Vjenë, 28. 07. 2013 – (Tregim) – Dielli filloi tatëpjetën mbi Malin e Bardhë. Fluturimet e larta të zgalemit krahëgjatë bashkoheshin me kaltërsinë qiellore lart në humbëtirën jugore mbi det. Ngrohtësia e ditës zgjoi orkestrën e gjinkallave kurorave të pishave me rrënjët e tyre në rërën e imët. Pushuesit e ardhur nga vende të largëta shijonin motin e mirë me tërë ëmbëlsitë e tij.
D… sapo doli nga uji i kripur, të cilin aq shumë e kishte dëshiruar, që nga pushimi i kaluar, u shtri në rërën e ngrohtë, ashtu siç ishte i lagur, mbi duart nënkresë mbështeti kokën me flokët që skurronin ujë. Fytyrës i rridhnin çurg pika uji që përfundonin në rërën përvëluese, duke krijuar disqe lagësire të cilat shuheshin shpejt. Nga brenda ndjeu kënaqësinë e asaj ngrohtësie të Plazhit të Madh që e kishte pritur tërë vitin atje larg në mbretërinë e akullt.
Mbylli sytë qetë- qetë. U zhyt në botën e meditimit. “Sot do të çlodhem në ditën e parë të pushimit …”. Akoma në kokë sikur dëgjonte oshëtimën e makinës nga rruga e gjatë dyditore që nga skaji verior i kontinentit ku punonte për tridhjetë e dy vjet me radhë. Ngadalë filloi të hyj në botën e zërave të shpezëve e fëmijëve të shoqëruara me oshëtimën e lehtë të valëve të detit. Shkëmbi i Gjeranës qëndronte përballë, ku rriheshin në pambarim valët e detit, bardhësia e të cilave bashkohej me bardhësinë e pulëbardhave, të cilat pandërprerë uleshin mbi shkrepin e gurtë, pushonin pak dhe hapnin krahët në fluturim të ri drejtë kaltërsive të pafund.
Librashitësi…
“Urdhëroni shtypin ditor, Zëri, Epoka e re, Lajmi, Sporti… Bisedimet e dështuara në Vjenë tregojnë pretendimet serbe. Serbia aleate e Rusisë. Shqipëria shpejt pa viza në Europë,- kështu thotë kryeministri shqiptar”- kumbonte zëri i gazetashitësit.
D… ngriti kokën të shihte. Pas pak dalloi ecjen e gazetashitësit mes çadrave të mbushura me pushues e plaçka gjithfarë ngjyrash. Nën kapelën e bardhë, me strehë të gjatë, mundi të dallonte gazetashitësin shëtitës, të cilin e kishte takuar edhe vitin e kaluar. Sapo u afrua ngat, iu drejtua: Ju lutem, ju lutem zotëri, një gazetë!”.
Gazetashitësi theu rrugë djathtas dhe derisa ai arriti nën hijen e çadrës, D… nxori të hollat.
– Cilën doni zotëri?
– Ju lutem, Zërin”- foli D… i zverdhur nga lodhja.
– Po ku je, o Burim Kodra ?- u dëgjua zëri i gazetashitësit,
në gojën e të cilit dalloheshin dy dhëmbët e gjatë e të vetmuar që nuk mbuloheshin dot. D… nuk u befasua nga fjalët e tij, pasi e njihte themeluesin e gazetës.
-Sikur ju njoh, jeni ju nga veriu, me gruan zemrake, e cila nuk donte gazeta dhe gjithmonë më thoshte, kur harxhohen këto të shkreta, ne kemi ardhur këtu për pushime e jo për gazeta.
– Mirë që nuk po të dëgjon, ajo është atje tek çadra e kaltër buzë ujit – foli me humor D…
Pasi mori lekët gazetashitësi përshëndeti dhe filloi zvarritjen e sandaleve të tij të vjetra rërës përcëlluese me melodinë e tij tani të mësuar përmendësh. Secilës gazetë ia njihte artikujt dhe lexuesit i kategorizonte në krahët politikë, sipas preferencave për lexim. Edhe kur i shiste të tërë ekzemplarët e ndonjërës prej tyre, ai nuk e hiqte nga fjalori dhe po e kërkove ai përgjigjej, është shitur por nuk e kam fshi nga shiriti dhe kërkonte falje.
D… ia lëshoi një sy faqes së parë, duke shëtitur disa nga titujt, e palosi katërshe dhe e futi në çantë. Me kujdes rrafshoi rërën e imët me duar, u shtri gjerë e gjatë me krah hapur mbi të. Valët e detit dhe zëri i pulëbardhave plotësonin dëgjimin e ditës. Shitësit shëtitës ofronin gjithfarë mallrash, syze për diell, vaj ulliri për ngjyrë lëkure, yndyrë për mbrojtje nga dielli, kapele e gjëra ushqimore, petulla, mollësheqer.
D… i kujtoj ditët kur ishte dikur me fëmijët e tij, fotografimet me kafshët që ofronin grupe fotografësh. Shumë nga ato ishin tretur diku në fundin e harresës, disa kishin pasur fatin e zjarrit nga lufta bashkë me tërë shtëpinë ku jetonin prindërit dhe vëllai me familje. Tani fëmijët janë rritur, kanë krijuar rrethin e tyre, obligimet dhe kënaqësitë ndajnë kohërat e gjeneratat.
-Urdhëroni libra, romani më i lexuar i vitit, Darka e gabuar e Kadaresë. Lexoni poezitë e Rifat Kukajt, ai që e kishte në zemër Ulqinin- tingëlloi tani një tjetër afër çadrës. Kjo i zgjoi ndjenjat D… Kishte lexuar për fatin e shkrimtarit, i cili kishte kaluar në përjetësi mu këtu në Plazhin të Madh, duke shëtitur me nipin e tij. Kushedi se çfarë do i kishte folur atij në çastet e fundit. Sigurisht amaneti mbi vëllazërinë e përjetshme me ulqinakët bujarë e Ulqinin margaritar.
– Ju lutem, mund t’i shoh disa nga librat,- iu drejtua D… kureshtar.
-Si urdhëroni zotëri,- foli librashitësi me zemërgjerësi dhe nga shpina zbriti çantën e rëndë, filloi të nxjerr librat me radhë, kurse djersët i pikonin në rërën zhuritëse.
-Ja, nga shkrimtarët tanë të njohur,- dhe filloi të përmend emra në shpejtësinë e qindra ushtrimeve që kishte regjistruar në trurin e tij.
-Unë me kënaqësi do lexoja diçka nga shkrimtarët ulqinakë, nëse keni.
-E njihni ju ndonjërin nga shkrimtarët ulqinakë, keni lexuar diçka prej shkrimeve të tyre- foli burri, duke drejtuar pamjen e fuqishme drejt bashkëbiseduesit.
-Kam lexuar para disa vjetëve diç nga ai, ishte diçka …. i pritjes, emri i shkrimtarit nuk më kujtohet. Mbaj mend, se ai kishte vuajtur shumë vjet në burgje për shkak të shkrimeve dhe qëndrimit të tij në mbrojtje të kauzës kombëtare. Mbiemri si duket fillonte me G dhe ishte i rrallë ndër ne…
Librashitësi filloi të shkruaj me gishtin tregues në rërë. E filloi me G dhe vazhdoi duke i shtuar shkronjën e dytë, një U të madhe. Akoma pa filluar lojën e zbulimit të enigmës, D… iu kujtua mbiemri i shkrimtarit, Guri.
-Po, kam dy romane nga ai,- dhe nxori nga grumbulli i librave të shpërndara mbi rërë. D… lexoi në kapakët e ilustruar, Luan Guri, Ankthi i Pritjes dhe një pjesë nga titulli i librit tjetër …në Barbanë. Pikërisht ky është shkrimtari për të cilin folëm.
Librashitësi, një burrë i shkurtër, energjik me një pamje të mbrehtë vërente pushuesin me një kureshtje që fliste. “Eh, shqiptarët e mi, sa shumë u ndamë, u rritem në pritje e mall për gjithçka. Na ndanë kufij, lumenj, dete e oqeane dhe qëndruam me një zemër e ideal për atdheun e grisur e të përgjakur”.
-Doni ta njihni shkrimtarin- pyeti librashitësi.
-Me kënaqësi,- foli D… i habitur.
-Ja, unë jam Luan Guri, shkrimtari që ju nuk e keni harruar, dhe filloi t’i dridhet buza nga ngazëllimi.
-Nuk mundem pa ju përqafur për respektin dhe befasinë e këndshme që më krijuat.
U ngritën dy burrat me peshën e rërës që shkundej, hapën krahët dhe u përqafuan ashtu si vëllai me vëlla, të cilët me shekuj kishin midis tyre oqeane. Shpirtërisht ishin takuar në faqet e “Ankthit të Pritjes” herët në netët e errëta kur bubullima kobzezë i ndau shqiptarët gjithandej globit. Sot takoheshin vetëm trupat e tyre.
-Ju kosovarët na mbajtët afër, na dhatë bukën e jetës. Ju pësuat shumë nga pushtuesit e trevave shqiptare, por nuk iu theu asgjë, e ruajt dashurinë për Ulqinin e ulqinakët. Ju jeni nipërit e atyre që pësuan masakrën e Tivarit, jo larg nga këtu. Gjaku i derdhur nuk harrohet, kurorat e freskëta me lulëkuqet e para do thurën nga çdo shqiptar,- u shfrytëzua Luan Guri me zërin e tij prekës.
-Ne jemi një shpirt e një rrënjë- shtoi D… i prekur nga fjalët e shkrimtarit, për të cilin kishte lexuar në një kohë kur ai ishte me pranga në duar e këmbë burgjeve të Perandorisë së Kuqe. Ai e kishte imagjinuar një njeri tjetër, të gjatë, me mustaqe të ngjashme me ato të Kreshnik Malësorit, me pranga në këmbë të fuqishme dragoi, herë-herë e kishte ëndrruar me mjekër të bukur sikur të Bilbil Frashiotit. Tani kishte përpara njeriun që kishte nga secili diçka madhështore.
Hija e kallamishteve të rralluara kishte ndërruar vend. Librat shkëlqenin mbi rërën e imët nga dielli i ngulitur në zenit, i cili përcillte takimin e vëllezërve të përmallur. Shekulli i Rrugës së pritjes po shkrihej në dashuri. Ankthi i pritjes mbytej ngadalë në kaltërsinë e detit me hapat e krahëve të pulëbardhave. Kodra e Valdanozit lirohej nga hijet e reve bashkudhëtare në ngritjen e kështjellës shekujve shqiptar. (Ulqin, korrik 2011)