë në javë.

Në shikim të parë nuk duket shumë, por kur të kemi parasysh se aso kohe pjesa dërrmuese e banorëve të Kosovës, pra edhe familjet tona, ushqeheshin kryesisht me bukë misri, ajo që kishim ishte një standard relativisht i lartë.

Halili atë vit ishte ndër nxënësit e mirë. Pos që ishte shok i mirë, i kujdesshëm, ai që në vitin e parë filloi të luante me hendboll. Sa më kujtohet, që nga viti 1956, ishte anëtar standard, madje lojëtari më i mirë i ekipit hendbollistik “Normalist”, i cili disa vjet ishte ndër ekipet më të mira të Prishtinës dhe të Kosovës. Rivalë të “Normalistit” ishin sportistët e Gjimnazit të Prishtinës, e më vonë të Shkollë së Mesmë të Fiskulturës. Halili me gjuajtjet e tija të befasishme e të rrëmbyeshme prej 10-15 metrash, kishte meritat më të mëdha për sukseset e “Normalistit”. Në saje të lojës së tij ishte sportist i popullarizuar në Normale, që e njihte tërë Prishtina dhe mbarë Kosova.

Gjatë vitit të parë dhe të dytë, me iniciativën e Xhavit Spahiut, arsimtar i fiskulturës, normalistët me punë vullnetare i kryen punët e rrëmihjes së dheut për rregullimin e fushës sportive midis konviktit numër 1 dhe godinës njëkatëshe, ku ishin gjashtë dhoma mësimi. Xhavit Spahiu e çmonte shumë Halilin si sportist e njeri, ashtu si edhe profesori Arsim Fehmiu më vonë. Simpati të veçantë për Halilin kishin edhe arsimtarët: Jusuf Shushka, Tajar Hatipi, Halil e Drita Dobroshi, Jozefina Balaj, Dervish Rozhaja, Ali Hadri, etj.

Unë pasi mbarova vitin e parë të Normales, kalova në paralelen II/1 etj, deri në klasën e pestë. Halili, sa më kujtohet pas vitit të dytë, kishte mbetur pak prapa nesh në mësime, por shkollimin nuk e ndërprejti, siç ndodhi me shumicën e shokëve të tij nga Pozherani, pos Alije Abdurrahman Alidemit (Pozheran) dhe Hajrullah Ukshin Hoxhës nga Sllatina e Poshtme, po ashtu nga Komuna e Vitisë.

Meriton të veçohet fakti se gjatë vitit 1956 më kishte rënë në sy se Halili dhe Hajrushi (Kabashi) merrnin letra nga bota e jashtme. Hajrushi më kishte treguar se Halilit i shkruante xhaxhai i tij Izeti, i cili që nga viti 1945 kur kishte dalë jashtë vendi, si pjesëtar i batalionit të parë të vullnetarëve (Komandant Hysen Tërpeza; zëvendës i tij – Hasan Kabashi), si ish-ballist siç u thoshin aso kohe, jetonte në Gjermani. Hajrushi i shkruante Shaqir Xhemë Kabashit, nip i Hasan Kabashit, i cili ishte vrarë në fund të nëntorit 1945, kur grupi i Hysenit kaluan kufirin jugosllavo-grek, diku afër Manastirit të Maqedonisë dhe ishin dorëzuar në Greqi. Shaqiri, me të vëllain Ibrahimin dhe xhaxhain Ahmetin(Metin), pinjollë të familjes Ahmetaj të Kabashit, me traditë të gjatë patriotike, ishin pjesëtar të vullnetarëve shqiptarë, të cilët të përkrahur nga anglezët dhe amerikanët, dy herë ishin desantuar në territorin e Shqipërisë, me qëllim që të destabilizonin e mundësisht edhe ta rrëzonin regjimin komunist të Enver Hoxhës, që konsiderohej hallka më e dobët në zinxhirin e vendeve komuniste të Lindjes. Prej andej, dy herë kishin depërtuar në Kosovë edhe ishin strehuar e kishin qëndruar me javë në shtëpinë e kusheririt të tyre – Xhemajl Azizit në Kabash. Unë kisha pasur rast të lexoja një letër të Shaqirit, në të cilën ai na quante “Këlysh të Stalinit”.

Qysh atëherë, edhe pse isha relativisht i ri, e kisha vërejtur se Halili e kishte të zhvilluar ndjenjën kombëtare. Për nga natyra ishte tip stoik dhe do të thosha kryengritës. Ligjëratat për Ilirët, të cilat profesor Ali Hadri na i diktonte gjatë viteve 1957-1958, edhe pse nuk ishin në programin mësimor, kishin ndikuar në rritjen e njohurive dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare të normalistëve. Ishin ato vitet kur regjimi komunist jugosllav kishte shtuar presionin dhe masat e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, duke u përpjekur t’i reduktonte të drejtat kombëtare. Një prej qëllimeve ishte edhe shuarja e shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe. Për këtë arsye ne në Shkollë Normale, me arsyetim se “nuk kishe kuadro shqiptare të kualifikuara”, na kishin sjellë arsimtarë serbë për lëndët: pedagogji, psikologji, biologji, amvisni etj. Por, Normalja, falë reagimit të intelektualëve shqiptarë, (ishte dalluar profesori Hasan Mekuli), e kishte përballuar me sukses atë valë të dhunës.

Në vitin shkollor 1956/57, kur unë isha në vitin e tretë të Normales, në paralelen tonë III/1 kishin ardhur dy shoqe të reja : Teuta Kryeziu dhe Lumnije Beqir Kastrati. Teuta ishte fizikisht e zhvilluar. Pas një kohe kishim vërejtur se shoqërohej me Halilin. Ishin një çft për t’iu pasur lakmi. Ishin të bukur dhe të hareshëm.

Gjatë pushimeve dimërore të vitit shkollor 1960-61, kur me disa nxënës isha në një kurs të vëzhguesve, që mbahej në lokalet e Shkollës së mesme të Fiskulturës (pranë Kino Rinisë), Halili kishte fjetur në dhomë me ne. Me atë rast kisha biseduar me të edhe për raportet me Teutën. Halili më kishte folur për disa pengesa që ishin shfaqur, por më vonë mësova se ata kishin krijuar familje.

Halili punonte si mësimdhënës në Shkollën Fillore të Pozheranit së bashku me Teutën, Hajrullah Hoxhën etj, Prej marsit të vitit 1963 deri në shtator 1965 unë isha këshilltar pedagogjik i Komunës së Vitisë. Gjatë asaj kohe kisha pasur takime e biseda me shumicën e arsimtarëve shqiptarë të Komunës. Kujtime të mira kam, sidomos nga takimet midis shkollave fillore në Posheran, Kabash, Sllatinë dhe Goshicë. Gjatë këtyre takimeve këmbeheshin përvojat pedagogjike dhe zhvilloheshin aktivitete kulturore e argëtuese e sportive. Ekipet sportive të shkollës së Pozheranit, me të cilat kishte punuar edhe Halili, ishin ndër më të mirat.

Si duket Halili, si i afërt i Izet Alidemës (i xhaxhait ballist) dhe për shkak të aktiviteteve të tij, u kishte rënë në sy organeve jugosllave të Sigurimit Shtetëror, prandaj do ta kenë përcjellur gjithë kohën. Për këtë arsye, pas demonstratave të studentëve të nëntorit 1968, ai detyrohet të punësohet në fshatin Firajë të Komunës së Kaçanikut. Me gjasë, Nezir Qerimi, nga fshati Koshare (Ferizaj), i cili aso kohe ishte inspektor i Sigurimit, e kishte paralajmëruar Halil Alidemën se Shërbimi i Sigurimit ishte duke e përcjellur vazhdimisht, prandaj më mirë do të ishte të largohej nga Shkolla Fillore e Firajës. Por, meqë prej aty e largojnë, pas një kohe Halili gjenë punë në një shkollë të Komunës së Malishevës. Nuk përjashtohet mundësia që i ka ndihmuar Qerim Gashi, koleg nga Normalja, i cili ishte funksionar partiak në Komunën e Klinës.

Sa i përket aktivitetit të tij politik do të theksoja faktin se ai si nëpunës i Shërbimit të studentëve në Fakultetin Filozofik kishte mbaruar studimet e drejtësisë e pastaj kishte magjistruar në degën e historisë. Isha befasuar mjaft kur kisha hetuar se në gazeta kishte filluar të botonte poezi mjaft të sukseshme.

Për aktivitetin e Halilit para, gjatë e pas demonstratave të vitit 1981 dhe gjatë burgosjes e vuajtjes së dënimit si dhe pas dajles nga burgu, me kompetencë mund të flasin kolegët me të cilët është shoqëruar e ka punuar (Ekrem Kryeziu, vëllai i Teutës, regjisor filmi dhe shkrimtar, Muharrem Fetiu, i cili punonte në Shërbimin e Fakultetit Filologjik (dikur Filozofik), etj.

Përfitoj nga rasti të bëj të njohur për opinion një pjesë të rrëfimit të Shaip Ukshin Rexhepit, nga Begunca, (djali i dajës tim), që lidhet me qëndrimin e Halilit në Burgun e Beogradit (në CZ-në famëkeq).

Shaipi ishte vozitës autobusi në Ndërmarrjen “Kosovatrans” – reparti në Gjilan. Disa vjet e kishte mbajtur linjën Gjilan-Beograd. Pas gati njëzet vjet vozitjeje, i kishte ndodhur një aksident në afërsi të Beogradit, me ç’rast kishin vdekur tre-katër udhëtarë, ndër ta edhe serbë. Për shkak të situatës së krijuar pas demonstratave të vitit 1981, rasti i tij, pos si vepër penale, ishte kualifikuar edhe si “vepër (antiserbe) me pasoja të rënda ndërnacionale”, prandaj Gjykata e Beogradit e kishte dënuar me katër vjet burg të rëndë. Gati dy vjet Shaipi i kishe mbajtur në Burgun e Beogradit.

Me një rast Shaipi, kur ishte zënë biseda e kohës së qëndrimit në burg, më ka treguar se derisa ai si i burgosur me regjim më liberal po e pastronte një korridor të gjatë të Burgut të Beogradit, paska pas ndërruar disa fjalë shqip me dikend prej të burgosurve. Halili iu paska pas lajmëruar prapa derës së hekurt të dhoms së vetmisë.

“Po ti kush je?” – e kishte pyetur Halili. Shaipi i kishte treguar kush ishte.

“Po ti kush je?” – e pyet Shaipi.

“Jam Halil Alidema , prej Pozerani. Ka më shumë se një vjet e gjysmë, që nuk kam dëgjuar fjalë shqip, as nuk kam prekë dorë shqiptari…”- i përgjigjet Halili. Shaipi sa kishte qëndruar në burg kishte bërë përpjekje që sa më shpesh të komunikonte me Halilin, ose t’ia bënte ndonjë shërbim të vogël. Ndoshta, ata që kishin kontakte të drejtpërdrejta, do të rrëfejnë për periudhën e qëndrimit të Halilit në Spitalin e Tiranës.

Por, vetëm si nxitje për hulumtim, po përmend se një i njohur (tani pas shumë vitesh nuk më kujtohet, cili ishte), më kishte rrëfyer se e kishte ndjerë veten shumë keq, kur gjatë një vizite rasti, disa muaj para se Halili të ndërronte jetë, e kishte parë atë në spital me shëndet të rrënuar dhe në kushte mjaft të vështira dhe me gjasë pa përkujdesje të mjaftueshme.

Zenun Rexhepi – Kabashi.

  • VIJON  – 

________________________

HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 21 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura