HALIM PURELLKU: ‘ZONA E PUSHTIMIT JUGOSLLAV NË SHQIPËRI (1918-1921)’

Pashtriku.org, 22. 10. 2013 – Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të mërkurën (25.09.2013), u promovuan botimet e Institutit të Historisë nga Tirana, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të publikuara gjatë viteve 2012-2013. Në këtë promovim, përpos një numri të madh të studentëve dhe stafit akademik të USHT-së, morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të universitetit, të udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, si dhe drejtuesit e Institutit të Historisë nga Tirana, në krye me drejtorin e këtij Instituti, Akademik Beqir Meta. Në kuadër të këtij promovimi, gjithashtu u paraqit edhe vepra e Prof.dr. Halim Purellkut “ZONA E PUSHTIMIT JUGOSLLAV NË SHQIPËRI (1918-1921)”, Tiranë, 2012.
Në fjalën e rastit, autori Prof.dr. Halim Purellku, tha: Ndjej kënaqësi të veçantë për këtë mundësi të krijuar, që para jush po paraqitet botimi i librit/monografisë tim me titull: Zona e pushtimit jugosllav në Shqipëri (1918-1921). Kënaqësinë time e shtojnë dhe më shumë edhe këto dy arsye:
E para, ngase kjo monografi shkencore u vlerësua dhe u publikua në kryeqendrën kulturore e shkencore gjithëshqiptare, në Tiranë, përkatësisht në Institutin e Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, në Tiranë, në kuadër të serisë: Botimet Albanologjike. Ndërkaq, për ndihmën e ofruar në fazën përfundimtare të përgatitjes për botim dhe publikimin e kësaj monografie, e ndjej për obligim që, edhe me këtë rast, të falënderoi akademik Beqir Metën, drejtor i Institutit të Historisë dhe njëherit recensent, akademik Marenglen Verlin, redaktor përgjegjës dhe prof. Muharem Dezhgiun, recensent, si dhe Nuri Dragoin e Meliha Ballën, korrektor letrar, Dorina Muka, përkujdesja grafike dhe kopertina.

Arsyeja e dytë, është ajo që promovimi i kësaj monografie bëhet në qendrën kombëtare të arsimit sipëror në Trevat Lindore shqiptare, përkatësisht në Universitetin Shtetëror, në Tetovë, nga se, veç tjerash, në ngritjen e të cilit kamë qenë i angazhuar në mënyrë aktive që nga lansimi i idesë për themelimin e tij dhe sot. Me këtë rast përshëndes rektorin e këtij universiteti, Prof. dr. Vullnet Ahmetin, bashkë me të tjerët, për kontributin e tyre në organizimin e këtij evenimenti.

Tetovë, 25. 09. 2013: Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, u promovuan botimet e Institutit të Historisë nga Tirana, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të publikuara gjatë viteve 2012-2013.

 Sipas autorit, objekt trajtimi i kësaj monografie janë çështje dhe segmente të veçanta, si: krijimi i Zonës së pushtimit jugosllav në Shqipëri dhe organizimi i pushtetit ushtarako-policor e civil serbo-kroato-slloven gjatë viteve 1918-1921; format dhe shkalla e intensitetit të veprimeve konkrete politike e ushtarake unilaterale serbe/jugosllave në funksion të objektivave politike shtetërore; rivaliteti italo-jugosllav në terrenin shqiptar; si dhe qëndrimi dhe format e reagimit të faktorit shqiptar ndaj veprimeve politike e ushtarake jugosllave. Të gjitha këto çështje dhe segmente të veçanta, brenda një strukturimi funksional, gjerësisht analizohen. Ndërkaq, ndërhyrja ushtarake jugosllave në Shtetin shqiptar apo Lufta e Dibrës, në vitin 1920, është moment kulmor në këtë monografi dhe trajtohet në kreun e tretë dhe të katërt të sajë.
Për hartimin e kësaj monografie u jam referuar dokumentacionit të shumtë arkivor të pa publikuar dhe të publikuar, si dhe literaturës përkatëse shkencore dhe periodikut të proveniencës serbe/jugosllave dhe shqiptare. Ndërkaq, sintetizimi dhe prezantimi i fakteve historike në këtë monografi, kryesisht mbështet në analizën, me një qëndrim kritik, të këtyre burimeve historike, dhe kështu shpresoj se kamë arritur deri te konstatime të vlefshme. Nisur nga sa u tha, kujtoj se kjo monografi shënon një arritje të suksesshme në prezantimin e detajuar dhe të shumtën të pa njohur deri më tani, të zhvillimeve politike e ushtarake në këtë pjesë të Shtetit shqiptar, në vitet 1918-1921, njëherit dhe një kontribut në avancimin e mendimit shkencor lidhur me këtë problematikë nga historia jonë.
I vetëdijshëm se kjo monografi nuk shënon fjalën e fundit shkencore, për problematikën në fjalë, gjithsesi se i mirëpres vlerësimet meritore të kritikës historiografike dhe të opinionit publik, mbi vlerat dhe nivelin shkencor të kësaj monografie, përfundoi autori.

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura