HARILLA KOҪI: KARTOLINA E PARË E SHPALLJES SË PAVARËSISË NË VLORË, MË 28. XI. 1912

(Pashtriku.org, 08. 12. 2012) – Fotoja që shoqëron këtë shkrim, është e rrallë dhe, ndoshta e pabotuar më parë. Ajo fikson një pikturë, të shndërruar më pas në një kartolinë, ku fiksohet momenti kur Ismail Qemali, nga ballkoni i sarajeve të Vlorajve, njofton popullin për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë dhe më pas ngre Flamurin e Skënderbeut.
Nuk dihet se cili është autori i kësaj pikture, ai mbetet anonim. Por, ajo që është thelbësore, lidhet me faktin se, ky punim është i pari dhe i vetmi që fikson momentin e ngritjes së Flamurit në 28 Nëntor të vitit 1912. Kjo edhe për faktin se, fotoja zyrtare e ngritjes së Flamurit, është realizuar vetëm një vit më pas në ballkonin e godinës-seli të Qeverisë së Pavarësisë, atje ku sot është Muzeu që evokon këtë ngjarje madhore në historinë e vendit dhe të gjithë shqiptarëve. Në këtë këndvështrim, sipas studiuesit Fahri Shaska, kjo pikturë ka vlera të jashtëzakonshme.
Në këtë pikturë, me autor anonim, Ismail Qemali, është fiksuar në ballkonin e shtëpisë ku u ngrit Flamuri, mes përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve fetare, ndërkohë që i drejtohet popullit në shesh, duke përshëndetur.

Kartolina ku fikson momentin e ngritjes së Flamurit, në 28 Nëntor të vitit 1912

Në njerën dorë mban letrën me fjalimin e përgatitur me këtë rast dhe me tjetrën, duke qenë i përkulur, ai u drejtohet të pranishmëve në shesh. Prania në ballkon e përfaqësuesve të tre komuniteteve fetare, reflekton bashkëjetesën fetare model, që shfaqet në unitet në një moment madhor për fatet e Shqipërisë.
Ndërkohë, Flamuri Kuq e Zi, mbulon një pjesë të ballkonit dhe të vetë protagonistëve të këtij çasti të jashtëzakonshëm, ndërsa mbetet elementi i dytë i rëndësishëm bashkë me figurën e Ismail Qemalit.
Studiuesi, Fahri Shaska, që e bën publike këtë foto-kartolinë, përmes ATSH-së, thotë se ajo është prodhuar në vitin 1913.
“Është kartolina e parë e botuar pas Shpalljes së Pavarësisë, duke patur si përmbajtje një pikturë domethënëse, të jashtëzakonshme nga vlerat, me një autor që nuk është zbuluar asnjëherë”, shprehet Shaska. Ai tregon se, kjo kartolinë i është dhuruar atij nga arkiva personale e Faik Kreshpës, djaloshit telegrafist që njoftoi ndërkombëtarët për Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me të cilin ka lidhje të afërta familjare.
Kreshpa, një nga protagonistët e Pavarësisë, i cili mori tekstin e njoftimit të saj nga Ismail Qemali dhe ja përcolli botës mbarë, mësohet të ketë pasur një arkivë të pasur, ku përfshihej edhe kartolina e parë e pas Shpalljes së Pavarësisë. Ajo vjen sot, për herë të parë për publikun (Shaska thotë se nuk është botuar asnjëherë), duke fiksuar momentin më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, atë të Pavarësisë në 28 Nëntor të vitit 1912.
Pak histori
Godina ku u zhvillua Kuvendi Kombëtar, ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe patrioti Ismail Qemali. Këto saraje, të përbëra nga dy godina madhështore, pronë e Xhemil Beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit, ndodheshin në vendin ku sot është Sheshi i Flamurit, ose më saktë në pjesën ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e madhe.
Kuvendi u mblodh në pjesën e sarajeve, që emërtohej ndryshe “selamllëku”, që ishte edhe godina më e madhe që sot përkon me pozicionin karshi hotel Sazanit. Sipas historianit Bardhosh Gaçe, ngritja e flamurit u realizua në dy kohë; fillimisht në ballkonin e katit të dytë, që ishte njëkohësisht edhe hyrja për në godinë dhe, më pas, në një nga dritaret e të njëjtit kat. Madje, kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet Shtiza e Flamurit.
Nga ky akt, nuk pati fotografi, sepse mungonin fotografët e kohës. Por, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali, në ballkon, u realizua një viti më pas, në 28 nëntor të vitit 1913, në godinën ku u vendos Qeveria e Përkohshme, në skelë, aty ku ndodhet sot, Muzeu i Pavarësisë. Kjo foto, u realizua nga Marubi i famshëm i Shkodrës. Sarajet e Vlorajve, kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur ato u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e Flamurit. Pinjollët e familjes së famshme, u zhvendosën në godina të tjera.

===========================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

SARAJET E VLORAJVE, KU U MBAJT KUVENDI I PAVARËSISË

DHE U NGRIT FLAMURI YNË KOMBËTAR

Kartolina e parë e Pavarësisë, që përshkruhet nga Harilla Koçi, megjithatë është publikuar për herë të parë në ballinë të gazetës “Liri e Cqiperise”, që botohej dy herë në muaj në Sofje – nga intelektuali Kristo Luarasi.

Shikoni ballinën e gazetës “Liri e Cqiperise”.

*   *   *

Ngritja e Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor 192, që shënoi dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë Etnik (në katër vilajetet shqiptare), u ngrit në shtëpitë e familjes së madhe Vlora. Ato ishin shtëpitë e Xhemil Bej Vlorës, kushëririt të Ismail Qemalit dhe ndodheshin në hapësirën ku sot është Sheshi i Flamurit, aty ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë (i inauguruar në vitin 1972) dhe ku përreth shtrihet lulishtja e madhe dhe memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit – vepra këto që u përjetësuan nga skulptori ynë i shquar Odhise Paskali dhe u inauguruan më 28 Nëntor 1932. Këto shtëpi asokohe quheshin saraje, dhe sarajet e kësaj familje kishin dy godina (ndërtesa) të mëdha. Godina ku u mblodh Kuvendi dhe më pas u ngrit flamuri quhej Selamllëk (dhoma e burrave).

Foto e sarajit të Xhemil bej Vlorës, ku u mbajt Kuvendi i Vlorës

dhe u ngrit flamuri ynë kombëtar (më 28 nëntor 1912)

………………………………………………..

Si i përshkruan Eqrem bej Vlora këto saraje?
Eqrem bej Vlora në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925” thotë se: Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Ndërtesa ka pasur 3 kate me shumë dhoma, korridore e ambiente të tjera. Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe në foto duken vetëm 6 dritare. Ndërkaq dritaret e katit të dytë (në anën e majtë) janë 7 copë, të cilat duken në disa formate jo të rregullta. Dritarja ku u shpalos Flamuri më 28 nëntor 1912 është në derë, dhe përpara duken shkallët që të çojnë drejt kësaj hyrje. Në katin e tretë duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark, dhe shquhen rreth 8 të tilla në krahun e majtë, ndërsa në krahun e djathtë duken 3 të tilla të vogla dhe një e madhe. Eqrem bje Vlora, shkruan se – kjo ishte shtëpia e Xhemil Bej Vlorës. Kjo shtëpi historike u shemb në vitin 1925, ndërsa Pinjollët e familjes Vlora u zhvendosën në godina të tjera. Syrja Beu (babai i Eqerem Bej Vlorës), u vendos në godinën që sot emërtohet “Shtëpia e Beut”, ndërsa Siri Beu u zhvendos në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot ndodhet njëra prej vilave të shkatërruara të ish-udhëheqjes komuniste.

Shtëpia ku u vendos Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, (në skelë), ku sot ndodhet Muzeu i Pavarësisë.

…………………………………………

FOTOJA E 28 NËNTORIT 1913!
Me të drejt konstaton Harilla Koçit, se, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali në ballkon nuk është e 28 nëntorit 1912, por e 28 nëntorit të vitit 1913, pikërisht në shtëpinë ku u vendos Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, aty ku sot ndodhet Muzeu i Pavarësisë. Dhe këtë foto e ka bërë fotografi ynë i shquar Marubi nga Shkodra, i cili mori pjesë në përvjetorin e Pavarsësisë së Shqiprisë.

===================================
(Përgatiti: Sheradin Berisha, kryeredaktor i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura