HISTORIA E PANJOHUR E PASARDHËSVE TË SKËNDERBEUT …

Arkivat e Venecias: Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut, çfarë ndodhi me djalin dhe nipin e tij

Nga Pëllumb Xhufi

Emri dhe fama e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e kthyen heroin në një referencë historike dhe element identifikimi kombëtar e kulturor për shqiptarët e të gjitha kohërave, të të gjitha viseve e të të gjitha besimeve.

E provon këtë arvaniti Gjon Erakli, nga Mani i Peloponezit, i cili në vitin 1557 mburrej përpara Papës se ishte kushëri i Gjergj Kastriotit (il nostro parente Giorgio Castrioto detto Schindorvechi); e dëshmojnë ata krerë të Arbrit të Jugut, që në 1577 i prezantoheshin papës Gregor XIII si bashkëkombas “të mbretit tonë Skënderbe” (Scanderbech, noster Rex); e dëshmojnë po ashtu pjesëmarrësit e Kuvendit të Dukagjinit të vitit 1602, të cilët betoheshin “të rifitonin lirinë e dikurshme që gëzonin në kohën e Princit të tyre Skënderbe”; e dëshmon organizatori i paepur i kryengritjeve antiosmane, Mark Gjini, që nuk linte rast pa kujtuar që gjyshi i tij kishte luftuar nën urdhrat e Skënderbeut; e, në fund, e dëshmon edhe Mahmud Pashë Bushatlliu i Shkodrës, i cili në prag të Rilindjes Kombëtare e shpallte veten pasardhës të Skënderbeut dhe imitues të veprave të tij: të gjithë këta e njihnin Skënderbeun si demiurg të tyre, si model e, në fund të fundit, edhe si faktor që lehtësonte kontaktet me kanceleritë e Perëndimit.

Shumë më të vështirë e patën pasardhësit Kastriotë, të cilëve, përveç privilegjit si trashëgimtarë të emrit e të lavdisë së Heroit, u binte edhe barra e rëndë e matjes me bëmat e tij. Në fakt, asnjë prej tyre nuk e pati gjeninë e Skënderbeut e nuk u ngrit dot në lartësinë e kryeparit.

I biri, Gjon Kastrioti, në vitin 1481 u dërgua në Shqipëri nga mbreti Ferrante i Napolit për të ndezur aty zjarrin e kryengritjes antiosmane. Por dëshmitë e kohës heshtin për të, ndërsa ngrenë në qiell trimëritë e fitoret ushtarake të kapitenëve shqiptarë që e shoqëruan në atë aventurë, të Kostandin Muzakës, kushëri i Gjonit, e të Krokodil Kladës nga Mani i Peloponezit.

I biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti, tentoi të shkëlqejë aty ku kishte shkëlqyer gjyshi i tij legjendar, e ku në 1481 kishte dështuar i jati. Por, ky Gjergj qëndronte shumë larg Gjergjit të parë. Bashkëkohësit rrëfejnë se ishte i dhënë pas jetës mondane, i pëlqente të shpenzonte e të vishej bukur (bel vestito).

Madje, kronisti Girolamo Priuli e përshkruan Gjergjin si një të ri mendjelehtë (haveva pocho zervello). Ndoshta ngaqë i mungonin mjetet financiare për të përballuar tekat e veta (kështu pëshpërit kronisti tjetër, Marin Sanudo), Gjergji i propozoi Senatit të Venedikut ta mbështeste financiarisht për të kryer në Shqipëri një ekspeditë ushtarake: Shqiptarët mezi prisnin nipin e Skënderbeut për t’u hedhur në kryengritjen e radhës.

Atë kohë, vitet 1499-1503, Republika e Venedikut ishte përfshirë në një luftë të re me Perandorinë Osmane. Në këtë kontekst, ekspedita e Skënderbeut të Ri do kishte një efekt diversiv, duke i bllokuar turqit në sterenë shqiptare e duke lënë të lirë trafikun detar në Adriatik, që ishte shqetësimi kryesor i venecianëve.

Kështu, pas debatesh të gjata e të ndezura, më në fund, në mars 1501, Senati e mori vendimin për nisjen e ekspeditës. “E mori, por doli një punë koti”, komenton plot sarkazëm bashkëkohësi Marin Sanudo vendimin e Senatit (E fu presa, et fuit nihil).

Në fakt, ekspedita e Gjergjit filloi e mbaroi me pushtimin pa luftë të Ishull-Lezhës, të cilën, në vend të një plasdarme ushtarake për çlirimin e vendit, ai e ktheu në një “rezidencë” mondane, ku priste e përcillte përfaqësues lokalë e deri dinjitarë osmanë nga Kruja e Shkodra.

Sanudo tallet me këtë anabasis të çuditshme të Skënderbeut të Ri në Shqipëri, kur precizon se ky kishte marrë me vete edhe të shoqen, dhe shton: mjaftonte një shenjë e gruas, dhe Gjergji linte përgjysëm çdo bisedë “shtetërore” për t’ia kushtuar asaj gjithë vëmendjen e vet.

Ndër pasardhësit e Skënderbeut në diasporën italiane, më i denjë për emrin e lavdishëm që mbante, edhe pse nuk i përkiste linjës së drejtpërdrejtë të familjes, ishte Alfonsi, markez i Tripaldës. Në zonën e Labërisë e të Himarës e njihnin mjaft mirë, dhe akoma në vitin 1566, rreth njëzet vjet pas vdekjes së tij, krerët e atyre viseve kujtonin “fatlumin Markez të Tripaldës, që sa ishte gjallë na u ndodh pranë bujarisht, e tani që nuk e kemi më, na ka lënë të pashpresë”.

Në fakt, Mbreti i Napolit e kishte emëruar Alfonsin si qeveritar të Kalabrisë e të Puljes, e këtë pozicion ai e shfrytëzoi për të forcuar lidhjet me bashkëpatriotët e tij të përtej-detit, e më tej për të organizuar aty operacione zbulimi e deri kryengritje të armatosura kundër osmanëve.

Por djali i tij, Antoni, i cili falë martesës fatlume të tij mori edhe titullin e dukës së Ferrandinës, qëlloi edhe ai djali plangprishës i familjes. Pasi e shkriu pasurinë në festa mondane e duke bredhur nëpër botë, gjeti vdekjen në Venecie gjatë Karnevaleve të vitit 1549.

I gjori, shkëlqeu me bukurinë e zhdërvjelltësinë e tij gjatë garës me kuaj në sheshin San Stefano, por në fund të saj guxoi t’i hedh një kompliment paksa të guximshëm një damixhele veneciane, burri i së cilës, në zënkë e sipër, e goditi për vdekje me shpatë. Kjo vdekje tragjike në Karnavalet veneciane do të mbyllte, në mënyrë melankonike, historinë e Kastriotëve të Italisë, atë të denjë për t’u përjetësuar.

Ndërkohë, kanë munguar të dhëna për pasardhës eventualë të Kastriotëve në Shqipëri. Në fakt, pas plojës që Skënderbeu kishte shkaktuar mbi turqit osmanë, aty nuk kishte vend për Kastriotët. Flitet për ndonjë pinjoll të tyre, që u kaloi në islam dhe u humb në masën e të paemërve.

Megjithatë, dokumente të viteve 1601-1605 të Arkivit të Venecies, të gjetura së fundi, na njohin në Dalmacinë veneciane me një pinjoll të panjohur të Kastriotëve. Bëhet fjalë për Françesk Kastriotin, emrin e të cilit dokumentet e japin Francesco Castriotto, e ndonjëherë edhe në formën akoma më shqipe: Francesco Castriotti. Ky përmendet si kapiten i shquar në shërbim të Venedikut me rastin e luftës që Republika u shpalli uskokëve.

Uskokët ishin luftëtarë kroatë të rekrutuar nga venecianët për të ruajtur zotërimet bregdetare dalmate nga sulmet e osmanëve. Por nga mesi i shek. XVI, uskokët u kthyen në një makth për punëdhënësit e tyre. Më shumë se të ndesheshin me osmanët, uskokët u dhanë pas zanatit më fitimprurës të piraterisë, duke sulmuar e plaçkitur pikërisht anijet tregtare veneciane.

Luftëtarë të ashpër e mizorë, uskokët u kthyen në tmerrin e lundërtarëve, gjë që e detyroi Republikën të krijonte një trupë të veçantë me rekrutë vendas (kroatë) për të ndalur sulmet e tyre. Rezultatet qenë të pakta, dhe venecianët e panë me vend të angazhojnë kundër uskokëve edhe luftëtarë shqiptarë.

Në vitin 1598 trupa e “luftëtarëve kundër uskokëve” numuronte përveç 150 kroatëve, edhe po aq shqiptarë. Këta, që ishin luftëtarë po aq të ashpër e të pamëshirshëm sa uskokët, e përmbysën situatën luftarake në favor të Venedikut. Kjo e nxiti qeveritarin venecian të Zarës (Zadar), t’i propozonte Senatit, që Kroatët të zëvendësoheshin të gjithë me luftëtarë shqiptarë (in loco di Crovati fossero tutti Albanesi).

Nuk dimë nëse kjo ndodhi vërtet. Por dimë që në vitin 1601 vendin e “Kapitenit të luftës kundër uskokëve” e mbante shqiptari Pal Gjini, me gradën gjeneral (Gr. Paulo Gini). Pikërisht nën urdhrat e tij ishte kapiteni Franco Kastrioti, si dhe kapitenët e tjerë, gjithashtu shqiptarë: Jak Kruta (Giacomo Crutta), Gjon Gjini (Zuanne Gini), Dabo Luzi (Dabbo Lussi), Gjon Misja (Giovanni Messia), Andrea Leka (Andrea Lecha).

Mes aksioneve të tyre, bëri bujë ai i majit të vitit 1613 kundër një bande uskokësh, të cilët më herët kishin sekuestruar një anije tregtare veneciane. Thuhet, se pasi i kishin prerë kokën kapitenit të anijes, uskokët i kishin nxjerrë atij edhe zemrën, të cilën e ndanë mes tyre dhe e hëngrën në banketin e fitores (fatto decapitare il sopracomito con grande inhumanità, cavandoli il cuore e mangiandolo in un loro banchetto).

Por uskokët u zunë në befasi nga shqiptarët e Pal Gjinit, të cilët vranë 70 prej tyre dhe kokat e prera të tyre ia çuan si shpagim qeveritarit venecian të Zarës. Po atë vit, i gjithë formacioni anti-uskok i Shqiptarëve, që ndërkohë kishte arritur numrin e 800 luftëtarëve, i sulmoi uskokët në çerdhen e tyre, në Senjë, “duke bërë copë-copë 1500 uskokë e duke plaçkitur vendin e tyre”.

Nga këto pak të dhëna, mund të themi me siguri, që në kapërcim të shek. XVI-XVII, pinjolli i Kastriotëve, kapiteni Francesco Kastrioti, pati një rol parësor në këtë faqe të historisë shqiptaro-adriatike që zgjati për gati dy shekuj.

Por, për momentin, njohuritë tona për të ndalen këtu. Me siguri, fondet e shumta të Arkivit të Venecies, përveç atyre që ne kemi mundur të konsultojmë, ruajnë njoftime të tjera, edhe më të rëndësishme, për pinjollin e Kastriotëve, për të tjerë personazhe e për të tjera ngjarje të historisë së shqiptarëve në mesjetë.

Por dikush duhet, më në fund, të kujtohet, se duhen përgatitur studiuesit e rinj, e u duhen krijuar atyre kushtet për t’u hyrë me sistem arkivave, posaçërisht atyre të Venecies.

Vetëm në universitetet e Italisë sot numërohen me mijëra studentët shqiptarë që frekuentojnë fakultetet “Lettere e Filosofia”. Deri tani nuk është dëgjuar qoftë edhe një rast i vetëm, që dikush prej studentëve shqiptarë të ketë zgjedhur drejtimin “Lettere Classiche”, që është një iter i detyruar për përgatitjen e albanologëve të së ardhmes.

Në Romë, Padova apo Napoli studentët shqiptarë zgjedhin të diplomohen për Gjuhë Angleze, për Letërsi Spanjolle, apo makar edhe për Gjuhë e Letërsi Shqipe! “Punë koti”, do të thoshte Marin Sanudo.

***

ARKIVI I VENEDIKUT KA BOTUAR 26 VËLLIME DOKUMENTESH PËR SKËNDERBEUN

Në morinë e informacioneve që dihen për Skënderbeun, historiani Pëllumb Xhufi evidenton disa pika të rëndësishme. Ai thotë se arkivi i Venedikut ka botuar 26 vëllime dokumentesh për Skënderbun dhe ngjarjet e kohës që lidheshin me Heroin Kombëtar.

Në morinë e informacioneve që dihen për Skënderbeun, historiani Pëllumb Xhufi evidenton disa pika të rëndësishme. Ai thotë se arkivi i Venedikut ka botuar 26 vëllime dokumentesh për Skënderbun dhe ngjarjet e kohës që lidheshin me Heroin Kombëtar.

Marrëdhëniet e mira me Papatin do t’i siguronin titullin mbret nëse nuk do të kishte ndodhur një rastësi fatkeqe. Historiani flet edhe për ndërrimin e feve që kishte bërë Skënderbeu dhe aftësitë e tij diplomatike e strategjike. Herë quhej princ e herë quhej mbret.

Pëllumb Xhufi: Mbret nuk u bë dot.

S’u bë dot.

Pëllumb Xhufi: Për fat të keq nuk u bë dot dhe ishte e parashikuar siç e thotë Papa Piu II q ë ishte një bashkëkohës dhe mbështetës i fortë i Skënderbeut. Do bëhej kryqëzata në vitin 1464, do nisej nga Ankona dhe erdhi flota, u bë gati dhe vdiq Papa për fat të keq, ishte organizatori dhe Papa i kishte premtuar Skënderbeut dy gjëra, që: ti do bëhesh mbret i Shqipërisë dhe e dyta, do merrte se shteti i Skënderbeut qe mjaft i rrudhur, po themi një shtet i Ismail Qemalit pas 500 vjetësh do zgjerohej në treva të tjera shqiptare në Maqedoni, në veri etj., mirëpo ky rast iku për një koincidencë fatale, vdekja e Papës nuk realizoi kryqëzatën dhe Skënderbeu nuk u bë por ngeli gjithmonë Dominus Albanie, domethënë “Zoti i shqiptarëve”.

Ndërkohë ju thoni që Skënderbeu ka ndërruar tre fe?

Pëllumb Xhufi: Jo vetëm Skënderbeu, edhe i ati i tij ka ndërruar tre fe. Skënderbeu edhe në këtë qe inovator sepse fenë e kishte të dashur, por nuk thoshte “fe dhe atdhe” por “atdhe dhe fe”. Këtë e nxjerr shumë mirë në një letër që i çon princit të Tarentit, të Italisë së Jugut se ai i thotë “që bëhu me mua” se ishte në luftë me mbretin e Napolit, “bëhu me mua sepse unë jam edhe më katolik se mbreti i Napolit” dhe i thotë “katolikë jemi të gjithë, të gjithë ne që pagëzohemi jemi njësoj katolikë dhe nuk ka katolikë më të mirë dhe më të këqinj. Problemi është që mbreti i Napolit më ndihmon kundër turqve mua, kurse ti lufton kundër atij që mua më ndihmon kundër turqve, domethënë je armiku im, këtu është llogaria që bëj unë”.

Historiani Xhufi thotë se Skënderbeu ishte trupmadh, por nuk kishte egërsi në portret siç e kemi parë në statuja.

Pëllumb Xhufi: Po nisem nga libri i Fan Nolit, i vitit 1921 “Historia e Skënderbeut”, të cilin ai e shkruajti bazuar kryesisht në kronikat e kohës, në radhë të parë shkruar nga Marin Barleti pastaj dhe nga kronikanë të tjerë të cilët janë bazuar kryesisht te Barleti. Në ’47, Fan Noli u detyrua të shkruajë përsëri “Historinë e Skënderbeut” që është krejt gjë tjetër.

Pra kemi dy versione nga Fan Noli?

Pëllumb Xhufi: Janë dy versione, njëri që është po themi divulgativ, i pari dhe i dyti që është vërtet një vepër shkencore se bazohet tashmë në vepra arkivore që ndërkohë dolën, u botuan dokumentet arkivore për Skënderbeun të cilat japin një imazh krejt tjetër të Skënderbeut, jo vetëm ai luftëtari me shpatë në bazë të të cilit janë bërë edhe portretet e Skënderbeut, edhe të gdhendura.

Ndoshta-ndoshta, jo ai trupmadhi që njohim ne?

Pëllumb Xhufi: Jo, me trup të madh ishte Skënderbeu por nuk ishte edhe aq i egër sa e shohim te busti i Paskalit.

Historiani shton se Skënderbeu ishte diplomat i jashtëzakonshëm, strateg dhe i kultivuar. Dokumentet e principatës së Milanos thonë se fliste edhe italisht.

Pëllumb Xhufi: Fliste një italishte elegante.

Italisht, Skënderbeu?

Pëllumb Xhufi: Po, po fliste italisht në mënyrë elegante, në atë kohë italishtja mesjetare ishte anglishtja e sotme, gjuha ndërkombëtare e asaj kohe.

Po ku e mësoi italishten?

Pëllumb Xhufi: Shiko, ne themi që u formua te oborri i sulltanit. Mos kujtoni se oborri i sulltanit u mësonte arabisht fëmijëve. Vetë sulltani ishte i rrethuar nga piktorë italianë, mësues italianë. /Dritare.net

Historia e rrallë: “U nis të pajtonte Skënderbeun dhe Lekën, Papa që vdiq në Ankonë pa ardhur në Durrës…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura