HISTORIA E ILIRËVE (6)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Shteti Ilir

Në një territor të gjerë prej ujdhesave të Dalmacisë së mesme në veri e deri në Epir në jug dhe deri te Dardania e Maqedonia në lindje u zhvillua formacioni më i rëndësishëm politik që krijuan ilirët në kohën e pavarësisë së tyre. Ishte ky shtet të cilin sundimtarët sipas burimeve antike e përmendin “ilir” për dallim nga ai “dardan”, “taulant”, etj., prandaj për këtë shkak studiuesit e sotëm këtë shtet e quajnë ilir. Shumë sundues të këtij shteti i dimë për nga emri, mirëpo përpjekjet e disa hulumtuesve të rinj për të caktuar radhën e tyre kronologjike dhe gjenealogjike nuk vërtetohet gjithnjë edhe nga burimet e shkruara antike. Këto përpjekje ndër të tjera nisen edhe nga supozime se kjo bashkësi politike, e cila kishte përfshirë një mori fisesh, të cilat nga emrat janë të njohura si ilirë. Fatkeqësisht, shumë gjëra janë të paqarta kur flitet për çështjet gjenealogjike të ilirëve të jugut dhe padyshim do të nevojiten jo vetëm zgjuarësi, por në radhë të parë burime të reja të shkruara (epigrafike dhe numizmatike) në mënyrë që të sqarohen problemet që burojnë nga shënimet fragmentare të cilat njihen sot.

Fanula Papazoglu, e cila kohëve të fundit është inarrë intensivisht me problemet e historisë ilire mehdon75 se mbretëria ilire fillon nga fundi i shek. V para e.r. me mbretin Siras dhe se vazhdon të jetojë pa ndërprerje deri në shek. II para e.r., derisa humbi pavarësinë politike kohë kur romakët morën rob mbretin e fundit ilir, Gentin (Genthios).Në këtë periudhë të gjatë shtetin ilir e sunduan pesëmbëdhjetë sundimtarë, të cilët ndahen në dy dinasti. Në të parën sundojnë nëntë mbretër të cilët i njohim nga emrat: Siras (fundi i shek. V dhe fillimi i shek. IV para e.r.), Bardhyli, themeluesi i parë i dinastisë, vdiq në vitin 359 ose 358 para e.r. Vijojnë mandej Grabosi, Pleurati, Kleiti, Glaukia (i cili në vitin 335 para e.r. së pari përmendet si mbret i taulantëve, ndërsa si mbret i ilirëve prej vitit 317 deri më 302 para e.r.), Bardhyli II, Monuni dhe Mytili, për të cilin kemi lajme nga viti 270 para e.r. Mbas kësaj dinastie pason tjetra, e cila fillon me Pleuratin (rreth vitit 260 para e.r.), ndërsa e trashëgon Agroni, mandej Pini i mitur i cili sundon nën mbikqyrjen e njerkës së vet Teutës. Pason Skerdilaidi, mandej Pleurati dhe në fund biri i tij Genti (sundoi prej vitit 180 deri më 168 para e.r.) me të cilin përfundon kjo dinasti dhe jeta e pavarur e shtetit ilir.

F. Papazoglu insiston në tezën se nuk kishte ndërprerje jo vetëm në zhvillimin e shtetit ilir, por as në mes të dinastisë së parë dhe të dytë. Për dinastinë e Pleuratit, një numër i madh burimesh të shkruara nuk lënë dyshime për relacionet gjenealogjike midis disa anëtarësh të kësaj shtëpie sunduese. Me arsye mund të dyshohet se a janë të njohur për ne sundimtarët ilirë që kanë sunduar me të vërtetë vetëm në një shtet dhe se mos autorët grekë i kanë quajtur “ilirë” vetëm për shkak se nuk i kanë dalluar mirë disa bashkësi fisesh, në krye të të cilave ishin sundimtarët e përmendur. Na duket se për dinastinë mbretërore ilire mund të flasim vetëm prej mesit të shekullit III para e.r. do të thotë prej Pleuratit. Shteti ilir, megjithatë, edhe më parë ka ekzistuar, mirëpo cilët nga sundimtarët që njohim kanë qenë me të vërtetë në krye të atij shteti, kjo është pyetje së cilës në mënyrë pohuese mund t’i përgjigjemi vetëm për disa prej tyre. Megjithatë, përjashtohet mundësia që shteti i mëparshëm ka pasur përafërsisht të njëjtë territorin si ai i kohës së Pleuratit dhe Agronit.

Me ardhjen e Pleuratit në pushtet rreth vitit 260 para e.r. dhe veçanërisht të të birit të tij Agronit, fillon faqja më e lavdishme e hsitorisë ilire. Ky shtet gjatë sundimit të tij si dhe të trashigimtarëve të tij do të qëndrojë në qendër të lojës politike midis shteteve ballkanike si factor i ri politik në skenën politike – të kohës.

Paraqitja e Romës së pari në bregun perëndimor të Adriatikut (gjatë shekullit III para e.r. Roma themeloi një varg kolonish në bregun italik), e mandej në atë lindor, shënoi fillimin e ngjarjeve shumë të bujshme, të cilët mbas luftërave të gjata e të vështira shkaktuan okupimin romak të pjesës perëndimore dhe jugore të Ballkanit.

Pozita dhe madhësia e shtetit ilir kushtëzuan angazhimin e tij në kombinimet politike dhe në luftërat në këtë pjesë të Ballkanit. Agroni hyri me mjaft mjeshtri në këto kombinime dhe luftëra duke i siguruar në këtë mënyrë mbretërisë së tij rol të rëndësishëm në ngjarjet që do të pasonin.

Me futjen e mbretit maqedon, Demetri II, i cili në atë kohë ishte i zënë me luftërat kundër dardanëve, Agroni me ushtrinë e vet prej 5000 ushtarësh u shkoi në ndihmë aleatëve të Demetrit, akarnanasve. Etolasit, kishin rrethuar në atë kohë qytetin akarnanas, Medion. Ushtria ilire duke zbarkuar në afërsi të këtij qyteti, me një sulm të furishëm shkatërroi taborrin etolas. Kjo ishte një nga fitoret më të lavdishme të ilirëve kundër një ushtrie greke e cila shtoi dukshëm prestigjin e armëve ilire në sytë e grekëve dhe të maqedonëve.

Fatkeqësisht, menjëherë pas kthimit nga kjo ekspeditë, Agroni vdiq. Kjo ishte një goditje e rëndë për shtetin ilir, sepse ai me politikën e vet të brendshme energjike arriti të kufizojë pushtetin e disa kryetarëve të fiseve dhe në këtë mënyrë të krijojë kushte për përfshirje më të gjërë të shtetit të tij në politikën ndërkombëtare.

Në fron erdhi atëherë Pinesi i mitur, i biri i Agronit dhe i gruas së tij të parë, Triteutës, por pushtetin e vërtetë e kishte njerka e tij, Teuta.

Teuta, fatkeqësisht, nuk diti të ruajë shtetin të fortë si e trashëgoi nga Agroni. Nën presionin e kryetarëve të pakënaqur të fiseve lejoi piraterinë, të cilën, si duket paraardhësit e saj e kishin kufizuar. Ndoshta që t’i qetësonte kryetarët e pakënaqur të fiseve, ndërmori në vitin 230 para e.r. marshimin e parë luftarak kundër Greqisë. Dërgoi nja njëqind barka që të plaçkisin Elidën dhe Meseninë në Peloponez, e mandej menjëherë filloi luftën me epiriotët, të cilët qëndronin në anën e etolasve kundër maqedonëve dhe ilirëve. Kjo ishte një pjesë e planit të saj që të depërtonte nga Greqia. I pari u godit qyteti Foinike, qytet shumë i rëndësishëm strategjik në Epirin e veriut (në afërsi të Sarandës së sotme). Duke zbarkuar në afërsi të qytetit, ilirët e morën pa luftë sepse qysh më parë qenë marrë vesh me garnizonin e përbërë nga 800 mercenarë keltë, të cilët mbronin qytetin. Mbas lajmit për një fitore të re të ushtrisë ilire kundër grekëve, u sulën kundër qyteteve epirote. Ushtria e tyre rrethoi qytetin, i cili ishte i mbrojtur me mure të forta dhe u bëri rezistencë me lehtësi sulmeve. Ilirëve të rrethuar u shkoi për ndihmë në krye të 5000 ushtarëve Skerdilaidi, i ungji i Pinesit. Për të penguar depërtimin e tij nga Foinike një pjesë e ushtrisë epirote u nda dhe ia mbylli rrugën afër Antigonesë, në lindje të Gjirokastrës. Zvogëlimi i ushtrisë epirote në Foinike u bëri të mundur ilirëve të rrethuar që një natë, befasisht, të dalin nga qyteti dhe të shkatërrojnë rrethimin. Epirotët pësuan edhe këtu një disfatë të rëndë.

Në kohën që ushtria ilire ishte zotëruese e situatës në Epir për shtetin ilir u çfaq një rrezik i ri. Dardanët, të cilët deri atëherë zhvilluan një varg luftërash me maqedonët, u nisën tani edhe kundër shtetit të Teutës. Teuta e thirri Skerdilaidin të kthehet shpejt me ushtrinë e vet në veri. Mirëpo para se të largohej nga Epiri lidhi me ta një marrëveshje shumë të volitshme, e cila i vente epirotët, praktikisht në pozitë të varur ndaj shtetit ilir. Akarnanasit, megjithatë, lidhën gjithashtu me ilirët një marrëveshje, me të cilën njohën pushtetin suprem të ilirëve. Kështu Teuta mbas luftërave në Epir zgjeroi kontrollin e vet prej Neretvës në veri e deri në gjiun e Ambrakisë në jug. Në këtë kohë shteti ilir ishte njëri nga shtetet më të mëdha në Mesdhe.

Mbasi u evitua rreziku prej dardanëve, Teuta vazhdoi politikën e vet ekspansioniste, duke i drejtuar përpjekjet e veta kundër kolonive greke në bregdetin dhe ujdhesat ilire. Në qendër të goditjeve ishin kolonitë në Ilirinë e jugut (Dyrrhachion dhe Apollonia) si dhe ato në ujdhesat e Dalmacisë së mesme, më e rëndësishmja në mesin e tyre Isa. Ushtria ilire rrethoi Isën, kurse ajo e vetëdijshme se nuk mund të mbështetej më në ndihmën greke, kërkoi mbrojtje në fuqinë e re ushtarake, e cila në atë kohë ishte gjithnjë e më e pranishme në Adriatik – Romën.

Ky ishte një akt vendimtar i cili solli shpejt ndërhyrjen romake në konfliktet ballkanike dhe fillimin e luftërave të gjata midis Romës dhe ilirëve dhe më në fund solli okupimin romaktë Ballkanit lindor si dhe humbjen e pavarësisë politike të ilirëve.

Senati romak, të cilit edhe më parë i kishin arritur ankesat e tregtarëve italikë dhe grekë për shkak të sulmeve të piratëve ilirë kundër anijeve të tyre që lundronin nëpër Adriatik, i nxiturtashmë edhenga lutjae isejve përndihmë vendosi t’i dërgojëTeutës një delegacion dhe të kërkojë prej saj të ndërpresë operacione luftarake kundër Isës si dhe të ndërpresë sulmet e piratëve kundër anijeve tregtare greke dhe italike. Delegacioni në të cilin ishin vëllezërit Gaj dhe Luc Korunkani, iu bashkua edhe greku i Isës, Kleemporos, nuk arriti të sigurojë nga Teuta atë që kërkonte. Simbas Polibit, Teuta duke dëgjuar kërkesat e tyre, iu përgjegj, duke mos njohur fare fuqinë e Romës, se ajo do të kujdesej që ilirët të mos u shkaktojnë kurrfarë të këqiash romakëve, mirëpo ajo nuk mund t’ua ndalte nënshtetasve të vet piraterinë, sepse kjo ishte çështje e tyre private. Kjo përgjigje nuk iu pëlqeu delegatëve të Romës dhe njëri prej tyre mori guxim t’i përgjigjet se Roma vetë do t’i mbrojë nënshtetasit e vet prej piratëve ilirë dhe sundimtarët ilirë do t’i detyrojë t’i ndryshojnë ligjet e tyre. Një përgjigje e tillë, sigurisht, në sytë e sundimtares së një shteti të lirë dhe në atë kohë të fortë do të dukej si përzierje prepotente e një shteti të huaj në punët e brendshme të mbretërisë së saj. Nuk dihet se a me dijen e mbretëreshës, ose ndoshta edhe me urdhërin e saj, delegacioni duke u kthyer nga pallati i saj u sulmua tradhtisht: një nga delegatët romak dhe Kleemporosi u vranë. Senatit romak, i cili me kohë kërkonte pretekst për intervenim, kjo vrasje qe e mirëseardhur si shkak për të depërtuar drejtpërdrejt në skenën politike dhe ushtarake të Ballkanit perëndimor.

Teuta u përpoq ta zgjidhë konfliktin e shkaktuar, prandaj për këtë dërgoi në Romë të deleguar të posaçëm, mirëpo nuk hoqi dorë as nga rrethimi i Isës, e as nga qëllimi që t’i nënshtrojë edhe kolonitë e tjera greke në Adriatik dhe në detin Jon. Për të realizuar qëllimet e veta dërgoi flotën e vet në drejtim të Dyrrhachionit dhe mbasi nuk mundi ta pushtojë, ushtria e saj u nis kundër Korkyrës. Në këto kushte kolonitë iu drejtuan për ndihmë vëllezërve të vet grekë, mirëpo lutjes së tyre iu përgjigjën vetëm ahejët të cilët dërguan kundër ilirëve dhjetë anije të rënda luftarake. Beteja detare midis ahejve dhe flotës ilire në anën e të cilëve gjendeshin edhe shtatë anije luftarake të akarnanasve, u zhvillua afër ujdhesës Paksos, afër Korfuzit. Ilirët në këtë betejë korrën fitore të madhe, kështu që mbas kësaj fare lehtë morën edhe qytetin Korkyra. Duke lënë në të Dhimitër Farin, komandantin e deriatëhershëm të Farit dhe sigurisht komandantin e flotës ilire, ilirët u nisën përsëri kundër Dyrrhachionit.

Në këtë kohë romakët përgatiteshin për sulm kundër ilirëve. Në pranverë të vitit 229 para e.r. në bregdetin përballë, në Brundisium (Brindisi i sotëm në Apuli) u mblodh një ushtri e fortë prej 20.000 ushtarësh, 2.000 kalorësish dhe 200 luftanijesh. Kjo ushtri u nis kundër ilirëve në kohën kur ushtria ilire gjendej rreth mureve të Dyrhachionit. Ky ishte fillimi i luftës sëparë romake-ilire.

Flota romake e udhëhequr nga Gnei Fulv Centumali u nis në drejtim të Korkyrës. Dhimitër Fari as që u orvat të bëjë rezistencë, e cila do të ishte e kotë kështu që ua dorëzoi qytetin romakëve, dhe vetë vihet në shërbim të tyre. Romakët u nisën mandej drejt Apollonisë, banorët e së cilës ua hapën dyert e qytetit, dhe mandej vazhduan drejt Dyrhachionit duke u liruar nga rrethimi ilir. Flota romake u nis mandej drejt Isës dhe Pharit, të cilat u vunë menjëherë nën mbrojtjen romake, ndërsa ushtria tokësore romake që operonte në Ilirinë e Jugut gjithashtu shënoi rezultate të rëndësishme për një kohë shumë të shkurtër. Disa fise, si atintanët dhe parthinët, shfrytëzuan situatën e vështirë në të cilën ishte shteti ilir dhe dërguan delegatë te romakët me lutje që t’i pranojnë si aleatë.

Teuta ushtarakisht nuk ishte e aftë që të pengonte depërtimin e legjioneve romake. U tërhoq në kështjellën Rizon (Risan i sotëm në gjirin e Bokës së Kotorit), mirëpo shpejt kuptoi se rezistenca ishte e kotë, kështu që kërkoi paqë.

Marrëveshja e arritur me Romën ishte shumë e rëndë për Teutën dhe për shtetin ilir. Ajo u detyrua të abdikojë në dobi të Pinit, ndërsa mbretëria e saj u vu pjesërisht nën kontrollin e Romës: kolonitë greke në bregdetin ilir Dyrrhachion, Apollonia, Issa e të tjera ruajtën autonominë politike, por nën protektoratin e Romës. Me marrëveshje qe precizuar se anijet e armatosura ilire nuk guxojnë të lundrojnë më në jug të Lisosit.

Personaliteti që doli në plan të parë të skenës politike ilire, ishte greku Dhimitër Farasi, njeri me aftësi të mëdha diplomatike i cili me kohë diti të kalojë në anën e romakëve, sa pa se çështja e Teutës dështoi. Me ndihmën e zotërve të rinj u bë sundimtar në Farku kishte lindur si dhe i disa pronavenë pjesën tokësore, mirëpo më i rëndësishmi ishte roli të cilin nisi ta luajë në vetë pallatin ilir, pasi mori grua të ëmën e Pinit Triteutën dhe kështu faktikisht, u bë person më me ndikim në shtetin ilir.

Romakët në atë kohë nuk ishin të gatshëm që të hynin në konflikte vendimtare me ilirët dhe të konsolidonin pozitat e fituara, për këtë shkak intervenimin në punët e Ballkanit për afirmimin e vet politik. Dëshironin që veçmas te grekët të krijonin kuptimin e mbrojtësit të interesave të tyre dhe të kundërshtarit të ilirëve barbarë, të atyre piratëve të rrezikshëm të cilët nuk respektonin ligjet e civilizimit në det. Për këtë qëllim senati romak dërgoi delegatët e vet të athinasit dhe te grekët e tjerë me mesazhe se që tani lundrimi nëpër Adriatik ishte i lirë jo vetëm për anijet italike, por edhe për anijet tregtare greke. Duke besuar se te romakët gjetën aleatët kundër ilirëve, grekët në shenjë mirënjohje, lejuan që të marrin pjesë në lojërat istmike, duke i njohur kështu si popull të civilizuar.

Lufta e dytë romake-ilire u zhvillua nja dhjetë vjet më vonë, mbasi romakët përfunduan se Dhimitër Fari, i cili në fillim luante rolin e vazalit besnik, nisi të bëjë llogari më tepër për interesat ilire se sa për të tyret. Në të vërtetë Dhimitër Fari nisi f u afrohet më shumë maqedonëve – atëherë armiqve më të rrezikshëm të politikës romake në Ballkan. Lidhi marrëveshje së pari me sundimtarin maqedon, Antigon Dosonin, e mandej edhe me trashëgimtarin e tij, Filipin V, sepse në Maqedoninë e fortë dhe mike shihte garanci për forcimin e pozitave ilire në krahasim me Romën dhe për dobësimin e ndikimit romak në Ballkan. Për këtë shkak ndihmoi ushtarakisht sundimtarët maqedonë që t’i forcojne pozitat e tyre në Greqi. Gjithashtu, mori aksione ushtarake kundër aleatëve të Romës në Iliri, e mandej me flotën e tij sulmoi edhe qytetet greke, bile edhe në detin Egje.

Senati romak u shqetësuangazhvillimi i ngjarjeve në Iliri, prandaj e ftoi Dhimitrin të shkonte në Romë që t’i sqaronte qëndrimet e tij. Dhimitri, megjithatë, nukju përgjigj dëshirës së senatit romak, kështu më 219 para e.r. kundër tij u dërgua një ushtri e fuqishme romake, me në krye dy konsujt – L. Emil Paulin dhe M. Liv Salinatorin. Dhimitri u strehua në kështjellën Dimallum,81 qytet të cilin ilirët e mbanin si të papushtueshëm, prandaj romakët për këtë vendosën ta sulmojnë. Mbas shtatë ditë lufte të rreptë ushtria romake arriti ta pushtojë qytetin. Dhimitri u fsheh në Far, në vendlindjen e tij, me shpresë se atje do të arrijë të bëjë rezistencë kundër sulmuesve, mirëpo romakët edhe aty e arritën shumë shpejt dhe i shkaktuan edhe një disfatë para hyrjes në qytet. Ai arriti të shpëtojë duke ikur, së pari, në viset fqinje e mandej në Maqedoni, ku e priti miqësisht Filipi V.

Mbretëria ilire me këtë disfatë mori edhe një goditje të rëndë e cila e kufizoi edhe më tepër sovranitetin e saj. Skerdilaidi i cili me kohë ishte ndarë nga Dhimitri, arriti në të vërtetë të ruajë mbretërinë, mirëpo u detyrua të njohë romakët si aleatë.

Kur në vitin 217 para e.r. vdiq Pinesi i mitur, në vitin e pesëmbëdhjetë të jetës, në krye të shtetit mbeti vetëm Skerdilaidi. Si vasal besnik i Romës ai mbrojti interesat romake në Ballkan, sidomos kundër maqedonëve. Mbreti maqedon, Filipi V, i cili nën ndikimin e DhimitërFarit ëndërronte mbi përtritjen e shtetit maqedon, lidhi aleancë antiromake me Kartagjenën dhe me Sirakuzën. Megjithatë, prej kësaj aleance nuk pat fitim, sepse asnjëra nga palët e angazhuara në këtë marrëveshje nuk iu përmbajt obligimeve të marra, mirëpo kjo aleancë e nxiti senatin romak që të marrë një varg masash, së pari diplomatike, e mandej edhe ushtarake, kundër maqedonëve. Filipi V, duke shfrytëzuar situatën e romakëve për shkak të fitoreve të Hanibalit në Itali, sulmoi Skerdilaidin dhe pushtoi një pjesë të bregdetit ilir. Romakët nuk mund të lejonin forcimin e maqedonëve në llogari të aleatëve të vet në Iliri, dhe dërguan kundër maqedonëve një ushtri e cila zbarkoi në afërsi të Dyrrhachionit. Në vitin 205 para e.re. midis maqedonëve dhe romakëve u nënshkrua paqja kompromise në Foinike të Epirit, mirëpo romakët sapo e mundën Kartagjenën, i filluan përsëri operacionet kundër Filipit V. Mbas një varg betejash në vitin 197 u arrit fitorja vendimtare romake te Kinoskefali në Thesali, e cila varrosi të gjitha shpresat e Filipit.

Shteti ilir nën protektoratin e Romës, mbas ndërhyrjes së legjioneve romake kundër Filipit V, ktheu një pjesë të madhe të territoreve të humbura. Pleurati i cili trashëgoi fronin e Skerdilaidit i shërbeu me besnikëri Romës. Këtë nuk e vazhdoi edhe trashëgimtari i tij, Genci, i cili erdhi në fron rreth vitit 180 para e.re. Sigurisht duke vlerësuar gabimisht situatën dhe raportin e forcave në kohë, Genci përsëri luajti me letrën maqedone. Ky ishte gabimi më fatal. Roma nuk donte të kishte më aleatë të pasigurt, gjithnjë të gatshëm të pajtohen me armiqt e saj, prandaj vendosi që me një aksion të furishëm, të nënshtrojë drejtpërdrejt provincën jugore ilire dhe të likuidojë mbretërinë ilire. Prijësi ushtarak romak, Luc Anic Gali në krye të 30.000 ushtarëve u nis në drejtim të Shkodrës së fortifikuar (Shkodra e sotme në Shqipëri), kryeqytet i shtetit ilir, ku ishte strehuar mbreti. Kjo luftë e tretë romake-ilire zgjati gjithsej nja tridhjetë ditë. Genci, në të vërtetë, nuk mundi të qëndrojë gjatë nën rrethimin e legjioneve romake, kështu që u detyrua të dorëzohet (më 168 para e.re.). Mbreti me tërë familjen u dërgua rob në Itali, ku së pari u internua në Spoletium e mandej në Gubbium. Ky ishte fundi i mbretërisë ilire dhe njëherësh një nga hapat vendimtarë ndaj okupimit romak të tokave ilire.

Mbas ngadhnjimit ndaj Gentit, L. Anic Gali caktoi kuvendin e kryetarëve të fiseve ilire (më 167 para e.re.) në Skodër dhe aty shpalli, “në emër të senatit dhe të popullit romak” se të gjitha ato fise dhe qytete që kanë kaluar në anën e Romës para rënies së Gentit, janë të lira dhe nuk duhet të paguajnë tribut. Kjo kishte të bënte me fiset e taulantëve, pirustëve, daorsve, mandej me banorët e qyteteve Rhizon, Olcinium, dhe mesa duket Lissos. Mbretëria ilire qe ndarë në tri pjesë, që të tria nën sundimin e drejtpërdrejtë të Romës. Në krye të pjesëve të ndryshme të ish mbretërisë ilire, e ciia ruajti autonominë shumë të ngushtuar qëndronin sundimtarë të ndryshëm, për të cilët dimë fare pak. Pak më tepër dimë vetëm për njërin prej tyre, Ballaiosin. Në bazë të aktivitetit të tij shumë të pasur numizmatik mund të supozohet se Ballaiosi ishte një nga sundimtarët lokalë, të cilët orvateshin të ruanin sido që të ishte kontinuitetin e shtetit ilir nën kushte shumë të vështira të okupimit romak. Selia e shtetit të tij – nëse guxojmë edhe ta quajmë kështu — gjendej në Rhizon të Bokës së Kotorit, e më vonë, ndoshta në Far.

Nënshtetas të dëgjueshëm ishin edhe sundimtarët e tjerë, gjegjësisht kryetarët e fiseve, të cilët qëndronin në krye të shteteve të vogla të posaformuara mbas vitit 167 para e.re. Me shkatërrimin e shtetit të përbashkët ilir në njësi më të vogla dhe me dhënien e autonomisë territoriale këtyre njësive të reja, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mosmarrëveshjet e mëparshme dhe armiqësitë midis ish mbretërve ilirë si dhe kryetarëve të fiseve të nënshtruara, Roma arriti për një kohë të gjatë të ruajë paqen në atë pjesë të Ilirisë. Duke proklamuar dëshirën që ilirëve t’u sigurojë jetën e lirë, senati romak, i forcoi pozitat e veta në Iliri. Megjithatë, ato fise dhe qytete të cilat tradhtuan interesat e Gencit në kohën kur legjionet romake u vërsulën kundër mbretërisë së tij fituan shumë privilegje, ndër të cilat edhe atë që të presin të hollat e veta (labeatët, daorsët etj.

VIJON

© Pashtriku.org

————————————-

HISTORIA E ILIRËVE (7)

Nga Aleksandër Stipçeviq

https://pashtriku.org/historia-e-ilireve-7/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura