MBI LIBRIN “MARTIRËT” TË AUTORIT PJETËR ARBNORI  

Mbi librin “Martirët”, të autorit  Pjetër Arbnori

Rrëfime   tronditëse  dhe vuajtje të paimagjinueshme  në burgjet e diktaturës  komuniste

Nga Gjekë Gjonaj

Autori i librit  “Martirët – 10300 ditë e net në burgjet komuniste” Pjetër Arbnori , të  botuar në  gjuhën shqipe dhe italiane,  përshkruan  ngjarje dhe rrëfime tronditëse nga jeta  në burgjet komuniste  në Shqipëri. Këto ndodhi dramatike, kthesa të papritura dhe situata të habitshme rrëqethëse e drithëruese  u përngjajnë  fantazive të shfrenuara të cilat mund t’i lexojmë  në vepra të shquara letrare  të shkrimtarëve të mëdhenj vendas dhe të huaj.  Në faqet e këtij libri, autori ka përfshirë kujtimet e tij  që nga mosha katër vjeçare, kur siç shkruan ai, mbante mend festën e 28 N1938, me ç’rast  motrat  e morën në shkollën fillore të Burrelit dhe aty të gjithë së bashku kënduan me Himnin e Flamurit, luajtën valle dhe morën nga një llokum, duke përfshirë edhe   rrugën e tij  (arsyet) që e çoi  në një burgim të gjatë, ku i kaloi afër  tridhjetë rrathët e Ferrit,  respektivisht   bëri  28   vjet   në burgjet e diktaturës  komuniste , për çka është quajtur “ Mandela i Ballkanit”. Ai  në vitin 1961, në moshën 26 vjeçare, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propagandë.  Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysmë heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës.

-Shpesh kur takoj miq e dashamirës, pjesa më e madhe e tyre shpreh një keqardhje të thellë për fatin  e zymtë që kam pasur në jetë, për vuajtjet që kam kaluar, për ferrin që kam provuar për së gjalli: isha i lidhur këmbë e duar dhe mbeta për gati dy vjet në qeli, pa e parë familjen në sy; gati tre muaj me radhë prita çdo minutë pushkatimin; i dënuar pastaj me ndëshkimin për të  ndenjur në “ bodrum të zi” për njëzet e pesë  vjet dhe kur këto mote të gjata lëngimi mbaruan, e pashë veten  të dënuar përsëri me dhjetë vjet të tjera burg shtesë. Në tërësi kalova 28 vjet e katër muaj burgim”, shkruan  Arbnori. Ai në letrën që i ka dërguar,  Shuaip Panaritit,  kryetarit të Gjykatës së Naltë në Tiranë, më 26 nëntor 1964  thekson: “ Sikurse kam deklaruar në gjyq. Pjesa më e madhe e proceseve të mia është falsifikuar  nga  major Llambi Titani. Për më tepër firmat janë marrë duke përdorur dhunën  fizike, psikologjike dhe kërcënimet. Gjithashtu, mbas  dënimit tim me vdekje, presioni i paligjshëm ka vazhduar. Thuajse të gjithë personat që më kanë shoqëruar  gjatë izolimeve, më kanë thënë se janë të porositur që të më bëjnë presion dhe kërcënime që të gënjej. Më është thënë gjithashtu se do të hakmerreshin  tek familja po të refuzoja një gjë të tillë. Edhe mbas dënimit tim dhe ardhjes në burg, tortura më është shtuar, në vend që të pakësohej. Tortura me hekura, me cigare, shpuarja me gjilpëra, ndalimi i takimeve, futja në birucë, ndalimi i ushqimeve dhe i korrespondencës për muaj me radhë, futja e të burgosurve që të më rrahin”.

Nga ky dhe  rrëfimet e tjera në këtë libër  mësojmë   për kalvarin e torturave, presionin  psikologjik dhe vuajtjet e paimagjinueshme  në errësirën e burgjeve të diktaturës jo vetëm të autorit , por edhe shokëve të tij , mijëra të burgosurve politikë dhe martirëve  të tjerë shqiptarë, shokëve të tij,  disa prej të cilëve janë pushkatuar, kanë vdekur nëpër burgje, ose kanë vuajtur nëpër kampet e punës, gjithmonë të kërcënuar,  të  tallur e të  përçmuar me shprehjen famëkeqe  “Do ju heqim maskën”. 

Parimi i komunizmit, shkruan Arbnori, sipas urdhrave të Enver Hoxhës, ku thuhej” ku nuk ekziston armiku krijoje”, i cili i tha Koçi Xoxës që duheshin goditur “armiqtë e Shqipërisë”. Kush ishin këta “armiq”? Shtresa më e lartë intelektuale e Shqipërisë së atëhershme ateiste, klerikët katolikë, myslimanë e ortodoksë dhe intelektualë të përgatitur të të gjitha fushave me bindje përparimtare perëndimore e atdhetarë që e donin një Shqipëri të lirë e të çliruar nga ideologjia komuniste-staliniste.  Motivet,  politika e goditjes  ndaj  mijëra intelektualëve, djemve nënash të pafajshëm, që burgosi e vrau  gra e vajza të pafajshme, e persekutoi familjet e tyre, siç tregon  Arbnori,  përpunohej  në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste ( Partia e Punnës) nën drejtimin e vetë  Enver Hoxhës.

Gjatë  kohës sa qëndroi   në burgjet komuniste, Pjetër Arbnori  përshkruan në detaje trajtimet çnjerëzore në hetuesi, në kampe e në burgje, vitet  në dhomat e izolimit pas birucës, të ftohta në dimër, të nxehta në verë, zakonisht me çimento, me një, dy ose tre batanije vetëm natën, ushqimin e dobët , 500 gram bukë misri ose patate të ziera në vend të bukës. “Në fushatën e  patates buka zëvendësohej me patate të ziera ose me bukë misri. Kjo ishte periudha më e vështirë e urisë. Supë jepej në drekë dhe në darkë. Ishte një spirilëng me oriz me krimba, ose fasule me  qindra miza  që duhej të mbyllje sytë e ti kapërdije. Kripë kishte pesë  gram, vaj kishte 6,5  gram, por në fakt kurrë  nuk shihej një gjurmë yndyre. Kur kishte lëngë fasuleje ishte ditë feste. Do t’ju them edhe një gjë: kur qëllonte që të të rrihnin ( se nuk të rrihnin përditë, kur ktheheshe në birucë haje bukën  me aq shije sa nuk e kishe shijuar, as në darsëm.  Kurrë një herë nuk   e pamë mishin. Pas viti 1972, 10 gram sheqer në vaj”, tregon autori. Rrëqethëse janë kallëzimet e tij për  torturat fizike, psikologjike e torturat fyese që u bëheshin të burgosurve brenda katër mureve. “Pasi të zbresin prej krahësh nga makina, Gaz Motolov me drita të ndezura, pasi të rrasin brenda  të heqin nga koka thesin e palarë, fillon ceremonia e pritjes me ca shpulla e kërcënime, pastaj nis kontrolli i imët trupor. Të shkulin rripin e mesit, të heqin lidhëset  e këpucëve, të këpusin pulat e pantallonave dhe të xhaketës, në fund të zgjidhin  llastikën e brekëve dhe ti mbetesh ashtu i hutuar me njërën dorë  që shtrëngon brekët e pantallonat që të mos bien në fund të këmbëve dhe  me dorën tjetër me shukun e rrobave që të  kanë zhveshur”, rrëfen Arbnori.  Edhe  më  trishtuese ishin  metodat dhe llojet e torturave në burg, si: rrahje me dru deri sa të bëhen plagë  dhe të bjerë mishi, kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru, çpuarje e mishit me të djegur, elektrikë në vesh, futje të kripës në mish, lagia me ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, lënia pa bukë e ujë për disa orë, lënia zhveshur e në të ftohtë, jeleku i forcës dinamit në vehte, shtrëngimi i gishtërinjve me pinca, fekale në gojë, varje kokë  poshtë, lidhje për peme, lënie në diell, maçoku në tumane, përgatitje varri, pushkë  në gojë dhe tentativë për çnderim të vajzës.

Po ashtu duke lexuar këtë libër mëson se në burg  kishte fashistë. nacionalistë, zogistë  intelektualë të pavarur e  të pakorrigjueshëm. Kishte  grupe të organizuara e të paorganizuara, gjithmonë të fshehta, sikurse edhe grupe të krijuara nga Sigurimi i Shtetit  me qëllim që të ngriheshin  kurthe zbulimi e për t’i përçarë e të tjera. Pavarësisht torturave  e mundimeve  çnjerëzore të cilat i përjetoi  vetë   Pjetër Arbnori gjatë izolimit  në qelitë e errëta të burgjeve të diktaturës në Shqipëri ai asnjëherë nuk u shkëputë nga jeta e gjallë  përtej hekurave dhe  telave me gjemba. Edhe pse ka parë  stuhinë e vdekjes duke rënë mbi aq njerëz, si shumë prej tyre,  u tregua në lartësinë e idealit. Për këtë qëndresë u dëshmua dhe s’do të harrohet. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura