Vjenë, 22. 06. 2014 – Homazhe simbolike viktimave çame nga masakrat greke. P.Begzati: ”Masakra ndaj çamëve ka vetëm një emër: gjenocid e pastrim etnik…Koha që Qeveria Shqiptare t’i jep fund qëndrimit pasiv nda çështjes çame.. Deklaratë apeli nga 14 Shoqata iu dërgua BE-së, OSBE-së etj.
Këshilli Koordinues i Shoqatave Kulturore në Vjenë organizoj manifestimin në përkujtim të tragjedisë së përgjakshme të popullsisë çame nga forcat greke. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Mysafir rasti ishte z.Tahir Muhedini, deputet përfaqësues në parlamentin shqiptar të shqiptarëve të Çamërisë. Kishin ardhur bashkëkombës nga e gjithë Austria, mes tyre shkrimtarë, artistë, krijues e veprimtarë.
Vitet 1944-45 ishin vite kur u krye tragjedia më e rëndë shfarosëse ndaj popullsisë çame. Gati paralelisht ndodhi masakra tjetër tragjike ndaj shqiptarëve nga forcat komuniste jugosllave të përkrahura nga komunistët shqiptarë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj – Masakra e Tivarit. Mosvlerësimi dhe harresa e dy masakrave gjenocide nga shteti diktatorial komunist dhe shërbyesit e pushtuesit sllav, është një tjetër krim brenda vet kombit shqiptar, i ndarë ideologjikisht dhe në shërbim të shkatërrimit kombëtar.
Tani pas gjithë këtyre ndryshimeve progresive ndaj errësirës ideologjike komuniste dhe lirisë së trevave etnike shqiptare, krijohen mundësi të trajtimit, vlerësimit e përkujtimit për të parën herë masakrën e Çamërisë. Formimi i Këshillit Koordinues i disa shoqatave kulturore në Vjenë nga aktivistët e veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare, hapi shtigje të reja aktivitetesh. Salla e bukur ishte përplot me mërgimtarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, mes tyre edhe nga Çamëria. Dita e 27 qershorit është shpallur si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmin grek”. Forcat armike greke në këtë datë ushtruan terror masiv me përmasa gjenocidi, ku u masakruan mijëra çamë dhe mbi 35 mijë prej tyre u dëbuan nga vatrat e tyre duke iu aneksuar toka e pasuria dhe u pamundësohet kthimi i tyre edhe pas 70 vjetëve.
– Petrit Begzati (Kasemi), në fjalën e rastit në Vjenë –
Tubimin e hapi Dr.Ilir Çaushi nga Instituti i Kulturës Shqiptare “Aleksandër Moisiu” në Vjenë. Kurse vështrimin rreth masakrës greke ndaj Çamërisë e mbajti z.Petrit Begati (Kasemi): “Padrejtësisht krahina shqiptare e Çamërisë u shkëput nga Kongresi i Ambasadorëve të Londrës prej tërësisë së truallit etnik shqiptarë me 11 gusht të vitit 1913 duke iu aneksuar Greqisë. Popullata e Çamërisë iu nënshtrua represionit grek gjithmonë me propagandën e greke sikur po sillnin barazinë, qytetërimin e respektimin e të drejtave njerëzore. Kjo fasadë propagandistike shoqëronte nënshtrimin e Çamërisë dhe çamëve, jo vetëm që ka mashtruar dhe vazhdon ta mashtroj opinionin e gjerë por pësoi një nga fatkeqësitë më të mëdha që nga koha antike e këtij populli. Ky pushtim solli shkatërrimin e vlerave, vrasje masive duke përfshirë këtu edhe vrasjet e fëmijëve. Çamëve iu mohuan të drejtat e tyre në shkollim në gjuhën shqipe të lashtë stërgjyshore që nga pellazgjishtja duke vazhduar me gjenocid ndaj tyre në vitet 1944 e 1945. Ky represion me përmasa gjenocidi u përcoll me shpërnguljet masive të çamëve, veçan atyre të religjionit mysliman. Ishte ky një plan i përgatitur e studiuar shumë vjet më parë duke kujtuar këtu dy projekte famëkeqe që ka njohur Ballkani: “Naqertania” serbe dhe “Megalidesë” greke për shfarosjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga territoret autoktone. Që nga aneksimi i Çamërisë greket kanë organizuar vrasje masive të planifikuara…. Sipas Marrëveshjes së Llozanos të vitit 1943/44 mes autoriteteve greke dhe aktorët ndërkombëtarë, u dëbuan nga territoret çame mijëra familje shqiptare, pothuaj se u boshatisën Parga dhe rrethina e saj, Kosturi, Konica, Janina etj., pra një spastrim etnik i formës së veçantë. Në vitet dyzetë, pak para pushtimit të atyre viseve nga fashistët gjerman, grekët organizuan burgosjen dhe internimin e meshkujve shqiptarë në ishujt e Mesdheut që nga mosha 16 vjeçare e tutje, duke lënë vetëm gra e fëmijë të pa mbrojtur të cilët iu nënshtruan plaçkitjeve, dhunimeve, shkatërrimeve të vazhdueshme nga bandat kriminale greke. Ishin këto kampe internimi të tipit të fashistëve të Mauthausenit për shfarosje masive. Ishte realitet i shpëtimit të kësaj popullate nga burgjet e internimit dhe shfarosjes prej forcave gjermane që pushtuan këto vise. Ata u liruan dhe u vendosen në shtëpitë e tyre në Çamëri dhe duke i shpëtuar kështu shfarosjen e tërë meshkujve. Atyre iu lejua shkolla, gjuha, kultura. Tani ironia e fatit, ushtria fashiste identifikohet si çlirimtare. Kjo në sytë e çamëve u krijua si pikëpamje, se grekët ishin pushtuesit kurse gjermanët të mos shikoheshin si pushtues por si çlirimtarë, pasi këta po u njihnin të drejtat e tyre të mohuara nga pushtuesit grek në vazhdimësi. Çamët për herë të parë realizuan të drejtat e tyre kombëtare, mbajtjes së flamurit, shkollimin në gjuhën amtare. Në ngjarjet tragjike që pësuan më vonë çarqet greke duke propaganduar, se gjoja çamët bashkëpunuan me gjermanët dhe rrethanat e krijuar gjatë luftës, favorizimet e saj, realizoi aktin e fundit gjenocid ndaj popullsisë myslimane çame i filluar më 27 qershor të vitit 1944 dhe i përfunduar më masakrën e fundit të Varnanit me 13 mars 19945 kur s’kishte asnjë forcë gjermane në Çamëri…. Vetëm brenda 27 qershor 1944, ditë e martë, u ekzekutuan mbi 600 shqiptarë çamë nga EDES-i grek nën komandën e famëkeqit Napoleon Zerva… Kjo mbetet një nga ditët më të zeza të kombit shqiptar… Mbi 10% e popullatës çame e vrarë dhe e masakruar nga të cilët 2900 të moshuar dhe të rinj, gra të dhunuar dhe mbi 35 mijë të shpërngulur nga trojet e tyre. I vetmi faj i tyre ishte pse ishin shqiptarë dhe jo grekë… Tragjedia çame dhe vepra armiqësore greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë ka vetëm një emër: gjenocid e spastrim etnik… Ka ardhur koha që shteti shqiptarë t’i japi fund qëndrimit të tij pasiv nda çamëve e Çamërisë”. Në emër të shqiptarëve të Çamërisë përshëndeti deputeti zoti Tahir Muhedini, i cili falënderoi të pranishmit për respektin që po tregonin në përkujtim të tragjedisë së vëllezërve të tyre çam. Gjatë këtij aktiviteti u shfaqën filma dokumentarë që risjellin në kujtesë ngjarjet e hidhura që kanë kaluar shqiptarët e Çamërisë si dhe dëshmi nga të mbijetuarit e masakrave.
– Pamje nga tubimi përkujtimor –
Këshilli Koordinues i Shoqatave Kulturore në Vjenë, me z.Tahir Muhedini, deputet i PDIU në Kuvendin e Shqipërisë.
Abdullah Abdullahu, përfaqësues i Shoqatave lexoi deklaratën ku i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të tregojë një interesim dhe kujdes edhe ndaj kësaj pjese të braktisur të Evropës dhe të kujtoj se dhe fëmijët e shqiptarëve të Çamërisë kanë të drejtën natyrale dhe historike për vatrat e tyre stërgjyshore. Ishte një ambient i rrallë përplot emocione, ku nuk mungonin lotët. Dhimbja në shpirt trazonte secilin, veçanërisht kur takoj mik e mikeshë çame. Para se të vinte pamja e vendlindjes e cila të pret me gjithë bukuritë e vuajtjet e saj. Vërtetë, “Çamëri, na mbeti loti në sy” dhe Arvanitasit, nipat e mbesat e Marko Boçarit edhe sot me shpresë këndojnë: Sa të jetë Shqipëria, Nuk ka mortje Çamëria.