HAZIR MEHMETI: 110 VJET ‘GRAMATIKA E GJUHËS SHQIPE’ E DR.GJERGJ PEKMEZIT NË VJENË

Vjenë, 10 qershor 2018: 110 vjet nga gramatika e gjuhës shqipe e Dr. Gjergj Pekmezit, botuar në gjermanisht, Vjenë 1908, e ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek Wien) Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austriake, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit.
Shqiptarët, si popull i vogël, por me kulturë të lashtë, ishin gjithherë pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano folëse. Këtu duhet përmendur dokumentin e vjetër me fjalë të shkruara nga shqipja, fjalori i gjermanit, Arnold Von Harfit, para pesë shekujsh, i cili merret si njëri nga burimet e vjetra të gjuhës shqipe.
Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendoret ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë tonë dikur dhe në historinë tonë më të re. Këtu gjetën mundësinë e shkollimit dhe veprimit shumë nga intelektualët më zë e peshë në rrjedhat e progresit tonë shoqëror dhe në rrafshin kombëtar. Kjo lidhet detyrimisht me veprat e studiuesve vendor që dhanë një ndihmesë të madhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.
Krahas figurave madhore të kohës si, Norbert Jockli, albanolog hebre dhe Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë, të cilën e vazhduan pastaj nxënësit e Jocklit siç ishin Eqrem Çabej, Aleks Buda etj.

Faik Konica, Dr.Gjergj Pekmezi dhe Fan Noli

Dhe njëri nga veprimtarët pararendës të kësaj pa dyshim ishte Dr. Gjergj Pekmezi, me iniciativën e të cilit në Institutin e Orientalistikës së Vjenës u hap Katedra e Gjuhës Shqipe në viti 1903, njëra nga të parat në Europë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Dr. Pekmezi u dallua si ligjërues kompetent i gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës për dhjetë vjet rresht nga viti 1928 deri në vitin 1938, vit kur papritmas vdes.
Periudha e fundshekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet karakterizohet mes tjerash me botime të shumë teksteve shkollore didaktike, pedagogjike, psikologjike, hestorio -gjeografike nga shoqëritë e ngritura në shumë qendra të kohës Stamboll, Bukuresht, Vjenë, Selanik, etj. Në Vjenë qysh në vitin 1904 do botohet libri “Këndime për shkollën e parë të Shqipënisë”, një formë e veçantë e tekstit për mësim fillestar të fëmijëve në Shqipëri. Nuk ishte i lehtë botimi i teksteve në rrethanat e rënduara në vendin e pushtuar, andaj qendrat e mëdha ku vepronin intelektualë të dalluar u bënë burim i rrjedhave kulturore, letrare e shkencore. Vështirësi tjetër ishte jo unifikimi i alfabetit të shqipes, kështu tekstet, ne mesin e tyre edhe gramatikat do shkruhen sipas alfabeteve të Shoqërive të mëdha shqiptare ndër të cilat ishte Shoqëria Bashkimi.
Sipas studiuesve me parë u shkruan dhjetëra gramatika nga e të cilat në vitin 1710 në dorëshkrim e para gramatikë e gjuhës shqipe (nga studiuesi, Regjep Ismaili), kurse gramatika e parë e shqipes në italisht tre shekuj më parë nga Francesko da Leçe e botuar në Romë në vitin 1716 me titull “Osservazioi grammaticali nella lingua albanese” “Vërejtjet gramatikore në gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj”. “Periudha e Rilindjes kombëtare karakterizohet me zgjerimin e studimeve të strukturës gramatikore të shqipes nga shqiptarët. Në këtë periudhë kemi edhe botime të gramatikave nga disa autorë, Konstadin Kristoforidhi (1882), Sami Frashëri (1886), Josip De Rada 1870, 1894. Po ashtu shumë autor kombesh tjera u interesuan për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe si: Auguste Dozon (1879), Gustav Meyer (1888) etj.
Dr. Gjergj Pekmezi pas një pune të gjerë do nxjerr veprën e tij kryesore “Albanische Grammatik” (Gramatika e shqipes) në vitin 1908, akoma para unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Nga njohësit e gjuhësisë kjo vepër vlerësohet si më e arrira krahasuar me gramatikat e deritanishme para Kongresit të Manastirit e cilësuar si përshkruese e historike (Emil Lafe) Autori vë theksin në të folurit (tingujt) dhe mënyra e të mësuarit të fjalëve. Në pasuesen “qëllimi i kësaj gramatike” është “të paraqes të përbashkëtat e toskërishtes e gegërishtes” andaj konsiderohet si njëra nga gramatika më të arrira deri në botimin e saj. Teksti ka 294 faqe dhe fillon parafjalën nga autori, ku shpjegon mbi shtrirjen e trevave shqiptare duke mos harruar as arbëreshët në Itali dhe në Zarë. Problemet rreth gjuhës shqipe të kohës autori i sheh në 1) krijimi i literaturës në dy dialektet kryesore, në toskërisht dhe gegërisht dhe 2) mungesën në hulumtimet gjuhësore në Shqipërinë e Mesme ku ai e quan me rëndësi të madhe në mundësinë e gjetjeve të përbashkëtave praktike nga të dy dialektet. Ai mes tjerash shpjegon se gramatika që ai ofron ka përfshi hulumtime në theksimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve në gegërisht dhe toskërisht, elementet e përbashkëta dhe dalluese.

“Als Abbild der wirklichen Sprach Verhältnisse wird sie besondere auch beim praktischen Studium, bei der Erklärung, Wiederholung und dem zusammenfassenden Studium zugute formen“ Tek pasqyra e vërtetë e përmbajtjes gjuhësore në veçanti do të arrihet gjithashtu gjatë studimit praktik, shpjegimeve, përsëritjeve dhe përmbledhjeve nga studimet.
Siç duket nga faktet e njohura, Dr.Pekmezi kishte kontakte të vazhdueshme me Prof.Dr. Rajko Nahtigall, njëri nga figurat më të njohura të kohës në gjuhësi e filozofi, të cilin e falënderon për përkrahjen e tij në hartimin e veprës. Gramatika ndahet në dy kapituj: Kapitulli A dhe kapitullin B Kapitulli A fillon me kreun: Gjuha shqipe, dialektet e saj dhe literatura

“Gjuha shqipe është gjuha e shqiptarëve (Skiptar) të cilët janë mbi dy milion banorë”, duke shtuar shtrirjen e tyre gjeografike deri në Itali ( ½ milion në Italinë Jugore) e Zarë. Me mjeshtri hulumtuesi jep shpjegime mbi bazat e të folurit në të dy dialektet ( toskë e gegë ). Si njohës i mirë i literaturës në gjuhën shqipe autori shpjegon rreth veprave të shkruara të shumë autorëve në gjuhën e dy dialekteve si dhe autorëve në Greqi dhe Itali deri në atë kohë. Mes tjerash rreth gegërishtes ai shkruan: “Literatura në gegërisht falë nevojave kishtar, nga kjo fushë në kohët e fundit ka filluar të ringjallet. Njëra nga librat e shtypur të parë është në Romë, në vitin 1635 “Dictinarium latino-epiraticum” nga P. Blanchus, në alfabetin latin sipas shembullit në italisht dhe i pasuruar me shenja dhe elemente të reja” . Ky fakt tregon se Dr.Pekmezi kishte vizion të qartë rreth gjuhës shqipe si gjuhë ndër më të vjetrat në kontinent fakt të cilin donte ta përcillte edhe në veprën e tij. Rreth historisë së gjuhës e kulturës shqiptare si pasardhëse e ilirishtes e pellazgjishtes do kemi deri në kohën e Dr. Pekmezit dhjetëra libra e publikime kryesisht nga studiues linguistik të hapësirave gjermanofolesë.
Dr.Pekmezi ishte në rrethin e linguistikëve më të njohur të kohës të cilët e donin dhe përkrahnin unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ku ai personalisht luan rol me rëndësi të veçantë.
Ndërsa rreth toskërishtes Dr. Pekmezi mes tjerash shkruan: “Toskërishtja e shkruar në alfabetin e sa në gjysmën e parë të shekullit 19 gjen shtrirje të theksuar sistematikisht në arsim fal të merituarit Sami Bej Frashëri i cili shkruan gramatikën e parë “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” e botuar në Bukuresht në vitin 1886. Më tutje ai shkruan, se derisa në alfabetin toskërisht u botuan shumë gazeta, në gegërishte vetëm një, thotë autori. Ai krahason me kujdes dallimet dhe të përbashkëtat e katër alfabeteve nga shoqëritë e atëhershëm, Agimi, Frashëri, Bashkimi dhe Shkodranishtja e vjetër. Po japim tabelën e mëposhtme.
Një pjesë të mirë autori ia kushton lidhjes së gjuhës shqipe me indo-gjermanishten përmes zanoreve. Në kapitullin e dytë autori analizon vokalet me shembuj të shumtë duke krahasuar edhe me gjuhët tjera.
Padyshim njëra nga figurat madhore të fillim shekullit të njëzet ishte Dr.Gjergj Pekmezi, filozof dhe gjuhëtar. Ai mbi të gjitha ishte veprimtar i palodhur në ndërtimin e strukturës së shoqërisë shqiptare, para se gjithash në rrafshin gjuhësor e historik. Dr. Gjergj Pekmezi është i njohur në Vjenë dhe Austri si nismëtar i hapjes së Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin Oriental të Vjenës në vitin 1903 dhe shumë aktiviteteve në themelimin e shoqërive studentore shqiptare e më gjerë.
Si intelektual i njohur i kohës kishte bashkëpunim me figurat e njohura të kohës: Hil Mosi, Maximilan Lamberz, Prof.Dr.Rajko Nahtigal dhe figurat e njohura shqiptare në atdhe Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën etj. Kontributi i tij është madh në gjuhësi, kulturë e historinë kombëtare. Kjo meriton vlerësimin gjeneratave.
_______________________________
Literatura:
– Dr. Pekmezi: Gramatik der Albanischen Sprache, Wien, 1908, S.3, 4, 7, 8, 11,
– Akademia e Shkencave të Shqipërisë /Fjalori Enciklopedik Shqiptar, f. 781, f.1976, 1977. Tiranë 2008.
– Portali shqiptar-Shqip.com; shkruar nga Prof.Dr. Tomor Osmani
– Nikollë Berisha: “Simpatia e dukshme e Nachtigalit ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve” KOHA, 2 nëntor 2017.
– Hazir Mehmeti: “Mësimi shqip në Austri” f.14,15
– Ali Dhimo: Harf Arnold von ASHSH Fjalori Enciklopedik 2, f.l885
– Shaban Çollaku: Frashëri Sami, ASHSH Fjalori Enciklopedik 1, f. 729, 730.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

TË JESH …

Lirikë fundjave Prishtinë, mars 2024 Ng Rexhep Kasumaj Të jesh… Mjafton të jesh pasditeve në t’voglën verandë pa…