PASHTRIKU: U MBYLL PANAIRI ‘DEKADA E LIBRIT TË LIRISË II’

(Prishtinë, 05. 11. 2012) – Panairi “Dekada e Librit të Lirisë II” u mbajt në shënim të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky panair i organizuar nga Radio-Kosova e Lirë, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” ka karakter të prezantimit të një pjese të literaturës shqiptare, specifike nga ana tematike. Në Panair janë prezantuar 14 vëllimet e botuara deri tani të monografisë “Feniksët e Lirisë”, tri vëllimet e Arkivit të lajmeve të Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, pastaj të gjitha botimet e deritanishme të Radios, vepra autoriale të shkrimtarëve, poetëve e gazetarëve, që kanë mbajtur dënime të rënda me burg gjatë kohës së okupimit serb, kronika dhe ditar nga lufta po ashtu janë prezantuar edhe skica, vizatime e portrete të vizatuara nëpër burgjet jugosllave nga veprimtarë e atdhetarë të njohur.
Në Panair janë prezantuar edhe disa përmbledhje poetike të poetëve dëshmorë si: Bahri Fazliu, Agim Ramadani, Astrit Bytyçi, Kasim Shala, Valon Krasniqi, Françesko Bider e të tjerë. Shquhen në këtë mes veprat e Adem Demaçit, Hydajet Hysenit, Ahmet Qeriqit, Nezir Myrtajt, Martin Çunit, Jakup Krasniqit, Nusret Pllanës, Zenun Gjocit, Gjokë Dabajt, Faton Mehmetajt, Selatin Novosellës, Kadri Rexhës, Dilaver Goxhait, Fetnete Ramosajt, Rasim Selmanaj, Bajram Bekteshit, Hajrush Kurtajt, Skënder Zhitisë, Halil Katanës, Selman Mehajt, Teuta Hadrit, Tahir Gecit, Ali Gecit, e shumë të tjerëve. Në Panair janë prezantuar edhe vepra të autorëve të ndryshëm me tematikë nga lufta e UÇK-së si: dr. Muhamet Pirraku, dr. Hakif Bajrami, Ylli Pollovina, Ibrahim Gani, Selman Dervishi, Lebit Murtishi, Rrustem Geci, Nezir Prokshi, Habib Zogaj, Afrim Berisha e shumë të tjerë.

…………………………………………….

Në ditën e hapjes së Panairit “Dekada e Librit të Lirisë II” më 1 nëntor 2012 morën pjesë personalitete të njohura të rezistencës, artit e kulturës, në mesin e tyre edhe simboli i Rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, koloneli i Ushtrisë shqiptare dhe eprori i lartë i UÇK-së, Dilaver Goxhai, koloneli nga Tirana, Bardhyl Tahiri, anëtar i SHT të UÇK-së, Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës,Hydajet Hyseni, shkrimtari dhe veprimtari i njohur, Gjokë Dabaj, i burgosuri politik, Halim Cukaj, Meriman Braha nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, dr. Muhamet Pirraku, Ramadan Avdiu si dhe reporterë e gazetarë të luftës së UÇK-së.
Gjatë katër ditëve të Panairit, artdashësit e Prishtinës e më gjerë kanë vizituar ekspozitën e Radios-Kosova e lirë dhe ekspozitën me portrete, skica e vizatime të të burgosurve politikë të Kosovës, të sajuara brenda qelive të burgjeve të ish Jugosllavisë, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ndërkohë që vizitorët janë njoftuar edhe me një literaturë specifike të veprave me përmbajtje nga historia e rezistencës kombëtare, si dhe botimet e Radios-Kosova e Lirë dhe të Redaksisë, “Dëshmorët e UÇK-së”.
Fjala e Adem Demaçit me rastin e hapjes së Panairit “Dekada e librit të lirisë II
Besoj se po bëhet traditë që ta përkujtojmë vetveten, se siç po shihet nuk është shteti që duhet ti përkujtoj , dhe ta ketë një qendër që do të merret me këto probleme atëherë detyrohemi vetë. Radio Kosova e Lirë po e vazhdon ende luftën sepse siç po duket ajo nuk ka përfunduar ende dhe tanimë po dihet se duhet të bisedojmë përsëri me Serbinë, e cila ka pretendime ndaj Kosovës. Ata ende po pretendojnë të na kthejnë në pikën zero që ne të ja nisim nga fillimi etj.
Pra radio Kosova e lirë po përpiqet të bëhet e lirë në të gjitha fushat e edhe ne fushën e informimit. Unë kam qenë edhe vjet këtu, sivjet po e shoh një përparim sa i takon zgjerimit të ekspozimit të informatave këtu që kemi. Me kalimin e kohës nevoja dhe kërkesa për ndriçimin dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën tonë do të jetë gjithnjë e më e madhe, sepse këta miqtë tanë një ditë do të shkojnë dhe do të mbesim vetëm, atëherë duhet të kemi çka tu tregojmë gjeneratave të reja që nuk e mbajnë mend luftën, edhe atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe frikohen se mos po harrohet lufta e tyre. Asnjë luftë nuk është harruar , ne sot po gërmojmë se çfarë ka ndodhur para 2000 vjetëve.
Andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që po na jepet dhe duhet ti falënderojmë këta vëllezërit tanë në rend të parë Ahmet Qeriqin me stafin e vet, pastaj Shoqatën e të Burgosurve Politikë. Me fjalë të tjera është duke u bërë një përpjeke, që e vërteta për luftën tonë, për gjakun e derdhur, e vërteta për atë se na ndihmuan që të çlirohemi por nuk na çliruan, sepse pa luftën tonë, pa gjakderdhjen tonë, pa këmbënguljen tonë, pa gatishmërinë tonë që të vdisnim për lirinë tonë s’ do të kishte asnjë ndihmë, por disa që e kanë ndërgjegjen e vrarë disa besa edhe e sabotuan luftën tonë, po e kanë dëshirë që eventualisht të harrohet lufta jonë dhe tu mbetet amerikanëve, thua se kanë nevojë shumë të madhe amerikanët tu thotë dikush faleminderit që na çliruar, etj.

……………………………………………….

Prandaj po them vlera e kësaj përpjekje për ta ndriçuar dhe për ta zbardhur, për ta kristalizuar të vërtetën për luftën dhe për qëndresën tonë është shumë më e madhe se sa që duket formalisht. Po shihet që njerëzit tanë nuk janë kah i japin fort rëndësi kësaj pune, tash të shkosh nëpër kafene gjene plot që pinë e hanë , bisedojnë e merren me thashetheme, pra kjo po shkon me vështirësi por gjithmonë të vërtetat shkojnë me vështirësi derisa t hapet rruga dhe të krijohet vetëdija , ajo masë kritike e vetëdijes e cila do të bëjë që ky popull ta marrë fatin e vet në duart e veta, dhe të vendosë për fatin e vet për të gjitha që i duhen kombit e atdheut. Unë ju lutëm shumë që ta shikoni me vëmendje dhe mos besoni kurrë në harresë sepse harresë për kombin nuk duhet të ketë asnjëherë. Harresa, mund ta godas një komb e një popull, prandaj edhe kjo përpjekje për ta luftuar harresën , sepse nuk jemi ne rastësisht popull që harrojmë, ne kemi qenë Ilir pastaj u bëmë Arbër tash po donë të na bëjnë edhe kosovar, me fjalë të tjera jemi vazhdimisht të rrezikuar nga një harresë për të dalë te një tjetër, të na shkulin rrënjët që kishim për të na mbjellë diku tjetër, mos eventualisht nuk po mbijë fare dhe po harrohemi. Kështu që ju që keni marrë pjesë në luftë, nëpër burgje, nëpër fronte të ndryshme të përpjekjeve për liri mos u ndaleni, sepse çdokush që ndalet pas tij ndalën edhe 10 a 15 të tjerë, prandaj e keni përgjegjësinë e madhe. Nuk ka ndalje nuk ka dorëzim, po vetëm ecje përpara me besim të plotë, që megjithatë do t”ia dalim që ta bëjmë një Shqipëri si duhet, një Shqipëri që do ta ketë lakmi tërë bota, një Shqipëri që do t”i gëzoj: zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Jemi në rrugë që ta bëjmë, do ta bëjmë, kemi disa pengesa të brendshme e të jashtme, mirëpo jemi mësuar ne të shkojmë nëpër pengesa dhe t’ i kalojmë ato, kështu që ju uroj këtyre që kanë bërë përpjekje që ta organizojnë këtë panair përsëri, uroj që ta vazhdojnë këtë punë të mos ndalën, ta zgjerojnë edhe më shumë këtë mundësi të ekspozimit të veprave tona çfarëdo lloj qofshin, në mënyrë që ta kryejmë edhe një punë në kushtet e paqes, në kushtet e një lufte speciale që po bëhet kundër nesh, duhet të dimë edhe ne të organizohemi dhe të pozicionohemi ashtu siç duhet. Urime dhe rrofshi ju që po mundoheni, e bashkë me mua dhe me shumë të tjera .
Fjala e kryetarit të Shoqatës së të burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, me rastin e hapjes së Panairit
Ky Panair është një nismë e Radios ‘Kosova e Lirë, e cila në mesin e shumë punëve të mira, e ka bërë tradicionale organizimin e aktiviteteve dhe përvjetorëve të rëndësishëm, që lidhen me luftën e UÇK-së. Prandaj, kjo radio meriton jo vetëm mirënjohje, por edhe përkrahje. Është një rast që edhe ne t’i kthehemi të kaluarës sonë jo të largët, një e kaluar, e cila ende nuk është eksploruar dhe valorizuar sa duhet. Këto është një pjesë e vogël e faktografisë, e asaj që ishte realitet, që ende nuk është prezantuar, madje nuk është mbledhur as si vëllim. Vlera e këtij panairi është sensibilizimi i kësaj nevoje. Edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë është organizuar në aktivitete të tilla, prandaj jemi përcaktuar që të bashkëpunojmë me radion ‘Kosova e Lirë’ për të organizuar aktivitete të përbashkëta edhe në të ardhmen. Shoqata jonë në bashkëpunim me të gjithë të interesuarit do të organizojë një ekspozitë të titulluar ‘Arti në pranga’, i cili do t’i grumbullojë të gjitha krijimet artistike, vizatimet, punë-doret dhe gjithçka tjetër që njerëzit kanë ruajtur nga burgu. E ato janë të pakta sepse burgu shkatërronte jetën, shëndetin por edhe krijimtarinë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë krijime të tilla, që të interesohen edhe për krijimtarinë e të afërmve të tyre, shokëve që t’i grumbullojnë e t’i dërgojnë në shoqatën tonë, ku më pas do t’i përgatisim për t’i shpalosur para opinionit tonë, për ta parë këtë dimension të të burgosurve shqiptarë, vuajtjeve të tyre por që kanë edhe ëndrra, të cilat shprehen përmes krijimeve artistike. Prandaj, një letër-këmbim i ilustruar, një punë-dore e gjithçka tjetër do të plotësonte mozaikun, i cili vërtetë nuk kapërthehet nga njerëzit që nuk e kanë provuar burgun. Unë e përgëzoj radion ‘Kosova e Lirë’ për punën që ka bërë dhe ftoj të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë radio. Sepse duke ndihmuar radion ‘Kosova e Lirë’ dhe duke ndihmuar aktivitete si këto, ndihmojnë jo vetëm kujtimin për këtë të kaluar të lavdishme por ndihmojnë edhe zërin e Kosovës së re që po ndërtojmë.

……………………………………………..

Fjala e Meriman Brahës
Është kënaqësi që është organizuar një Panair i tillë i librit, i titulluar, “Dekada e librit të lirisë”. Është një ngjarje kulturore të cilën do të duhej të gjithë qytetarët ta shijojnë, ta vizitojnë, t’i shohin librat për t’i parë motivet pse janë shkruar ato. Shpresoj që njerëzit do të gjejnë kohë dhe do të vijnë ta shohin larushinë e botimeve me tema interesante nga koha e luftës, e paraluftës dhe pasluftës, por të shohin edhe ekspozitën, e cila përfshin fotografi e piktura nga koha e luftës. Në një ballinë të Panairit është vendosur një ekspozitë me piktura e krijime artistike të ish të burgosurve politikë, pikturat këto të cilat i kanë bërë në kohë të vuajtjes së burgut. Sigurisht se kjo përbën një botë tepër interesante, një shpirt të cilin opinioni ynë nuk e njeh mirë, madje ka përshtypjen sikur këta njerëz që ishin nëpër burgje kishin një botë të egër e të ashpër, por në fakt, ne këtu kemi një botë tepër subtile të një kategorie të të burgosurve, të cilët kanë gjetur frymëzimin e tyre edhe në kushte të rënda torturash e vuajtjesh nëpër kazamatet e Serbisë. Shpresoj që e tërë kjo do t’i ngjallë opinionit tonë kërshërinë për të ardhur në këtë panair, për t’i plotësuar informacionet që duhet t’i kenë.
Fjala e Ramadan Avdiut
Për mendimin tim, kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e mirë që nuk do të duhej të ndalej me kaq. Duhet të rritet bashkëpunimi edhe me organizatat e dala nga lufta, por edhe me shoqatën e të burgosurve politik dhe unë, si ish i burgosur politik jam i vetëdijshëm që ka plot vepra letrare artistike në pikturë e mbase edhe në forma të tjera, të cilat do të duhej të ekspozoheshin. Duhet të inkurajohen të gjithë të burgosurit dhe të gjithë akterët që e kanë bërë historinë që të shkruajnë e të mos i mbulojë harresa kujtimet e tyre, në mënyrë që në një të ardhme të gjithë ta shohin sakrificën që është bërë për këtë ditë që sot po e gëzojmë.
Veprat e prezantuara në Panairin e Librit, “Dekada e Librit të Lirisë II
Botimet e deritanishme të Radios- Kosova e Lirë

ARKIVI RKL I II III ( 4. 1. – 21. 6. 1999)
Nezir Myrtaj Jehonë lufte
Ahmet Qeriqi Meditime në arrati, roman
Martin Çuni Reportazhe lufte
Nusret Pllana Rruga e lirisë
Ahmet Qeriqi Në gjurmim të lashtësisë, studime
Nezir Myrtaj 17 e 18 marsi 2004
Ahmet Qeriqi Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar?
Nezir Myrtaj Rrugë e papërfunduar
Ahmet Qeriqi Burgu
Martin Çuni Jetë e furtunë, përmbledhje poetike
Kasim Shala Poezi dhe rrëfime, (poet dëshmor)
Bajram Bekteshi Mbizotërat, përmbledhje poetike
Bedri Tahiri Përtëritja
Dilaver Goxhai Rruga që më çoi në UÇK
Dilaver Goxhai UÇK-ja dhe Kadareja
Endrit Myrtaj Vargjet e mia, përmbledhje, poetike për fëmijë
Bajram Bektashi Hapa për mbijetesë
Afrim Berisha Lirikë vjeshte përmbledhje, poetike
Zëri i lirisë Broshurë e Radios-Kosova e lirë
Ahmet Qeriqi Luftëtarë të NDSH-së (1944-1950)
Zenun Gjoci Rilindjet e orës arbërore
Ahmet Qeriqi Fenomene shqiptare, studime
Muhamet Pirraku Për kauzën e UÇK-së
Muhamet Pirraku Adem Guta
Haki Qeriqi Libër me poezi
Martin Çuni Themele jete (Tregime për fëmijë)
Ahmet Qeriqi Krojmiri (1455-1999), monografi
Bajram Bekteshi Unë dhe vargu, përmbledhje poetike
Nezir Prokshi Mbijetesa e popullit të Drenicës në rrethim
Ahmet Qeriqi Koha e jeniçerëve, roman
Selman Mehaj Një shekull qëndresë për liri
Selman Mehaj Kushtrim lirie
Bahti Graiçevci Shpresa e fundit
Kadri Rexha Dervish Shaqa
Zenun Gjoci Kosova e Kuqe
Zenun Gjoci Krahët e Shqipes
Ahmet Qeriqi Gjurmime dhe studime
Nusret Pllana Intervenimi i NATO-s në Kosovë
Nusret Pllana Terrori i Serbisë mbi shqiptarët…
14 vëllimet e monografisë “Feniksët e lirisë”
Përmbledhje poetike të poetëve dëshmorë:
Agim Ramadani,
Valon Krasniqi,
Kasim Shala,
Astrit Bytyçi,
Bahri Fazliu,
Francesco Bider
Vepra të autorëve të ndryshëm:
Halil Katana
Tri dimensionet e UÇK-së
Zoga Dega
Për ju breza që ngritet Atdheun mbi supe
Gjaku i tyre në damarët tanë
Vlaga e kësaj toke
Flamuri ynë…
Veprat e Adem Demaçit
Disa nga veprat e Hakif Bajramit
Fusha e Flamurit: Grup autorësh
Ibrahim Gani: Mujë Krasniqi
Gjokë Dabaj,
Daut Gumeni,
Liri Gjoliku,
Ylli Polovina

Hajrush Kurtaj
Fetnete Ramosaj,
Faton Mehmetaj,
Jakup Krasniqi
Skënder Zhitia,
Hasan Hasani,
Ramadan Krasniqi “Dëshmorët e Llapushës”
Habib Zogaj “Krimi dhe mbijetesa”, “Në mungesë të varrit”
Selman Dervishi
Sadie Ismaili,
Lebit Murtishi,
Isuf Ismaili,
Rrustem Geci,
Xhuhere Vezaj-Maçaj,
Xhafer Dvorani…
E veçanta e panairit:
14 vëllimet “Feniksët e lirisë”
Arkivi i Radios I II III
Libra të autorëve dëshmorë
Libra të autorëve ish të burgosur politikë.

………………………………
FOTOGALERIA NGA PANAIRI:

……………………………………………….

(I përgatitur nga Redaksia e Radios Kosova e Lirë) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura