MEHMET BISLIMI: SHABAN MANGJOLLI (1873 -1952), NË KUJTIM TË VEPRIMTARISË SË TIJ ATDHETARE

Zvicër, 10 qershor 2018: Atdhedashësi dhe bashkëluftëtari i Azem Bejtë Galicës, çlirimtari Shaban Mangjolli, anëtarë i “Komitetit të Maleve”, prirë nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e shumë atdhedashës të kohës që Shqipërisë dhe tokës shqiptare gjithandej i lanë një emër të nderuar!
Populli e thotë aq bukur: kënga as nuk falet, as nuk dhurohet, as nuk tjetërsohet; populli bënë vlerësimin më të drejtë, dhe këtë vlerësim e bëri, në këngë përjetësoi: Ahmet Deliun, Ramë Islamin, Mursel Deliun, Shaqir Smakën, Azem Bejtën, Shotë Galicën, Emin Latin, Mehmetin e Vogël, Shaban Mangjollin, Halit Bajramin, Fazli Baranin, Hazir Ramën, Bajram Zenën, Xhemë Ternacin, Shakun e Ramadanin, Kamer Loshin, Bec Sinanin e dhjetëra trima tjerë të kohës deri tek ditët e sotme, që atdheut i lanë një emër të mirë, i lanë nderin dhe përkushtimin e tyre, madje edhe me çmimin e jetës për të jetuar të lirë, të bashkuar, të përparuar si edhe të gjithë popujt tjerë të botës së madhe.

Ishte kjo plejadë e tërë atdhetarësh, që nga Lidhja e Prizrenit e shumë më herët, deri tek ditët e sotme ku populli shqiptare në vazhdimësi po kërkon zgjidhje të përhershme, dhe pa këtë zgjidhje, vështirë se do të parashikohet paqe në Ballkan e më gjerë! Secili nga ta veç e veç, siç ishte edhe vet Shaban Mangjolli, por edhe të gjithë ata si tërësi, ishin bijtë më të mirë të kombit të cilët të vetëdijshëm për pasojat individuale, ata me vullnetin dhe përkushtimin e tyre, interesat e atdheut i vunë mbi të gjitha deri në sublimim, prandaj edhe zunë vendin meritor në historinë tonë, zunë ballin e oxhakut, zunë muzat e këngës epike dhe mbetën frymëzim i përhershëm për brezat pasuese.

Sugjerimi im shumë serioz: gjithandej tokave shqiptare që nga Çamëria, Shkodra, Manastiri e deri tek Molla e Kuqe, këta ishin dhe janë bijtë më të mirë të popullit tonë. Ishin shqiptarët që jetonin dhe mbronin tokat shqiptare, që nga jugu e në veri. Tani ka ca zëra, apo më mirë të them ka letërshkrues të ndryshëm të cilët (dua të besoj), këtë po e bëjnë në mënyrë të pa vetëdijshme apo të pamenduar mirë, duke dashur që shqiptarët vendës ” t’i bëjnë edhe më shqiptarë!”, i tjetërsojnë ata me paragjykimin se po të jesh me rrënjë nga Tropoja, Shkodra, Tirana, Gjirokastra apo Korça, je më patriot dhe më shqiptarë i vërtetë!
Bie fjala, ata shpesh shkruaj se iks heroi nga Drenica, Dukagjini, apo Llapi kishte prejardhjen nga Shkodra, Kukësi apo Korça! se gjoja gjyshi i tij, apo stërgjyshi i tij, kishte ardhur para kaq vitesh në Kosovë e dokrra tjera. Më këtë, ata vetëm sa i shërbejnë teorisë së konspiracionit Serb; se shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë si: nga Kukësi, Tirana, Tropoja, Shkodra, Korça, Gjirokastra etj. Kjo i bie se ne kemi ardhur në Kosovë si ardhacak e ku ta di unë… pra se kemi uzurpuar Kosovën etj. Këto supozime dhe pamaturi të paragjykuara janë sa naive, po aq edhe të rrezikshme.

Shqiptarët historikisht kurrë nuk kanë uzurpuar tokat e fqinjëve dhe as kanë pretenduar diçka të tillë, janë fqinjët tanë grabitqarë, ata që kanë uzurpuar tokat shqiptare që nga Nishi e deri në Çamëri, duke dëbuar dhe zbrazur me qindra fshatra shqiptare për t’i popullzuar ato më pastaj me element serb. Kështu pushtuesit tanë, tokat shqiptare i kanë tkurrur në një grusht kilometrash katrore!… Pra, shqiptarët janë një si nga jugu si nga veriu, si nga Manastiri, Shkupi e Tetova, nga Korça, Shkodra e Dukagjini, Drenica e Llapi, si nga Medvegja, Presheve e Bujanoci, të gjithë jemi shqiptarë me rrënjë fis e farë, jemi atdhedashës, paqësor e duam lirinë tonë dhe çmojmë lirinë e tjetrit. Pra jemi një dhe të pa ndarë. Ne nuk kemi ardhur këtu nga viset tjera, por jemi këtu që kur bota është zënë- siç e kanë thënë aq bukur Rilindësit tanë! Nuk e përcakton treva e lindjes guximin dhe atdhedashurinë, është përkushtimi ynë për ballë borxhit të atdheun që historia të mos na mallkoi.

Atdhedashësi Shaban Mangjolli, lindur dhe rritur në Mikushnicën e tij të dashur gjysh pas gjyshi, rritur në ato luadhe me plotë blerim si një peizazh brenda konturave të një pikture që vetëm natyra di të krijoj. Rrethuar me pyje të bukura e lisa të gjatë, siç ishte edhe vet Shaban Mangjolli. Me burime uji të bollshëm siç është Vrella e Mikushnicës me uji të pastër kristal. Mikushnica kufizohet me fshatrat Prekaz, Lubovec, Galicë, janë njerëz të mirë e bujarë, atdhedashës e mikpritës, të gatshëm kurdoherë për t’i dalë atdheut në ndihmë, ashtu siç bëri dikur edhe Shabani me shokë të cilët për lirinë e atdheut, nuk iu ndanë çetave kryengritësi të Azem Bejtë Galicës për 12 vite me radhë.
Shtojmë këtu se fshati Mikushnicë, sipas kuptimit të emrit, pra duhet të jetë lëmia mbi toponimet ajo që të trajtoj qindra fshatra në Kosovë, për të saktësuar kuptimin e emërtimeve të tyre. Bie fjala: Mikushnicë, do të thotë mikpritja shqiptare si; MIKASH, MIKESHË, MIKUSH, pra: MIKU – SH – NICË, MIKUSHNICË. Kështu do duhej të ishte, dhe nuk mund të ketë shpjegim tjetër jashtë kuptimit në gjuhën shqipe Miku-sh-nicë, veç asaj se ke të bësh me njerëz që të presin miqësisht, mik pritje me sofra shtruar, miq e shokë që nuk të lënë vetëm në ditët e vështira, siç nuk e la të vetëm as Shaban Mangjolli Azem Bejtë Galicën dhe luftëtarët tjerë të lirisë për vite me radhë.

Shaban Mangjolli u lind në vitin 1873 ne Mikushnicë (në prag të Lidhjes së Prizrenit), atë kohë populli shqiptarë po bënte rezistencë dhe mobilizim të pa parë për të mbrojtur tokat tona nga copëtimi që po i përgatisnin fuqitë e mëdha! Shabani po rritej e piqej në ato rrethana, mbase koha po diktonte që trimat të piqeshin para kohe. Atdheut po i duheshin bijtë e tij për t’i dalë në mbrojtje, njeri prej të cilëve ishte edhe Shaban Mangjolli me shtatin sa një lis. Përfundimisht, pas shpalljes së pavarësisë me 1912, thikat e copëtimit, tmerrësisht u ngulën në kurrizin e tokave shqiptare! Kjo bëri që ne (si edhe të gjithë popujt e robëruar në botë), të mobilizoheshin. Që nga atëherë e deri tek ditët e sotme, kjo rrugë vazhdon, kjo rrugë nuk ndalët, kjo rrugë nuk përfundon, pa lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë. Krejt natyrshëm, kjo rrugë do të përjetësoj në gjirin e historisë trimat e saj si Shaban Mangjollin me luftëtarët tjerë të lirisë, deri tek Legjenda Jashari.

Shaban Mangjolli, një jetë të tërë nuk ishte ndarë nga Azemi dhe çeta e lirisë. Ai kishte qenë edhe në kohën kur u rrethua Azem Bejta, me atë rast ishin vrarë qindra burra, gra e fëmijë, kryesisht të fshatrave Galicë, Lubovec e Mikushnicë. Jeta e kishte përplasur pa mëshirë, si shumë trima të kohës edhe Shaban Mangjollin; me dhjetëra herë i rrethuar në flakët e luftës, i burgosur e deportuar nga vendlindja e tij, i plagosur, familjen të prerë e persekutuar, shtëpi e katandi të djegura e plaçkitura nga pushtuesi Serb, megjithatë, këta burra të dheut kurrë nuk ishin dorëzuar, nuk ishin zhgënjyer, kurrë nuk ishin zmbrapsur nga qëllimi final- liri atdheut tonë të dashur!
Prandaj, nëse kthehemi në fillim të shkrimit, se populli nuk ta falë këngën lehtë dhe nuk të përjetëson kot, tanimë këta burra kanë kaluar pragun e përjetësisë dhe kënga po i mbanë me krenari në gjirin e saj- krenari kjo që nuk do të venitet kurrë.

Kaq bukur e thotë kënga, që ruhet me kaq xhelozi edhe sot e kësaj dite në gjirin e popullit:

çka po thotë Shaban Mangjolli
mjeri unë më p’shtoj Majori
shumë me ymër qeni ish kanë
tri paqeta ja kam dhanë
dhanë ja kam unë tri paqeta
as nja n’trup tanë nëpër tesha
tanë në tesha ja kam lanë
vra ja kam nja tre nizam …

Ky ishte përkushtimi atdhetar i Shaban Mangjollit, i këtij burri të urtë i cili më vonë, ani pse në moshë fare të thyer, nuk ndenji duar kryq. Ai pas gjithë atyre peripecive që kishte përjetuar, iu bashkëngjit luftëtarit të lirisë Shaban Polluzhës. Trimëria dhe vendosmëria e tij luftarake u vërejt edhe në rezistencën e bërë afër shkollës fillore në Prekaz të Epërm, ku se bashku me shokun e luftës Xhemë Ternavcin, Isuf Rexhen, Sejdi Mehën, Ilaz Haalimin, Fazli Havelin, Nebih Mehën etj, qëruan çetnik të shumtë të cilët ishin kamufluar nën petkun e partizanëve dhe po bënin kërdi mbi popullatën vendëse shqiptare.
Vlen të theksohet këtu se diku 4-5 vite para fillimit të LDB-së, Ilaz Halimi, Tahir Bislimi, Jetullah Rexha, Miftar Tali, Ali Fazliu e disa atdhetarë tjerë, kishin likuiduar Shtabin e Xhandarmërisë Serbe tek vendi i quajtur “Gofilët e Prellocit” së bashku me 13 xhandar Serb të cilët ishin të stacionuar aty dhe po vrisnin e plaçkitnin popullatën e asaj rrethine. I gjithë ky aksion ishte bërë edhe me diturinë dhe ndihmën e Shaban Mangjollit.
Pa dyshim se ajo që i bënë ata të dallueshëm dhe të madhërishëm në mesin e shoqeve, shokëve apo llojit të vet e kështu me radhë, është përkushtimi i tyre ndaj një çështje të caktuar si: në shërbim të çlirimit, të bashkimit dhe të përparimit të atdheut etj. Apo përkushtimi dhe kontributi i tyre në zhvillim të shoqërisë, ligjit, ekonomisë, shkencës, kulturës, mjekësisë, diplomacisë, arkitekturës, urbanistikës etj. Të gjithë këta bartës të këtij misioni që i shërbyen atdheut në rend të parë dhe njerëzimit në përgjithësi, ky përkushtim i bënë ata të pavdekshëm. Pa dyshim se veprat e tyre qëndrojnë më lartë në shoqëri, puna e tyre e sinqertë deri në sublimim, bënë që ata të futën në zemra të njerëzimit, në zemër të popullit, në gjirin e kënge dhe në përjetësi, siç u futën Shaban Mangjolli me trimat e shumtë të lirisë.
Zvicër, 08.06.2018
Mehmet BISLIMI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura