HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (14)

PJESA E DYTË – RRETH E PËR LNÇKVSHJ-në DHE KOMITETIN

Letër e Jusuf Gërvallës për veprimtarin Nazmi Selmanaj

TË PUNOJMË ME NDËRGJEGJE PËR ZGJIMIN E PLOTË TË SHQIPTARIT TË ROBËRUAR

„Armiku ynë ka përdorur mjete tinëzare: postin dhe paranë.“ – Jusuf Gërvalla, (1945 – 1982)

I dashur shok Nazmi!

Është hera e dytë që po më gëzon me një letër të mirë. Gatishmëria jote për t’iu kushtuar me gjithë qenien, ashtu si i ka hije një burri shqiptar dhe një intelektuali përparimtar, çështjes së atdheut, s’ka si mos të çmohet. Natyrisht, ky është një obligim për përmbushjen e të cilit duhet të jetë i gatshëm çdo shqiptar. Por, ne jemi të vetëdijshëm se vitet 70 – vjeçare të Jugosllavisë për shkatërrimin e popullit shqiptar, duke mos ia dalë ta arrijnë efektin e plotë, megjithatë e kanë ushtruar një efekt të padëshirueshëm për ne – apatinë dhe topitjen e një pjese të madhe të njerëzve tanë. Prandaj, gatishmëria jote dhe e shokëve të ngjashëm duhet çmuar si virtyt dhe jo të shikohet vetëm si gatishmëri për ta çuar në vend obligimin.

Por, lufta që na mbetet ne në fazën e tashme për çlirim nacional e social nga Jugosllavia, pa dyshim, duhet të jetë luftë që klasën punëtore dhe fshatarësinë shqiptare t’i zgjojmë nga apatia e përmendur dhe t’i bëjmë të vetëdijshme për obligimin e shenjtë që kanë ndaj atdheut. Më duket se, në thjeshtësinë e vet të madhe, kjo çështje për ne është bërë gjëja më e ndërlikuar. Populli ynë, siç dëshmon historia, është një popull trim, që atdheut i ka dalë borxhit kurdoherë, duke luftuar me armiq shumë herë më të fortë.

Ky popull sot nuk po lëviz.

Arsye?

Të jetë frika arsye?

Ne e dimë se populli ynë është ndeshur edhe më herët me të njëjtin armik. Gjithmonë, me armë më të dobëta, kundër forcave çetnike, e në fund edhe kundër të ashtuquajturave forca „komuniste“ të PKJ-së, populli ynë, i ka dalë të sigurojë superioritete lufte.

Cila të jetë, pra, arsyeja e vërtetë?

Njeriu mund të thotë: Në mos qoftë frika, atëherë duhet të jetë ndonjë ftohje si rezultat i ftohjes së motivit për dashurinë ndaj atdheut. Mua më duket se as kjo nuk është arsyeja. Motivi i dashurisë ndaj atdheut është i rrënjosur tek të gjithë popujt, madje edhe te ata më të civilizuarit, sado që, siç e dimë, sa më e lartë të jetë shkalla e civilizimit, aq më shumë dobësohet intensiteti i motivit të dashurisë. Këtë mendim ma përkrahin luftërat e sotme në të gjitha frontet, luftëra në të cilat popujt e shumtë, sidomos të civilizuarit, janë kapur fort për motivin atdhedashës dhe nuk lëshojnë pe, edhe me kusht që të shkaktohet lufta e madhe, e Treta, në të cilën ka mundësi të shkatërrohet një pjesë e madhe e njerëzimit.

Armiku ynë ka përdorur mjete tinëzare:

– postin dhe

– paranë.

Te popujt e shtruar në një mënyrë a në një tjetër, këto mjete kurdoherë e kanë bërë efektin e vet shkatërrues. Të kombinuara me terrorin politik dhe me zhvendosjen e vlerave të vërteta e zëvendësimin e tyre me kuazi vlera, posti dhe paraja, në dekorin e errësirës, të skamjes e të analfabetizmit të deridjeshëm, kanë shkaktuar apatinë dhe topitjen, të përmendura më lart. Më duket se ky mund të jetë një lloj emëruesi për gjendjen tonë.

Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm, në anën tjetër, se populli ynë, shumica dërmuese e tij, nuk është i kënaqur. Historikisht, lëvizja e popujve përgatitet ngadalë. Deri në momentin që në mendjen kolektive të popullit të mos jetë kristalizuar ideja e interesit të përgjithshëm, populli paraqet një masë në dukje amorfe, po me një mundësi të brendshme shpërthimi, siç është ajo e vullkanit. Ç’na mbetet neve: T’ia kristalizojmë atij idenë e interesit.

Një fjalë goje! Por, kjo është thjeshtësia e madhe, e cila është ndërlikuar deri në absurditet. Ne, mendoj unë, duhet ta kemi durimin e vektares së mirë. I janë lidhur nyje ind e tymën; nuk tmerrohet, nuk rrëmbehet nga nervozizmi, që duket i arsyeshëm në atë situatë, por, dalëngadalë, nyjë pas nyje, e bie vekun në gjendje të rregullt pune. Pastaj, meqë është mjeshtër, drugëza e saj do të punojë me rregullsim dhe me shpejtësinë e saj karakteristike. Edhe ne i kemi me vek, me ind e tymën, me shpatëza e drugëza e me bosht. Jemi bij të një populli të shkelur e të shumëvuajtur, i cili, pikërisht në çastet kur është dukur se do të japë shpirt, ka gjetur burime, që ia kanë shumëfishuar fuqinë dhe është vënë në lëvizje?!

S’do mend se, po punuam me ndërgjegje për zgjimin e plotë të shqiptarit të robëruar, kur të bjerë ora e revolucionit, habia jonë më e madhe do të jetë se me çfarë pasioni, me çfarë dashurie, me çfarë trimërie dhe me çfarë mjeshtërie do të punojë vetë populli ynë në luftën me armikun shekullor.

Dhe, kur të bëhemi vetë të gatshëm për flijime sa më të mëdha e për punë të palodhshme e të ndërgjegjshme, do të na dalë përpara me përshëndetje një fakt gazmor: Puna jonë nuk është në fillim. Pjesa më e madhe e nyjave të vekut është zgjidhur. Garancia më e madhe për realizimin e një revolucioni është pakënaqësia e përgjithshme. Kurse unë e ti me shokë kemi pasur pa numër raste të bindemi për pakënaqësinë e madhe të popullit tonë me gjendjen ekzistuese.

Të uroj, pra, durim sa më të madh dhe punë të palodhshme!

Të fala vëllazërore

Jusuf Gërvalla

Ludwigsburg, prill 1980

Faksimil i Letrës së Jusuf Gërvallës për Nazmi Selmanajn

Ludwigsburg (Gjermani) 1980:  Nga e djathta veprimtari e heroi Jusuf Gërvalla (afër tij, vajza e Jusufit – Donika) ndërsa nga e majta bashkëveprimtari Nazmi Selmanaj.

***

Fragmente nga biografia e shkurtër e Nimon Mustafës

Nimoni lindi më 5. 8. 1938 në fshatin Gllogjan të Deçanit. Rrjedh nga një familje e njohur patriotike dhe e respektuar në Gllogjan e më gjerë. Kjo familje ka pasur gjithmonë pasion punën, urtinë, dashurinë ndaj të tjerëve, ndihmën, por edhe shumë e ashpër kundër armiqve të popullit shqiptar. Kjo familje ka pasur një parim, të cilin e ka respektuar – të përkrahë të mirën dhe të luftojë të keqen…

… Familja Mustafaj me familjen Gërvalla njihen shumë mirë para më shumë se 50 vjetësh. Aso kohe lidhet miqësia Mustafaj – Gërvalla dhe Hasan Mustafaj bëhet dhëndërr i familjes Gërvalla. Më vonë përtërihet miqësia dhe tani Bardhosh Gërvalla (vëllai i Jusufit) martohet me vajzën e Haxhi Mustafajt. Miqësia e dyfishtë flet shumë për lidhjet e forta në çdo aspekt midis këtyre familjeve…

…Një kohë Jusufi punon në Prishtinë si gazetar i “Rilindjes” dhe bashkë me familjen e ngushtë banonte në Prishtinë. Në banesën e Jusufit filluan kontaktet e para për të vazhduar kontaktet e tjera në Dubovik e Gllogjan. Në këto takime, ne të dy bisedonim për gjendjen e vështirë ekonomike e posaçërisht atë politike të popullit shqiptar në Kosovë, po edhe në viset ku jetonin shqiptarët në ish – Jugosllavi. Jusufi pas analizës së situatës politike jepte edhe alternativë se si të dilet nga kjo situatë.

Prej të gjitha takimeve që i patëm rëndësi të veçantë ka takimi në Gllogjan në kullën e Mustafajve ku ishin të pranishëm Jusufi, hoxhë hafëz Idriz Dermaku nga Vitia (punonte në vakëf në Gjakovë si hoxhë), ndërsa nga Gllogjani unë me Islamin nga Mustafaj dhe baba i Nazmi Selmanit (Muhamet Alia). Në takim ishte edhe Ismail Haradinaj, më vonë kryetar i “Komitetit”. Me gjasë, hafëz Idrizi e ka njohur edhe më herët Jusufin. U bisedua gjatë tërë natës për situatën e vështirë politike të popullit shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera ku jetonin. Protagonistët kryesor të këtij takimi ishin Jusufi dhe hafëz Idrizi të cilët në mënyrë profesionale dhe shkencore e vlerësuan situaten dhe japin alternativa konkrete për të ardhmen. Pas këtij tubimi në Gllogjan vazhdoj me aktivitete të tjera. Bisedës i kontribuuan edhe Smaili, Muhameti dhe unë…

***

Pjesë nga rrëfimi autobiografik i Nimon Mustafës –  pjesë e arkivit familjar.

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura