IBRAHIM SHAQIRI: UNË – SI USHTARAK DHE BIR I KËTIJ VENDI BËRA DETYRËN TIME NË UҪK

(Pashtriku.org. 13. 02. 2013) – Intervistë me z.Ibrahim Shaqirin, pjesëmarrës në luftën e Kroacisë (në Dubrovnik), të Kosovës, të Kosovës Lindore (Luginë të Preshevës) dhe komandant në luftën e UҪ – Kombëtare në Maqedoni – në vitin 2001. – Vendimi im për t’u bashkuar me UÇK-ën, nuk ka pasur fare lidhje me atë se mbrapa meje gëlonin dhe më shoqëronin tri luftëra të mëparshme: ajo në Kroaci, gjegjësisht në Dubrovnik, ajo në Kosovë dhe ajo e fundit për atë kohë në Luginë të Preshevës, ku ende isha atje nëpër llogore teksa tanimë ishte paraqitur UÇK-ja në fshatin Tanushë. Ky ishte obligim imi moral, që vinte në spikamë mishërimin tim të natyrshëm me vëllezërit e mi të kombit dhe të fesë, duke pandehur në ofrimin e ndihmës, qoftë edhe ajo modeste, që unë kisha mundësi dhe aftësi t’ia ofroja në rrafshin ushtarak, sepse pas meje fshihej arsimimi ushtarak dhe përvoja tashmë luftarake.
Pashtriku: Në çastin kur kapët armën për të luftuar për çlirimin e Kosovës, ju ka shkuar mendja se një ditë do të luftonit edhe në vendin e juaj të lindjes, kundër dorës maqedonase që grushtonte e vriste ngadalë por vazhdueshëm shqiptarë?
Ibrahim SHAQIRI:
Të them të drejtën kurrë nuk kam besuar se mund të zgjidhet çështja shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni pa gjakderdhje, ose shprehur më qartë, pa luftë, sepse kam qenë i vetëdijshëm se pushtuesi dhe gjakderdhësi shekullor nuk mund të trajtësohet në mik, qoftë edhe nëse Europa i ofronte shkëmbime të leverdishme nëse sllavi do të pranonte të zbutej kundrejt “pakicave” shqiptare. Pas luftës së Kosovës, disi mendova se maqedonasit do ta ndërrojnë strategjinë e tyre të dikurshme dinake ndaj shqiptareve dhe do ta përmirësojnë gjendjen e shqiptarëve, të cilët u ishin nënshtruar pavullnetin e tyre një padrejtësie të rrjedhshme dhe një dhune të herëpashershme që çmeriste gjininë njerëzore. Edhe përkundër ndryshimit të klimës së përgjithshme pas luftës së Kosovës, maqedonasit e ushqyer më shumë me nacionalizëm sesa me bukë, vazhduan të njëjtën politikë dhe trajtim kundruall shqiptarëve autokton në këto treva, ndoshta diku-diku vërehej një zbutje dinake, porse në thelb asgjë nuk ndryshoi dhe shqiptarët u detyruan t’i kërkojnë të drejtat e tyre përmes tytës së pushkës, mbase me këtë edhe mëtonin të mbroheshin prej atyre që në vend të lodrave, meqë tani ishin të rritur, loznin me dinjitetin e bashkëqytetarëve të tyre dhe me kombin e një shoqërie tjetër.
Pashtriku: Si vendosët t’i bashkoheni ushtarëve të UÇK-së në Maqedoni. Kishit ftesë prej dikujt, apo vetë ndërgjegjja juaj trokiti me thumb në zemrën tuaj për një rrugëtim të atillë?
Ibrahim SHAQIRI:
Vendimi im për t’u bashkuar me UÇK-ën, nuk ka pasur fare lidhje me atë se mbrapa meje gëlonin dhe më shoqëronin tri luftëra të mëparshme: ajo në Kroaci, gjegjësisht në Dubrovnik, ajo në Kosovë dhe ajo e fundit për atë kohë në Luginë të Preshevës, ku ende isha atje nëpër llogore teksa tanimë ishte paraqitur UÇK-ja në fshatin Tanushë. Ky ishte obligim imi moral, që vinte në spikamë mishërimin tim të natyrshëm me vëllezërit e mi të kombit dhe të fesë, duke pandehur në ofrimin e ndihmës, qoftë edhe ajo modeste, që unë kisha mundësi dhe aftësi t’ia ofroja në rrafshin ushtarak, sepse pas meje fshihej arsimimi ushtarak dhe përvoja tashmë luftarake. Menjëherë kontaktova Komandant Haxhijen në Dobrosin të Luginës së Preshevës dhe pas një bisede të shkurtër, ai më liroi nga aradhet e UÇPMB-së dhe kështu përmes hekjeve të shumta disi mbërrita në vendin tim të lindjes, pra në fshatin Llojan.  Me një shok të besueshëm rashë në kontakt dhe shumë shpejt edhe me disa anëtarë të Shtabit të UÇK-së. Ata ishin: Nazmi Beqiri, Komandant Sokoli dhe Komandant Tigri. Atëkohë, asnjërin nuk e njihja, por ata me pritën me shumë dashamirësi dhe kështu filloi sistemimi im i radhës përkrah gjithë atyre trimave, të rinj e të moshuar, kryefjala e të cilëve ishte shëmbëllimi i uniformës së UÇK-së.

Komandant Ibrahim Shaqiri në mesin e bashkëluftëtarëve të tij.

………………………………………………………

Pashtriku: Mund të na përshkruani mundimet gjatë rrugës për mbërritjen në mejdanin e luftës?
Ibrahim SHAQIRI: Rrugëtimi ishte mjaft i vështirë dhe padyshim e tani do të më duhej shumë kohë që gjithë atë ecejake të djersitur t’ua sqaroj. Porse, shpresoj të më lejoni që shkurtimisht t’ju rrëfej rreth atij rrugëtimi. Hyra nga fshati Miratoc me një taksist që e njihja dhe prej aty duke mos humbur fare kohë, ngase kisha dëgjuar se në vendin tim ishin ngritur me nxitim llogoret, takova një djalë i cili fare pa u skuqur mi kërkoj 400 marka gjermane nëse doja të kaloja prej fshatit Miratoc për në fshatin Llojan. Unë atëkohë nuk kisha gjithaq para, ngase kisha kohë që kisha braktisur Gjermaninë, me këtë edhe të ardhurat e mia – vetëm e vetëm që t’ju bashkëngjitsha varganit të ndershëm të ushtrisë shqiptare. Ndaj atij djalit që e njihte shumë mirë terrenin e asaj ane, nuk më erdhi turp që t’i thosha se i kam vetëm 200 marka gjermane, duke shpresuar në mirëkuptimin e tij. Pranoi me këtë shumë dhe falë Zotit hyra në fshatin Llojan nën gëzofin e bujkut lëvrues me traktor.
Pashtriku: Fillimisht me kë u takuat dhe cilët ishin hapat që ju mendonit t’i ndërmerrnit?
Ibrahim SHAQIRI:
Kontakti i parë kuptohet ishte me stafin komandues në fshatin Llojan dhe me ushtarët të cilëve ju shkëlqente fytyra nga gëzimi, kur më panë se iu bashkova atyre trimave, por të cilëve dukshëm u mungonte përgatitja dhe përvoja luftarake. Unë as vetë nuk e kisha ditur dhe paramenduar se sa isha i mirëseardhur dhe i mirëpritur në gjirin e atij fshati dhe të asaj shpure ushtarakësh. Kështu që, kë e takoja më përqafonte dhe ishin tepër të gëzuar, përpos, tani të ndjerës nënës sime, që me lot në sy mu drejtua, – kujt ja le tre fëmijët dhe gruan ore birë? Ju përgjigja shkurt, – oj nënë, kam ardhur t’ju vizitoj dhe shpresoj se do të kthehem sa më parë. Mu përgjigj nëna ime e dashur, – jo, jo e di boll mirë pse ke ardhur, por paq faqen e bardhë o bir dhe Zoti qoftë me ju. Kurse hapat të cilat doja t’i merrja i kisha menduar më herët. Ato ishin, fortifikimi i pikave dhe llogoreve kryesore jashtë apo përpara fshatit, hapja e transheve dhe fusha e minave (e cila si duket pat efekt shumë te madh për mbrojtjen e fshatit)!
Pashtriku: Kishit njohuri se për çka luftohej. Fjala është, e dinit se luftohej për ndarje territoresh apo për të drejta qytetare?
Ibrahim SHAQIRI:
Kisha njohuri të sakta se do te luftohej për të drejtat elementare qytetare dhe njerëzore. Asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i ndarjes së Maqedonisë, të paktën përmes veprimeve ushtarake, edhe pse shkenca e sigurisë disi qëndron memece për sa i përket luftës së armatosur vetëm për të drejta, porse si në çdo rast tjetër që përjashtimi është pjesë përbërëse e projektit, ashtu edhe në këtë rast kjo ndodhi. Thjesht, kishte luftë të armatosur kundër politikës diskriminuese që ushtrohej prej politikanëve maqedonas ndaj shqiptarëve.
Pashtriku: Kishit besim në mposhtjen e armikut? Kuptohet duke u mbështetur në forcat njerëzore dhe ato të armatimit që ishin të pranishëm në rajonin e Likovës?
Ibrahim SHAQIRI:
Ka qenë i paluhatshëm besimi se do ta mbërrijmë qëllimin, duke u nisur nga fakti se edhe Zoti do të na ndihmonte në atë luftë të drejtë dhe morali tepër i lartë i ushtarëve, duke e ditur se tani kishte një numër të konsiderueshëm të ushtarëve me përvojë lufte, kështu që, suksesi ishte i pashmangshëm, sepse ishte edhe përkrahje e popullatës vendore.
Pashtriku: Çka ju neveriste në atë luftë dhe a mund të na shkoqisni ndonjë çast shumë të rëndë, vendimi i të cilit varej kryekëput prej juve?
Ibrahim SHAQIRI:
Edhe pse pyetja kërkon një sqarim më të gjerë, unë shkurtimisht do t’ju tregoj. Ajo që më neveriste më së shumti, ishte furnizimi i dobët me armatim jo cilësorë për fshatin Vaksincë dhe fshatin Llojan, meqë ne ishim ngjitur në kufi me Serbinë dhe një kilometër afër nesh, ishin vendosur mbi pesëdhjetë tanke e autoblinda serbe. Unë besoja se çdo hapje e frontit në fshatin tonë, si fjala bie, prej fshatit të populluar më shumë me serb, Tabanoc, do te sulmoheshim nga serbet. Kështu që, strategjia ime ka qenë forcimi i pikës mbrojtëse jashtë fshatit, kurse beteja luftarake të zhvillohej te vendi që njihet në anën tonë “te Vrella” apo afër Minierës së Llojanit dhe aty të vendoseshin së paku dy topa 75 mm dhe një gulinov. Kjo pikë dhe e njëjta pikë sipër Gurubincës në fshatin Vaksincë, mendonim se do t’i mbronim të dy fshatrat prej ndonjë mësymje serioze prej palës maqedonase. Në kërkesën tonë për furnizim me këto lloj armësh, kërkesë që e shkroi vetë Kastriot Abdyli (anëtar i shtabit), mjerisht nuk na u përgjigjën, ndoshta edhe nuk kishin, por koha nuk premtonte dhe nga dita në dita e papritura bëhej gjithnjë e më ethshme. Tjetri rast që më shqetësonte dhe varej drejtpërdrejt nga unë, ishte fakti se një numër i caktuar kërkonin që të sulmohej pika kufitare në Tabanoc, këtë e kërkonin vazhdimisht dhe me ngulm disa pjesëtar të asaj ushtrie të lavdishme dhe unë e kundërshtoja, me arsyetimin se në çastin kur do të sulmohej kufiri, forcat serbe do të suleshin vrullshëm drejt nesh, çka edhe ndodhi në Vaksincë me hyrjen edhe të forcave serbe. Këtë trysni e kisha gati çdo dit, madje edhe nga disa familjarë të mi.

………………………………………..

 SHIKONI DOKUMENTARIN:

Vera e nxeht e 2001-shit në Maqedoni…. Haraçina,Sllupçani, Mateqi…(I)

Vera e nxeht e 2001-shit në Maqedoni…. Haraçina,Sllupçani, Mateqi…(II)

Pashtriku: Fillimisht jeni pozicionuar në fshatin Llojan dhe pas thyerjes së istikamit në Vaksincë, edhe ju me pak ato veta që kishin mbetur, u detyruat ta bënit një tërheqje për një mësymje tjetër prej pikave tjera. Cilat ishin ato pika prej nga ju sërish u futët në betejat luftarake?
Ibrahim SHAQIRI: Thyerja e frontit në fshatin Vaksincë siç e quani ju, ishte një ditë shumë e rëndë dhe e dhimbshme për të gjithë. Në atë ditë ra edhe dëshmor Komandant Tigri – Fadil Numani. Edhe pse ushtarët në Vaksincë me respektin më të madh e bën atë që mundën, dhanë maksimumin për mbrojtjen e fshatit, por si në çdo luftë që ka fitore dhe humbje betejash, ka sulm dhe tërheqje, ka mbrojtje dhe zmbrapsje të armikut, ashtu edhe në këtë rast ky mishmash gjërash është i kuptueshëm. Ne ushtarët që vepronin deri ato dita i ndamë në dy grupe, afërsisht në grupe të barabarta, që qysh herët në mëngjes afërsisht në orën katër të sulmojmë prej dy krahësh. Njëri krah kah vreshtat, gjegjësisht në afërsi të minierës, nga lindja, ku isha edhe unë, kurse tjetri me komandantin e kompanisë, nga krahu tjetër prej lartë, që i bie nga ana veriore. Këto dy pika i zgjodha për sulm në orët hershme të mëngjesit, por mjerisht nuk mbërritëm ta jetësojmë atë sulm ashtu siç më parë e kisha menduar, edhe atë, ky gulç ishte për arsye teknike.
Pashtriku: Ju ishit edhe në betejën shumë të nxehtë të Haraçinës, madje kishit edhe rol të rëndësishëm si bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar për një kompromis të palëve ndërluftuese. Mund të na tregoni diçka më hollësisht rreth betejës luftarake të Haraçinës dhe asaj “diplomatike”?
Ibrahim SHAQIRI
: Me urdhër të komandës së brigadës 113, u sistemova në operativën e batalionit katër në Haraçinë. Beteja e Haraçines ishte e vërtet diçka e paparë ndonjëherë, përdorimi i tërë arsenalit ushtarak që pati armiku maqedonas, helikopterë, aeroplanë luftarak, raketat tokë-tokë, armë artilerie të të gjitha kalibrave, tanke, autoblinda e të ngjashme. Falë Zotit, pastaj përgatitjeve shumë të mira, pikave, transheve, armatimit dhe mbi të gjitha vullnetit të çeliktë të ushtarëve, Haraçina edhe pse afërsisht 80 përqind e shkatërruar, me sukses i përballoi atij rrebeshi plumbash e topash dhe këmba maqedonase nuk arriti ta pushtojë këtë vend.
Të analizosh dëshmorët e rënë dhe të plagosurit në Haraçinë me arsenalin ushtarak dhe predhat e rëna, ku gjithçka që piketohej edhe digjej dhe vërtet është për ta studiuar këtë dukuri shkenca ushtarake, që dikujt mund t’i duket e pa besueshme, porse kjo është e vërtetë. Njëmend kemi qenë shumë të njësuar dhe të përgatitur mirë në çdo aspekt, kështu që me plotë të drejtë u them maqedonasve, mos t’ju mbese merak se ajo betejë përfundoi shumë shpejt, se edhe sikur të kishit luftuar me ata trima deri më sot, sërish Haraçinën nuk do ta pushtonit, ju siguroj. Por ja, tani pas asaj beteje të lavdishme i erdhi radha një hapi të papritur që ne duhej të tërhiqeshim nga Haraçina, ngase këtë e kërkuan ndërkombëtaret në krye të delegacionit me tetë vetash ishte Piter Feith, holandez ky i njohur për mua, edhe pse ai nuk më njihte mua.
Ne që përfaqësonim UÇK-ën ishim: Kushtrimi udhëheqës, një njeri shumë i mençur dhe trim i paparë, shok i mirë, besnik dhe vizionarë, Hoxha, Qufa dhe unë si ushtarak. Bisedimet ishin me dyer të mbyllura, por akti për tërheqje, si duket ishte arritur në Prizren. Tani bisedohej për mënyrën dhe kohen e tërheqjes. Për mua ka qenë shumë e vështirë të bindem vetë pse duhet të tërhiqemi nga Haraçina, të cilën e mbrojtëm me gjak, betejën e fituam dhe njëherësh ai vend ishte i banuar me 95 përqind me shqiptarë? Pse-të e mia nuk kishin të ndalur! Pse po e lëshojmë këtë vend, kur dihej mirëfilli se tani pretendonim të marshojmë drejt Shkupit? Bisedimet në hollësi nuk dua t’i përmendi, se ato zgjatën dy ditë.
Në një kohë pauze teksa po bisedoja me Piter Feith-in, i cili fliste shumë mirë gjermanisht, unë i thashë se kam problem të madh t’i bindi ushtarët për një tërheqje të tillë, mbase vështirë të shpjegueshme për sa i përket arsyeve të tërheqjes, mbase mund të na quajnë tradhtarë, duke na thënë se ja e shitën luftën (siç edhe ndodhi të na thonë kështu. Vërtet kam pasur probleme të mëdha për sa i përket dhënieve të sqarimeve). Ai qartë mu përgjigj, – ju luftën e fituat dhe kjo është pika e fundit. Më tej nuk mund të shkonit. Ti si ushtarak, nëse i ke ushtarët nën komandë, urdhri duhet të zbatohet, kurse ne do të jemi në krahun tuaj, duke ia shoqëruar tërë kohën njerëzit tanë të NATO-s, të cilët do t’ju ndihmojnë në hapat e ardhshëm.
Sidoqoftë, prej dy opsioneve që kishim, vallë të tërhiqemi me njësitin e NATO-s që përbëhej prej francezëve, apo prej amerikanëve. Ne zgjodhëm amerikanët me 30 autobus dhe 20 kamionë, edhe pse gjatë bartjes së ushtarëve përdora një teknikë që ndërlidhej me pabesinë e sllavit, qoftë edhe në rast marrëveshje. Unë do të shkoja në kamionin që bartte armatimin dhe kështu u vendosëm në fshatin Nakushtak. Tani filluan problemet e reja. Kishte shumë popullatë civile, ushtarët e zhgënjyer dhe disa komandant u tërhoqën dhe disa shkuan për në Likovë. Ne nuk e njihnim vendin, s’kishte ushqim nga dy anët në largësi prej një kilometrash, kishim forcat sllavo-maqedonase. Vërtet gjendja ishte kaotike! Fatmirësisht kisha me vete edhe Shpend Destanin, ky një bashkëluftuar imi dhe bashkëfshatar. Kisha edhe disa ushtarë e një shofer, i cili shkonte prej Nakushtakut në Likovë për të marrë ushqimin me makinë. Por ishte rrezik të merrej një rrugë e tillë dhe ec e ndale Shpendin në rreziqe të tilla. Në anën tjetër komandant Kushtrimi më ndihmonte shumë në qetësimin e gjendjes, sepse luftimet vazhdonin, Nakushtaku bombardohej nga largësia, ndërsa ne bënim pozicionet e reja. Vishtica na kishte mbetur pa mbrojtje dhe falë disa ushtarëve që erdhën prej Llojanit, mes të cilëve edhe ti Iljasa që atëherë ishe 17 vjeçar, të cilët na erdhën në ndihmë dhe disi gjendja u qetësua, edhe pse ecejaket e atyre betejave kërkojnë mbushje të faqeve të shumta për t’u kuptuar si duhet ato ngjarje.
Pashtriku: Si e kuptuat ju në atë kohë arritjen e një marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe qeverisë maqedonase në Ohër? Pasi u çarmatosët, ju kishte shkuar mendja se gjasat për një (ri)kapje të armëve ishin të gjallë dhe bënin pjesë në botëkuptimin tuaj të mëtejmë?
Ibrahim SHAQIRI:
Të them të drejtën, Marrëveshja e Ohrit dhe dorëzimin i armëve me shpejtësi, unë i shikoja me skepticizëm, sepse ndërkombëtarët kërkonin kompromis dhe çdo kompromis dihet, është i dhimbshëm, por ajo që më shqetësonte ishte fakti se pse gjithnjë ne do të duhej të lëshonim pe më shumë se ata që vranë edhe civil, pse po bënim kompromis në dëmin tonë, kurse dihej mirëfilli se ne ishim në epërsi ushtarake. Këtë nuk e kuptoja, ndofta se unë jam një ushtarak dhe jo një politikan! Të them të drejtën, kësaj politike maqedonase, as atëherë dhe as sot nuk i besoj, kështu që (ri)kapja e armëve nuk ishte as atëherë dhe as sot ky opsion nuk më sillet në kokë, porse në vendet me klimë të paqëndrueshme, edhe moti të befason me të reshura të papritura të shiut dhe me buzëqeshjen e beftë të diellit!
Pashtriku: Çfarë mund të na thoni për vrasjet, burgosjet dhe anashkalimin e disa pjesëmarrësve të dikurshëm të luftës së 2001-shit?
Ibrahim SHAQIRI:
Po paramendo ti Iljasa si pjesëmarrës i luftës dhe tashmë si intelektual, me paratë edhe të shqiptareve mbrohej në Gjykatën e Hagës krimineli i luftës, Lube Boshkovski, veprat e tija kriminale i dimë të gjithë shumë mirë, kurse pjesëtarët e UÇK-së, të pakënaqur me statusin e tyre, burgosen dhe vriten. Përfundimisht kjo është tmerr dhe unë nuk kam koment tjetër, mbase pas kësaj pyetje dhe kujtese, sigurisht se e km vështirë të bëj gjumë me natë të tëra, ngase kjo është pika më e dhimbshme pas asaj lufte.
Pashtriku: Sa jeni të kënaqur sot me faktorin politikë shqiptar dhe a mendoni se partia me rrënjë nga lufta, edhe pse tashmë e mbërthyer me shumë degë që fare nuk kishin marrë erë në luftë, ka mbërritur t’i vjel frutat e pemës që ishte ujitur në luftën e vitit 2001?
Ibrahim SHAQIRI:
Faktori politik shqiptar, si duket u kënaq dhe një pjesë tjetër, apo grimcë e vogël e shijuesve të atyre frutave, nuk patën vizion të qartë, pra nuk shihnin larg, apo kështu si miop i vinte më mirë. Pjesën më të madhe i kam shokë dhe nuk i ndërroj, porse vend për kritika dhe qortime ka shumë. Unë gjithnjë kam kërkuar nga ish-komandanti im Ali Ahmeti dhe shokët e mi tjerë, të zgjidhet statusi i familjeve të dëshmorëve dhe i atyre të invalidëve të luftës, të shtrohet rruga Kumanovë – Llojan e të hapet ai “dreq” kufi dhe shumë kërkesa tjera që lidhen me qeverinë e kuvendin. Këto kërkesa vazhdimisht i kam pasur, madje edhe sot e kësaj dite këto kërkesa vijojnë të jenë mysafir të organizmit tim në cilësinë e brengës. Mjerisht ngelën vetëm premtimet dhe asgjë tjetër. Shikoni Komunën e Kumanovës dhe atë të Likovës, se në çfarë gjendje janë, mjerim njëherësh edhe turp. Por shoku im Iljasa po të them, se kam ardhur në përfundim që më lehtë është të investohet aty ku më së paku apo fare nuk pati luftë dhe së dyti më së lehti për fatin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të vendosin ata që luftën e panë vetëm përmes ekraneve të televizorit, siç thua edhe ti, nuk kishin marrë erë në luftë.
Pse ta hapë kufirin Llojan – Miratoc pseudopolitikani nga Dibra, Kërçova, Tetova apo Shkupi, pse? Po ai as nuk e din situatën në teren fare. E kryetari i Likovës, shoku im Sadulla Duraku, kur të hynë në kryesin e partisë në Tetovë, ata duhet të çohen në këmbë, por ata tani nuk e mbështesin dhe nuk e ndihmojnë komunën e cila më së shumti u shkatërrua në vitin 2001 dhe ja tani më së paku investohet. Madje këtu një pjesë të fajit e ka edhe shoku im, i cili të vërtetat i thotë pak si rrallë. Paramendoni sa miliona janë investuar vetëm në ato figurat e pështira në Shkupin, tashmë të vjedhur praktikisht prej shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë nuk paskan para për një rrugë dhjetë kilometra. Sidoqoftë, kurrë nuk është vonë, duhet kërkuar atë që na takon pandërprerë.
Pashtriku: Kishit ju ndonjë rol pas lufte, edhe pse nga ajo që dimë, ju menjëherë pas lufte sërish u kthyet në Gjermani për të vazhduar me punën që e bënit më parë. A ju ka pyetur ndonjëherë dikush për diçka, meqë dihej roli juaj i rëndësishëm në luftë?
Ibrahim SHAQIRI:
Pas dorëzimit të fazës së tretë të armatimit ku edhe isha përgjegjës unë, vendosa të kthehesha për në Gjermani ku kisha familjen time. Në biseda me shokët e mi, Kastriotin, Mulla Jakupin, Hisni Shaqirin, Xhemë Jasharin, Sadulla Durakun, Nazmi Beqirin e shumë të tjerë, që kërkonin nga unë të rrija dhe të vihem në ndonjë post ushtarak, më thoshin se kemi nevojë për ty. Unë vendosa të kthehesha në Gjermani, se edhe ardhja ime kishte qenë vetëm për t’u solidarizuar me vendasit e mi dhe asgjë më tepër. Prandaj edhe sot dhe sidomos tani po e shoh se kisha vendosur drejt. Kam formuar shoqëri të madhe, vërtet shokë të mirë prej Llojanit e deri në Shkup dhe gjetkë. Kur shkoj në Haraçinë, ndihem si në Llojan. Po unë edhe Llojanin se kisha njohur mirë, sepse ka 30 vjet që kam dal për në mërgim. Tani ndihem shumë i lumtur që kam shumë shokë të shkëlqyeshëm. Këta në politikë po më bëjnë nervoz shpesh, por prapë janë shokë të luftës dhe dihet, shokët e luftës si në Kosovë, Preshevë dhe në Maqedoni, nuk i ndërroj me asgjë në jetë, i dua shumë me sinqeritet të plotë, ngase e kaluara e mundimshme është ajo që i ngjallë këto nostalgji.
Pashtriku: Ju faleminderit për përgjigjet e sinqerta. Ishte nder dhe kënaqësi ta zhvilloja një bashkëbisedim me ju, tashmë të dytë të veshur me rroba të thjeshta dhe pa dashjen tonë, përgjatë këtyre viteve të ndërtimit të paqes, pamë nëpër fytyrat e njëri-tjetrit, edhe fytyra të vëngërta, në vend të atyre që tregonin lumturimin tonë!
Ibrahim SHAQIRI:
Faleminderit shumë edhe nga ana juaj. Pamë edhe asi lloj fytyrash në atë trajtë, porse nuk duhet të “gjunjëzohemi” para dëshpërimit. Të punojmë, duke mos harruar edhe të kritikojmë. Më lejo Iljasa ta shfrytëzoj rastin ta përgëzoj çdo njeri që punon, duke i thënë se edhe gabimi është pjesë e asaj ecejake. Unë i kërkoj falje të gjithë atyre që mund t’i kem hyrë në hak, në njërën apo mënyrën tjetër, atyre që ndoshta ua kam bërë ndonjë padrejtësi, për hir të Zotit le të ma bëjnë hallall, se me qëllim të mirë çdo punë e kam pasur. Njeriu gabon, jemi krijesa që Zoti na sprovoi edhe me dukurinë e gabimit, ndaj le të ma bëjnë hallall gjithë ato nëna dhe motra që na përgatitën ushqim në ato kohëra të vështira. Kurse prej anës sime u qoftë 100 përqind hallall tërë angazhimi im në atë kohë. Unë nuk bëra asgjë më tepër se sa kërkohej nga unë si një ushtarak dhe bir i këtij vendi. Dhashë një gjë të vogël për atë çështje madhore të vendit tim. Zoti i pastë nën hijen e Tij të gjithë të rënët e asaj lufte!


Intervistuar nga: Iljasa SALIHU

*   *   *

LEXONI INTERVISTËN E PARË TË Z.IBRAHIM SHAQIRI
IBRAHIM SHAQIRI: RRUGËTIMI IM NGA GJERMANIA –

DREJT FRONTEVE TË LUFTËS PËR ÇLIRIM

Klikoni këtu: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=432

===================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura