HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (38)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (38)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 29 gusht 2021

PJESA E KATËRT

PIKËPAMJET E HALIL ALIDEMËS PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

PIKËPAMJET POLITIKE TË HALIL ALIDEMËS LIDHUR ME ZGJIDHJEN E ÇËSHTES SHQIPTARE

Shpërthimi atdhetar i pranverës ‘81

Në kontekstin e politikës kosovare, titoistët janë një sfidë e përzier me tradhtinë që nuk falet. Fillimisht të dehur nga fryma e fitores së “revolucionit proletar”, në një anë dhe, në anën tjetër, të frikësuar nga gjendja shpërthyese e popullit shqiptar në Ballkan, ata iu nënshtruan urdhrave të Beogradit. – Jugosllavia, me çetnikët serbë në krye, u mobilizua me kohë që sa më lehtë të thyejë  shpirtin liridashës të kombit shqiptar dhe ta asgjësojë elementin më të shëndoshë kombëtar. – Duhen mbledhur të gjitha mendjet më të ndritura të kombit që të dilet sa më lehtë nga kjo e keqe.

Kohëve të fundit si në shtypin e përditshëm ashtu edhe në atë periodik, kryesisht në Kosovë, është duke u shfaqur një dukuri, e rizgjimit të titoistëve shqiptarë në jetën publicistike. Sa janë të sinqerta prononcimet e këtyre për “çështjet kyçe” të kombit mbetet t’i vërtetojmë vetëm pas pësimeve. Ata që edhe më tej nuk i kanë njohur, nuk do t’i njohin dot kurrë. Ndërsa ata që i kanë harruar të bërat e tyre, mbetet t’ua përkujtojmë servilizmin e së kaluarës për t’u mos u përsëritur kurrë, sepse janë ata që për 40 vjet me radhë akuzuan rininë, intelektualët dhe pjesën më vitale të popullit shqiptar për nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, secesionizëm etj, duke kërkuar gjuetarë të shtrigave mbi popullin e vet. Përherë karriera e tyre ishte e lidhur ngushtë me ndëshkime edhe atëherë kur ju mungonin faktet për t’u inkriminuar, riprodhonin armiq për të ruajtur postet e tyre. Atëherë si mund të paraqiten sërish në skenën publike me gënjeshtra e trillime për të dhënë “mësime” ose për të udhëhequr një sistem të ri në një kohë krejt tjetër, me një koncept politik gjithashtu krejt tjetër nga ai që e përfaqësonin e që falimentoi në pellgun e gjakut e të kokave të prera. “Ciceronëve të kombit ua pritnin gjuhën, kopernikëve ua verbonin sytë, shekspirët i godisnin me gurë dhe ua vinin prangat”.

Lejimi i hapësirës, sot në mjetet informacionit, zvarranikëve që turpshëm dezertuan “Natën e Bartolemeut” vallë mos po e vënë në pikëpyetje pjekurinë politike dhe ndërgjegjen e njerëzve.

Titoistët si sfidë e tradhëtisë

Në kontekstin e politikës kosovare, titoistët janë një sfidë e përzier me tradhtinë që nuk falet. Fillimisht të dehur nga fryma e fitores së “revolucionit proletar” në një anë dhe, në anën tjetër, të frikësuar nga gjendja shpërthyese e popullit shqiptar në Ballkan, iu nënshtruan urdhrave të Beogradit. Titoistë kosovarë u shfrytëzuan nga çetnikët serbë për ta mbytur frymën e rebelimit dhe të organizimit patriotik kombëtar që te shqiptarët ishte e koncentruar më shumë se në asnjë vend tjetër në Ballkan. Për të mbajtur të ndara dhe të copëtuara trojet shqiptare, Jugosllavia me çetnikët serbë në krye, u mobilizuan me kohë që të thyejnë shpirtin liridashës të kombit shqiptar dhe ta asgjësojë elementin më të shëndoshë kombëtar, ndërsa tiotistët t’i mbajnë nën sqetull, duke i përdorur si mashë për eliminimin e çdo tentative për mëvetësinë e Kosovës, apo për bashkim kombëtar.

Autonomia – ridegjenerim maksimal i tiotistëve kosovarë

Nga tërë ky konglomerat taktikash, lojërash të ndryshme, nga ky elaborim planesh e qëllimesh, që përgatiteshin në Beograd për mundësinë e konvertimit dhe të asimilimit të qenies kombëtare kosovare, ka qenë ndër rolet më kobzeza, më të egra që është zbatuar për 45 vjet ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kuptohet sot në këtë gjendje tragjike të popullit të pushtuar të Kosovës duhen mbledhur të gjitha mendjet më të ndritura që të dilet sa më lehtë nga kjo e keqe. Megjithatë, tiotistët sapo të dobësohen forcat politike, që sot i paraprijnë popullit shqiptar, ata si roje kujdestare, nxjerrin kokën dhe marrin rolin e tyre për t’u rikthyer në pozitat e mëparshme, duke kërkuar që ata eventualisht të vihen në krye të bisedimeve për një autonomi ciladoqoftë. Pra asgjë nuk është e rastit. Andaj kjo është koha t’u tregohet vendi, sepse tërë këto vite që çështja shqiptare po zhagitet në amullinë e problemeve, janë duart e kolaboracionistëve të titoistëve që së shpejti do t’u këputet litari sekreteve të prapaskenave, sepse brenda çdo organizmi politik ka plasaritje të thella në politikën e Kosovës. Ata dyshohet se në mënyrën më perfide janë kyçur si agjentura të përgjimit, si ëndërrues të rikthimit në pushtet. Ata me zhdërvjelltësi i kryejnë detyrat, sepse i kanë të mësuar me disiplinë ndërrimin e ngjyrave të kameleonit. Ata në xhepa mbajnë nga disa libreza dhe nga disa flamuj dhe çdo natë presin pranë telefonave se mos i thërret Beogradi.

Mendoj se populli duhet me urtinë e mendjes të thërrasë ndërgjegjen dhe vetëdijen e 1981-shit dhe të mos e harrojnë atë forcë të përbashkët të sakrificave. Të vetëdijesohen dhe ta analizojnë me gjakftohtësi situatën e sotme. Të dalin në ballë të kësaj sfide për ta ndalë të keqen që rishtazi po kanoset.

Nga bishti i fshehur i krimeve dhe veprimeve antiligjore, titoistët po mendojnë se u harruan. Ata do të çlirohen vetë duke e thënë plotësisht tërë të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo tek pas kësaj rehabilitimi i tyre do të ishte i arsyeshëm. Ndërsa kjo e sotit është një hipokrizi apo marrëzi, që luajnë me robërinë e popullit të Kosovës.

Viti 1981 zbuloi fytyrën e vërtetë të titoistëve

Titoistëve gjatë dhe pas ngjarjeve të mëdha kombëtare të vitit 1981 që ndodhën dhe u zhvilluan para hundëve të titoistëve në Kosovë dhe në territoret shqiptare nën Jugosllavi, veçanërisht ato ngjarje të luftës deri në fitore me të cilat edhe filluan proceset e ndryshimeve të mëdha politike në Evropën Lindore, i zunë në gjumin dimëror, sepse ishin të organizuar pa i futur duart as UDB as sigurimi dhe asnjë agjenturë tjetër, andaj dhe qenë të suksesshme.

Bartësit e demonstratave shqiptare ishin të organizuar nga pjesa më e shëndoshë e kombit, ndërsa nga titoistë, ato kualifikoheshin si sindrome dhe elementë të jashtëm. Kjo kishte për qëllim të thyejë në mënyrë më të tmerrshme moralin dhe shpirtin revolucionar, patriotik dhe atdhedashurinë e kosovarëve, që me dekada luftonin për të drejtat e tyre reale dhe të ligjshme. Shqiptarët filluan të luftojnë jo më për të qenë të barabartë me popujt e tjerë të ish RSFJ-së, por për të fituar mëvetësinë e shtetin sovran, i cili do të shtrihej në të gjitha trojet shqiptare, të cilën qarqet reaksionare të Beogradit e kishin ndarë me dekret ushtarak, policor më 1945.

Rruga e përgjakur

Rruga nëpër të cilën ishte arritur të afirmohej çështja shqiptare në ish-Jugosllavi, ishte rrugë e përgjakshme. Megjithatë për shkak të disa parimeve universale të sistemit, shqiptarët nuk mund të mohoheshin. Vazhda e këtij kalvari tregon se ende gjaku është i ngrohtë nëpër rrugët e qyteteve tona. Shqiptarët e ndarë kurrë nuk e harrojnë dhunën dhe terrorin shtetëror, mekanizmat e egërsisë që ishte ushtruar dhe po ushtrohej me dekada mbi kurrizin e tyre, ku gjithnjë ka ekzistuar një pasiguri, një frikë permanente. Në çdo rast të volitshëm, Serbia mund ta përsëriste masakrimin me një drasticitet dhe egërsi edhe më të ashpër, sepse shqiptarët ishin të pambrojtur dhe, mbijetonin vetveten duarthatë. Si pasojë e kësaj dhe e shumë tradhtive dhe masakrave të tjera individuale dhe kolektive për të shpëtuar nga këto kthetra, u organizuan dhe shpërthyen demonstratat e vitit 1981. Titoistët nga shokterapia neurotike, as atëherë s’e kuptuan, as sot nuk po mund ta kuptojnë dhe ta pranojnë, aftësinë e forcave organizuese të vetë shqiptarëve, të vetë djalërisë dhe të intelektualëve të mirëfilltë.

Ideologjia – taktikë për të arritur tek çështja kombëtare

Të gjitha argumentet e deritashme na japin një të vërtetë se nuk kemi studime teorike që rezultojnë karakter agjenturial apo ideologjik të demonstratave të vitit 1981. Orientimi ka qenë nacional që është përmbledhur në çlirimin kombëtar të të gjitha tokave shqiptare që gjëmonin në robërinë e huaj.

Tiotoistët, pasi e kryen detyrën, Beogradi i hodhi në ujërat e zeza me të palarat e tyre, si limonë të shtrydhur. Mbetën të harruar, e të injoruar nga vetë padroni dhe pushtuesi. Sot, ngrihen si nga varri, zhgarravisin artikuj, bëjnë plane, falsifikojnë emra të dofarë listave që i nënshkruajnë vetë përmes telefonave, duke u grupuar me dilentantë politikë, njerëz të korruptuar etj. Populli Shqiptar dhe inteligjencia nuk u beson më këtyre që i kanë borxh aq shumë popullit shqiptar, që ende po iu gërvishtin dhe po bëjnë zhurmë nëpër gazetat e Beogradit, duke trilluar gënjeshtra me një shtrirje hipokrizie të pabesueshme.

Pra, këtyre merimangave të kuqe, që kudo që shkelën kanë përbaltur tokën, kudo që kanë folur kanë vjellur helm, kudo që prekën kanë derdhur gjak mbi popullin. Përgjegjësia e krimit zor se rëndon mbi ndërgjegjen e tyre, megjithatë, shpejt a vonë, duhet të vihen para damkës së turpit dhe të dënimit për atë se ushtruan drejtpërdrejt, ose si pjesëmarrës indiferentë, gjenocid mbi patriotët dhe mbi popullin e tyre.

P.S.

Ky shkrim i mr. Halil Alidemajt, në Redaksinë tonë, arriti një ditë (pardje) para se të arrinte lajmi i rëndë e i dhembshëm për vdekjen e tij të hershme, të këtij intelektuali të shquar, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij i kaloi nëpër burgjet serbe si luftëtar i palodhur i luftës për liri dhe për bashkim të trojeve tona të copëtuara e të grabitura.

LONDRA RIKUJTON PËRVOJËN E HIDHUR TË HISTORISË SË POPULLIT SHQIPTAR

Më 21 Gusht të vitit 1992, në Parlamentin e Austrisë, zonja Marjana Gramdis, Deputete dhe njëkohësisht Kryetare për politikën ndërkombëtare të Austrisë zhvilloi një bisedë me Kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar Të Shqiptarëve në troje etnike (UNIKOMB) Zotin MR.HALIL ALIDEMA, i cili ndodhej për një vizitë pune në Austri.

Me këtë rast i morëm një intervistë për “KOMBIN” Zotit Halil Alidema.

Pyetje: Zoti Halil, mund të na thoni diçka rreth interesimit të mikpritjes për atdheun e Partinë tonë?

Përgjigjje: Ajo u interesua të dijë më gjerësisht për Partinë e Unitetit Kombëtar, për kahjet e aktivitetit të mëtejmë, për programin si dhe për qëndrimet e UNIKOMB-it, përkitazi me situatën aktuale në trojet etnike Shqiptare. Unë i bëra një vështrim të gjerë gjendjes së rëndë dhe shpërthyese në trojet tona etnike nën ish-Jugosllavi. Vura në dukje se UNIKOMBI, andej dhe këndej kufirit, që nga themelimi e deri më sot kishte dhe ka vetëm dy opsione themelore lidhur me zgjidhjen e drejtë të çështjes së tërësishme kombëtare. Njëri është çlirimi nga pushtuesit Serbo-Malazezo-Maqedonomadh në kuadër të mëvetësisë së plotë kombëtare nën ish-Jugosllavinë dhe , e dyta, bashkimi me pjesën e lirë të atdheut, Shqipërinë. Ajo, ndërkaq u interesua së në çfarë mënyre UNIKOMBI e sheh të mundshme bashkimin e popullit Shqiptar në një shtet të përbashkët kombëtar në situatën konkrete.

Pyetje: Do na interesonte përgjigja që i dhatë me këtë rast.

Pëgjigje: I thashë që në situatën aktuale në të cilën gjendet sot populli i copëtuar, i ndarë dhe i rindarë shqiptar, në rast se Evropa dhe Komunistet Ndërkombëtar janë të interesuar për zgjidhjen e mirëfilltë e të plotë të çështjes shqiptare, këtë bashkim e parashohim mbi bazë të integrimeve gjithpërfshirëse, ekonomike, politike e shpirtërore. Në të kundërtën, në përputhje me platformën e përcaktimit tonë programor parashohim edhe mundësinë e vetëmbrojtjes së qenies sonë. Është e drejta jonë natyrore, e ligjshme, na i kërkon dinjiteti kombëtar e njerëzor, është kusht themelor për sigurimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan dhe më gjerë, vetëmbrojtja jonë. Kemi menduar dhe mendojmë se të gjitha mjetet që mund të sigurojnë lirinë tonë, janë demokratike, se të gjitha format e mbrojtjes dhe padëgjueshmërisë qytetare  ndaj masave të pushtuesit, duke përfshirë këtu edhe kundërvënien aktive, janë të drejta të domosdoshme dhe të lejueshme, janë kontribut në thellimin e mëtejshëm të proceseve të gjithmbarshme demokratike. Nuk ka demokraci pa liri dhe anasjelltas. Në kushtet e okupimit, të dhunës e të terrorit shtetëror të gjitha format e vetëmbrojtjes kombëtare janë detyrë parësore për çdo shqiptar.

Pyetje: Tani, pas çthurrjes së monizmit dhe vendosjes së pluralizmit politik, kur kanë lindur forca të reja demokratike, janë bërë gabime taktike në politikën e shtruarjes për zgjidhje të çështjes kombëtare?

Përgjigje: Nëse biseda me zonjën Marjana Gramdi u zgjat shumë, shkak ishte pamundësia e pajustifikueshme e forcave tona politike unike kombëtare. Disa forca tona kanë shtruar para Evropës zgjidhje parciale të të drejtave kombëtare Shqiptare. Me këto gabime që bënë përfaqësuesit e shumë Partive Politike, asociacioneve dhe organeve shtetërore, i hapën rrugë më të lehtë Evropës që me politikën e saj perfide, të përkrahjes së durimit të popullit shqiptar që sa më pak të hapen probleme në Ballkan, arriti që shqiptarët t’i bëjnë faktorë stabilizues në pjesën e këtij nënqielli. Pajtimi me një politikë të tillë të ngurtë dhe jo fleksibile, me një politikë ireale dhe të paqëndrueshme, për një kohë kaq të gjatë, as në Evropë e as te ne nuk dha rezultate pozitive. Ne nuk arritëm të jemi të barabartë në pikën e parë të rendit të ditës: çështja e mëtejme e ardhmërisë së popujve të ish-Jugosllavisë. Ashqiptarët ishin të parët, që nga viti 1981, ose më saktë trembëdhjetë vjet më parë, dhe në mënyrë kontinuitive deri më 1990 e këndejmi edhe deri më sot që ngrenë zërin e protestës aktive duke i dhënë kështu edhe mesazhin e parë Evropës se nuk duan dhe nuk mund të jetojnë si popull i ndarë e i rindarë e aq më pak të jetojnë nën prangat e komunizmit shtetëror sllavobizantin. Përkundër kësaj Evropa edhe më tej po sillet me indiferencë ndaj çështjes sonë kombëtare. Ka gjasa që ajo është duke e zbutur intensitetin ndaj padrejtësive dhe ekspansionizmit serbosllav.

Pyetje: Në këtë situatë ç‘mendoni se duhet të bëjmë deri sa të zgjidhim realisht dhe definitivisht çështjen tonë kombëtare?

Përgjigje: Ashtu si në të gjithë popujt e tjerë në Ballkan e Evropë. Jemi të detyruar që t’ia sigurojmë popullit shqiptar lirinë, e cila i takon dhe të cilën e meriton. Duke e parë të vërtetën se të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë dhe ata të Evropës Lindore po e fitojnë dhe e fituan lirinë e tyre, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për vetëvendosje kombëtare, vetëm duke u bërë faktorë destabilizues, atëherë, pa dëshirën tonë, duke mos mohuar edhe ndonjë interes afatshkurtër të Evropës, jemi të detyruar që çlirimin e pashmangshëm nga pushtuesi ta fitojmë me të gjitha ato mjete që do të mund të na e sigurojnë lirinë.

Pyetje: mendoni se edhe kjo rrugë është demokratike. A jemi të përgatitur dhe a i kemi bërë bilancet ç‘do humbasim dhe ç‘do fitojmë?

Përgjigje: Deshën apo nuk deshën forcat politike shqiptare, lufta për çlirimin kombëtar është e pashmangshme, si koncept i kundërvënies. Ka gjë më demokratike sesa të mbrosh interesat e një kombi të tërë të marrë nëpër këmbë me copëtime e ricopëtime e përbuzje deri në baltosje të dinjitetit e krenarisë kombëtare, për afro një shekull?! Ky koncept njëkohësisht është këndvështrimi më i drejtë nga i cili në luftëra çlirimtare janë nisur të gjithë popujt. Më mirë do të ishte të merren mbi vete të gjitha pasojat e luftës së guximshme, çlirimtare që na i imponon serbo-sllavia edhe përkundër tagrit të shtrenjtë sesa të lëshojmë nga tërësia jonë etnike si qyqar, qoftë edhe një pëllëmbë të truallit tonë kombëtar. Kosova sot po zbrazet nga një potencial aq i madh fizik dhe njerëzor.

…. përbashkët me sllavët e jugut, prandaj edhe nuk do të pajtohen kurrë të jetojnë nën çfarëdo Jugosllavie. Në këtë kuadër shqiptarët, sot për sot nuk janë të interesuar për zgjidhjen e të drejtave njerëzore qytetare, por të drejtave të tyre kombëtare pa të cilat nuk do të mund të realizoheshin këto të parat. Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për ndihma humanitare, por për ndihma dhe përkrahje konkrete në kauzën tonë të drejtë. Vetëvendosjen dhe Unitetin Kombëtar nën një sovranitet të plotë, këtë dua, sepse atdheu është si një trup i vetëm, kudo që ta copëtosh rrjedh gjak.

Pyetje: Theksuat shumë gjëra, në mbyllje çfarë prisni nga Konferenca e Londrës dhe nga kjo e Gjenevës?

Përgjigje: Londra, por siç duket Gjeneva na rikujton përvojën e hidhur të popullit të copëtuar shqiptar që nga vitet 1913. Hamendjet e Keringtonit për t’i ftuar përfaqësuesit e shqiptarëve me një trajtim të barabartë, tregon se çështja jonë nuk do të shqyrtohet seriozisht. Niveli i ftesës është i reduktuar dhe jo në nivelin e vetë meritues. Çështja jonë nuk është e ngjashme me atë të myslimanëve të Sanxhakut, as me atë të serbëve në “Republikën” e Kninit në zemër të Kroacisë e as me hungarezët e Vojvodinës. Nga kjo, shqiptarët ashtu si deri më tani nuk shpresojnë ndonjë zgjidhje të qëndrueshme dhe fatlume. Gjyshi i Keringtonit, në Londër, para shtatëdhjetë e ca vjet ishte njëri nga ato figura historike që mori pjesë aktive në coptimin e pa turp të trojeve tona, duke u dhënë kështu legjitimitet pazarllëqeve gjithëpërfshirëse me të drejtën tonë për vetëvendosje kombëtare.

Sot populli i pushtuar shqiptar që jeton në trojet e veta në ish-Jugosllavinë do të besojë në vetvete dhe në forcën e tij se ka aq fuqi që t’i kundërvihet me sukses barbarizmit institucional dhe jashtë institucional serbomadh në drejtim të realizimit të lirisë së tij. Në këtë kuadër Zonja Mariana Grandis u zotua se opcionet e Partisë sonë që i dëgjoi për herë të parë, do t’i prezantojë në Parlamentin Austriak dhe në qarqet e caktuara evropiane. Ajo do të angazhohet vendosmërisht në zgjidhjen dhe realizimin e aspiratës sonë të drejtë për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar si një nga kushtet themelore që edhe shqiptarët të kenë trajtim të barabartë me të gjithë popujt në Kontinentin e Vjetër. Filozofia e njeriut të robëruar është rezistenca dhe qëndresa, jo durimi e nënshtrimi. Këto të fundit e bëjnë një popull të tërë të ambientuar me të keqen të cilën nuk e meriton dhe kjo është katastrofike.

– Faleminderit.

Intervisoi: JETON KUTA

  • VIJON – 

_______________________ 

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (37)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 27 gusht 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura