HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (27)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (27)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 26 Korrik 2021

HALIL ALIDEMA (1936-1996) KA MERITA TË JASHTËZAKONSHME PËR FORMIMIN E UNIKOMB-it

I etur për dituri shkencore e historike ai me ndihmën e të vëllait, Sokolit dhe miqve, regjistrohet në Shkollën Normale në Prishtinë më 1954. Me dituri të fituara nga historia e ligjëruar nga porfesor Ali Hadri, duke dashur të dijë më për së afërmi ndodhitë në Shqipëri i afrohet kufirit shqiptar, por kapet nga roja dhe dënohet me një muaj burg. Kthehet në shkollim të mëtutjeshëm, por nën përcjelljen e vazhduar të UDB-ës. Gjatë këtyre viteve të shkollimit, ai u dallua me aftësitë e tija, dhe ishte në kontakt të shpeshtë me profesor Zekeria Canën, Ali Hadrin, Tajar Hatipin, e shumë të tjerë.

Halil Alidema ishte njëri ndër sportistët më të mirë të Normales së Prishtinës.

Me të kryer të Normalës, për nevoja kohe, së bashku me bashkëshorten Tetuta Kryeziun, punojnë si mësues në fshatin Firajë. Aty u bënë misionarë të arsimit dhe nacionalizmit shqipar. Pas Firajës veprimtarinë arsimore e vazhdoi në Malishevë, si mësues dhe drejtor shkolle. Më vonë kthehet në shkollën fillore të Pozheranit.

Aty në fillim punoi si arsimtar i kulturës muzikore dhe asaj fizike. Shkolla mbante emrin “Bashkim Vëllazërim” që tingëllonte keq në veshin e tij. Për këtë Halili ishte shumë i mllefosur, si demagogji e madhe, ku në mbledhjen e parë të bashkësisë punuese reagoi ashpër. Me këtë reagim u riaktivizuan mllefet e politikanëve sllavo-kumunistë të kolektivit të shkollës dhe të komunës.

Ai dha kontributin e tij si në kulturën muzikore, letërsi, sport. I dha kontribut të madh SHKA “PËRPARIMI” ndihmoi klubin futbollistik “VLLAZNIA” në aspektin profesional, duke qenë anëtar i ish klubit “POZHERANI”. Ky nuk u kursye në dhënien e ndihmave të klubeve të hendbollit, basketbollit, volejbollit dhe degëve të atletikës.

Në këtë periudhë është autor i disa prozave dhe poezive dhe një drame, e në veçanti shquhet vjersha “VRATISHNICA”, ku përshkruhet masakra e 7 Janarit 1945 në Pazheran.

Gjatë kësaj periudhe, shpirti i tij atdhedashës nuk pushoi së predikuari atdhedashurinë dhe rëndësinë e të mbijetuarit si komb. Në këtë frymë ishin edhe agjitimet e tij me bashkëmentimtarin dhe nipin Hajrush Zeqirin nëpër fshatrat e Maqedonisë të banuara me shqiptarë për mosshpërngulje dhe regjistrim të tyre si shqiptarë. Kështu ai së bashku me miqtë e tij punoi në ngritjen e vetëdijes shqiptare.

Po afrohej nëntori i vitit 1968, diç zihej në Kosovë dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë. Këtë e kishte në hatër arsimtari Halil. I kishte shtuar kontaktet me shumë bashkëmendimtarë të tij.

Halil Alidema në natën e 27 nëntorit të 68, në shtëpi të Berat Zenun Halimit, ku ishte çerdhja e veprimtarisë politike, ku u tubuan oficerët pa grada, pa dallim, nxënës, punëtorë, studentë, arsimtarë, bujqë, si: Berat Zenun Halimi, Emin Elmaz Halimi, Sabit Feriz Zuka, Idriz Sabri Zuka, Riza Asllan Zuka, Brahim Mejdi Zuka, Ali Tefik Alidema, etj. Rrethi i rojës ishte organizuar nga anëtarët e familjes së tij dhe disa të shokëve të ngushtë. Gjatë ngritjes së flamurit u bë edhe betimi i Flamurit . Në fingë të kullës u ngrit Flamuri, ku qëndroi deri në mëngjes. Me pjesëmarrësit e tij, gjatë natës Halili bëri evokime për rëndësinë e ditës së Flamurit dhe të festës kombëtare. Të nesërmen, me 28 Nëntor 1968, Halili vendosi flamurin kombëtar mbi derën e banesës së vet, ku aso kohe banonte në banesat e shkollës fillore përballë rrugës kryesore Gjilan – Ferizaj. Flamuri qëndroi një muaj në derën e tij.

Kur po bëheshin tubimet rreth ndërrimeve kushtetuese më 1968 rreth përdorimit të flamurit, gjuhës amtare dhe simboleve tjera kombëtare, në këtë tubim Halil Alidema gjatë diskutimit të tij dhe kërkesave që i parashtroi hasi në konfrontim verbal me kolonin, kryeçetnikun Gjoko Gavrilloviq, njeriun që vrante dhe kthjellte në komunën e Vitisë.

Pas të gjitha këtyre peripecive që pati gjatë veprimtarisë së vet në vendlindje u detyrua të shkojë në Prishtinë. Aty krijoi rrethin e ri iu krijuan kushte më të mira të veprimtarisë së tij politike dhe intelektuale. Më 1973 kreu Fakultetin Juridik, ku u punësua si referent i Fakultetit Filozofik. Halili kishte ambicje të madhe për shkollim të mëtejmë, por nuk e tërhiqte profesioni i juristit, ngase ideologjia e tij patriotike nuk përkonte me ligjet e sistemit skllavo-komunist jugosllav.

Kishte dëshirë t’i përkushtohej shkencës së historisë, në radhë të parë i interesonte e kaluara e popullit shqiptar. Këtë dëshirë e arriti, kur në vitin 1978 magjistroi me temën “PAQJA E SHËN STEFANIT”. Sapo donte të doktorojë në këtë lëmi, ditët e marsit të vitit 1981 Halil Alidemën e vunë në ballë të veprimtarisë aktive në organizimin e demonstratave, të cilat i priti me padurim, e që kishte ëndërruar gjatë tërë jetës që t’i lëkundte themelet Jugosllavisë së Titos.

SPB-ja e tërbuar, e udhëhequr nga renegatët komunistë, nuk lente gjë pa bërë për të nxjerrë në sipërfaqe kryeudhëheqësit e këtyre ngjarjeve. Viktimë e kësaj rrëmuje të egër u bë edhe Halili me shokët: Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Shemsi Reçica, Muharrem Fetiu, Ilmi Ratkoceri, Mentor Kaçi, Zija Hoxha me të birin Tajar Hoxha e të tjerë.

Përmbysjen e komunizmit në fund të viteve 80 dhe në fillim të viteve 90 e përjetoi si çlirim shpirtëror, ngase edhe miqtë që fill pas kthimit nga burgu detyroheshin t’ia kthejnë shpinën, tani ja shtrëngojnë dorën. Me demokratizimin e shoqërisë, formimin e pluralizmit politik dalja në skenë e LDK-ës. Ishte anëtar i kryesisë së saj dhe kryetar i një dege të LDK në Prishtinë. Meqë, sipas tij, kjo parti nuk i përgjigjej zgjedhjes së shpejtë të çështjes shqiptare, ai me një grup intelektualësh, lëshoi LDK dhe bënë takime me intlektualë e veprimtarë politik me pedigre kombëtare për të krijuar një mekanizëm politik që të shpejtojë çlirimin dhe bashkimin kombëtar. U themelua këhilli nismëtar, të cilin e kryesoi ai, këshili nismëtar më 6 Maj 1991 më në fund e zgjodhi kryetar të partisë së Unitetit Kombëtar – UNIKOMB Mr. Halil Alidemën.

 ditët e para të themelimit të “UNIKOMB”-it, kryetari i partisë ftohej në biseda informative. Atakohej nga pjesëtarët e SPB-ës, bastiseshin lokalet e partisë, e kërcënonin për ta ndrruar veprimtarinë ideologjike, por ai nuk nënshtrohej. Pas publikimit të “Librit të Bardhë” për të cilin Halili e nënshkruan autorsinë, ndiqet dhe detyrohet ta lëshojë vendin dhe të vendoset në Shkup. Aty edhe në këto mese të banuara me shqiptarë përsëri veproi duke themeluar kryesi dhe degë të “UNIKOMB”-it. Këtu veproi një kohë prej tetë muajsh. Mirëpo maqedonët, miqë të afërt të hijenës serbe iu lëshuan në gjurmë dhe e ndiqnin këmba-këmbës, duke ia ngushtuar rrethin e veprimtarisë politike, Halili u detyrua të arratiset në Shqipëri.

Halil Alidema që në ditët e para në Shqipëri me ngulm e filloi veprimtarinë ideopolitike të UNIKOMB-it. Periudha e qëndrimit në Shqipëri manifestohet me probleme të shumta që vështirë përballoheshin. Megjithatë kundërshtimet dhe moskuptimet që i kishte, ai filloi të bashkëveprojë me partinë e Unitetit Kombëtarë të Shqipërisë dhe forcon lidhjet e degës së partisë në diasporë, e edhe me selinë e UNIKOMB-it në Prishtinë. Këtu në Shqipëri në maj të vitit 1993 formohet Këshilli Koordinues i dy partive shqiptare si motra. Mungesa fizike e kryetarit të UNIKOMB-it, Halil Alidema në radhët e saj në Kosovë, u reflektua shumë negativisht dhe vështirësohej dita –ditës edhe për shkak të lidhjes telefonike të dobët, në relacionin Prishtinë-Tiranë dhe përgjimit të tyre. Shkaktare të vështirësive të veprimit partiak të UNIKOMB-it ishte edhe mosndjenja e unitetit të tre nënkryetarëve të partisë në Kosovë. Udhëheqësia e përçarë synonte mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në këtë periudhë, ndërhynë policia serbe dhe konfiskon tërë dokumentacionin e partisë. Pos kësaj, për dështimin e Kuvendit të partisë ishte edhe qëllimi i grabitjes së postit në parti. Anëtarët e devotshëm dhe shokët e afërt të Halil Alidemës bëjn përpjekje serioze për të gjetur njeriun e denjë dhe kjo u realizua, duke ftuar Mr. Ukshin Hotin, shok, bashkëmendimtar, bashkveprimtar, dhe bashkëvuajtës i Halil Alidemës në kazamatet serbe. Vetëm pas tri ditë pune, edhe Mr. Ukshin Hoti, kryetar i “UNIKOMBIT” arrestohet dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. Halil Alidemaj gjithsesi ka merita të jashtëzakonshme për formimin e partisë së Unitetit Kombëtar dhe për forcimin e idesë për çlirim dhe për bashkim kombëtar. Të ndjekur nga policia serbe, familja e Halilit qe shkapërderdhur. Më 1994 i vdes bashkëshortja Teuta, e cila ishte njëherit edhe bashkëmendimtare e Halilit dhe e cila e la tërësisht të vetmuar. Mbi të gjitha këto të liga që ia krijoi fara serbo-sllave, torturat ndër burgje, humbja e tërë meshkujve të familjes, pasurisë së patundshme dhe të tundshme, vdekja dhe varrosja e bashkëshortes Teuta në Tiranë, fëmijët e tretur në Gjermani, e në veçanti katandisja e udhëheqjes politike të UNIKOMB-it dhe moszgjidhja e çështjes kombëtare, dalldisja e krerëve politik shqiptar për pushtet, e molisën këtë veprimtar me energji titanike për unitet dhe për bashkim kombëtar.

Sëmundja e rëndë ia ngadalësoi ritmin e punës drejt rrugës së fitorës derisa u shtri në shtrat. Halili ishte kryetar i Byros Informative të UNIKOMB-it për Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë.

Më 19 Mars 1996 ky atdhetar me përmasa kombëtare e historike vdes larg Kosovës, por mbeti e pavdekshme vepra e tij.

Vepra e Mr. Halil Alidemës dhe emri i tj do të mbeten objekte inspirimi dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm në Pozheran, Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.

Halili u varros në Tiranë, jasht Kosovës për të cilën dha mund, djersë dhe gjak. Kryesia e kësaj partie, anëtarësia e gjerë në Kosovë dhe në diasporë shpreson se vepra madhore e Mr. Halil Alidemës do të ndriçohen në tërë shumëdimensionalitetin e saj në një të ardhme të afërt.

Ai veproi në themelimin e çelulave të para të UÇK-ës, që ushtarët e tij të ardhshëm do ta quanin komandant “BACA” që tërë jetën luftoi për çlirim të plotë kombëtar, për një unitet, ku do të jetë një shtet, ku do të valojë një flamur, e “BACA” të mos vdes kurrë.

LAVDI VEPRËS MADHORE TË MR. HALIL ALIDEMËS! 

Hysen Terziu, Pozheran. E hënë, 2000-03-20.

KUJTIME PËR HALIL ALIDEMËN DHE TEUTËN

çdo gjë në jetë është kalimtare,

Kujtimet mbesin të përhershme.

Çdo njeri i takon një periudhe të caktuar kohore dhe bën pjesë në një rreth të caktuar shoqëror, duke i takuar kështu një gjenerate të caktuar bashkëkohanikësh.

Me Halil Alidemën kemi qenë bashkëkohanik, njerëz të një moshe që kemi jetuar brenda një peiudhe të njëjtë kohore.

Ndonëse, nuk kemi qenë shokë shkollimi, shokë intimë, megjithatë jemi njohur mirë ndërmjetveti dhe kemi ushqyer një respekt të ndërsjellë miqësor, shoqëror e njerëzor njëri ndaj tjetrit.

Halilin e kam njohur si mik, si fqinj dhe si bashkëmendimtar.

1. Si mik e kam njohur që nga viti 1958. E kam dashur, e kam respektuar dhe e kam simpatizuar për qëndrimin e tij burrëror, për venosmëri e guxim të pashoq.

Si nxënës i shkollës së mesme të Gjimnazit të Gjilanit, më kujtohet Halili me pranga në duar, kur dy policë e kishin vënë përpara dhe po e shpienin në Burgun e Gjilanit. Kur e pashë ashtu, u shtanga u pikëllova, ndjeva një shtrëngim shpirtëror e një rrëqethje trupi që më përshkoi prej majes së kresë e deri në thembra të këmbëve, ndjeva dhembje në zemër për të. Ai moment më rri gjithmonë parasyshë dhe kurrë s’kisha menduar që një ditë edhe djali im do të jetë bashkëvuajtës në të njëjtin burg me Halilin. Halili atëherë ishte djalë i ri, ndoshta ende s’i kishte mbushur 20 vjeç, por ai ishte krenar dhe ballëlartë. Idetë e tij po mbinin në fidanishte të reja, po përhapeshin te brezi i ri dhe një ditë ai do të jetë si trimi i mirë me shumë shokë. Që nga ajo kohë e simpatizoja dhe e respektoja në mënyrë të dyfishtë Halilin edhe si mik, por në radhë të parë edhe si patriot e veprimtar, i cili pishën e atdhedashurisë e mbajti ndezur gjithmonë në zemër, por atë e ndezi edhe te të tjerët, te brezi që po vinte.

2. Kohët kalonin e me Halilin nuk ishim parë një kohë të gjatë. Mirëpo, prej vitit 1970 jetonim si fqinj nja pesëdhjetë metra larg njëri-tjetrit. Prandaj, shiheshim shpesh, takoheshim në rrugë, në punë në Fakultet Filozofik, në Institut Albanologjik, në ndeja rasti, e ndodhte që brenda ditës të takoheshim disa herë.

Në çdo takim apo ndejë, bisedë parësore e Halil Alidemës ka qenë çështja kombëtare, lufta e vazhdueshme kundër padrejtësive të sistemit monist serboçetnik. Ai frikën s’e ka njohur kurrë, ka folur gjithnjë haptas pa ngurrim e pa frikë, nuk ka pranuar kompromise. Ka qenë njeri i vendosur në parimet e veta jetësore. Ishte krenar, ndaj gjithnjë luftonte ndjenjën e inferioritetit kombëtar. Përpiqej të ngjallte guximin dhe dinjitetin njerëzor e kombëtar te bashkëbiseduesti e vet, te brezi i ri, te masa e gjerë e popullit. Tehun e kritikës e drejtonte gjithmonë kundër armikut tonë shekullor. Demaskonte ashpër bashkëpunëtorët e spiunët e UDB-ës, nga njëra anë, kurse merrte në mbrojtje e përkrahte shpirtërisht e fizikisht njerëzit atdhedashës, nga ana tjetër.

3. Halil Alidemën e njofta edhe më mirë nëpërmjet djalit tim, i cili qe bashkëvuajtës i dënimit të burgut me të. Tani me familjen e Halilit kishim trajtim dhe fat të njëjtë. Halil Alidema më 1981, pas Demonstratave e Lëvizjeve Popullore për Çlirim Kombëtar, u dënua me 11 vjet burg, kurse djali im 5 vjet. Shpesh e takoja zonjën Teutë, bashkëshorten e Halil Alidemës dhe interesohesha për shëndetin e tij, ndërsa ajo më pyeste për fatin e djalit tim. Ishim ne familje të anatemuara nga pushteti, të përcjellura edhe nga spiunët e UDB-ës, ndaj të vetmin besim të plotë e mbështetnim te njëri-tjetri.

Për qëndrimin burrëror të Halil Alidemës në burg më me kompetencë mund të flasin bashkëvuajtësit e tij. E kjo periudhë kohore është vepra më madhore jetësore e Halil Alidemës që ai me tërë qenien e vet mendore e fizike investoi për çështjen e çlirimit kombëtar, që shkaktoi edhe vdekjen e tij të parakohshme.

Personalitetin e Halil Alidemës si veprimtar e patriot e ndihmon dhe e plotëson edhe bashkëmendimtarja e tij besnike, shoqe e jetës dhe veprës atdhedashëse – Zonja Teuta Kryeziu – Alidema.

Rrallëherë në jetë mund të takohet një çift i tillë bashkëshortor, të cilët pajtoheshin plotësisht në konceptet e tyre, në qëndrimet dhe në frymën patriotike për çështje të rëndësishme kombëtare. Ata ishin të vetëdijshëm se çështja e çlirimit kombëtar kërkon sakrifica, ndaj edhe më lehtë u përballonin të gjitha vuajtjeve jetësore, presionit e torturave individuale e familjare, duke mos u thyer kurrë moralisht, por duke qëndruar si shkëmb graniti, qëndruan faqebardhë, ballëlartë e krenar se po vuanin për një çështje të madhe që në një të ardhme patjetër do të kurorëzohet me sukses.

***

Personaliteti i HALIL ALIDEMËS shquhet për cilësinë e guximit, fisnikërisë e burrërisë, vendosmërisë e atdhedashurisë, e mbi të gjitha gatishmëria për sakrificë sa herë që e kërkoi prej tij interesi kombëtar.

Të këtillë e kam njohur HALIL ALIDEMËN, kujtime këto të cilat do t’i ruaj me ndjenjën më të ngrohtë shoqërore në kujtesën time të përhershme.

Pozheran, më 19 prill 1996 Mehmet HALIMI

MOHIKANI I FUNDIT

Halil Alidema ishte ndoshta ndër të fundit “Mohikan”, i cili shqiptarizmën e kishte mënyrë të jetës. Halili më kujton ata heronjtë e tragjedive antike, të cilët, edhe pse e shohin fundin e vet tragjik, ata, megjithatë nuk shmangen nga rruga në të cilën janë nisur, nëse jan të bindur se ajo sjellë dobi të përgjithshme.

Halilin e njoha qysh kur u bëra student. Fillimi i viteve të shtatëdhjeta ndër të tjerat, më ka mbetur në kujtesë edhe për atë se ndoshta njeriun, i cili në shumë etapa të rëndësishme të aktiviteteve të mia, por jo vetëm të miat, por edhe të shumë ngjarjeve me rëndësi për historinë më të re të lëvizjeve tona për liri, luajti një rol shumë të rëndësishëm. Me një fjalë, unë pata privilegjin të gjendem pran tij që shënuan një epokë të tërë, e cila karakterizohet me shumë aktivitete, shumë angazhim, shumë sakrificë, mundi, djersë lot dhe gjak, siç do të thoshte një anglez i famshëm.

Unë edhe sot gjithnjë kam problem për t’i shpjeguar se kur saktësisht fillova të merrem me çështjet e politikës. Ndoshta politika u mor me ne aq shumë dhe na bëri te merremi edhe ne me të, bile pa u pjekur akoma dhe pa pasur një koncept të qartë se çfarë duam të arrijmë fillimisht dhe si mund ta arrijmë atë. Ndoshta përgjigjja më e përafërt do të duhej të ishte se me politikë fillova të merrem atëherë kur kisha krijuar një mendim timin politik. Sigurisht se në krijimin e këtij mendimi kishte influenca nga më të ndryshmet, nga ato pikëpamjet e majta deri në të djathtat, megjithatë diç u krijua dhe kjo kishte rëndësi. U krijua ajo që edhe sot më cytë ta begatoj sa më tepër që është e mundshme; ta plotësojë, ta korrigjojë dhe t’ia përshtas sa më shumë kërkesave të kohës.

Koha kur unë po bëja përpjekjet e para në qartësimin e asaj se cila është rruga që duhet ndjekur, ishte koha e një lëvizjeje të madhe studentore, e vlimeve të mëdha në tërë Evropën, kohëra këto të një bunti të paparë deri atëherë. Në Prishtinë ishin mbledhur më tepër se njëqindmijë studentë me të vetmin moto: “ta ndryshojmë botën”.

11 marsi i vitit 1981 paraqet një kthesë vendimtare në rrjedhat politike dhe shoqërore, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Jugosllavinë e atëhershme. Ishte ky fillimi i një fundi të hovshëm dhe të turpshëm të saj. Mbi të gjitha, ishte i përgjakshëm. Asgjë më, pas kësaj date nuk ishte njësoj si më parë. Ngjarjet zhvilloheshin me një shpejtësi marramendëse dhe situata tendosej gjithnjë e më shumë. Demonstratat dhe prostestat e studentëve shuheshin me gjak nga policia dhe nga ushtria serbe e jugosllave. Kosova Rrepublikë u bë ndër slloganet që brohoritej fuqishëm nga çdo shqiptar. Situata e krijuar pas ngjarjeve të bujshme studentore, që mori edhe viktimat e para, mobilizoi tërë makinerinë e represionit shtetëror jugosllav. Së bashku me gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore, që u shpallën me të shpejtë, filloi edhe burgosja dhe persekutimi, së pari i studentëve e më pas i të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetrën përkrahnin kërkesat studentore, të cilat shpejt u bën të përgjithshme. Gati çdo ditë dëgjohej për ndonjë burgosje të ndonjë grupi studentësh apo të rinjsh, që ndonjëherë arrinte edhe nga 30 e më tepër veta. Të burgosurit nxirreshin para gjyqit dhe dënoheshin me dënime shumë të larta, me nga 10-15 vjet. Një fushatë e egër, e cila përfshiu çdo pore të jetës publike kaploi pothuajse tërë Kosovën. Ushtria jugosllave parakalonte me tankse, duke demonstruar forcën, politikanët serbë fërkonin duart duke thënë se ky është rasti për goditjen përfundimtare, ndërkaq gjyqtarët serbë (ndonjëherë edhe shqiptarë) përgatitnin proceset gjyqësore politike dhe hedhnin në humnerat e kazamateve qindra mijëra veprimtarë. Megjithatë vazhdohej të jetohej, të punohej dhe të rezistohej.

Sa më shumë që shtohej represioni aq më tepër shtohej urrejtja dhe kundërshtimi ndaj pushtetit Serb.

Kjo kohë më gjeti si punëtor të RTP-ës (Radio Televizioni i Prishtinës), ku kisha tanimë shtatë vite që po punoja. Institucionet e rëndësishme si Radio, Televizioni dhe shtypi, ishin pothuajse viktimat e para të represionit. Menjëherë pas invadimit të trupave ushtarake në Kosovë, Televizioni u pushtua i pari dhe pikërisht në mënyrën më klasike: nëpërmjet njësisë speciale ushtarake dhe pas kësaj e tërë politika redaktuese e çdo minuti të emituar nga studiot e Radios dhe Televizionit, kalonte nëpër zyrën ushtarake redaksionale, e cila ishte instaluar brenda në godinën e Televizionit. Çdo lajm, çdo infromatë kalonte nëpër duart e oficerëve të KOS-it (Shërbimi i Kundër Zbulimit, i cili vepronte në kuadër të ushtrisë Jugosllave) dhe ndihmësve të tyre shqiptarë, të cilët shpesh ishin më të rrezikshëm se vetë serbët. Për institucionet krahinore të shtetit dhe politikës, ky ishte një grushtshtet klasik i kryer nëpërmjet ushtrisë.

Në një gjendje të tillë shtetërrethimi ishte ngushtuar çdo mundësi veprimi brenda dhe në kuadër të Televizionit. Ajo që bënim një rreth i ngushtë njerëzish, konsistonte në takimet e shpeshta joformale në zyret e njeri-tjetrit dhe vesh në vesh. Këmbenim mendimet dhe informatat rreth situatës dhe rreth asaj se çfarë duhej ndërmarrë. Të gjithë ata, që më parë kishin pasur ndonjë lidhje direkte apo indirekte me organizimet klandestine, tanimë kishin migruar nga një valë arrestesh që kishte ndodhur në fund të viteve shtatëdhjetë, ndër të cilët ishte edhe Jusuf Gërvalla, dhe pothuajse në Televizion nuk kishte mbetur njeri, i cili do të kishte ndonjë informatë më tepër rreth asaj se çfarë mund të bëhej konkretisht kundër gjithë kësaj katrahure që po na ngulfaste dita-ditës.

Hapësira u varfërua akoma më tepër kur burgosën Skënder Blakën, redaktorin e programit dokumentar, i cili ishte mik dhe koleg me Jusuf Gërvallën që tanimë gjendej në Gjermani. Ndërsa, ato pak informata që unë disponoja përkitazi me organizimin klandestin dhe lidhjet që kisha me këtë formë rezistence, nuk mjaftonin as për së afërmi për të bërë apo ndërmarrë diç konkrete. Në fakt, unë isha inkuadruar atë kohë në ate që përfaqësonte Organizata, që drejtonte Jusuf Gërvalla. Këtë lidhje, të cilën e mbajtëm deri në fund të nëntorit të 81-shës e kishte ruajtur Halil Alidemaj, i cili më besoi shumë punë për t’i kryer gjithnjë në emër të kësaj Organizate, e cila atëherë njihej si “Fronti i Kuq”. Ky ishte edhe promovimi im në aktivitetet ilegale, që nga këto vite, do të zgjasë deri në kohën kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Më kujtohet si sot kur fillova të grumbulloj informata rreth numrit të studentëve, të cilët ishin burgosur, rreth atyre që ishin përjashtuar nga procesi i studimeve për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata, numrit të atyre, të cilët ishin nxjerrë nga konviktet për të njëjtat arsye si dhe numrit të atyre, që ishin vrarë gjatë demonstratave. Këto informata Halili i dërgonte deri te Jusufi në Gjermani dhe pastaj ato dërgoheshin në OKB për të qenë pjesë autentike e informatave, të cilat shërbenin për ta informuar sa më shumë opinionin ndërkombëtar rreth asaj se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. Serbia kishte një makineri të fortë propaganduese dhe mundësi të pakrahasueshme për ta plasuar të “vërtetën” e vet për Kosovën.

Tendenca për ta rrënuar imazhin çfarë krijonte Serbia për ne në arenën ndërkombëtare bëhej kryesisht nga individë dhe Frontit të Kuq, i cili shikuar nga interesimi që tregonte rreth këtyre informacioneve mund të them se bënte pikërisht atë që duhej bërë më së shumti në atë kohë. Natyra e këtyre informacioneve që dërgoheshin nga Kosova, nuk ishte gjithnjë e njëjte, kishte aty edhe shumë të tjera, të cilat kishin të bënin shpesh edhe me informata të natyrës shumë të ndjeshme ushtarake, të cilat i mblidhja me shumë kujdes.

Krahas këtij aktiviteti së bashku me Halilin, tani të ndjerë, shqyrtonim zgjerimin e gamës të aktiviteteve dhe kërkonim mundësi të reja për të involvuar sa më tepër njerëz në aktivitete konkrete, të cilat kishin të bënin me përhapjen e kësaj forme të angazhimit në tërë Kosovën, përkatësisht aty ku akoma s’kishte asnjë lloj veprimi. Shumëkujt i kujtohen pamfletet, të cilat shpesh i gjenin te porta duke ngarendur për në punë. Shumëkujt do t’i kujtohet t’i kenë lexuar ato, që për atë kohë paraqiste shpresën e vetme se megjithatë diç po ndodhte dhe se megjithatë s’po rrihej duarkryq dhe s’po pushonte angazhimi në krijimin e gjithë asaj që nënkuptonte rezistencë. Aty pa dyshim ishte edhe pjesa e konsiderueshme e Halilit. Shpesh ishte më shumë rëndësi të mbahej gjallë vazhdimësia e angazhimit, të mbahej gjallë kontinuieteti i punës. Kjo ndonjëherë praqiste vetvetiu një sukses, sidomos kur ky kontinuitet mbahesh me çdo kusht pas ndonjë burgosjeje përmasash më të mëdha.

Ajo që më së tepërmi ndodhte në atë kohë në planin politik të angazhimit klandestin dhe gjysmë legal, ndodhte në kuadër të takimeve dhe bisedave rreth ngjarjeve aktuale, të cilat pothuajse në tërësi ndodhnin në shtëpitë private. Mblidheshim te njëri-tjetri, në rrethe të ngushta, dhe diskutonim gjatë e gjatë – Halili, Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Ali Kryeziu dhe të tjerët nga një rreth i ngushtë, ishin ndër më energjikët në demaskimin e gjithë asaj që vinte nga kuzhinat e politikës së Beogradit dhe punëtorë të palodhshëm në krijimin e një strategjie, e cila do të mundësonte një kundërveprim efikas tendencave shkatërruese serbe. Si Halili dhe të tjerët, të cilët bënin pjesë në këtë qark intelektual, pothuajse si askush tjetër e kishin të qartë se çfarë konsekuencash do të kishim në një të ardhme të afërt nëse kundërgoditja shqiptare nuk do të ishte e fuqishme, posaçërisht ajo intelektuale, e cila detyrimisht duhej të paraqiste grushtin më të fortë opozitë ndaj Beogradit zyrtar, që atëbotë kishte mobilizuar tër opinionin jugosllav për ta satanizuar qenien Shqiptare në tërësi. Asnjë mjet qendror i informimit nuk guxonte të nxirrte në opinion qoftë edhe realitetin mbi Kosovën, e lëre më të jetë afrimativ. Shkruhej dhe flitej zi e më zi për shqiptaët, të cilët sipas shtypit dhe RTV bënin kontrarevolucion komunist dhe donin të shkatërronin Jugosllavinë. Kjo akuzë që i adresohej shqiptarëve të Kosovës, do të thoshte liri të plotë dhe pazgjedhur mjete në luftë për zhdukjen e kontrarevolucionit d.m.th. të shqiptarëve. Ukshin Hoti fillimisht doli në mbrojtje të studentëve, pastaj kundër diferencimeve në Universitet dhe haptas mbrojti konceptin për Kosovën Republikë dhe arsyetoi atë fuqishëm. Këtë e bëri më pastaj edhe Halili dhe Shemsi Reçica, të gjithë të punësuar atëbotë në Fakultetin Filozofik. Fatëkeqësisht, në gishtat e një dore mund të numërojmë intelektualët që me fuqinë e tyre të fjalës dhe veprës ishin të gatshëm të jenë në këtë rrugë sa të vështirë dhe të rrezikshme, aq edhe krenare dhe të lavdishme. Shquheshin Dr. Ali Hadri dhe Dr. Rexhep Qosja, Rektori i Universitetit Gazmend Zajmi, Prof. Ymer Jaka, Prof. Pajazit Nushi, të cilët qëndruan fuqishëm në ballë të gjithë asaj që nënkuptonte luftën intelektuale kundër politikës dhe projekteve fashisoide të Akademisë të Shkencave të Beogradit. Halili ishte dhe mbeti gjithashtu, deri në frymën e fundit aty ku debatohej, ku punohej, ku luftohej dhe ku vdisej për Kosovën.

Mentor Kaqi

  • VIJION –  

____________________________ 

HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE (26)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 24 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura