SEJDI GEGA: NDUE L.PALOKAJ – ATDHETARI QË IA FALI PASURINË TMK’ës, PASUESES SË UҪK’ës

Winterthur (Zvicër) 13. 04. 2016: (“Dëshira ime e fundit është që për hir të atdheut tim – Kosovës, t’i shpërblej bijtë trima dhe guximtar, që dolën në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës, përballë bishave serbo-sllave… Ndaj, tërë pasurinë e paluajtshme ia lë në pronësi Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si pasues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…” – Ndue Lekë Palokaj, 19 korrik 2000 – Gjakovë).

***
Sot nuk do të shkruaj për vëllanë, nënën, babain, as për nipat e mbesat, por për një atdhetar të devotshëm, Ndue Lekë Palokajn, i cili 10 vjet më parë, më 13 prill 2006 u shua nga jeta. Ai ka lënë bashkshorten, Zojën dhe dy vajzat – studente të dalluar: Kujtimen dhe Terezën.
Ndue Lekë Palokaj, ka lindur më 4 prill 1950 në Korenicë të Gjakovës, nga i ati Leka dhe nënë Rrushja. Nga viti 1992 ka punuar në qytetin Amshtete të Austrisë. Ishte anëtar i dalluar i LPK-së, sekretar i Shoqatës Kulturore «Fadil Vata», Kryetar i Fondit për financimin e UҪPMB-ës, kryetar i seksionit humanitar në Austri etj., dhe bartës i shumë detyrave në shërbim të atdheut.
Në vitin 1998, Ndue L.Palokaj me një letër i ka njoftuar Institucionet austriake, mbi dhunën dhe terrorin që ushtronte regjimi ushtarak e policor i Serbisë mbi popullatën e paarmtosur civile shqiptare në Kosovë. Autoritetet austriake me një letër i përgjigjen Ndues, se: “Kosova do të ndihmohet me të gjitha mjete politike dhe humanitare…”.

Prill 2003, Winterthur: (në mesë) Ndue Lekë Palokaj – në banesën e Sejdi Gegës.

Ndue L.Palokaj disa vite i kishte kaluar në burgun famëkeq të Stara Gradishkës, bashkë me simbolin e rezistencës, Adem Demaçin, pastaj Fehmi Lladrovcin, Sejdi Gegën, Haxhi Krasniqin, Hamdi Hajdinin, Shani Berishën, Bedri Deliun, Riza Demën, Avdi Limanin, Ibish Nezirin, Binak Dinën, e shumë të tjerë.
Nga qëndrimi i gjatë në burg ai kishte probleme të rënda shëndetësore dhe për pasoj disa herë operohet. Ndue me kohë kishte shprehur gadishmërinë t’i bashkohet edhe radhëve të UÇK-ës, atje ku luftonte shoku i burgut, i madhi Fehmi Lladrovci, por sëmundja ia pamundësoi një gjë të tillë.
Ndue L.Palokaj, shoku i tij i burgut dhe i familjes, Fehmi Lladrovci dhe bashkëveprimtarët tjerë, ishin të vendosur se, me angazhim e luftë të armatosur do të çlirohemi nga robëria shekullore serbe, dhe i mbante shpresa, se pas luftës me punë do ta ndërtonin e lulëzonin Kosovën e Lirë dhe të pavarur. Ndue, gjatë bisedave vlerësonte se Kosova është një hambar i pashterrshëm, që ka mbajtur gjallë ish’Jugosllavinë, ndërkaq shprehte pezmin e tij për pasurimin e politikanëve tanë, në mënyrë të pandershme duke abuzuar me pushtetin, por edhe për pasurimin ndërkombëtarëve …
***
Ndue L.Palokaj, ky humanist e atdhetar i palodhshëm, në shenjë nderimi për dëshmorët e rënë, si dhe në shenjë respekti e sakrifice për djemtë dhe vajzat e UÇK-ës që bënë gjatë luftës, në vitin 2000 në pajtim me familjen e gjerë ia falë pasurinë, Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si pasuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai, për kalimin e pasurisë personale dhe të vëllaut të tij – Bibës, në pronësi të TMK-së, më 19 korrik 2000 bënë një TESTAMENT në Gjykatën Komunale të Gjakovës, para trupit gjykues të drejtuar nga kryetari i gjykatës, Agim Muhaxheri, me procesmbajtësen, Florie Rracajn.
Para trupit gjykus, Ndue Palokaj deklaron:
“Dëshira ime e fundit është që për hir të atdheut tim – Kosovës, t’i shpërblej bijtë trima dhe guximtar, që dolën në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës, përballë bishave serbo-sllave… Ndaj, tërë pasurinë e paluajtshme ia lë në pronësi Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si pasues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…”
Me këtë akt të lartë zemërgjerësie dhe atdhedashurie, Ndue L.Palokaj, ka dhënë shembullin më të mirë se si ta duam atdheun tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ndue Lekë Palokajn dhe Zoti e shpërbleftë me Parajsë!

………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura