Me rastin e 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – (Teksti shqip i i rezimesë anglisht të veprës: Myderris Ymer Prizreni – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2005, fq. 522) Emri Myderris Haxhí Ymer Efendi Prizreni është sinonim për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, çfarë nuk e njohim ende të plotë. Me analizë kritike të burimeve arkivore dhe të shtypit të proviniencës ballkanike, evropiane, ruse e osmane vërtetohet se Ymer Prizreni është njëri ndër personalitetet qendrore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1877-1887.
Pse Ora, pse Zemra, pse Shpirti dhe pse vitet 1877-1887?
Ishte Ora e Lidhjes në kuptimin e mirëfilltë, sepse ishte forca morale dhe shpëtimtare e Lidhjes. Sukseset e Lidhjes korrespondonin me Orën, në kuptimin mitologjik, të Myderriz Ymer Prizrenit. Sa herë që Lidhja rrezikohej, nga brenda dhe nga jashtë, Myderriz Ymer Prizreni e shpëtonte, e nxirrte edhe më të fortë.
Ishte Zemra e Lidhjes, sepse Myderriz Ymer Prizreni i përfaqësonte ose i drejtonte, legalisht ose nga pozitat disidente, të gjitha mekanizmat drejtuese më kryesore të Lidhjes dhe i vinte në lëvizje ato sipas kërkesës së momentit historik. Ishte Zemra e Lidhjes ngase aty ku ndihej veprimtaria politike, diplomatike e luftarake e Lidhjes në dobi të mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë dhe të autonomisë politike e shtetërore të saj, ishte porosia dhe urdhri i Myderriz Ymer Prizrenit.
Ishte Shpirti i Lidhjes për faktin se në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte mësimi dhe aktiviteti politik dhe organizues i Myderriz Ymer Prizrenit për një dekadë të tërë. Dhe, sa herë që Lidhjes i ngushtohej gabzherri i frymëmarrjes nga dhuna politike e ushtarake osmane e ndërkombëtare, autoriteti madhor dhe aktiviteti politik prej urtakut guximtar të Myderriz Ymer Prizrenit i vinte si akt i riaktivizimit të frymëmarrjes për riaktivizimin dhe riorganizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, roje kujdestare për mbajtjen gjallë të frymës së saj.
Ndërkaq, vitet 1877-1887 shënojnë një dekadë të qenies së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nën udhëheqjen shpirtërore, politike e ushtarake të Myderriz Ymer Prizrenit. Në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të institucionalizuar si Lidhje Gjithëshqiptare, më 10 qershor 1878, në fakt është mbi një vit i aktivitetit politik, organizues dhe luftarak i Besëlidhjes së Kosovës themeluar nga fillimi i vitit 1877, nën udhëheqjen e Myderriz Ymer Prizrenit, me seli në Medresenë e Mehmet Pashës (Medreseja e Bajrakli Xhamisë). Ndërkaq, viti 1887 është pikërisht data e martirizimit të Myderriz Ymer Prizrenit, më 12 qershor, dhe shënon fundin e ekzistimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
U lind rreth vitit 1820, në gjirin e një familjeje fisnike me tradita intelektuale myderrizlerë (universitarë) në disa breza, pronarë të shumë çifliqeve në Zgatar, në Prizren dhe në rrethinë. Ishte i biri i myderriz Sylejman Ali Nuhit të Zgatarit të Opojës. Gjyshi i Ymerit, myderriz Ali Nuhi, kishte bërë emër në Opojë si themelues dhe imam i parë i Xhamisë së Zgatarit, themeluar me berat të Sulltanit, më 29 Xhemazul ahir 1229 (më 10 maj 1814). Për të birin e Aliut, Sylejmanin, nuk dihet kur erdhi në Prizren. Sylejmani ishte imam në Bajrakli Xhami, pronar i shumë tokave, i dyqaneve dhe i mullinjve në Prizren e në rrethinë: Ponoshec, Grazhdanik etj. dhe bëri emër si myderriz pikërisht në Medresenë e Bajrakli Xhamisë.
Myderriz Sylejman Efendia, i quajtur edhe Zgatari, u dha shkolla të larta djemve: Aliut, Ymerit dhe Osmanit. Do të ketë fat të trashëgohet vetëm Aliu, kurse në historinë kombëtare do të hyjë dhe do të zërë vend të përjetshëm vetëm Ymeri, i cili, sa dimë sot, shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Prizren, kurse studimet në fushat e shkencave juridike, filozofike dhe teologjike i mbaroi në Stamboll. Fillet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Efendi Zgatarin, e gjetën në pozitën e përfaqësuesit të Kosovës në Parlamentin osman dhe të myderrizit në Medresenë e Mehmet Pashës – “Bajrakli Xhamisë”.
Ymer Sylejman Zgatari pas mbarimit të shkollimit shërbeu myfti në Prizren dhe fillimisht nderohej me titullin Efendi (zotëri), kurse pas haxhíllëkut do të nderohet me titullin Haxhí. Meqë ishte udhëheqës shpirtëror i rreshtimit mistik nakshibendi, quhej edhe sheh, kurse nga zgjedhja përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Parlamentin Osman, nga fillimi i vitit 1877, do të quhet me mbiemrin Prizreni. Së këndejmi, në burimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në kujtesën historike haset të quhet: Efendi, Hoxha i Madh, Myderriz, Muderrisi i Madh, Sheh, Myfti dhe Haxhí, i cili tërë jetën i qëndroi besnik parimit të nakshibendive: “Njohuritë e jashtme janë për botën, kurse njohuritë e brendshme janë për Zotin”.
Njëqindedhjetë vjeçari shëndetmirë, Mulla Sefer Bajrovci nga Restelica e Gorës, më 23 maj 1978, ka konstatuar: “Myderrizi Ymer Efendiu (…) ishte trupmesatar, i fuqishëm, shpatullgjerë. Me ballin e gjerë, me sytë zhbirues në gropë nën vetullat krahnez dhe me një mjekër të thinjur e të gjerë, që të kujtonte njeriun e shenjtë, të përshpirtshëm e me mendje me thellësi oqeanike…! Ishte mistik, ndaj në vend të qallmes së hoxhës mbante një shall të gjelbër…”.
Të dhënat e dala nga ekspertiza për rikonstruktimin antropologjik të trupit të Ymer Efendi Prizrenit, të kryera nga antropologu hungarez – Janosh Nemeshker, më 11-16 prill 1978, vërtetojnë se Haxhí Ymer Prizreni ishte i gjatë rreth 171.70 cm, me karakteristikat raciale dinarike europoid – brachyran-e, me kraharor të zhvilluar të hedhur para, truptrashë, me ballin e lartë të hedhur dhe me hundë sqepshqiponje. Citojmë: “Gjatësia e trupit është e madhe, trupi është mesatarisht i gjatë, ekstremitetet e epërme dhe të poshtme janë proporcionale dhe më shumë të shprehura në drejtim të ekstremiteteve. Gjatësia e krahëve hyn në grupin e krahëve “shumë të gjerë”. Kafazi i krahërorit është i gjatë, i qitur, i gjerë, e të njëjtat vlera i përmban edhe kombliko, që është i matur në varr. Në bazë të lugjeve dhe të të prerave në eshtrat e skeletit, konstatohet se ka pasur muskulaturë të fortë. Duke marrë parasysh karakteristikat sekondare seksuale, masculinitet-in shprehimor, personi mund të konsiderohet për nga shtati atleto-musculasis”.
Myderriz Haxhí Ymer Prizreni kishte kulturë e njohuri të gjera islame, letrare, filozofike, politike, ushtarake, astronomike, gjeografike dhe historiografike. Si pedagog u shqua me edukimin patriotik, fetar e multidisiplinor ditunor të nxënësve dhe të studentëve të Medresesë dhe në riedukimin kombëtar, fetar e politik të të moshuarve në xhami e oda. Fliste rrjedhshëm disa gjuhë: shqip, gorançe (koine bullgare mesjetare), turqisht, serbisht, arabisht, persisht, frëngjisht dhe kuptonte gjuhën gjermane. Të dhënat nga ekspertiza antropologjike vërtetojnë se deri në ditët e fundit të jetës qëndroi me laps në dorë pranë tavolinës së punës.
Sipas kujtesës historike, Myderriz Ymeri fliste qetë, qartë e bindshëm dhe kishte aftësi të jashtëzakonshme për t’i përvetësuar njerëzit, masat. Gjatë tërë jetës së tij pedagogjike, politike e ushtarake u shqua me veprimtari të gjithanshme. Ishte personalitet liridashës, trim i paepur dhe mbi të gjitha shquhej për drejtësi. Thuhet se në zemrën dhe në shpirtin e tij kishte diçka mbinjerëzore, diçka shenjtërore.
Të dhënat burimore të proveniencës osmane vërtetojnë se Myderriz Sheh Haxhí Ymer Prizreni bënte pjesë në elitën e veprimtarëve demokratë të “Bashkimit të Ri Osman”, ithtarë këta të revolucionit shoqëror demokratik borgjez dhe hartues së Kushtetutës së shpallur nga Sulltan Abdylhamidi, më 23 dhjetor 1876. Me urgjencën që shtronte koha u ftua Parlamenti i Perandorisë Osmane, në të cilin viset e njësisë etnokulturore e gjeopolitike Shqipëri, prej rreth 114 728 km2, u përfaqësuan me 35 deputetë, prej të cilëve 25 shqiptarë. Parlamenti, përkatësisht: “Asamblea e Madhe”, u tubua më 18 janar, kurse Seanca e Parë e rregullt e punës filloi më 19 mars 1877. Me hapjen e Parlamentit realisht filloi reformimi, modernizimi, demokratizimi dhe decentralizimi i Perandorisë Osmane. Ndaj, për ta ndërprerë këtë proces, Rusia, më 24 prill 1877, me bekim të Evropës së krishterë, i shpalli luftë Perandorisë Osmane, gjithnjë duke pasur pas shpine, me armë në duar, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me plane të gatshme për të aneksuar pjesët më vitale të Shqipërisë.
Rreziku i drejtpërdrejtë i copëtimit të Shqipërisë ishte evident. Ndaj, kjo vuri në lëvizje të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Grupi parlamentar shqiptar tuboi rreth vetes personalitetet intelektuale dhe udhtarake me autoritet në nivelet regjionale, kombëtare dhe ndërkombëtare me detyrë të qartë: T’i dilet zot Shqipërisë. Midis aktivistëve në këtë drejtim shquhej Sheh Ymer Prizreni, i cili, me urgjencën që shtronte momenti historik, themeloi të parën organizatë politiko-ushtarake “Ittifak” (Lidhja) me seli në Prizren, e cila për një kohë të shkurtër u rrit në “Besëlidhje” nën drejtimin e parlamentarit Ymer Prizreni, me detyrë të mbarështronte organizimin e mbrojtjes vullnetare të Vilajetit të Kosovës nga sulmet eventuale të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Pas shpërndarjes së Parlamentit Osman nga Sulltani, më 13 shkurt 1878, pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë, në mënyrë të organizuar, u shpërndanë nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë, për të organizuar mbrojtjen e vendit. Së këndejmi, edhe konstatimi i drejtë i gazetës zagrebase Obzor, të 14 shtatorit 1878, se “Vendimi për Themelimin e Lidhjes (së Prizrenit) u mor në Stamboll nga intelektualë shqiptarë që mbanin pozita të rëndësishme në administratë, në kulturë, në ushtri dhe në xhandarmëri: nga pashallarë dhe deputetë shqiptarë me influnecë në jetën e Portës”.
Lufta ruso-turke do të mbyllet me Traktatin e Shën-Stefanit të 3 marsit 1878, të nënshkruar nga Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania dhe Italia. Perandoria Osmane në Ballkan dhe në Azi do të humbte rreth 350 000 km2, kurse vetëm në Ballkan 280 000 km2. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi fitonin pavarësinë dhe zgjeroheshin territorialisht: Serbia nga 37.7 mijë rritej në 52.7 mijë km2, Mali i Zi nga 4.7 mijë në 15.7 mijë km2 dhe do të formohej autonomia tributare e Bullgarisë me 172.5 mijë km2. Tokat e tjera iu ndanë Rusisë dhe Rumanisë. Turqisë do t’i mbeteshin vetëm rreth 20% të tokave në Ballkan, një rrip toke nga Bosfori deri në Adriatik.
Në këtë mënyrë po plotësohej një pjesë e madhe e kërkesave të pansllavizmit rus, të shprehur qartë me penën e shkrimtarit Fjodor Dostojevski, më 1877, se “Një gjigand si Rusia duhet më në fund të dalë nga ajo dhoma e ngushtë ku koka ia godet tavanin, për të lëshuar shtatin në botën e gjerë dhe për të thithur ajrin e lirë të deteve dhe të oqeaneve”.
Këso kohe, në vise të Plavë – Gucisë dhe të Prishtinës, vepronin njësitë vullnetare të Besëlidhjes. Nga marsi i vitit l878, Ymer Efendi Prizreni Besëlidhjen e shtriu në pjesën më të madhe të Gegërisë, në kontakte veprimi të përhershëm me Jusuf Efendi Podgoricën, deputet i Shkodrës, me Zija Prishtinën, deputet i Prishtinës, me Abdyl be Frashërin, deputet i Janinës, me Ali pashë Gucinë, me Ali be Dragën e Mitrovicës, me Ilijaz pashë Dibrën, me Abdullah pashë Drenin e Gjakovës, me Mulla Zejnelabedin Biberin (Haxhí Mulla Zekën) e Pejës, me Jashar be Shkupin, me myderriz Sali Efendi Hyljen e Ulqinit etj.
Sipas dr. Jovan Haxhí – Vasileviqit, veprimet shqiptare për themelimin e Lidhjes Gjithëshqiptare, e njohur me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit dolën në shesh në Vilajetin e Kosovës dhe në Vilajetin e Manastirit përnjëherë pas lidhjes së marrëveshjes serbo-turke të datës 23 janar 1878. Aso kohe u shtruan kërkesat që “Lidhja shqiptare të formohet sa më shpejt”, Të dhënat burimore flasin bindshëm se Haxhí Ymer Prizreni ishte udhëheqësi ideor dhe koordinatori e drejtuesi kryesor për farkëtimin e për shtrirjen e besëlidhjeve krahinore në një organizatë të vetme politiko-ushtarake shqiptare me detyrën e Komitetit të Shpëtimit Publik. Prej këndej edhe konstatimi i Ahmet Muhtar Pashës, më 1 prill 1880, se Traktati i Shën-Stefanit nxiti krijimin e Lidhjes Shqiptare, përkatësisht konstatimi i Dërvish Pashës, më 27 dhjetor 1880, se “Në vise të Gegërisë ka lindur ideja e bashkimit”, kurse Myderriz Ymer Prizreni nëMemorandumin e 15 prillit 1881, për Sulltanin dhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll, konstatonte: “… qe katër vjet jemi bashkuar dhe e kemi formuar Lidhjen tonë…”
Parlamentari Muderris Ymer Efendi Prizreni e nënshkroi, më 30 mars 1878, Memorandumin drejtuar Konferencës së Shën-Stefanit, në emër të Vilajetit të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi për rolin dhe rëndësinë udhëheqëse të tij në krye të bllokut të deputetëve të Kosovës. Në këtë dokument qartë nxorën kokë idetë separatiste autonomiste dhe të pavarësisë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Së këndejmi, përfaqësuesi i Londrës në Stamboll, H. H. Layard, i shkroi Anglisë, më 1 prill 1978, se shqiptarët e shikojnë “autonominë’ si një ilaç, i cili mund të përdorej kundër të gjitha padrejtësive”. ndaj“rënia e pushtetit turk nuk do të jetë përfundimi, por fillimi i Çështjes Lindore”.
Realisht, edhe konsulli frëng në Shkodër, qysh më 4 maj 1878, informonte për nismën e formimit të Lidhjes Shqiptare, kur arritën në Prizren 30 delegatët e parë kundër Vendimeve të Shën-Stefanit. Për këtë qëllim kishin filluar negociatat edhe midis përfaqësuesit të Mirditës, Prenk Bib Dodës, dhe Valiut të Shkodrës. Ndërkaq, konsulli vjenez në Shkodër, Lippich, më 27 maj 1878, informonte Vjenën se thirrjen dhe përkujdesjen për Kuvendin Gjithëshqiptar në Prizren ka marrë mbi vete një “Komision i Ngushtë” i patriotëve nga Prizreni dhe Gjakova në krye me Myderriz Ymer Prizrenin. Fjala është për veprimtarët dhe drejtuesit e organizatës “Lidhja”_ “Besëlidhja” të prillit të vitit 1877. Ky “Komision”, sipas Ahmet Koronicës, më 31.VIII.1878, vepronte sipas udhëzimeve të Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare – Komitetit të Stambollit, kurse studiuesi Kristo Frashëri e quan “Komision organizator të Kuvendit” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Për rolin themeltar të Myderriz Haxhí Ymerit në fushë të ngritjes së Lidhjes Shqiptare flet një skicë (fotografi) e vitit 1881, shoqëruar me një tekst serbisht për mbledhjen e krerëve themelues të Lidhjes, më 4 qershor 1878, në Bajrakli Xhami. Në dokument thuhej: “Aty janë tubuar pasardhësit trima të Gjergj Kastriotit, ndërsa serioziteti, me të cilin dëgjojnë hoxhën fjalëmbajtës, na bënë të bindemi se ata i kanë shtyrë të tubohen rrethanat e rëndësishme. S’ka dyshim se ky tubim paralajmëron ngjarje të rëndësishme të cilat shpejt do të marrin dhenë e do të përhapen në botë gjerësisht si simptome të fuqisë jetësore të popullit shqiptar, rreth të cilit Evropa nuk tregoi kurrfarë kujdesi që nga rënia e Krujës e gjer në ditët e sotme”.
Ndërkaq, bullgaro-serbi Haxhí Jovan Vasileviq, më 1909, do të theksojë: “Shqiptarët kuvendimin e vet të parë e kanë mbajtur më 23 maj”, që do të thotë më 4 qershor 1878, “në Bajrakli Xhaminë e njohur, për faktin se myderrizi i asaj xhamie ishte edhe kryetari i përkohshëm i Lidhjes së Prizrenit. Mbledhjet e Kongresit kanë qenë të fshehta dhe askujt, përveç delegatëve dhe të ftuarve të posaçëm nga Prizreni dhe rrethina, nuk i është lejuar hyrja. Mbledhjet kanë zgjatur dy javë të plota dhe janë mbajtur për çdo ditë”, që do të thotë: nga 4-18 qershor 1878.
Vasiljeviq në krye të listës së anëtarëve të “Këshillit Kryesor të Lidhjes” e vuri Haxhí Ymer Efendinë. Edhe sipas studiuesit Kliment Xhambazovski kuvendimet përthemelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajtën nga mesi i majit 1878, por ngritja është realizuar definitivisht në Seancën e Kuvendit Shqiptar të 5 qershorit 1878. Kristo Frashëri këtë mbledhje kuvendore e quan “takim në shkallë sanxhaku të Prizrenit. Organizatori i mbledhjes ishte Haxhi Ymer Prizreni (…), kryetari i “Komisionit të Ngushtë”, i cili e përgatiti Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të 10 qershorit 1878, në prag të Kongresit të Berlinit.
Traktati i Shën Stefanit vërtetoi supremacionin e politikës pansllaviste ruse mbi Fuqitë e Mëdha evropiane katoliko-protestane. Ndaj, për t’i harmonizuar interesat midis ortodoksisë dhe katolicizmit, më 13 qershor deri më 13 korrik 1878 u mblodh Kongresi i Berlinit. Sipas të dhënave të sistematizuara nga Kristo Frashëri, Mali i Zi do të rritet për 4 400 km2, kurse sipas T. Yilmaz Öztuna, për 4 827 km2. Sipas hulumtimeve të mia, Mali i Zi u rrit për rreth 4 683 km2. Serbia, sipas K. Frashërit, u rrit për 10 600 km2, sipas T.Y. Öztuna për 7 727 km2 dhe sipas hulumtimeve të mia për rreth 10 500 km2. Fjala është për pushtimin dhe aneksimin e pjesës absolute të Sanxhakut të Nishit të Vilajetit të Kosovës, i cili kishte 10 972 km2. Greqia, sipas K. Frashërit, duhej të rritej për 20 304 km2 (nga Epiri 7 200 km2 dhe nga Thesalia 13 104 km2), mirëpo, sipas T.Y. Öztuna, Greqia u zgjerua me 13 488 km2, kurse sipas hulumtimeve të mia Greqia u zgjerua me rreth 9 275 km2 tokë me shumicë shqiptare. Del se me Traktatin e Kongresit të Berlinitnga njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë po shkëputeshin rreth 24 458 kilometra katrore.
Për ta penguar këtë copëtim, do të përpiqet Lidhja Shqiptare e Prizrenit me Myderriz Ymer Prizrenin, Orë, Zemër dhe Shpirt i Lidhjes. Këtu duhet të ritheksohet se fillimisht organizuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit organizatën e tyre politiko-ushtarake do ta quajnë simbolikisht: Bashkimi (Ittihad, Cem’iyyet), mandej Lidhja (Ittifak), Besa e tj. (Hey’et, Itthâd) – e cila “kishte për të vetëm qillim kundërqëndrimin në pretendimet e fqinjëvet të vegjël, për të ndaluar copëtimin e tokës shqiptare”.
Kështu, ndërgjegjësimi i lëvizjes politike e luftarake shqiptare do ta detyrojë përfaqësuesin francez në Shkodër ta informojë Parisin, më 17 qershor l878, se “Lidhja, që formohej nga banorët myslimanë të Shqipërsisë së Sipërme kundër çdo lëshimi ndaj Malit të Zi, është sot një fakt i kryer. Delegatët nga të gjitha rrethet janë mbledhur në Prizren dhe po krijojnë Komitetin Qendror”.
Konsulli vjenez, Lippih, në Shkodër, më 18 qershor 1878, i shkruante Vjenës se “shqiptarët e Kosovës gjetën rrugën e drejtë kur iu përveshën formimit të Lidhjes Popullore. Ata deklaruan se në rastin ekstrem do të udhëhiqeshin nga parimi i mbështetjes në forcat e tyre. Ky parim i dha një nxitje të mëtejshme idesë që është bërë shumë popullore në Shqipëri”.
Në seancën e 18 qershorit 1878 Kuvendi i Lidhjes aprovoi dy dokumentet juridike themeltare: Rregulla organike (Suret-i Kararname) me 16 nene dhe Udhëzimet ushtarake (Talimat) me 14 pika. Vendet e përfaqësuara dhe të nënshkruara në dy dokumentet themeltare paraqitnin arealin faktik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjeografinë e Lidhjes së Prizrenit.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbante mbledhje pandërprerë dhe shqyrtonte situatën politike e luftarake të prezantuar nga Këshilli Drejtues në krye me Myderriz Ymer Prizrenin. Më 3 gusht l878, Këshilli i Qendror i Lidhjes kishte autorizuar Sheh Mustafë Tetovën – “nji njeri me influencë të madhe në Kosovë,” siç shkruante Belegu, të shkonte në Stamboll dhe personalisht të mirrte mendimin e kryeministrit se çka do të ndërmerrte Porta e Lartë për të parandaluar copëtimin e Shqipërisë sipas Traktatit të Berlinit dhe, më 5 gusht l878, Këshilli Qendror i Lidhjes “qiti kushtrimin për me u-mbledhë ushtarë në të gjithë Shqipnin”.
Këshilli Drejtues (Komiteti i Shpëtimit Kombëtar) në krye me Myderriz Ymer Prizrenin ishte i paluhatshëm. Më l7 gusht l878, do të arrijë në Prizren valiu i Kosovës, Hafiz Pasha, për të ndikuar në Këshillin Drejtues të Lidhjes – të hiqte dorë nga rezistenca. Lidhja, ndërkaq, e cila sa vinte e më fuqimisht vepronte sipas tiktakeve të Orës së saj, Myderisit të Madh, dha kushtrimin: “Të gjithë burrat e Shqipnisë prej l5 gjer më 70 vjeç të rrokin armët për mbrojtjen e atdheut!” Këtë hap të rëndësishëm historikKëshilli Qendror i Lidhjes Shqiptare e morifalë ndikimit të vazhdueshëm të Myderriz Ymer Prizreni. Korrespondenti i Pester Lloyd-it nga Prizreni do të konstatojë: ’Këtu po bëhet mobilizimi nga ana e Lëvizjes Popullore kundër Greqisë”.
Dhe, sa vinte dhe Ymer Prizreni do të çojë dorë kundër pushtetit perandorak qendror dhe kundër vetë Sulltanit sovran. Për këtë qëllim e ftoi Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për datën 26 gusht 1878. Këtë fakt sublimonte edhe përmbajtja e Fetfasë së Ymer Efendisë për legjitimitetin e luftës shqiptare për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë në të cilën theksohej: “Çdo shqiptar asht i detyrueshëm me luftue kundër ushtrisë turke, mbasi Turkija don me ja lëshue tokën shqiptare shkjaut.”
VIJON…
Postime të Lidhura
UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (2)
Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – /Gjermanët në kontekst të Evropës/ – Modeli i Hoffmann-it për rregullimin policentrik të…
FJALA E MBROJTJES E UKSHIN HOTIT PARA GJYQIT NË PRIZREN – MË 29 SHTATOR 1994 (2)
Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – Bashkimi i popullit shqiptar si zgjerim territorial i Jugosllavisë do të ishte në…
MARGARITA SYZIU – MAKRI: DISA PËRSHTYPJE NGA LIBRI ‘HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981’
Pashtriku, 14 tetor 2020: Kam lexuar diku që thjeshtësia me të cilën shkruante Dikensi i frikësoi kolegët e…
RAMIZ CERNICA – SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR
RAMIZ CERNICA – SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR Nga Prof.Mehmet HALIMI “Më mirë i vdekur e faqebardhë, sesa i…