HAZIR MEHMETI (BESNIK): PROMOVIMI DHE VRASJA E KËNGËS

Pashtriku.org, 24. 07. 2015 – Vapë. Uji na pihej kthesave gjarpëruese të rrugës drejtë Shalës, një krahinë malore shqiptare e njohur për thesaret nëntokësorë anë e këndë globit. Ahishtave të përgjysmuara nga sëpata bishtmbrapshtë ua lakmonim freskinë e përmotshme. Koha nuk priste, na duhej të jemi në promovimin e “Thesarit…” voluminoz nga shkrimet njëvjeçare të mërgimtarëve në Suedinë e kulturës e shkencës. Aty edhe “Papa Klementi XI – Albani”, emër për respekt. Lakesa djathtas lartë kodrinës hapte horizonte mahnitëse të kodrave veriore që lidheshin në pafundin verior me Albanikun plak. Një dhënie e lehtë majtas timonit kthesave na nxori në fshatin Mazhiq, i njohur në mote si fshat mbi ar, por me jetën e rëndë të banorëve në robërinë e vjetër aq sa themelet e tij. Karriget dhe bina e ngritur mjaftonin që ta kuptonim se kishim arritur cakun. Puhia që vinte luginës ishte shpëtimi ynë nga dielli i shpërthyer i ditës. Rruga e ngushtë dhe pa hije e fshatit strehoi veturat me vështirësinë e rastit, ashtu siç mirëseardhjen e shijuam duke u shty për hapësirë nën hije strehëve të shtëpisë së dëshmorit Rifat Zeneli. Çdo mundim yni tani shumë herë u shpërblye kur mësuam për heroizmin e dëshmorit bashkë me vashën e shtëpisë e sëmurë, në mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Me vete pëshpërita vargjet e Gjergj Elez Alisë në hedhjen e tij kundër Bailozit të Zi, dëgjova zërin e Hamzë Jasharit në këndimin e fundit të këngës së Çërçiz Topullit në partiturë lirie me Zhui Selmanin. Tani aty ishin të gjithë së bashku. Karriget me sy nga dielli u mbushën me kohë, aty edhe përfaqësuesit e institucioneve tona, zëvendësministri, sekretar ministrie, këshilltarë, kryetari i komunës, shkrimtarë, luftëtarë, veprimtarë, referues, gazetarë, kameramanë, fëmijë me kostume kombëtare, mërgimtarë nga shumë rrethe deri nga Opoja e Hasi.

Fjala e hapjes nga zonja avokate e ardhur nga Suedia tingëlloi fuqishëm nga altoparlanti i madh përballë duke shkundur molisjen tonë nga vapa. Edhe pse na dukeshin të gjata në diellin përvëlues. përshëndetjet e referuesve i pritnim përplot respekt në përpjekjet e mërgimtarëve tanë globit, veçan atyre që promovonin “Thesarin 4”. Zemra na bëhej mal kur dëgjoje shembuj vetëmohimi të njerëzve tanë të sferave të jetës jo të lehtë të mërgimtarëve me të cilat krenohej secili. I ndienim tonat, i preknim ngrohtësisht me respektin për gurët e hedhur në afirmimin tonë pranë kulturave të popujve tjerë, drejtë përmirësimit të imazhit tonë të lënduar kohëve kur ne ishim të huaj në tokën stërgjyshore. I ndienim si gurë të hedhur në hapat tanë drejtë kapjes së kohës së humbur në shekujt e robërisë, drejtë progresit kombëtar të ëndërruar.
Mirënjohjet e ndara ringjallën duartrokitjet e publikut edhe hijeve nën pemët Arëshpatit. Pritej finalja, programi kulturor nga vajza e djem që pritnin hijeve të veshur me kostume kombëtare. “Këngë për dëshmorin Rifat Zeneli” ushtoi zëri i moderuarës luginës së Mazhiqit deri përtej kodrave. Rapsodët akorduan çiftelitë e sharkitë, rregulluan karriget e mikrofonat pranë zëvrimave të instrumenteve, lëshuan zërin e tyre veç sa nuk pëlcitnin altoparlantët e ngrohur valë. Sapo emri i dëshmorit pllakosi ajrin e ngrohur, nga turma përplot fëmijë shpërthyen rafalët e revolverit, tjetra anash dhe i treti në rrugicën e gurtë prapa karrigeve përplot mysafir nga i gjithë vendi. Dielli u skuq me nxehtësinë e tij para fyerjeve të gjithë asaj mase nderuese, disa re filluan ecjen e tyre drejtë majave lajmëruese të atavizmit të vjetër primitiv në oborrin ku gjaku u derdh jo për krisma, por për shtet i nderuar e mbrojtur sipas rregullave e ligjeve të lirisë. Mbrojtësit e rendit nuk u dukën askund, vetëm pasi tri revole e vranë këngën e vet. Asnjë fjalë, asnjë vërejtje, asnjë paralajmërim i mysafirëve, se në program ka edhe shtënie me armë. Plaku nga Malësia e Mbishkodrës në konakun e tij i kishte thënë dikur Kreshnikut të Komitëve, kur kishte shtënë duke e dëgjuar këngën e babait të tij që la pa kokë me sëpatë shtatë xhandarë pushtues: “ E more djalë, e vrave këngën tënde”. Edhe Mazhiqi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura