HALIT MEHMETAJ: KOSOVO*EVROPIANE

(Njujork, 30. 03. 2012) – Që nga paslufta të gjithë flasim për një Kosovë Evropiane, për integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, për hyrjen e Kosovës në NATO, për liberalizimin e vizave, për rregullimin e kufijve e për pretendime tjera që Kosova duhet ti ketë. Për të gjitha këto Kosova siç dihet duhet ti plotësoi disa kushte, zhdukjen e korrupsionit, krimit të organizuar, funksionimin e pavarur të gjyqësisë, e standarde tjera, për mos plotësimin e të cilave Kosova kritikohet tashmë 13 vite nga institucione vendore, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, nga analistë, politikanë e diplomat të ndryshëm.
Kur bëhen këto pyetje secili duhet ta pyet veten sa kemi punuar për ti plotësuar këto kushte, sa kemi arritur progres nga viti 2000 e deri më sot, ku ka qenë Kosova dhe ku është, sa kanë kontribuar ata që i kemi votuar e i kemi zgjedhur për të na përfaqësuar, sa ka bërë BE-ja për ne e sa i kemi kontribuar ne BE-së e mekanizmave tjerë ndërkombëtarë. Në të gjitha këto zhvillime politike që nga 24 marsi 1999 kur NATO-ja bombardoj caqet serbe e gjer më sot skemën politike kosovare e ka përcjellur një pasivitet. Lidershipit kosovarë i ka munguar siguria në vendimmarrje, nuk ka punuar sa duhet me partnerët strategjik siç janë SHBA-të, ka munguar bashkëpunimi më intensiv me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi e Kosovën Lindore, me te cilët Kosova ka marrëdhënie të mira dhe fqinjësi te mirë. Gjatë gjithë kësaj kohe ka munguar profilizimi i elitave politike dhe unifikimi i Akademive të Artit dhe Shkencës në Shqipëri dhe Kosovë, pra unifikimi shpirtëror i njerëzve të dijes dhe shkencës, në korrelacion me shtetin, ndërtimin e strategjive dhe doktrinave për të tashmen dhe të ardhmen. Ka vite që skenës politike kosovare dhe gjithëshqiptare i mungon një zë i fuqishëm dhe konstruktiv opozitarë. Në skenën politike kosovare është vërejtur dhe vërehet një uniformizëm politik, ku vetëm “selamet nga Brukseli” mund t’i ndryshojnë gjërat në lëmshin e politikës dhe vendimmarrjes tek ne.

http://mile.blog.rs/gallery/3242/kosovo%201244%20nezavisno%20fusnota.jpg

Kjo sjellje nuk i bënë mirë perspektivës dhe integrimeve mbarëshqiptare. Nga ky rrafsh kanë përfituar individët, aty këtu edhe ndonjë lider që i ka shërbyer mirëmbajtjes së politikave balancuese për ta mbajtur të gjallë statusquon e cila gjer më tani e ka sjellë situatën në pastabilitet në gjithë vendin. Kjo nuk do koment sepse shihet dhe përjetohet për çdo ditë. Kjo gjendje e ka sjellë Kosovën para një përgjithësie të madhe. Edhe pse u dashtë të presim tetë vite për ta shpallur Kosovën të pavarur, të gjithë ishim të kënaqur sepse u arrit një qëllim. Pas tri katër vitesh Kosova u kthye prapa, BE-ja dhe mekanizma tjerë ndërkombëtar për ta kënaqur Serbinë, ia hoqën pavarësinë duke e kthyer atë në gjendje të para gjashtë-shtatë vitesh, edhe një herë nga Kosova në Kosovo. Kjo situatë u debatua edhe në Kuvendin e Kosovës dhe nga opozita dhe disave nga pozita u vlerësua e dëmshme për vendin. Ligjvënësit akuzuan qeverinë se me kompromis për fusnotën që në përmbajtje ka Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit është dëmtuar shtetësia e Kosovës. E BE-ja ua lë organizatorëve të vendosin ku ta vënë fusnotën. Fusnota e ka edhe një të keqe tjetër, është paralojë për marrëveshjen rreth veriut, që nënkupton një lloji autonomie për veriun në shkëmbim për njohje, qoftë edhe të heshtur të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Kjo e fundit prek edhe në kufijtë dhe integritetin e Kosovës. Të gjitha këto janë propozime, vendime, konkluzione, marrëveshje, fusnota e etj, që i kemi dhuratë nga klasa politike kosovare. Deshëm apo jo fusnota ka shkaktuar konfuzitet dhe paqartësi brenda në vend por edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Qasja politike e lidershipit kosovar në rastin e fusnotës por edhe në disa raste tjera nuk është treguar e zgjuar e as vizionare. Tani pasi ka ndodhur kjo fatkeqësi ata duhet të ulen e të mendojnë se si të tejkalohet kjo krizë mjaft serioze. Para se të ndodhë kjo, një pjesë e faktorit politik shqiptar u gjend para presioneve të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare, disa edhe u shantazhuan, disa të tjerë u futën në burg, Ramushi u syrgjynos në Hagë. E gjithë kjo ndodhi për t’ia lënë duart e lira të tjerëve për të vepruar, sepse bashkësia ndërkombëtare e kishte kuptuar trurin e politikanit shqiptar, prandaj i zgjodhi format e duhura për ta mbajtur çështjen shqiptare të mbytur në moçalin ballkanik.
Toleromi i strukturave paralele dhe futja në biseda me ato struktura u dhanë atyre një legjitimitet, i cili u ngrit aq lartë sa që ato po i bëjnë presion Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar për ndarje të Kosovës. E gjithë kjo po ndodhë si pasojë e asaj, se në Kosovë shoqëria duhet të mësohet të kërkoi përgjegjësi për veprimet politike të liderëve të zgjedhur me votën e lirë të popullit, në fakt kjo edhe i hapi rrugën zhvillimit të demokracisë së mirëfilltë të një shoqërie të shëndoshë. Së pakut klasa politike duhet të jetë e vetëdijësuar në ato nivele që dështimet të mos na i paraqes si të arritura e fitore. Bashkësia ndërkombëtare në bashkëveprim me faktorin e brendshëm po e mirëmbajnë paqen e paqenë në Kosovo* evropiane, e cila e ka sjellë një statusqu Kosovën e vërtetë, që secilën ditë po e degradon vullnetin e shqiptarëve, të cilëve bashkësia ndërkombëtare iu shiti pasurinë e Kosovës, ndërmarrjet, iu vodhi pensionet dhe e dobësoj kualitetin e jetës së qytetarit deri në varfërim total. Shoqëria kosovare po katandiset si mos më keq në aspektin ekonomik e mbetur për momentin nëpër udhëkryqet e labirinteve politike, e ngatërruar me emrin e ri nga Kosova në Kosovo* evropiane.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura