Prishtinë, 09. 04. 2014 – Ali D. Jasiqi, tashmë është njëri ndër emrat e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe të Kosovës në veçanti, por edhe mbarëshqiptare në përgjithësi. Madje, emri i këtij krijuesi bën pjesë në grupin e krijuesve të gjeneratës së parë e të mesme të letërsisë shqipe të Kosovës, e cila u dallua pas Luftës së Dytë Botërore si për cilësi, tematikë, figuracion e të tjera si një veçanti.
Lindi në Jasiq të Junikut. Shkollën fillore e kreu në Junik, Normalen në Gjakovë e Prishtinë, ndërsa studimet universitare në Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Ali D. Jasiqi me krijimtari letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës i shkollës së mesme, ku në vitin 1957 e botoi vjershën e parë në revistën për të rinj “Zani i Rinisë”. Siç dihet në fillim shkroi poezi, e më vonë prozë për të rritur e fëmijë, për t’iu përkushtuar kryesisht kritikës letrare, shkrimeve të recensioneve, eseve dhe të dramave, radiodramave dramave televizive, e të tjera.
Duke lexuar këtë opus letrar të këtij krijuesi na bie në sy larushia e temave, veprave dhe elementeve të trajtuara në to, si dhe rangëzimin e tij në mesin e kritikëve të njohur e ndër të parë të kritikës letrare shqipe në Kosovi, si: Hasan Mekuli, Vehap Shita, Rexhep Qosja, Mesur Raifi, Ibrahim Rugova, Beqir Musliu, e të tjerëve që janë pionierët, por edhe themeluesit t kritikës letrare të mirëfilltë e shkencore këtu tek ne.
Vepra letrare e Ali D. Jasiqit është shpërblyer, madje është prezantuar në disa antologji, është përkthyer në disa gjuhë dhe është vlerësuar edhe nga kritika letrare e kohës. Duhet potencuar se poezia dhe proza e këtij krijuesi është prezantuar në disa antologji në gjuhën rumune në Bukuresht të Rumanisë, ndërsa një numër i gazetës së njohur “Shqiptari” e Nikolla Naços i është përkushtim për Ali D. Jasiqin, dhe për jetën e veprën e tij.
Deri tash, pra deri në promovimin e kompletit të veprave të tij, ka botuar disa vepra letrare që janë: “Josip V. Rela”, “jeta e re”, Prishtinë, 1968, “Pesha e fjalës”, “Rilindja”; Prishtinë, 1971, “Shfletime”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1972, “Shenjë në lisë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1974, e “Naim Frashëri” Tiranë 1980, “Premtime dhe realizime”, “Rilindja”; Prishtinë, 1976, “Qazim Tolaj – simbol i drejtësisë pedante”, Prishtinë 2002, “Pesëdhjetë shkrime për poezinë”; “Vatra”; Prishtinë, 2007, “Tridhjetë e një shkrime për prozën, studime të tjera”, “Vatra”; Prishtinë 2007, “Krejt më dukej ëndërr”; “Vatra”, Prishtinë, 2007, “Ali nSutaj korife i gazetarisë kosovare”; SAS”; Prishtinë, 2009, “Zëri i nipit”, Ndërmarrja shërbyese “Jeta e Re”; Prishtinë, 2011, “Lot gëzimi – Lacrimi de bukurie”, vepër e botuar shqip e rumanisht me poezi e proza poetike, “Amanda edit”, Bukuresht, 2012, e të tjera. Sot të gjitha këto vepra, por edhe shkrime të tjera janë të përfshira në këtë komplet veprash që ka rëndësi të shumëfishtë.
Ka punuar gazetar në gazetën “Rilindja”, ndërsa më vonë kryeredaktor në revistën për kulturë, art e letërsi “Fjala”, kryeredaktor në revistën letrare “Jeta e re” derisa u pensionua. Edhe në pension e vazhdoi aktivitetin e redaktorit e kryeredaktorit sepse e themeloi në kuadër të Ndërmarrjes Shërbyese, Shtëpinë Botuese “Jeta e re”, që ka botuar një numër të konsiderueshëm madje edhe si kualitet e kuantitet, vepra të zhanreve e gjinive të ndryshme letrare. Në edicionin botues të kësaj Shtëpie botuese janë botuar vepra të autorëve të njohur të Kosovës, viseve të tjera shqiptare e sidomos të diasporës. Deri tash janë botuar edhe komplete të veprave si të Hajdar Salihut, Ali Musajt e të tjerë. Në proces botimi janë edhe disa vepra e komplete të tjera.
Për veprën e Ali D. Jasiqit janë bërë shumë shkrime, komentime, analiza e pse jo edhe studime, duke dhënë vlerësime të duhura, të qëlluara, madje edhe të veçanta, ngase e tillë është kjo vepër dhe ky opus letrar i këtij krijuesi. Janë emra të njohur që kanë shkruar për veprat e tij andaj edhe lista e merave të tyre është e gjatë dhe nuk njeh kufij të shtrirjes, ashtu siç nuk ka njohur as botimi i saj.
Dhe ky komplet është një pasuri, në radhë të parë për autorin, në njërën anë, por është edhe pasuri e madhe për kritikën letrare, prozën, studimet, esetë, recensionet, dramat dhe zhanre të tjera të saj, për studentë, analistë, studiues, shkencëtarë e sidomos për bibliotekat tona të të gjitha niveleve.