HALIL ALIDEMA VEPRIMTAR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR (VIDEO)
Nga Prof. dr. Hysen Matoshi, Pashtriku 15.01.2023
Halil Alidema është ndër personalitetet e shquara të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka integruar në jetën e tij prej veprimtari etapa të rëndësishme të kësaj lëvizjeje dhe ngjarje që kanë shënuar kthesë në të.
Ka qenë pjesëmarrës dhe aktivist i demonstratave të 1968-s, por edhe i ngjarjeve e zhvillimeve që u kanë paraprirë atyre, sikurse ishte ndër projektuesit e Pranverës kryengritëse të vitit 1981, zëdhënës i kërkesës për Republikën e Kosovës, njëri ndër intelektualët e paktë që këtë kërkesë e mbrojti dhe e arsyetoi edhe në gjykatore, hartues projektesh për çlirimin dhe bashkimin e kombit, politikan me opcione të avancuara për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, ideolog i rezistencës së armatosur dhe organizator i strukturave të para për këtë qëllim, vizionar në identifikimin e zgjidhjes së çështjes kombëtare, mekanizmave dhe të rrugëve që duhej të ndiqeshin drejt këtij qëllimi.
***
Flet Halil Alidema
***
Intervistë televizive në TVSH e zhvilluar në mes të Zr. Petro Lati dhe Mr. Halil Alidema më 1993.
Veprimtaria e tij atdhetare që kishte nisur në vendlindje, si një trashëgimi familjare, është linja e pashkëputshme e gjithë jetës së tij që u përmbyll në kryeqytetin e shqiptarëve. Veprimtarinë e tij atdhetare e kanë karakterizuar në vijimësi: dashuria për kombin, guximi dhe koherenca në veprime, sakrifica që kapërthente gjithë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e shpirtërore.
Halili bën pjesë në lagjen e vogël të atdhetarëve që e kanë pasur yrnek Hasan Prishtinën. Në kohën kur shumica e politikanëve shqiptarë ndiheshin rehat në kolltuqet e politikës së pritjes, a të institucioneve që vepronin në Kosovën e robëruar, Halili hoqi dorë nga rehatia e të bërit politikë kabinetike dhe përveshi mëngët e përgatitjes për kundërvënie të armatosur ndaj pushtuesit. Zgjodhi fjalët e të madhit Hasan Prishtina, i cili ofertës për poste të larta i ishte përgjigjur me thënien lapidare: “Në vend të kolltukut me turp në Stamboll, pëlqej kryengritjen me armë në dorë në malet e Kosovës.” Halili vetëdijshëm braktisi të bërët politikë me konferenca shtypi dhe mori rrugën e vështirë të përgatitjeve e të organizimit të luftës që po lindte në malet e Kosovës, të asaj lufte që solli lirinë.
Përveç atdhetarisë, që mund të thuhet se po ashtu ishte programi i tij jetësor, mr. Halil Alidema shquhet edhe si intelektual me interesime të gjera: ishte artist (poet, prozator, dramaturg, skenarist, eseist, publicist etj.) dhe shkencëtar (historian, politikolog ndër analistët më kompetentë të aspekteve diplomatike, të relacioneve të shqiptarëve me të tjerët, qoftë në aspektin historik, qoftë në atë aktual).
Kontributi shkrimor i mr. Halil Alidemës, veçmas ai i sferës së dijes, karakterizohet për analiza shteruese të çështjeve e për sinteza që i kanë qëndruar verifikimit të kohës. Veçse për të kaluarën dhe aktualitetin, foli në kohën e duhur për kohët dhe për zhvillimet që do të pasonin. Duke pasur mendimin e tij, vizionin e tij, ai ndonjëherë mbetej i vetmuar, madje edhe i bojkotuar, në shumë nisma paravajtëse.
Gjithnjë kam konsideruar se brezat e sotëm dhe veçmas ata të nesërm kanë çfarë të mësojnë nga mënyra e jetës së tij, nga përkushtimi programatik që pati për kombin, nga aktivizmi i tij politik në përpjekje për liri, nga arti i tij letrar, nga dijet e fushës së historiografisë, diplomacisë, publicistikës etj.
Shoqërisë sonë nuk i mungojnë modelet e njerëzve të suksesshëm në planin personal, pra modelet e atyre individëve që investojnë në karrierën e tyre dhe punojnë fort për të mirën vetjake, por kemi fare pak modele të individëve që i përkushtohen kolektivit, arritjeve të përgjithshme, që veprojnë e sakrifikojnë individualisht, por që mendojnë e veprojnë në rrafshin nacional, që e shohin të mirën e përgjithshme para asaj që është e veçantë.
I këtillë është Halil Alidema: një idealist, i cili erdhi nga provinca, hyri furishëm e pothuajse pa asnjë kalkulim në zhvillimet e kohës dhe synoi me tërë qenien e tij ta ndryshonte rrjedhën e mbrapshtë historike të fatit kombëtar; punoi, veproi, u pengua, u keqkuptua, madje edhe u dëshpërua jo rrallëherë dhe u largua nga kjo jetë ashtu sikundër edhe erdhi. Në mënyrë të qetë. Nuk la pas vetes tarafe politike, që do t’ia mbanin ison pas vdekjes së tij, që do ta shenjtëronin dhe që do t’i madhështonin bëmat e tij, qoftë për faktin se shumë prej tyre atëkohë zgjodhën rrugën e lehtë “institucionaliste”, që nuk ishte tjetër veçse rrugë e pritjes së kotë, qoftë për faktin se tek një pjesë e madhe e bashkëveprimtarëve, që i mbetën pranë, kundruar në planin e strukturës politike, nuk e gjeti gatishmërinë për filluar rezistencën e armatosur kundër pushtuesit.
Mr. Halil Alidema, me veprimtarinë e tij gjithëjetësore, ofroi modelin më të mirë të rezistencës kombëtare, u bë shembulli i përkushtimit dhe sakrificës personale për të mirën e përgjithshme, një shembull që do ta mbijetonte edhe atë vetë dhe do t’iu shërbente mijëra të rinjve e të rejave shqiptare që, vetëm disa muaj më vonë, u përballën, në anë të ndryshme të atdheut, me robëruesit, për të realizuar, ndonëse përgjysmë, idealin e këtij atdhetari, përkatësisht idealin e atdhetarëve të njëmendtë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në ditët e sotme.
Mund të thuhet me plot gojën se Halil Alidema jetoi për atdheun dhe kombin, se veproi për çlirimin e pjesës së pushtuar të kombit dhe për bashkimin e natyrshëm me shtetin amë, se shkroi shumë, duke pasur synim emancipimin e kombit dhe nxjerrjen në dritë të së vërtetës për shqiptarët, për të drejtën e tyre historike, politike e kombëtare, që shqiptarët të jetojnë të lirë e të bashkuar, sikurse edhe të gjitha kombet e tjera të Evropës.
Prof. dr. Hysen Matoshi,
Këshilltar shkencor – Instituti Albanologjik
Prishtinë, 21 dhjetor 2022
__________________
Fjala përshëndetëse, përkujtimi Zürich me 28 Nëntor, nga autori i Monografis Prof.dr. Hysen Matoshi
____________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE
https://pashtriku.org/sabit-alidema-halil-alidema-meteore-lirie-2/
______________________
(Ilustrimet i përgjodhi editori i pashtrikut, Sheradin Berisha)