HISTORIA E ILIRËVE (3)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Kufijtë etnik të ilirëve

Në lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen e origjinës së ilirëve gjegjësisht të fiseve të ndryshme ilire është edhe çështja e shtrirjes së tyre gjeografike. Në të kaluarën arkeologët dhe gjuhëtarët nën ndikimin e teorive panilire, ilirët i kanë gjetur gati nëpër tërë Evropën dhe Azinë e Vogël, bile edhe më tutje në Azi, por pikëpamje të tilla i përkasin së kaluarës. Sot me kombinimet e burimeve historike dhe të rezultateve të disiplinave modeme shkencore po bëhen përpjekje që identifikimi i etnosit ilir të hyjë në bazë rreptësisht shkencore – nëse kjo është e mundshme me metodat e tanishme.

Diskutimin mbi kufijt etnikë të ilirëve duhet ta fillojmë me një analizë të shkurtër të burimeve të shkruara antike, sepse shkrimtarët antikë kanë pasur rast – sa në mënyrë indirekte duke u mbështetur në dëshmitë e të huajve, sa në mënyrë direkte, në bazë të qëndrimeve vetiake në mesin e ilirëve —të caktojnë kufijt e tyre në mënyrë shumë më autentike se sa mundemi ne sot. Për shkencën bashkëkohore, megjithatë këto burime të shkruara, shpeshherë janëtë papërdorshme, ose janë qartas të pasakta, ose tregojnë që autorët antikë nuk e kanë njohur sa duhet atë për çka kanë shkruar. Autorët grekë, të cilët të parët kanë tentuar të caktojnë kufijt, nuk kanë pasur pikëpamje të qarta për atë se kush janë ilirët dhe cilat rajone kanë banuar. Sa kanë qenë të paqarta parafytyrimet për ilirët dhe për vendin e tyre, derisa romakët nuk i pushtuan viset në të cilat banonin ilirët, tregon miti i njohur për argonautët, sipas të cilit Jazoni dhe shokët e tij, mbasi rrëmbyen në Kolhidë leshin e artë, me anijen e tyre Argo, lundruan nëpër Danub në mënyrë që me të të depërtojnë në veri të detit Adriatik. Apoloni nga Rodosi i cili e përshkroi këtë udhëtim të argonautëve, tregon, në shekullin III p. e. r. aq mosnjohje të brendësisë së Ballkanit, saqë ka besuar se një udhëtim i tillë prej Danubit deri në Adriatik është i mundshëm.’

Mirëpo, derisa brendësia e Ballkanit për autorët grekë ka qenë pak e njohur ose fare e panjohur, bregdetin e njihnin mirë, kështuqë e përshkruan në shumë tekste. Janë shumë të çmueshme veçanërisht dëshmitë e tyre nga koha kur grekët qëndruan në bregdetin ilir jo vetëm si detarë dhe tregtarë, por edhe si banorë të përhershëm të atyre brigjeve, si kolonistë.

Faktet më të lashta për ilirët në Adriatik i gjejmë qysh në shek. VII p.e.r. te poeti grek, Alkmani. Lajmet e herëpashershme, si është edhe ai te Alkmani, që i gjejmë te autorët grekë gjatë shekullit VI p. e. r. fare pak mund të na ndihmojnë lidhur me lokalizimin e disa fiseve ilire, por rreth vitit 500 para e.r. shkruhet udhëpërshkrimi (Periegesis) i logografit Hekateu nga Mileti, në të cilin gjendet përshkrimi më i vjetër i rrugës nëpër bregun lindor të Adriatikut. Ky përshkrim i çmueshëm është ruajtur në fragmente, kështu që na mungojnë disa pjesë të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me bregun Adriatik (“të Jonit” – si e quajti ai). Megjithatë Hekateu është i pari që di për liburnët, mentorët, histritët dhe fiset e tjera, disa prej të cilëve nuk do të paraqiten kurrë më në burimet e shkruara, si ndodhi me hythmitët.

Një burim shumë i rëndësishëm për njohjen e bregut ilir është një udhëpërshkrim tjetër (Periplus), i cili është shkruar kah mesi i shekullit IV p. e. r. dhe i mvishet autorit anonim të quajtur Pseudo-Skilaks. Ky autor është i bindur se Danubi me një degë të vetën derdhet në Detin e Zi, ndërsa me tjetrën në detin Adriatik, e me këtë ka treguar sa pak e njeh brendësinë e Ballkanit, por me përshkrimin e bregdetit të Adriatikut, tregoi se jo vetëm ai por edhe grekët në përgjithësi kanë pasur, në atë kohë, një parafytyrim më të qartë për popujt të cilët e banonin këtë bregdet. Simbas tij ilirët në veri kufizohen me liburnët, të cilët ai nuk i numëron si fise ilire, ndërsa nga jugu ilirët shtrihen deri te kaonët (Chaones) në Shqipërinë e sotme të jugut. Për këtë autor emri ilir përfshin disa fise që jetojnë në këtë pjesë të bregdetit adriatik, e jo vetëm një fis të vogël, si do të pohojnë disa autorë më vonë. Është interesant se dy shekuj më vonë, diku nga fundi i shekullit II p. e. r. në përshkrimin e një autori anonim, autorit të veprës “Orbis descriptio”, e cila i mvishet Skymnit nga Hiosi, ilirët zënë pjesën më të vogël të bregdetit nga ajo që e thotë Pseudo – Skilaksi, bile prej bylinëve dhe hilejve (në lartësi të ujdhesës Vis) e deri te Kaonia.’7 Me këtë ngushtim të bregdetit ilir në një rajon relativisht të vogël ky autor i është afruar pikëpamjes së shprehur më vonë te Plini dhe P. Mella, sipas të cilëve “Illyrii proprie dicti”, janë fis i veçantë që zë një pjesë shumë të vogël të bregdetit. Sipas mendimit të disa prej autorëve antikë, në kuptimin e tyre ilirët, jetojnë vetëm në këtë rajon të vogël të bregdetit adriatik, më vonë me emrin e tyre nisën të quhen edhe të gjitha fiset e ngjashme gjatë bregdetit dhe në brendësi. Me siguri kështu edhe ka ndodhur, ndonëse për një konkludim të këtillë nuk kemi dëshmi të sigurta, se ai fis i vogël që mbante emrin ilir në kuptimin etnik është diçka tjetër prej fiseve të tjera që jetojnë në pjesën perëndimore të Ballkanit. Në të vërtetë, të gjitha këto fise, së bashku me ato fise që shkrimtarët e përmendur i quajtën “Illyrii proprie dicti” (ilirë të vërtetë), i takuan të njëjtit grup etnik tregon edhe fakti se shumë autorë grekë përdorin edhe më parë dhe më vonë se Plini dhe P. Mella emrin e përbashkët ilir për të shënuar më shumë fise në bregun lindor të bregdetit adriatik.

Për ne autori më i rëndësishëm antik që flet për kufijt e ilirëve është Apiani, i cili ilirët i vendosi në rajonin që edhe sot, marrë në përgjithësi, konsiderohet si ilir. Simbas tij “Grekët i quajnë ilirë ata popuj të cilët jetojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë prej kufirit të kaonëve dhe tesprotëve deri te lumi Istros (Danubi). Kjo është gjatësia e Ilirisë, ndërsa gjerësia nga kodrat maqedone dhe thrakase e deri te Peoni (Panoni!) deri te deti i<Jonit (Adriatik!) dhe deri në fillimtë Alpeve. Si thonë grekët, e gjërë është pesë, ndërsa e gjatë tridhjetë ditë. Mirëpo romakët mbasi e matën këtë vend, vërtetuan se i gjatë është më se gjashtë mijë, ndërsa i gjerë përafërsisht një mijë e dyqind stade”. Ky pasazh i shkruar në shekullin II të e. r., pra në kohën kur grekët dhe romakët njihnin fare mirë viset e banuara me fiset ilire, ka rëndësinë më të madhe për të caktuar kufijt etnikë të ilirëve. Apiani, në të vërtetë thekson ekskluzivisht se për pozitën dhe shtrirjen e ilirëve nuk paraqet mendimin vetëm të vetin, por mendimin e grekëve, pra mendimin që në Greqi e kishin pranuar në përgjithësi të gjithë njohësit e atëhershëm të brendësisë së gadishullittë Ballkanit. Meqenëse etnosin ilir e përkufizojnë kështu edhe disa autorë të atëhershëm (Straboni, Plini), duhet të përfundojmë se në kohën romake, e ndoshta edhe pak më herët, historianët dhe gjeografët të cilët shkruan për ilirët, kishin mjaft njohuri që të caktojnë se kush i ka takuar në përgjithësi etnosit ilir.

Mendohet se kufijt që i caktoi Apiani kryesisht i përgjigjen gjendjes faktikc. Për shembull filologu rumun lon. I Russu në sintezën e vet “Illyrii – istoria, limba §i onomastica, romanizarea”, Bukuresht, 1969. fq. 26 thotë se ilirët kanë jetuar në rajonin që e mbyll Epiri në jug, gadishulli i Istris në perëndim dhe vija Dravë – Danub – Moravë. Në përfundime të këtilla erdhën edhe ekspertë të tjerë bashkëkohorë në bazë të studimeve të materialeve arkeologjike dhe gjuhësore, mirëpo megjithatë, të gjithë nuk pajtohen me kufijt e caktuar kështu dhe paraqesin fakte me të cilat dëshirojnë t’i lëvizin kufijt qoftë jashtë këtyre suazave, qoftë edhe brenda tyre. Një rëndësi të madhe për caktimin e kufijve etnikë të ilirëve kishte edhe Simpoziumi për degëzimin territo- rial dhe kronologjik të ilirëve në periudhën parahistorike, që u mbajt në Sarajevë në vitin 1964. Në këtë simpozium arkeologët, gjuhëtarët dhe historianët u përpoqën që çështjen e kufijve të ilirëve ta zgjidhin në bazë të rezultateve më të reja të disiplinave përkatëse shkencore. Megjithatë, aty u shpreh edhe një tendencë, e cila është prezente kohëve të fundit në punimet e disa ekspertëve, e kjo është ngushtimi i territoreve ilire vetëm në Ballkanin Veriperëndimor. Kjo tendencë u shpreh veçmas në punimet e arkeologut të Sarajevës Zdravko Maric-it, i cili kufirin verior të ilirëve e lëvizi në jug të Savës (nëpër vijën, në të cilën në periudhën romake kaloi kufiri midis provincës Illyricum dhe Panonisë). Në veri të këtij kanë jetuar Panonët, të cilët simbas Mariqit nuk kanë gjë të përbashkët me ilirët. I njëjti autor vuri në pyetje më vonë edhe çështjen e japodëve në Likë (deri në Adriatik) dhe në luginën e Unës se a janë ilirë, duke konsideruar se edhe ky fis i përket grupit etnik të Panonisë Perëndimore.

Nuk është e nevojshme të theksohet veçmas se kufij ekskluzivë midis ilirëve dhe grupeve etnike fqinje as që ka pasur dhe se për këtë shkak janë të mundshme shumë mospajtime dhe shumë mosmarrëveshje në rastet kur domosdo dëshirohet të caktohet një kufi i këtillë. Natyrisht më së shpeshti mosmarrëveshje të tilla shkaktohen kur flitet për rajonet periferike, por gjithashtu edhe për disa rajone të tjera të cilat nuk janë periferike, por në të cilat ishte i pranishëm elementi ilir. Këtu kemi parasysh Italinë, Azinë e Vogël dhe Greqinë, pra vendet larg prej rajoneve të cilat, në mënyrë tradicionale, mbahen si vende ilire.

Homeri në “Iliadë” i përmend disa fise që luftojnë në muret e Trojës, lidhja e të cilave me ilirët ballkanikë nuk mund të mohohet kurrsesi. Aty janë peonët, të cilët në periudhën protohistorike i gjejmë si fis ilir rreth rrjedhës së mesme të Vardarit, mandej dardanët, fis që më vonë do të ketë rol të rëndësishëm në historinë e brendësisë së Ballkanit.24 Këto fise marrin pjesë në luftën e Trojës, kurse pas shkatërrimit të Trojës, dardanët i gjejmë edhe si pjesëmarrës në betejën e famshme në Kadesh, në vitin 1286 para e. r. në anën e hititeve, kundër faraonit egjiptian Ramzesit II.25 Prania e atyre fiseve në luftën e Trojës, si dhe të disa fiseve të tjera në Azinë e Vogël në atë periudhë të cilat, mund të supozohet, se janë të ngjashme me fiset ilire në Ballkan (për shembull frigët tregon, në radhë të parë, lidhjet e fuqishme të Azisë së Vogël me Ballkanin nga fundi i periudhës së bronzit (këto lidhje ekzistojnë edhe shumë më herët, prej fillimit të neolitit). Materiali i zbuluar në të ashtuquajturën shtresë homerike në Trojë tregon, simbas disa ekspertëve, disa veçori të kulturës materiale ilire (më saktësisht protoilire), e kështu edhe ai material do të duhej të vërtetonte atë që thuhet edhe në “Iliadë” mbi praninë e protoilirëve ballkanikë në luftën e Trojës.

Në përpjekjet për të identifikuar këtë element “ilir” në Trojë dhe përgjithësisht në Azinë e Vogël, më së largu kanë shkuar filologët, të cilët shumë trimave të njohur nga eposet e Homerit a kanë mveshur kombësinë ilire. Përmenden kështu emrat e Prijamit, Parisit, Kasandrës etj.27 Teprimet e këtilla sot, kryesisht, janë hedhur.

Vetvetiu një pyetje imponohet këtu kur flitet për elementet ilire në Trojë në kohën e luftës së Trojës. Këto elemente etnike ilire kanë ardhur, si besohet, në Azinë e Vogël në kohën e kthesave të mëdha në kontinentin evropian në periudhën e bronzit se pasojë e atyre dyndjeve, të cilat më parë u quajtën dorike, ndërsa në kohën e re si të Egjeut. Kur folëm për etnogjenezën e ilirëve në Siujdhesën Ballkanike theksuam se në atë periudhë përgjithësisht nuk mund të flitet ende për ilirët, por vetëm për atë substratin etnik i cili mund të karakterizohet si protoilir. Simbas kësaj, as ardhësit eventualë nga Ballkani në Azinë e Vogël gjatë shekullit XIII para e. r. nuk do të mund të ishin kurrsesi ilirë në kuptimin në të cilin i njohim në epokën e hekurit, por pjesëtarë të atyre fiseve prej të cilave u zhvilluan më vonë ilirët. Ky substrat etnik mund të karakterizohet si protoilir, prandaj edhe ata luftëtarë që luftojnë në muret e Trojës dhe emrat e të cilëve na i ruajti Homeri nuk kanë qenë ilirë, por pjesëtarë të formacioneve fisnore protoilire.

Ajo që, megjithatë, na duket e pamohueshme, duke marrë parasysh emrat e fiseve të cilat i përmend Homeri si dhe materialin arkeologjik që u zbulua në Trojë, është prania e elementeve protoilire në Azinë e Vogël në kohën e luftave të Trojës. Si ka arritur ai element atje dhe në çfarë kohe, tash për tash është vështirë të thuhet. Megjithatë, nuk guxojmë ta heqim nga mendja se prej epokës më të lashtë të neolitit ekziston rrymim i fuqishëm – kulturor, por edhe etnik, prej Azisë së Vogël në drejtim të Ballkanit dhe të Pellgut danubian dhe se është fare lehtë e mundshme që disa elemente etnike kanë bërë rrugë të kundërt me atë që përmendëm pak më parë. Nuk duhet habitur, duke marrë parasysh atë që arkeologëve u është fare mirë e njohur, për lidhjet anatolike — ballkanike, në qoftë se një ditë ekspertët vërtetojnë se dardanët, peonët dhe disa fise të tjera ilire në Ballkan kanë ardhur nga Azia e Vogël, ose së paku elementet etnike anatolike të kenë ndikuar si një nga elementet e etnogjenezës. Të gjitha këto janë supozime dhe të atillë do të mbeten edhe një kohë shumë e gjatë, derisa të mos hulumtohen më hollësisht raportet e Azisë së Vogël dhe të Ballkanit në periudhën e bronzit.

I ngjashëm me problemin e pranisë së ilirëve në Azinë e Vogël është edhe problemi i ilirëve në Greqi, sepse edhe këtu kemi shumë fakte të cilat arkeologët dhe gjuhëtarët i kanë shtyrë në përfundime të gabuara ose bile të tepruara.

Te ekspertët më të vjetër ka ekzistuar mendimi unanim se ilirët kanë pasur një histori më të lashtë se të Greqisë.. Qysh në vitin 1924 Urlich von Wilamowitz- Moellendorff krijoi tezën se Hylleis, një ngatri filet dorike në Spartë, ka origjinë ilire si edhe fisi hylleioi që ka jetuar në pjesën e bregdetit midis Skradinit dhe Trogirit në Dalmaci. Fila tjetër dorike, Panfiloi, do të ishte e përbërë prej elementeve të ndryshme etnike, ndërsa me karakter grekdo të ishte vetëm fila e tretë Dimanses. Willy Borgeaud i cili në këto gjurmime për gjurmët ilire në Greqi ishte më këmbëngulsi, pohonte se Boetia Akarnania, Etolia, mandej Argosi dhe Sparta kanë qenë plot me antroponime dhe toponime ilire. Gjuhëtarë të tjerë kanë sjellë dëshmi të tjera për praninë ilire në disa vise të ndryshme greke. Në mesin e tyre duhet përmendur, në radhë të parë, Albrecht Blumenthalin, i cili analizoi gjurmët gjuhësore ilire në Greqi. Arkeologët zbuluan gjithashtu shumë gjurmë të ilirëve (dhe të protoilirëve) në truallin grek. Objektet më të vjetra në Greqi të cilat mund të lidhen me protoilirët nga viset veriperëndimore të Siujdhesës Ballkanike rrjedhin që nga e ashtuquajtura periudhë e dyndjeve dorike (ose egjeane; në të cilën, natyrisht, nuk kanë mundur të marrin pjesë ilirët, sepse në atë kohë për ta ende nuk mund të bëhet fjalë si për një grup të formuar etnik. Këta protoilirë lanë gjurmë të dukshme në kulturën materiale të Greqisë së atëhershme. Më vonë, në epokën e hekurit, valë të reja ilirësh depërtuan te viset e ndryshme të Greqisë, veanërisht tek ato në veri, të cilat qenë të ekspozuara ndikimit të drejtpërdrejtë të elementit etnik ilir.

Grekët e vjetër nuk dinin shumë për praninë e elementit ilir në mesin e tyre, mirëpo e dinin mirë se fiset të cilat jetonin në veri të vendeve të tyre u përkisnin ilirëve. Ata mendonin përgjithësisht se çdo gjë që është në veri të gjirit të Ambrakisë në detin Jon dhe të malit Olimp u përket të tjerëve, popujve “barbarë” ose “gjysmëbarbarë”, d.m.th. ilirëve. Në kohën e vjetër nën presionin e fiseve ilire kufiri midis grekëve dhe ilirëve është shtyrë nga jugu, ndërsa më vonë zhvillohet proces i kundërt, procesi i helenizimit të disa viseve të cilat më parë konsideroheshin barbare. Simbas Tukididit, bile edhe fiset në Etoli flasin “me një gjuhë plotësisht të pakuptueshme”. Për kufirin etnik midis ilirëve dhe helenëve nuk pajtohen as vetë autorët grekë ashtu si edhe ata bashkëkohorë, të cilët mbështeten si në dëshmitë e tyre ashtu edhe në materialet onomastike dhe arkeologjike. Mendimet e ndryshme për përkatësinë etnike ekzistojnë veçmas për epirotët, të cilët për autorët antikë janë barbarë, që flasin me një gjuhë për ta të pakuptueshme, e mandej bëhen helenë. Kjo paqartësi sa i përket përkatësisë etnike të fiseve në Epir, që përsëritet edhe te autorët bashkëkohorë është pasojë e faktit se karakteri etnik i atij rajoni gjatë shekujve ka ndërruar; përveç kësaj asnjëherë midis helenëve dhe ilirëve nuk ka pasur ndonjë kufi të dukshëm etnik. Problem i njëjtë është edhe me Maqedoninë dhe Peoninë.

Është çështje e posaçme – një nga më interesantet dhe më kontradiktoret në historinë e ilirëve -prania e tyre në trollin italian. Përmendëm, duke folur për dyndjet e popujve nga fundi i shekullit XIII para e.r. në viset ballkanike, se disa fise nga ky bregdet kaluan në Siujdhesën Apenine. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të jenë fise ilire në kuptimin e plotë të kësaj fjale, por të atij popullacioni të cilin tashmë e quajtëm protoilir. Një numër i madh faktesh mbi praninë e elementeve etnike ballkanike në Itali, disa prej të cilave në trollin italik arritën në epokën e hekurit domethënë në kohën kur nga Ballkani mundën të kalojnë Adriatikun tashmë si ilirë të formuar, na tregon për një mori valësh etnike nga Ballkani kah Italia. Në bazë të asaj që dimë mund të përfiindojmë se elementet etnike ballkanike kaluan Adriatikun diku deri në mesin e mijëvjeçarit të parë para e.r.

Faktin se disa fise në Itali kanë origjinë ilire e kanë ditur edhe autorët antikë. Duke përcjellë traditën e njohur fisnore, Plini* flet për origjinën ilire të fisit të poediculeve, ndërsa Festusi për të njëjtën origjinë të paeliginëve dhe të daunëve në Apuli. Simbas shumë autorëve bashkëkohorë me origjinë ilirejanë edhe japigët, gjithashtu në Apuli (ngjashmëria e emrit të këtij fisi me emrin e japodëve në bregun lindor të Adriatikut, emri i të cilëve paraqitet gjithashtu edhe në formën Japydes, është e padukshme), mandej mesapët, sallentinët, dardët e të tjerë në Italinë e Jugut. Fakte të ngjashme për praninë e ilirëve ekzistojnë edhe për rajonin e fisit të picenëve, që jetonte në Italinë e Mesme, pranë bregdetit adriatik, përballëjapodëve dhe liburnëve ilirë. Plini, përmend ekskluzivisht liburnët ilirë si banorë të asaj pjese të bregdetit italik, të cilët më vonë prej andej i dëbuan umbrët. Plini gjithashtu flet për atë se limanit Truentum ishte pikëqëndresa e fundit e libumëve në Itali. Natyrisht, Plini të gjitha këto për praninë e libumëve në Picenum nuk i ka ditur nga përvoja e vet, por ka përshkruar dorëzimin fisnor të pincenëve. Një fakt shumë interesant për praninë fizike të ilirëve në trollin e Italisë së Mesme e gjejmë në tabelat e njohura Iguvine të shekullit V – IV para e. r. në të cilat në mesin e të huajve që nuk guxojnë të marrin pjesë në ceremonitë fetare gjendet edhe Japuzkumnumen, emri i popullit në të cilin nuk është vështirë të njihen japodët nga bregu ilir.

Këto si dhe fakte të tjera historike që nuk u përmendën këtu për praninë e ilirëve në Itali ishte shkak që shumë herët, në mesin e ekspertëve bashkëkohorë të flitet për rolin e madh të ilirëve në kulturën, etnogjenezën dhe historinë e Italisë në periudhat parahistorike dhe protohistorike. Eksperti i parë bashkëkohor, i cili kërkoi edhe fakte të tjera të pranisë së ilirëve në vise të ndryshme të Italisë përveç atyre historike, ishte gjermani Wolfgang Helbig, i cili duke krahasuar lëndën onomastike nga Italia me atë të Siujdhesës Ballkanike përfundoi se emra ilirë paraqiten shumë shpesh në Italinë e Mesme dhe të Jugut. Ekspertë të tjerë – linguist, emra të tillë gjetën edhe në vise të tjera të Italisë, prej Siçilisë në jug e deri te lugina e lumit Po në veri. Duke u nisur nga faktet e përmendura historike shumë linguistë kanë përfunduar se mesapët, gjuha e të cilëve na është e njohur rnjaft mirë nga një numër i madh mbishkrimesh të zbuluara në ato vise të Italisë, kanë folur gjuhën ilire, gjegjësisht një dialekt të ilirishtes, i cili ka pasur një numër të mjaftueshëm izoglosash të përbashkëta me dialektet që janë folur në Balikan sa që gjuha e mesapëve mund të merret si pjesë përbërëse e trungut gjuhësor të përbashkët ilir. Kështu H Krahe në veprën e vet jetësore “Die Sprache der Illyrier” gjuhën mesape e ka përfshirë në gjuhën ilire, ndërsa në një punim të tij më të hershëm ai numroi 86 emra të përveçëm mesapë për të cilët kishte gjetur emrat përkatës në materialin onomastik të ilirëve ballkanikë. Kështu emrat mesapë Dazes, Artenes, Tizao, e të tjerë i krahasoi me emrat ilirë Dases, Artemieus, Tizus e të tjerë. Në kohë më të reja, megjithatë, gjuhëtarët studiuan shumë më me maturi problemin se sa kjo gjuhë i përket ilirishtes. Vetë H. Krahe, ka hequr dorë nga kjo teori, ndërsa ekspertët e tjerë, të pangarkuar me qëndrimet e mëhershme, mohojnë lidhjet midis atyre dy gjuhëve, duke mos dyshuar në të njëjtën kohë në autenticitetin e asaj që për origjinën ilire të disafiseve italike na i sjellin burimet antike. Megjithatë, theksojnë se sot është e pamundur të vërtetohet lidhja midis gjuhës mesape që e njohim dhe asaj ilire për të cilën dimë vetëm se mund të konkludohet në bazë të analizës së emrave të përveçëm, e kjo është fare pak që të mund të bëhet çfarëdo krahasimi midis atyre dy gjuhëve.

Nëse çështja e përfshirjes së gjuhës mesape në familjen ilire është e diskutueshme, megjithatë nuk është kontestuese se ilirët prej periudhës së bronzit dhe gjatë tërë periudhës së hekurit qenë të pranishëm qoftë si banorë të përhershëm, qoftë edhe si mysafirë të përkohshëm (tregtarë, luftëtarë, kusarë) në shumë vise të Italisë. Këtë përfundim, e mbështesin shënimet e autorëve antikë dhe analizat e materialeve onomastike, por gjithashtu edhe nga materialet arkeologjike, shumë të ngjashëm me atë që e njohim nga varrezat dhe vendbanimet ilire në Ballkan, që janë zbuluar në ato vise të Italisë për të cilat ekzistojnë edhe shënime të tjera mbi praninë e ilirëve. Kështu arkeologu austriak Jozef Szombathy, më 1917 i bëri të njohura objektet nga disa varreza të zbuluara në Apuli, të cilat janë aq të ngjashme me objektet nga lokalitetet ilire në Ballkan sa që objektet nga Apulia i mori si shembuj që dëshmojnë praninë ilire në këto vise të Italisë.

Gjetjet arkeologjike janë shumë më të rëndësishme për të dëshmuar praninë ilire në Itali, ato që në sasi të mëdha janë zbuluar në Picenum, ku ndikimi i kulturës ilire gjatë periudhës së vjetër të hekurit ishte aq i madh sa që tërë kultura picene mban vulën e kulturës ilire. Fibulat me kokrrën e qelibarit në hark, fibulat dhe varset, pektoralet dhe shumë stoli të tjera nga nekropolet picene gati plotësisht u përgjigjen atyre ilire, veçmas atyre nga rajonet e liburnëve dhe të japodëve, të cilët jetonin përballë bregdetit picen dhe që depërtonin shpeshherë dhe për një kohë të gjatë si pushtues në ato vise të tokave italike. Ndonëse sot nuk mud të flitet më për ndonjë migrim masiv të fiseve ilire nga Ballkani në rajonin e Picenës si është folur më parë nuk ka dyshim se ilirët me praninë e tyre në këto provinca italike luajtën rol shumë të madh jo vetëm në formimin e kulturës materiale dhe shpirtërore të picenëve por gjithsesi edhe në procesin e etnogjenezës së tyre.

Rajoni i tretë për të cilin është menduar se ishte i banuar nga ilirët ishte pjesa verilindore e Italisë, ku jetonte fisi i madh i venetëve. Duke interpretuar gabimisht shprehjen e Herodotit (Historia, 1,196), “Enetët ilirë”, duke parë në këta enetë venetët në Adriatikun verior e jo fisin enet në Maqedoninë veriore për të cilët me të vërtetë mendoi Herodoti, i përfshinë disa ekspertë të vjetër, sidomos filologët, edhe venetët në rrethin e fiseve ilire. Kështu njohësi më i mirë i gjuhës së tyre KarlPauli pohoi se edhe gjuha venete është vetëm një pjesë e asaj iiire. Simbas Paulit prania e ilirëve në ato pjesë të Italisë është pasojë e depërtimit të tretë (mbas atij në Italinë e Mesme edhe në Apuli) të ilirëve në drejtim të Italisë. Mosmarrëveshjen me enetët e Herodotit e shpjegoi H. Krahe në vitin 1939, por ndërkohë edhe hulumtimet arkeologjike, si dhe anaiizat e onomastikës së venetëve si dhe të gjuhës së tyre treguan se për karakterin ilir të bartësve të kulturës venete (në të vërtetë të kulturës Este si e quajnë arkeologët) nuk mund të bëhet fjalë.

Shumë gjëra në këtë drejtim janë ende të paqarta dhe të pahulumtuara në lidhje me praninë e ilirëve në Itali, Hulumtimet filologjike në të kaluarën, shpeshherë nën ndikimin e panilirizmit, kanë shkaktuar shumë ngatërresa në lidhje me këtë problem, ndërsa disiplinat e tjera shkencore, veçanërisht arkeologjike, nuk kanë bërë deri tani të gjitha hulumtimet, të cilat do të vinin në baza shkencore dhe do të zgjidhnin këtë problem. Megjithatë, ajo që qysh tash e dimë është e mjaftueshme të vërtetojmë se prej fundit të epokës së bronzit deri në mesin e epokës së hekurit bregu italik i qe nënshtruar ndikimit të fuqishëm kulturor të ilirëve ballkanikë dhe se ilirët kishin qendrat e tyre ushtarake dhe tregtare në truallin italik. Nuk ka dyshim se ilirët luajtën rol të rëndësishëm jo vetëm në ngjarjet historike në Itali por morën pjesë në etnogjenezën e shumë fiseve në Siujdhesën Apenine.

Duke bërë rezymenë e asaj që thamë këtu shkurtimisht lidhur me kufijt etnikë të ilirëve, mund të përfundojmë se ata në epokën parahistorike dhe atë historike kanë banuar në një rajon të gjerë që nga perëndimi mbyllet nga deti Adriatik dhe ai Jon, në veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në lindje Danubi — Morava – Vardari, ndërsa në jug Epiri dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali.

VIJON

© Pashtriku.org

__________________________

HISTORIA E ILIRËVE (4)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura