ALBIN KURTI: VEPRA E UKSHIN HOTIT DUHET TË FUTET NË PROGRAMET MËSIMORE, KURSE SHTËPIA E TIJ TË SHPALLET MUZE /FOTOALBUMI+VIDEO/

Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – Drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ka vizituar familjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti. Ai është pritur me dashamirësi nga i vëllai i Ukshinit, Afrimi, i cili u shpreh shumë i kënaqur me këtë vizitë.
Ndër të tjera Kurti ka përmendur faktin se shumë breza janë frymëzuar nga veprimtaria e atdhetarëve të mëdhenj, ndër të cilët është edhe Ukshin Hoti. “Ndër figurat kombëtare që na kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot e kësaj dite, padyshim që mbetet edhe Ukshin Hoti. Mirëpo, Ukshin Hoti tash e dhjetë vite ende konsiderohet i pagjetur”, – tha në fillim të fjalës së tij Albin Kurti. Mirëpo, Ukshin Hotin mund ta gjejmë gjithkund, mund ta gjejmë në zemrat e të gjithë veprimtarëve, mund ta gjejmë në shkrimet e tij, që edhe sot e kësaj dite janë shumë aktuale, ndoshta më shumë janë aktuale sot se dje, madje atë mund ta gjejmë në aktivitetet e të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej kufijve në Ballkan që na ndajnë padrejtësisht të gjithë shqiptarinë. Ideja e Ukshin Hotit, për demokracinë autentike, për rëndësinë vendimtare të faktorit vendor, drejt realizimit të bashkimit kombëtar dhe drejt mospajtimit me qëllime të vogla e të pjesshme, jo vetëm që duhet t’na frymëzojnë neve që jemi këtu, por të gjithë shqiptarëve”, – shtoi Kurti.

Krushë e Madhe, 28. 08. 2009: Takimi i motrës Myrvete Hoti – Kasumi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Unë nuk e kam takuar Ukshin Hotin për të biseduar me të, por kur kam qenë i vogël afër banesës tonë babai më pati treguar: “Ky është Ukshin Hoti”. Nuk e kam harruar asnjëherë një burrë të gjatë e krenar dhe e pata mbajtur mend emrin. Me kalimin e kohës e pata dëgjuar gjithnjë e më shpesh emrin e tij. Në burg e lexova librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare” dhe “Bisedë përmes grivale”. Mendoj se libri i tij duhet të futet në programin e shkencave politike. Mendoj se edhe si shoqëri, por posaçërisht si institucione nuk po bëjmë mjaft që të mësojmë prej librave të tij. Kujtimi për të, leximi i librave të tij, ligjëratat e tij, fjalimet e tij, na duhen neve dhe nuk i duhen atij. Na duhen të gjithë neve që sot merremi me politikë. Kontakti tjetër me Ukshin Hotin është, paradoksalisht para dy viteve kur kam qenë në burgun e Prizrenit, në qelinë ku ka qenë i mbyllur ai. Ajo qeli që do të duhej të ishte muze, shërben ende për izolimin e veprimtarëve të çështjes shqiptare. Kur njeriu bën veprimtari patriotike politike, në çdo hap e gjen Ukshin Hotin. Vendi ku ai ka shkruar, ka punuar e jetuar, po ashtu do të duhej të ishte muze. Në këtë mënyrë brezat që vijnë, prej shkollës fillore, të mesme e deri në fakultete që t’i vizitojnë ato vende dhe të frymëzohen. Historia e një populli duhet të jetë në institucionet e një populli. Ndryshe ne do t’ia shohim sherrin që nuk po e kultivojmë një patriot të madh siç është Ukshin Hoti”, – tha ndër të tjera drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti.
Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti – Kosumi, vuri theksin në pamjaftueshmërinë e veprimeve që janë bërë për zbardhjen e fatit të vëllait të saj. “Për një njeri të këtyre përmasave çfarë është Ukshini, nuk na takon neve ta themi këtë, nuk është bërë sa duhet dhe nuk di si të konsiderohet fakti se ai ende konsiderohet i zhdukur. Për ne ky është një proces i pazgjidhur dhe ne duam të dimë se ku ndodhet, çfarë ka ndodhur me të. Ne si familjarë jemi në një gjendje të rëndë. As në qiell, as në tokë. Ne vazhdimisht po ngarendim pas informacioneve që dëgjojmë dhe kështu i jepet mundësia gjithkujt që të manipulojë e mendojë gjithçka. Mendoj se Ukshin Hoti nuk është institucionalizuar dhe nuk i është dhënë vendi i merituar në shoqërinë tonë”.
Kërkoj nga të gjithë faktorët, por edhe nga Ju që Ukshin Hoti të mos mbetet në harresë. Kam bindjen se ai e ka drejtuar politikën me ndërgjegje, por më duket se aktualisht politika nuk po vepron me ndërgjegje të plotë për të bërë më shumë për fatin e tij. Nuk e ka merituar të konsiderohet ende i zhdukur, sepse ka qenë njeri me besueshmëri politike dhe ka pasur emër në politikë. Ai ka qenë i njohur dhe i vlerësuar edhe për amerikanët edhe për evropianët dhe sidomos për popullin shqiptar. Ka vepruar në interes të njerëzimit dhe jo për interesa të ngushta personale e klanore. Ka qenë i vetëdijshëm për rrugën e tij të rrezikshme, por nuk është lëkundur asnjëherë. Tani e dhjetë vjet kam bredhur nëpër kancelaritë e të gjithë politikanëve vendor e ndërkombëtar. Kam vizituar të gjithë politikanët, edhe matanë Drinit edhe këtej Drinit, por përgjigje nuk kam marrë. Kam shkruar shumë letra për burrështetas të botës, por deri më tani askush nuk ka mundur të tregojë se ku është Ukshin Hoti. Prandaj, kërkoj edhe nga ju zotëri Kurti, që të bëni ç’është e mundur për t’i dhënë fund këtij procesi që vazhdon të rëndojë mbi fatet tona”, – u shpreh e motra e Ukshin Hotit, Myrvetja.
***
Më pas Albin Kurti ka bërë nderim në varrezat e dëshmorëve dhe të vrarëve në Krushë të Madhe, ndërsa është ndalur edhe pranë shtëpisë së djegur të Ukshin Hotit. Kurti ka thënë se duhet mbështetur ideja që kjo shtëpi të shpallet muze, gjë që ka qenë edhe propozim i shoqatave të dala nga UÇK, degët në Rahovec.

(Për pashtriku.org përgatiti: Qemajl Krasniqi, reporter i Radio Kosovës nga Rahoveci)

===================

Udhëheqësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti vizitoi familjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti – në Krushë të Madhe, më 28 gusht 2009:


  ===========================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura