Vjenë, 16. 11. 2013 – Kryeinspektor në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, një shembull i njeriut të kulturuar, punëtor, respektues. Njeri që i ndihmonte lexuesit, veçan studentët e hulumtuesit shqiptarë. Ai shkëlqente me shembullin e tij prej njeriu dhe gëzonte respekt të madh. Qytetit të lashtë perandork iu ngritën vlerat me punën e shkëlqyer e sjellje njerëzore të qytetarëve punëtor e të respektuar. Pa dyshim njëri ndër ta ishte bashkëmërgimtari ynë z.Sead Hoxha, kryeinspektor në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Ky institucion me jetë katër shekullore është krenari e Vjenës dhe Austrisë, por jo vetëm e tyre. Të punosh në një vend pune siç është Biblioteka Kombëtare e Austrisë është më shumë se privilegjë. Është edhe krenari. Këtë fat e kishte z.Sead Hoxha një bashkëmërgimtar i yni nga rrethina e Ferizajit.
E njoha pas disa muajsh që kisha filluar leximin në sallat madhështore të leximit. Porosia O-line ishte nga njëherë me telashe. Në bisedë me këshilluesin në Bibliotekë, nga gjuha ime e folur u “zbulova” dhe filloi biseda e njohjes në shqip. Ishte ky një fat i mirë dhe kjo vazhdoi disa vjet deri në largimin e tij nga kjo botë. Nga pushimet verore të gjata të mësuesit, erdha në Vjenë me dy botime të reja, njëra nga të cilat kishte brenda personazhe të kulturës, edhe Seadin. Librin e Monografisë së mësimit shqip në Austri, dhuratë për kryeinspektorin e shkrova që në vendlindje: “Me respekt të veçantë mikut tim të respektuar z.Sead Hoxha”, 2 shtator 2013. Isha i gëzuar që sado pak t’ia kthej me një respekt gjithë ato ndihma që mi kishte ofruar më shumë se dhjetë vjetë. Mbi të gjitha më kishte ofruar ngrohtësinë e një bashkëkombasi, respektin. Ato nuk kompenzohen ndryshe vetëm me vlerësim të njeriut ndaj njeriut. Pas kthimit tim nga Kosova vazhdova leximin në Bibliotekë duke i ndrruar dymbdhjetë sallat, çdo ditë në një tjetër, vetëm që ta takoja mikun tim duke e ditur se ai do jetë sigurisht aty në punë si zakonisht. Më mungonte, e ndieja, i vetmi shqiptar me të cilin të paktën një përshëndetje, një buzëqeshje miku. Sa herë që dilja të pi kafe në pushimore i vezhgoja lëvizjet e bashkëpunëtorëve të tij por ai nuk dukej. E mendova se mund të jetë në pushim dhe nuk pyeta njeri derisa kaloi një muaj. Pikërisht në festen kombëtare të Austrisë në fund të tetorit hapen dyert e muzeve dhe bibliotekave për të gjithë, ku ciceronet profesionist japin pa ndërpre histori të çdo këndi muzeal e të bibliotekës. Doja, prapë të takoja Esadin, ishte momenti kur të gjithë punëtorët janë aktiv.
– SEAD HOXHA –
Telefoni nuk bënte, shkresat e mia në E-mail nuk ishin pranuar. Kjo e kaloj çdo durim dhe vendosa të pyes në informatet pranë zyrave ku ai punonte.
Më falni, a mund të takohem me z.Sead Hoxha,
Zyrtari u zbeh dhe me shikoj me habi. Nuk fliste, më dukej sikur më injoronte, diçka e rrallë që ndodhë.
Jam një lexues i rregullt i juaji, jam shqiptar nga Kosova, e njoh tani e një kohë të gjatë Seadin, isha në pushimet e verës dhe nuk kam kontaktuar më shumë se dy muaj me te, e plotësova arsyen e pyetjes sime.
Derisa flisja hapa çantën dhe nxorra librin që e kisha bërë gati për t’ia dhuruar.
Më vjen keq, nuk mund të takoni, Seadi ka vdekur.
Si, ka vdekur, kur po ai ishte i shëndosh si topi…- fola i prekur nga ato që dëgjova. Lexuesit e tjerë mbushën radhën duke e shkurtuar mundësinë e bisedës më tutje për ato që mua më interesonin. Vendosa librin ngadal në çantë, shkëlqimi i ambientit u errësua, lotët filluan të flasin. Tani Seadin më kurrë nuk do ta takoj në këto hapësira me atë buzëqeshjen e tij prej burri serioz e plotë respekt. Nuk mund të pajtohesha se kurrë më nuk do kem me kënd t’i qaj hallet për dokumentët, gazetat, leximin, shqiptarët, shqetësimet tona që na lidhnin në jetën jashtë atdheut. Kurr më nuk do i gjej librat e porositura përmes E-mailit të Seadit në tavolinën e leximit me emër e numrin tim. Kurrë më nuk do kem rastin të lexoj i pari gazeta të vjetra një shekull në shqip ashtu siç ma krijonte mundësinë kryeinspektori. Kurrë më nuk do ketë kush të na pret me grupet e nxënësve shqiptarë. Do na mungon ligjërimi shqip para nxënësve krahas gjuhës së vendit. Nuk do ta takojmë më kryeinspektorin, para të cilit përuleshin me respekt lexuesit e bashkëpunëtorët e tij. Kurrë nuk t’i harroj numrat nga 16-të deri 21 të gazetës Djalëria, të cilat i gjeta mbi tavolinë në emrin tim, Ishin të mbështjellura në vitin 1916 me letër të vrugtë e të errët dhe të lidhura fiqishëm e me kujdes me spago konopi e cila kurrë nuk ishte zgjidhur. Ishte dora ime e parë që i hapja, kjo fliste shumë për mua.Vargu i kujtimeve për Seadin, veprën e tij do mbushnin një libër të tërë. Ai do qëndron krenar në veprën time mbi kulturën, gjurmët shqiptare në Vjenë. Do ta kujtojnë nxënësit shqiptarë që me aq dashuri e respekt i priti, u mbajti ligjerata mbi librin, bibliotekën, leximin në gjuhën e nënës. Ai ishte shembulli më i mirë për nxënësin, se si duhej ruajtur gjuhën shqipe dhe si duhet integruar në jetën e vendit ku jeton. Fotografitë, fjalët me porosi të fuqishme të Sead Hoxhës do mbesin të pa harruara fletoreve, albumeve dhe veprave të nxënësve, studentëve dhe studiuesve shqiptarë, dhe jo vetëm shqiptarë. Le të prehet në qetësi në dheun e vendlindjes, malli i së cilës ishte përditshmëri varur në çerpik loti.