JASHAR ALIA: NGA MONOGRAFIA ‘REXHEP MALAJ – ZJARR LUFTE QË NUK SHUHET’, GJENERATAT E ARDHSHME DO TË MËSOJNË SE SI DUHET ATDHEU

Pashtriku.org, 28. 01. 2014 – (Vështrim rreth librit monografik “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” të autorit Agim Sylejmani.) Të nderuar të pranishëm, i nderuar autor i librit, Kam kënaqësinë të jem prezent me rastin e përurimit të librit „Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet“, monografi për heroin Rexhep Malaj, të autorit Agim Sylejmani. Do t’i them pak fjalë për rëndësinë e librit në fjalë duke e përgëzuar Agimin për punën e tij të mrekullueshme, e që lexuesit i dha dy libra të njëpasnjëshme për heroin kombëtar. Mua, ndryshe nga të tjerët, nuk më befasoi autori me botimin e dy veprave, sepse unë e njoha Agim Sylejmanin që nga viti 1978 dhe pata rastin të bashkëpunojmë në organizimin ilegal politik, kështu që ia njihja edhe aftësitë e tija krijuese.
Për heroin Rexhep Malaj ka shkruar një libër Selatin Novosella, pastaj Basri Musmurati, e vitin që lamë pas, lexuesi pati në dorë edhe romanin e parë për Rexhep Malajn, “Rrugëtimi i një vigani”, roman historik, të autorit Agim Sylejmani, por prapseprap, siç e thonë edhe vetë autorët, nuk është thënë e tëra për luftëtarin e lirisë.

– Jashar Alia –

Libri monografik “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” është i rëndësisë së veçantë, sepse autori gjithë çka shkruan në këtë monografi për heroin Rexhep Malaj, që nga lindja e deri te rënia heroike, pra, si fëmi, nxënës, student, mësues, organizator e pjesëmarrës i demonstratave, për kalimin ilegal në Shqipëri e në Zvicër, për veprimtarinë e tij në lëvizjen kombëtare, për aksionet e tija gjatë asaj periudhe, duke përfshirë përpilimin dhe shpërndarjen e trakteve, sigurimin e mjeteve teknike, armë e literaturë të nevojshme për Organizatën ku ai militonte, për kontaktet që mbante me veprimtarët e çështjes kombëtare në të gjitha trojet shqiptare, për arrestimet, për qëndrimin e tij në hetuesi e në burgje gjatë vuajtjes së dënimit, të gjitha këto autori i ilustron me fotografi, me dëftesa, me diploma, me ditarin e shkollës ku heroi punonte mësues, me vendime, aktakuza, aktgjykime, që nga gjykatat për kundërvajtje e deri të ato të shkallës së Lartë, pra autori ka hulumtuar e grumbulluar aq shumë fakte e dëshmi sa që nuk le asgjë pa mbulesë. Monografia për Rexhep Malajn “Zjarr lufte që nuk shuhet”, nga 420 faqe, sa ka libri, gati gjysma është me fotografi, faksimile e dokumente që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Heroit.
Autori i librit e njohu Rexhepin qysh herët, e më vonë pati fatin që gjatë vuajtjes së dënimit në burgjet jugosllave të kalojnë kohë të gjatë së bashku në një dhomë. Si bashkëveprimtar e bashkëvuajtës, e aq më tepër që Heroin Kombëtar e kishte idol, me interesim të veçantë përcjell veprimet dhe qëndrimet e Rexhepit që nga koha kur zgjoheshin nga shtrati e deri kur shkonin të flinin. Me besnikëri sjell në të dy librat rrëfimet e Rexhepit për shokët e Organizatës, për kontaktet që mbante nga burgu me shokët që gjendeshin jashtë grilave, për qëndrimin e tij gjatë hetuesisë, për veprimtarinë e celulës në burg në përbërje të treshes: Rexhep – Skënder – Agim, për letrat që Rexhepi u dërgon shokëve nga burgu e deri të fotografia e tij e bërë në burg.
Nga romanet historike të shkruara nga Sabri Godo për heroin kombëtar, Skënderbeun, të Sylejman Krasniqit për Oso Kukën, nga monografitë e shkruara për Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Shotë e Azem Galicën e të shumë heronjve tjerë, në shekullin që lamë pas, rinia shqiptare, por edhe Vigani i lirisë, Rexhep Malaj, u frymëzuan dhe u motivuan për luftë çlirimtare.
Nga monografia “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet“, gjeneratat e ardhshme do mësojnë se si duhet Atdheu, si luftohet për Atdhe dhe si flijohet për Atdhe.
Duke e përgëzuar Agimin për librin, i uroj shëndet të qëndrueshëm që të këtë mundësi lexuesit t’i sjell edhe libra tjerë.
Jashar Alia – Zürich, 26. 01. 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura