HAMDI HYSUKA: MANIFESTIM KULTUROR ME THESARE TË TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE (FOTO)

Burrel (Mat), 14 tetor 2017: Artsitë të shumtë popullorë nga shoqëri kulturore dhe artistike, ansamble folklorike, grupe rapsodësh e rapsodë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Qendrën Kulturore të Bashkisë Mat për të zhvilluar Festivalin e Tretë të Këngës Lirike dhe Epike. U takuan vëllezër të një gjaku, me këngë epike dhe këngë të vjetra folklorike, për të shkëmbyer vlera kulturore të kombit. Kudo në qytet u krijua atmosferë festive dhe mikpritëse. Orët para hapjes së festivalit ishin të hareshme, plot gëzim e ngrohtësi vëllazërore, sa që njeriu rrallëherë ndjehet aq i lumturuar. Këtë e vërtetoi parada e kostumeve nëpër qytet. Tërë artistët festivalistë, të shoqëruar nga instrumentet popullore çifteli, bilbil, kavall, sharkì, daulle etj, gjallëruan ndjesinë e krenarisë së qytetit. Nga të dy anët e trotuareve njerëz të shumtë fotografonin dhe përshëndetnin artistët. Ajo që entuziazmoi shpirtërisht e moralisht tërë shikuesit ishte pjesmarrja dinjitoze e moshave të reja, përcjellës të traditës stërgjyshore. Me artin e vet populli ka përcjellë nëpër breza mesazhin e madh, se gjatë kohës këngët folklorike janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol i popullit, flamur i nderit.
Në natën e parë, pas urimit të mirëseardhjes dhe përshëndetjes së organizatorëve, në skenë u ngjitën me këngë epike e legjendare Malisheva, Mati, Suhareka, Lezha, Klosi, Mirëdita, Gjilani dhe Gostivari.
Pas rapsodëve Zymer Sinani e Taulant Gashi, dy talente të rinj artistikë të Malishevës emocionuan dhe befasuan shikuesit. Kënga “Diell e hanë shëndrit atdheun” kënduar nga Edonis Gashi u duartrokit gjatë, se në vargjet e saj thuhet:
…Rrita shtatin kullë prej guri,
sy e dritë m’i dha flamuri,
se si vihej te liria
t’gjitha rrugt’ m’i msoi frangjia,
se qysh duhet me marrë gjak
kshtu më msoi babgjyshi plak:
Biri im, mos t’dhimset jeta,
për kto troje, për kto shkrepa
kqyrëm bir në rrudha t’ballit,
ke me i marrë gjithë rrugt’ e malit,
amanet gjyshi m’ka lanë
amanet plisin e bardhë,
kush t’tentojë me e shkelë me kamë
mos paç pushkë, haje me dhambë!

Duartrokitje rrëmbeu edhe i riu tjetër, Mërgim Mazreku, kur këndoi “Këngë për Osman Sefën”. Ndërsa rapsodët nga Suhareka, Mysli Hasani e Brahim Fetaj, konkuruan me “Këngë për Tahir Sinanin”, oficeri i njohur i Ushtrisë së Shqipërisë, komandant në tri luftërat çlirimtare, e cila nisi e mbaroi me duartrokitje. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse:
N’Dibër t’Madhe, n’bjeshkë t’Radikës më pret Kumanova,
m’kan’ pas thanë Tahir Sinani, tash Tahir Tetova
rruga jonë ka nis me shekuj, shokë ju mos u ndalni
nëse doni t’më kujtoni, amanetin mbani
unë jam veç një çlirimtar, kështu desh liria
m’kan’ pas thanë Tahir Sinani, tash Tahir Shqipëria!

Rapsodi matjan, Sulejman Rruspi këndoi për dëshmorin Ali Metra, por një interpretim me vlerë artistike shfaqën rapsodët e Lezhës, Llesh e Gjin Prenga, me këngët “Loti i Kurbetit” dhe “Me yll të mëngjezit”, artristët tetovarë Jashar dhe Idajet Sejdini me këngën “Vjeshtë, moj virane”, në të cilën thuhet se loti i kurbetit derdhet akoma, sepse:
O ka dalë nana o n’derë tuj qá,
o loti saj morè s’din me u tha,
besa në kurbet djalin ajo e ka.

O ka dalë nusja o në breg të detit,
o tuj mallkue rrugën e kurbetit,
besa burrin gjallë dhe ndá prej sikletit.

O u rrit çika, o nuse me shkue
o s’po muj dasmën more m’e fillue,
besa s’e ka babën dasmën m’e bekue.

O kurbetlì, o në dhé të huaj
o mos e bani more gjakun ujë,
besa po u pret o vendlinja juaj…
Prezantimi i folklorit burimor dëshmoi se populli ynë i ka trasmetuar ndër shekuj këto thesare, dëshmi e identitetit kulturor e kombëtar të tij. Kohë pas kohe shoqëritë dhe grupet kulturore folklorike janë zevendësuar, por krijimtarinë dhe pasurinë e tyre artistike e kanë trashëguar si një amanet. Dëshmi konkrete ishte programi i artistëve popullorë të Gostivarit me këngët “Hajde prej Dibre për në Tiranë” dhe lirikës “Moj tèj cucë”, të kënduara nga Nebi Halili e Feti Selimi, shoqëruar mjeshtërisht në kavall nga Adnan Aliu dhe Emin Xhatori, kuartet i rallë në trojet shqiptare.
Hajde prej në Dibër hej more n’at Tiranë,
ç’na ka dalun hej mor ni kapetan,
hajde kapetani, hej mor ni Kalosh Don
me shumë shokë more, hej mor me shumë dibranë.
hej mun ke kroji hej mor ç’na u ba ni nam,
hajde mun ke kroji hej more rrejn’ mbështet,
sa herë çet hej mor, ka dy po i vret…

• • •
Festivali epik dhe lirik, i treti para artdashësve të shumtë matjanë, u kthye në një manifestim kulturor-artistik mbarkombëtar, me plot thesare të trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Publiku shijoi zërat melodiozë të Shkëlqim Farricit nëpërmjet lirikës së bukur “Flokët e tua mbulojnë belin”, rapsoden Vera Cani me këngën “Skënderbeu te Guri i Vashës dhe grupin e vajzave të Gurit të Bardhë. Krijimet lirike konkuruan nëpërmjet një bashkëbisedimi shpirtëror, ku grupi polifonik i Mallakastrës solli larmi emocionesh. Pritja e këngës polifonike ishte e ngrohtë dhe artistët mallakastriotë afirmuan lidhjet e tyre shpirtërore me komunitetin dhe artistët matjanë. Duartrokitjet treguan për një unitet shpirtëror Jug-Veri. Në njerën prej këngëve, asaj lirike, thuhet:
Moj syzezë, vetullzezë
ke tri vjet pa hequr brezë,
si ta heq, me kë të fle
ti tët bir aty s’e ke…

Dal, moj nuse, dal moj bijë
i dërgojmë haber t’na vijë,
hesht, moj nënë, o moj dosare
se dëgjon e s’na vjen fare.

Po nuk erdhi për motmot,
do mbledh shoqet, të qaj me lot
dhe në ardhtë për gjashtë muaj
do të qesh, me ‘të do luaj.

Janë artistët popullorë ata që e kanë shkruar historinë e tyre me artin magjepës të këngës, valles, melodisë, siç u pasqyrua nga Ansambli “Shote Galica” i Drenasit. Programi i tyre i natës së dytë plot epizëm, elegancë, optimizëm e lirizëm, shpalosi thesare shpirtërore të jetës shqiptare, me këngët “Kulla e braktisur” kënduar nga Mërgime Kastrati, “Paska zbritur hana” nga Berat Krasniqi, “Këngë e shkruar me gjak”, që e këndoi Merita Gashi dhe “Po ku je, he burri i dheut” kënduar nga Resmije Krasniqi. Veçuam këto vargje për kullën e braktisur, me thirrjen për të madh e të vogël, që flet shqip e ka gjak shqiptari:
Besa myshk na paska zanë kulla,
larg prej saj n’mote m’pat lanë udha,
mbeti e shkretë kulla e braktisur,
ajo m’sheh si t’ishte hanë e ndryshkur.

Bota asht e madhe, por dhe shumë e egër
mos braktisni kullën, krenarinë e vjetër
amanet e kemi dhe nga guri i varrit,
mos braktisni kullën, nderin e shqiptarit!

Festivali i Tretë i Këngës Lirike dhe Epike në Mat pasuroi, fisnikëroi dhe lartësoi jetën shpirtërore të komunitetit. Artistët nga Peshkopia konkuruan me këngët “Shkon djali termèle” kënduar nga Desara Haka, “Mori cuca që shkon për ujë” këndoi Edmond Përlezha, “Hidhet e përhidhet ky mindili” nga grupi i vajzave, “Dul bilbili prej kafazi” e kënduar nga Ylber Sopoti dhe “Ti bre djalë përpara bajrakut”, këndoi Eduard Hoxha, nga e cila veçojmë vargjet:
O ti bre djálo përpara bajrakit
sa hije të paska çisteku i sahatit!

O ti bre djálo përpara xhamisë
ç’po t’i tundka era tufat e shamisë!

O ti n’at kodër, unë n’kët’ kodër
boll e mirë, po pak e vogël!

Aty ku folklori është i gjallë, aty jeta është e qetë dhe e bukur. Programi i artistëve mirditorë ishte dëshmi e tillë. Këngët konkuruese “Dheu i huaj”, “S’ka vend për mua”, “Krushqit e saj 12 bajrakë” dhe “Lozonjarja” i kënduan Marjan Lleshaj, Besim Lekgega, Paulin Filopati dhe grupi i burrave.
Edhe grupi folklorik i Kurbinit u mirëprit dhe pati shumë duartrokitje. Këngët “Nën zylyfet tua po këndon bilbili” kënduar nga Mide Aliu dhe Terezina Gega, “Ç’paska çelur lule molla” nga Kristina Ndoj, Agustin Ceka dhe Gjergj Leka dhe “Besë të dhashë e besë të mora” interpretuar nga grupi, i kishin në harmoni të gjithë komponentët: muzikën, tekstin dhe interpretimet. Momente emocionuese folklorike shijuan vargjet lirike:
Besë të dhashë moj besë të mora,
n’supin tand moj më shkoi dora,
zemra rreh ma shpejt se ora,
o moj Mile, of moj Mile
ç’ma këpute zemrën time
!
Ky festival epiko-lirik vërtetoi trashëgiminë artistike popullore, siç ishin rapsodët tetovarë, Jashar dhe Idajet Sejdini, me këngën epike “Vjeshtë, moj virane”, në të cilën këndohet:
Vjeshtë o moj virane, vjeshtë-o
djemt’ e ri ç’na i bane, mjera unë-o
djemt e ri i përcolla
udhës nga Tetova, mjera unë-o
në Tetovë kan’ mbrritun, mjera unë-o
i kan’ nis për Shkup, o mjera unë-o
i kanë mbyll në burg, o mjera unë-o
do vdesin për bukë, o mjera unë-o!
Pika kulmore e festivalit ishte dalja për herë të parë në këtë skenë e një grupi folklorik arbëresh nga Fraçineto e Kalabrisë. “Zemrat tona të gëzuara janë, -u shpreh emocionalisht drejtuesja e tyre, -se atdheun tonë erdhëm dhe e pamë. Rrënjët tona i kemi bashkë, po ka shumë kohë që jemi jashtë”.
Dëshira për t’i parë arbëreshët, për t’i njohur nga afër ishte e madhe, ndjenjë malli, respekti, detyrim si njerëz të gjakut tonë, që ndër shekuj, ndonëse në vend të huaj, ruajnë gjuhën shqipe dhe traditat e të parëve. Me pasionin për muzikën, vallet popullore dhe traditat e të parëve të tyre, shoqëruar me instrumentat muzikorë fizarmonikë, kitarë e dajre, kënduan shqip, në kor, këngë patriotike, një ninullë, këngë dasme për martesën e vajzës, Himnin kombëtar dhe dedikim për Burrelin këngën aq të njohur “Shqipëri, o nëna ime”.
Programi artistik i këtij grupi arbëresh risolli në kujtesën e spektatorëve matjanë këngën për Morenë e bukur, por të largët, si një përshendetje për tokën e të parëve të tyre, motivet e motrës së martuar larg, besën e Kostandinit që nuk e treti as dheu, largimin e arbërve nga Atdheu përmes detit të trazuar etj. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore ata mbajnë gjallë gjuhën, këngën, vallet, ritet dhe traditat e të parëve.
• • •
Festivali i Tretë i Këngës Lirike dhe Epike u shoqërua dhe me këngë e valle përshëndetëse, ku Ansambli “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova, nëpërmjet valles së spikatur koreografike, shpalosi artistikisht valltarë të talentuar me interpretim perfekt dhe solli optimizëm, ritëm, gëzim dhe duartrokitje.
Kostumet e bukura dhe të larmishme popullore të të gjitha grupeve pjesmarrëse ishin një pasuri e madhe etnografike dhe artistike. Por juria, me kryetar Dilaver Kryeziun, për shijen e hollë dhe ndjenjën estetike të zhvilluar, çmimin e kostumografisë më të mirë ua dha artistëve të Gostivarit dhe Gurit të Bardhë nga Klosi. Ndërsa për interpretime, sipas netëve konkuruese, me çmime të treta u vlerësuan këngëtarët mirditorë Marjan Lleshaj e Besim Lekgega, me këngën “Krushqit e saj 12 bajrakë” dhe grupi polifonik i Mallakastrës. Çmim të dytë morën Vera Cani e Matit me këngën “Skënderbeu te Guri i Vashës” dhe grupi folklorik i grave të Kurbinit, ndërsa çmimi i parë iu dha këngëtarëve të Gostivarit, Nebi Halili e Feti Selimi, për këngën “Hajde prej Dibre për në Tiranë” dhe Ansamblit “Shote Galica” të Drenasit. Çmimi i karrierës shkoi për rapsodin lezhjan, Nikollë Preçi dhe iInstrumentistit popullor nga Gjilani, Murat Ferati, iu dha Çmimi “Memoria e festivalit” (pas vdekjes).
Gjatë dy netëve patëm mundësinë të shohim në skenë vlerat e mirëfillta të folklorit tonë burimor të të gjitha llojeve, artistë popullorë, instumentistë dhe rapsodë nga Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, arbreshët e Italisë, të cilët në Mat dëshmuan përpjekjet e bartësve të kësaj pasurie artistike për të ruajtur pastër dhe të paprekur trashëgiminë e saj. Theksojmë se ky festival epik dhe lirik, me pjesmarrjen e shumë grupeve e rapsodëve nga të gjitha trevat shqiptare, është për t’u përshëndetur, përgëzuar e përkrahur. Sepse Qendra Kulturore e Bashkisë Mat, me drejtuese Denisa Vatën, e ka kthyer shikimin nga muzika popullore folklorike me këngë epike të trojeve shqiptare, që janë krijuar e kënduar shumë e shumë vite më parë, por që i kanë rezistuar kohës e janë trashëguar. Prandaj muzika jonë folklorike dhe popullore duhen ruajtur e transmetuar më tej.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PISA 2022

PISA 2022 Nga Xhelal Zejneli Hulumtimi PISA 2022 është cikli i tetë i hulumtimit PISA në të cilin…