HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (9)

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (9)

GRUPI   „SHQIPONJA”

Ngjitet Velës varg përpjetë

Qeta e vogël me pesë vetë

Të gjithë petrita, djem të lehtë.

Ndonëse nxënës të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, kur e formuan grupin, ndoshta as që kishin dëgjuar për poemën “Heronjtë e Vigut” të Kolë Jakovës, e cila fillon me vargjet e mësipërme. Pra, numri i të rinjve që u përcaktuan për ta dhënë ndihmën e tyre, qoftë ajo edhe modeste, kanë menduar ata, për lirinë e Kosovës, përputhet “aksidenti” me pesëshen e paharrueshme që e përjetësoi poeti.

Në muajin e shkurtër, që nuk e di se a i ka pasur 28 apo 29 ditë, të vitit 1980, të rinjtë: Nasim Haradinaj, Rasim Selmanaj, Sokol Mustafaj, Mustafë Bajramaj dhe Rexhep Mehmetaj, në një mal afër fshatit të tyre e formuan grupin “Shqiponja”. Ata i caktuan edhe pseudonimet, të cilat po i jap sipas radhitjes së emrave: Murtaja, Kushtrimi, Vetëtima, Shkreptima dhe Ylli. Gllogjanasve të mësipërm iu bashkohen më vonë edhe Ali Selmanaj dhe Islam Mustafaj. Ndërkohë, grupit i bashkohen edhe Ramë Hasanmetaj nga Strellci i Epërm, Haxhë Qestaj nga Juniku dhe Selim Bozhdaraj nga Carrabregu i Epërm. Pas disa muajsh, pasi e kishin kryer aksionin – bustin e Petar Perles – emrin e të cilit e mbante shkolla fillore në Irzniq, e kishin hequr nga oborri i shkollës dhe të shkërmoqur e “rivarrosen” në mal mes Gllogjanit e Ratishit – Isa Hasanaj nga Rakoci, Bajram Mehmetaj dhe Shaqë Qerimaj nga Gllogjani i bashkohen grupit “Shqiponja.”  Veprimtarët e quajnë veten herë grup e herë organizatë, dhe kjo nuk është aspak e rëndësishme, sepse, përveç të tjerave, ata e theksojnë se veprimtaria e tyre ishte “në përputhshmëri programore me politikën e “Komitetit të Vendit.”  (Me të mësipërmet sqarohen të gjitha).

Ndërkaq, nuk mund të mos kthehem pak prapa: Në gjysmën e dytë të ’79-s “Ylli” i Shqipërisë i bëri një analizë eksploatimit të pasurive të Kosovës, sidomos asaj minerare, nga Federata Jugosllave dhe Republika e Serbisë. ”Akuzës” së Tiranës iu kundërvu “Nini” i Beogradit, sipas së cilës më tepër se akuzë, prandaj e vura nën thonjëza, sepse ishte një gënjeshtër e përtej saj ishte një atak në adresë të Jugosllavisë. Natyrisht se “Nini” e mori përgjigjen; polemika pat vazhduar disa javë. Tekstin e “Yllit” e transmetonte edhe Radio – Kukësi me qëllim që populli shqiptar në Kosovë e në vise të tjera etnike, që jetonte brenda kufijve të Jugosllavisë, të njoftohej me të vërtetën. Polemika i ngriti edhe më lart ndjenjat kombëtare të rinisë, prandaj, përveçse në vise të tjera, edhe në Pejë e Istog disa objekte publike u stolisën me parullën  “Nini rren, Ylli s’rren”.  Në këtë aspekt edhe Deçani nuk qe kursyer; në muret e ambulancës dhe jo vetëm aty, ai tekst u shkrua me shkronja të mëdha.

Ndonëse e kam theksuar edhe më lart, duhet ta përsëris se në vjeshtën e ’79-s Titoja u prit dhe u përcoll nga LNÇKVSHJ-ja siç e meritonte. E priti dhe e përcolli, por edhe e pagoi tagrin: u arrestuan veprimtarët e saj anekënd Kosovës, pra edhe Hysen Gërvalla. I sapocekuri i kishte vënë disa kontakte me disa të rinj, të cilët ishin njëkohësisht nxënës të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Ndër ta duhet përmendur Haxhi Berishën, Malë Morinën, Ahmet Mahmutajn, Isuf Ukëhaxhajn e ndonjë tjetër. Pra, këta janë veprimtarët që e zhvilluan veprimtarinë e cekur më lart. Në rrethanat e krijuara, Jusuf Gërvallës i kishin mbetur dy rrugë – të arratisej ose të përgatitej për pranga. I bindur se kauzës kombëtare do t’i kontribuojë më shumë, qoftë edhe nga mërgimi, sesa prapa grilave, e zgjodhi të parën. 

Por, nëse aparati i Sigurimit shtetëror mendonte se e kishte qetësuar gjendjen, pra, se e kishte pastruar “grurin nga egjra”, sërish ishte mashtruar. Ishte mashtruar, sepse në Pranverën e ’80-s, siç është  shtjelluar në kapitullin përkatës, qe formuar “Komiteti i Deçanit” dhe grupi “Shqiponja”. Prandaj, këtu duhet theksuar se nga vjeshta e atij viti veprimtaria është zhvilluar si në rrafshin politik, pra në përpjekjet e mëtejshme për zgjerimin e Lëvizjes me anëtarë të rinj, ashtu edhe për organizimin dhe realizimin e aksioneve konkrete. Pra, veprimtaria e të dy strukturave nuk mund të zhvillohej ndryshe përveçse e gërshetuar… Ato ishin dy anët e një medaljeje. 

Tani po vazhdoj me “Shqiponjën”: Meqë shumica e anëtarëve të saj ishin nxënës të Gjimnazit, në nëntorin e tetëdhjetës në muret e klasave dhe të korridoreve i shkruan disa parulla, ndonjë nga të cilat po i përmend edhe këtu: “Rroftë PPSH!”, “Poshtë revizionizmi!”, “Enver Hoxha!”… Po, si të mos i shkruanin të mësipërmet kur e lexonin nr. 2 të “Lajmëtarit”, në  njërën nga faqet e të cilit thuhej: “Ne shqiptarët e shkëputur me dhunë nga trungu i atdheut tonë të shenjtë, që dhuna na mbërtheu brenda kufijve politikë të Jugosllavisë e ndjekim krenar çdo hap të Shqipërisë mëmë në forcimin dhe përparimin e atdheut… Të nxirret pjesa e robëruar e tokave dhe e popullit shqiptar nga kthetrat e përgjakshme të socialshovinistëve titistë dhe të çohet në vend vullneti i nëpërkëmbur i popullit tonë të shumëvuajtur: Bashkimi me vendin amë është e drejtë historike që iu mohua – po pa iu çrrënjosur  kurrë popullit tonë të vënë me shekuj përballë padrejtësive të mëdha historike.”  Pra, nuk kishte si të mos grisej edhe fotografia e Josipit nga veprimtarët e „Shqiponjës”…

Më 6 dhjetor 1980, në Gjykatën për Kundërvajtje në Deçan u dënova me dy muaj burg për veprimtari propaganduese, siç thuhej në aktvendimin e saj.  Rastit do t’i kthehem më poshtë, sepse e ka njëfarë parahistorie. Këtu po theksoj se disa javë më përpara, derisa ishte në shërbimin ushtarak, ishte dënuar edhe Musa Berisha nga fshati Dubovik. Ndërkaq, në ndërrimin e moteve ‘80/81, sapo ishte kthyer nga Gjermania qe arrestuar edhe Hysen Gega, në prani të familjes…  Nga procesi mësimor në Gjimnaz isha i pezulluar nga puna deri në një vendim tjetër, prandaj kontaktet me Avdullahun i mbaja përmes Faikut, djali i vëllait tim, atëherë nxënës i Gjimnazit, i cili përveçse një nga organizatorët e demonstratës së Pranverës së vitit ’82 e pjesëmarrës në ato të ‘89/90- ve, në qershorin e vitit 1998 ra dëshmor në betejën e Carrabregut. Debatet rreth pezullimit tim nga procesi mësimor në gjimnazin „Vëllezërit Frashëri“ i trajton edhe kolegu e shoku im, shkrimtari Hajdar Salihu në romanin „Udha e ditës së nesërme“, ndonëse realiteti rreth dënimit dhe pezullimit tim, është pak më ndryshe.

Arrestimin dhe dënimin që ma shqiptoi Gjykata për Kundërvajtje në Deçan – dy muaj heqje lirie, Drejtoria e Gjimnazit, respektivisht kreu i LKJ-së e kishte ftuar aktivin e mësimdhënësve të lëndës gjuhë e letërsi shqipe për t’i njoftuar dhe për të më vlerësuar si të papërshtatshëm politikisht. Pse? Ngase nxënësve u kisha folur për romanin „Dasma“ të Ismail Kadaresë, ndonëse nuk ishte në plan-program. Së pari, gënjeshtër e paskrupull në “katror”, sepse për çka isha dënuar është thënë më lart, së dyti, u ishte thënë kolegëve se jam dënuar 30 ditë burg. Këtu po shfrytëzoj rastin t’i falënderoj ata kolegë që ishin aty dhe duke më mbrojtur mua mbrojtën etikën e arsimtarit, ndërsa për ndonjërin prej tyre, që ishte shprehur pro vlerësimit të Drejtorisë, le t’i ndëshkojë ndërgjegjja e tyre… 

 „…  Një e vërtetë e para njëmbëdhjetë vjetësh. Ishte tetori i vitit 1979. Herën e dytë kam qëndruar më gjatë në atë zyrë dhe, ndryshe nga e para, tash nuk isha vetëm. Ishin edhe shumica e kolegëve të letërsisë. Na kishte ftuar zëvendësdrejtori M. Drejtori dukej se ishte plakur shpejt kohëve të fundit dhe gati se nuk pyetej për asgjë. Zëvendësi na e lexoi me një kënaqësi të çuditshme Vendimin e Gjykatës për Kundërvajtje të Komunës, sipas të cilit, me tridhjetë ditë burg ishte dënuar kolegu ynë H. për arsye se e kishte përmendur para nxënësve romanin “Dasma” të Ismai Kadares, pa e pasur atë në plan – programin mësimor. Romani “Dasma” nuk është libër i ndaluar, foli kolegu E. Ju, mbase e dini se është botuar e ribotuar në të vetmen shtëpi tonën botuese. Në vend të përgjigjes, zëvendësdrejtori ia tregoi Vendimin e Gjykatës. Ishte gjest cinik dhe tepër i pafytyrë. Pavarësisht prej atij Vendimi, u nxeh kolegu E. Tridhjetë ditë burgim duhet të mbështetet në fakte dhe në logjikë. Zëvendësdrejtori tha se kjo nuk ishte punë e tij.

U bë një si heshtje. Njëri nga kolegët, e që tash nuk më kujtohet, u përpoq ta sqaronte se si “Dasma” ndër gjithë veprat e Kadaresë, ishte romani më apolitik, sidomos sa i përket raportit me vendin tonë. U pa se bëri efekt të kundërt nga reflektimi i syzeve të zëvendësdrejtorit. Vetëm kur shtoi se, sidoqoftë, programet dhe planet mësimore nuk duhet kuptuar ashtu, pra në mënyrë dogmatike, u duk sikur e zbuti efektin e padëshirueshëm, me gjithë faktin se edhe ai vetë bashkë me mendimet e shprehura mbetën si të varur. Nëse në program është paraparë “Kështjella” mori guximin një tjetër, nuk ka krisur hataja, nëse kolegu ynë e ka përmendur edhe “Dasmën” e të njëjtit autor. Megjithatë, plan programi duhet respektuar, u dëgjua një zë si i frikësuar dhe, që të mos e lëshoja bisedën të merrte kahe të padëshirueshme, iu drejtova zëvendësdrejtorit. E ka lexuar, shoku zëvendës, ai gjykatësi, “Dasmën” e Ismail Kadaresë? Urdhëroni!- tha i zënë ngushtë. T’ua them unë, i fola i bindur se po e goditja: gjykatësi i nderuar, Vendimin e të cilit e lexuat pak më parë, as që e ka pasur atë libër në dorë. T’u them edhe këtë, e ndërpreva, tek po bëhej gati të fliste. Kjo e keqe ka filluar pikërisht këtu, në këtë shkollë dhe, Vendimin të cilin ia treguat më parë kolegut thua se ishte urdhër profetik, nuk është veçse produkt i stërkequr i kësaj të keqeje. Ju jeni që ta shqyrtoni Vendimin; sikur shprehu pajtueshmëri me ato që ia kisha thënë. Ne nuk jemi avokatë, foli kolegu dhe kolegia e vetme mes nesh. Edhe është tejet e pandershme, vazhdoi përmes një skuqjeje, të na impononi që ne të pajtohemi me burgimin që e parasheh ai Vendim. Askush nuk jua kërkon këtë. Foli ftohtë zëvendësdrejtori. Pse na keni thirrur atëherë, reagoi ashpër kolegia H. Sipas kësaj, ndërhyri sërish kolegu E. Unë i paskam fituar jo tridhjetë po treqind ditë burg, në mos më tepër! Pse, pyeti zëvendësdrejtori përmes një përpjekje për të qeshur e që nuk doli veçse një zgjerim horizontal i gojës. Sepse, u sqarua tjetri, për çdo muaj e marr „Nëntorin“, kuptohet të parapaguar, nëse e keni në dijeni për cilën revistë është fjala. Zëvendësdrejtori, thua se fjalët nuk i ishin drejtuar atij, shënoi diçka në bllokun e shënimeve. Dënimi ka për bazë denoncimin, foli përsëri kolegia H. Është tejet antihumane që nxënësit të keqpërdoren në këtë mënyrë. Nuk po ju kuptoj, u shtir zëvendësdrejtori. Që ta kurseja të vetmen femër në atë mes, e pyeta: në çfarë burimesh mbështetet Vendimi, shoku zëvendës? Koka iu drejtua nga unë si e një qenieje që drejtohet pas zhurmave: Ju po e mbroni, tha përmes vezullimit të errët të syzave, të cilin kisha filluar të mos e duroja. E mbrojmë etikën tonë, fola prerazi. Ne kërkuam vetëm mendimin tuaj profesional, tha i ndryshuar përnjëherësh. Besoj se edhe e keni marrë, i thashë dhe u nisa kah dera. Ishte, në mos gabohem sa i përket muajit, dhjetor i vitit 1980…  Ky fragment i këtij romani është shkëputur me qëllim që lexuesit t’i bëhet me dije e vërteta e atij rasti. Për shkak se në roman, edhe pse përshkruhet në mënyrë ekselente në aspektin artistik dhe letrar, ai rast, dhe se autori e ka futur këtu edhe imagjinatën e shkrimtarit, pasi kjo edhe tolerohet në letërsi, domethënë saga e romanit nuk përputhet me aktvendimin e Gjykatës së Deçanit, pasi që jam dënuar për veprimtari propaganduese dhe jo për romanin “Dasma”.

Ndoshta, pas një jave Ismaili më vizitoi, natyrisht pasi kishte rënë terri. Në bisedë me vëllanë, në prani të Faikut e të Dërvishit, i cili ende nuk ishte kthyer në Prishtinë për t’i vazhduar ligjëratat e semestrit që sapo kishte filluar, iu qas kauzës kombëtare në vija të përgjithshme, e vizitën ia adresoi edhe shoqërisë që e patëm kultivuar në vitet kur punoja në shkollën fillore  “Drita” të Gramaçelit. Nga fundi i muajit shkurt e mbajtëm në Gjakovë  mbledhjen e katërt të Komitetit e që mbeti e fundit, sepse shpërthyen demonstratat anekënd Kosovës. Ismailit e Avdullahut (Dritën nuk arritëm ta lajmërojmë), ua rezymova dy shtyllat rreth të cilave silleshin hetuesit. Mësimdhënia, harku i së cilës ngërthente tema të hartimit, veprat që ua kërkoja nxënësve për t’i lexuar dhe në mënyrë të veçantë vizita në Shqipër, që e pata realizuar në marsin e ’79-s. Pas analizës që i bëmë veprimtarisë sonë nga mbledhja e tretë, për t’i kryer sa më mire punët, vendosëm që Avdullahu të udhëtojë për në Gjermani për të marrë sugjerime të reja nga Jusufi, natyrisht, duke e njoftuar edhe për të arriturat tona. Shpërthimi i demonstratave ishte shkaku kryesor, që nuk arritëm ta realizojmë atë që e vendosëm.

Siç e thashë, në kapitullin pararendës, kur u ktheva nga Prishtina më 4 prill, vëllanë e gjeta në dhomën e pritjes para ekranit të tv-së. Pyetjes si kalove, pas përgjigjes sime, ia shtoi “akuzën” që e shprehi me fjalën popullore – “nuk po të pret sakica në një vend” dhe vazhdoi: “Shkove për një natë e u bënë katra!”. Edhe unë “për t’u arsyetuar”, iu përgjigja me një nga të artat e popullit tone: “Njeriu e di kur shkon e nuk e di kur kthehet.” S’ishte vështirë që ta kuptoj se vëllai dëshironte që sa më shpejt t’i ”zbrazi xhepat”; prandaj edhe unë ia radhita të gjitha.

Pamja e Faikut më dha të kuptoj se diçka kishte ndodhur, prandaj nuk u përmbajta pa e pyetur se a kishte diçka të re. Pyetja e ngushtoi, megjithatë, pas një hezitimi, që nuk ishte as i shkurtër e as i gjatë, më tha se Ismailin e kanë arrestuar. U përpoqa që të mos e shpreh atë që e ndjeja, andaj e pyeta i qetë në dukje se nga e kishte marrë vesh. – Një shok klase nga Gllogjani – m’u përgjigj. Meqë nuk flisja, edhe të tjerët heshtnin. Më në fund, vëllai e theu akullin: Po e parafrazoj: se qysh je sjell në Gjimnaz dhjetë vjet e dinë miq e armiq, prandaj askush s’u çudit kur të morën para tre muajve, sidomos kur shkove në Shqipëri pa e pyetur askënd. Dikush ka thënë se “mjaft i ka shkuar kungulli mbi ujë”. Po sonte po kuptoj se paska diçka përtej atyre që i dinë të gjithë. Po kjo çka ndodhi në këtë pranverë nuk e di se kush mund të thotë se e ka pritur. Po e vras mendjen se çka do të ndodhë tash e mbas; por nëse vazhdon gjendja, ne, siç thotë populli, “as i pari se ndoshta s’ia kemi anën e as i mbrami”. Në këtë pozicionin e dytë donte të thoshte në asnjë mënyrë, u ndal për të kuptuar se e kisha radhën.

Se kishte diçka përtej atyre që i dinë të gjithë, ia mohova me arsyetimin se Ismaili ishte atdhetar i rrallë, e admironte skajshmërisht edhe Shqipërinë e ditëve tona, aq sa i urrente armiqtë – pushtuesit e trojeve tona dhe tradhtarët e vendit. Ishte edhe arsimtar i përpiktë, prandaj mbetëm shokë edhe pasi u largova nga ajo vatër mësimi ku punuam së bashku.

Arrestimi i Ismailit ishte një goditje jo vetëm për Komitetin e Deçanit, por për tërë organizatën, LNÇKVSHJ-në, sepse ishte edhe koordinatori i “celulave” të saj. Prandaj, në rrethanat që u krijuan, mungesa e tij ishte e pakompensueshme. Megjithatë, përpjekjet për organizimin e një demonstrate në Komunën e Deçanit nuk u ndërprenë. Pas dy ditësh, pasi kishte rënë terri, në derën e katit të shtëpisë sonë dikush trokiste. Mendja si vetëtima… Doli Faiku. Kur u kthye më tha se po të kërkon Nasim Haradinaj, një tjetër në rrugë pranë automobilit nuk e njoha… Baca Hasan, na duhet makina e shkrimit. – Pas pesë minutave ta sjell Faiku… E dija se çdo të ndërmerrej; duhej që populli të thirrej edhe një herë në demonstratë. Kur u ktheva në dhomë, vëllai më pyeti: – Çka ka të re?! – Asgjë më shumë përtej atyre për të cilat biseduam gati gjatë tërë natës kur u ktheva prej Prishtinës… Edhe dy -tre rreshta më duhet t’i vazhdoj për makinën e shkrimit: Nasimi ma ktheu pas pak ditësh, por pas shumë viteve më tregoi se asnjë rresht nuk e kishin shkruar me të, me qëllim që të mos më rrezikojnë.

Grupi „Shqiponja“ kishte gjetur zgjidhje tjetër: „A-ja“ e organizimit të demonstratës ishte kushtrimi, që do t’ia japë popullit. Më në fund, për t’i shkruar traktet, e kishin gjetur zgjidhjen. Mbase arsimtari i kimisë e kishte mbajtur ndonjë orë mësimi në kabinet (ndryshe s’kishin si ta dinin se aty gjendeshin dy shaptilografë). Veprimtarët e grupit vendosën që asaj teknike t’ia nxjerrin „kimetin“: Së pari, Nasim Haradinaj e kishte bindur portierin për t’ia dhënë çelësin me arsyetimin se duhej ta përgatiste një njësi mësimore edhe praktikisht. Premtimin se do t’ia kthejë pas pak kohe e kishte mbajtur, meqë u shkoi për dore që ta kopjonin. A- ja e aksionit u shkrua, por ajo i kërkonte të tjerat, prandaj po vazhdoj sipas radhitjes së tyre në alfabetin e gjuhës sonë, por me numra. Të dytën e shkruan Nasimi dhe Rasim Selmanaj, të cilët hynë në Gjimnaz dhe me çarçafë i kishin lëshuar poshtë shaptilografët. Ndërkaq, e treta u kishte rënë hise Mustafë Bajramajt dhe Faton Mehmetajt për t’i marrë dhe për t’i dërguar në automobil në rrugën sipër Gjimnazit, ku i prisnin Ali Selmanaj dhe Bajram Mehmetaj, të cilët njëkohësisht edhe vëzhgonin, detyrë që e kryenin në anën tjetër Rexhep Mehmetaj, Ibrahim Çekaj dhe Selim Bozhdaraj. U përpoqa që faktografinë ta mbështjell sadopak edhe me një tis figurativ, sepse ky aksion ishte më i ndërlikuari që grupi „Shqiponja“ e kishte kryer deri atëherë.

Siç do të shihet, veprimtarinë e mëtejshme e kanë zhvilluar në grupe – shpërndarjen e trakteve, edhe individualisht. Ali Selmanajt, si arsimtar i historisë që ishte, i kishte rënë hise që t’i shkruante tekstet e trakteve, ndërkaq shtypjen në makinë shkrimi dhe shumëzimin e tyre me shaptilografë e kishin bërë Bajram Mehmetaj, Islam Mustafaj, Nasim Haradinaj, Mustafë Bajramaj dhe Isa Jasiqi, i cili ishte hallkë e Ali Dërvishajt. „ Bunari i Fushës“ në fshatin Carrabreg ishte „Pika“, pra vendi ku veprimtarët do t’i merrnin traktet për t’i shpërndarë.

Në javën e tretë të muajit prill, Ali Selmanaj, Bajram Mehmetaj, Shaqë Qerimaj dhe Nasim Haradinaj ua kanë shpërndarë bashkëveprimtarëve Sokol Mustafajt, Ramë Hasanmetajt, Haxhë Qestajt dhe Selim Bozhdarajt jo më pak se 800 copë trakte, të cilat i kanë shpërndarë anekënd Komunës së Deçanit. Haxhë Qestaj, për ta kryer detyrën, pra shpërndarjen e trakteve në vendlindje – në Junik dhe në fshatin Pobërgjë- i ka angazhuar dy- tre shokë të besueshëm e vetë i ka shpërndarë 50 copë trakte në Drenoc. Të njëjtën punë e ka kryer edhe Ramë Hasanmetaj në Strellc të Poshtëm. Ndërkaq, në fund të prillit të njëjtit veprimtarë, që u morën me shtypjen dhe shumëzimin, i kanë përgatitur edhe 500 copë afishe me titull „Ftesë për demonstrata“! Përmes tyre u bëhej thirrje qytetarëve që më 4 maj të dalin në demonstratë në  qendër të Deçanit. 

Do t’u mbetesha borxh veprimtarëve të „Shqiponjës sikur të mos i pasqyroja edhe dy aksione të cilat ngërthejnë edhe ndonjë „mospajtim“, madje edhe „kryeneqësi“. Shkaktari, kush tjetër përveç Nasim Haradinajt, i cili gjatë shpërndarjes së afisheve në qytezën e Deçanit, pa i pyetur shokët fare, hyn në oborrin e stacionit të milicisë dhe në derën e objektit e vendos afishen… Pas kryerjes së një aksioni tjetër, veprimtarët nisen për në vendlindjen e tyre në Gllogjan. Nasimi ishte këmbëngulës që të shkojnë rrugës duke u arsyetuar se ishte mesi i natës. Ndërkaq, të tjerët mendonin se shumë më të sigurt ishin sikur të shkonin livadheve. Më në fund, ai u pajtua me shumicën. Se kishin të drejtë ata që e kundërshtonin u vërtetua pas pak kohe duke i parë automjetet e milicisë, e cila u kishte rënë në gjurmë… 

Pas njoftimit se ç’kishte ndodhur në Gjimnaz, përgjegjësit e tij i kishin njoftuar organet përkatëse, të cilat kishin shkuar në kabinetin e kimisë, pra kishin dalë në vendin e ngjarjes, siç shpreheshin me zhargonin e tyre. Pas analizave i kishin konstatuar gjurmët e këpucëve.

Megjithëse një mik i kishte lajmëruar, milicia u kishte rënë në gjurmë: “Ndërkohë u hetuam dhe në natën e 25 prillit 1981, rrëfen Islam Mustafaj, shtëpia jonë ishte rrethuar. Ata i gjetën afishet dhe shaptilografin në pjesën përdhese të kullës sime… Mua dhe vëllanë tim, Naimin, meqë edhe ai ishte i organizuar, na arrestuan.

Arrestimi i 11 veprimtarëve të grupit “Shqiponja” ka filluar në datën e cekur më lart dhe ka përfunduar më 24 korrik. 

Kapitullin po dua ta përfundoj me fillimin e tij, sepse si heronjtë e vigut edhe disa nga veprimtarët e “Shqiponjës”, meqë nuk më kujtohen emrat e të gjithëve, prandaj, për të mos i hyrë asnjërit në hak, e përdora përemrin, kur u erdhi dita, iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veprimtaria e tyre i frymëzoi të rinjët tjerë, të cilët e përkujtuan Pranverën e vitit ’81 duke organizuar një demonstrate në qendër të Deçanit. Nuk po ndalem rreth protagonistëve, disa prej të cilëve i “shijuan” prangat, respektivisht dënimet për kundërvajtje dhe largimin nga shkolla, duke ua ndërprerë perspektivën.

Siç dihet, në marsin e ’89-s, shpërthyen demonstrata anekënd Kosovës për ta mbrojtur autonominë e ’74-s, meqë pushtetarët ia dorëzuan pushtuesit, duke i pranuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat edhe ndonjë nga grigja e inteligjencies ulërinte para popullit se “Kosova jo që nuk po humb asgjë, por po fiton!” Por, rinia e Kosovës nuk i dëgjoi dërdëllitjet e tilla, prandaj u ngrit në këmbë, ndonëse duarthatë. Si në viset e tjera, edhe në Deçan u organizua një, e cila, sipas vlerësimeve, qe nga më të ashprat – në përballjen me milicinë serbe ranë katër dëshmorë. Në fund, po theksoj se atë demonstratë e organizuan ata që në Pranverën e vitit ’81 ishin fëmijë.

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (10)

DEMONSTRATAT E NJË E DY PRILLIT TË VITIT 1981 NË PRISHTINË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura