HYDAJET BYTYQI: Ç’ËSHTË MEDITIMI?

Pashtriku.org, 07. 10. 2013 – Edhe kur ia dalim që ta bëjmë shtëpinë e madhe, me dhjetëra dhoma, ta mbushim atë me të gjitha gjërat e mundshme për plotësimin e nevojave tona të shumta njerëzore, ta blejmë veturën e shtrenjtë, të vishemi me rrobat e çmueshme, thjesht: edhe atëherë kur stërmbushemi me aspektin material, edhe atëherë zemra e njeriut ndien njëfarë zbrazëtie! Vallë, a keni menduar ndonjëherë – PSE? Në ne është gjithçka: në ne nxen dielli, në ne lulëzon lulja
Pakuptimësia e brendshme
Vallë, a nuk kemi arritur shumica prej nesh në pikën ku kemi vërejtur se sado që të kemi grumbulluar nga bota e jashtme dhe çfarëdo që të kemi grumbulluar nga bota materiale, të gjitha ato nuk mund të na bëjë të lumtur dhe se në të shumtën e kohës ndiejmë një zbrazëti të madhe në vetvete, të cilën s’ia dalim ta përmbushim dot.
Madje, ajo çka është për t’u habitur, edhe kur ia dalim që ta bëjmë shtëpinë e madhe, me dhjetëra dhoma, ta mbushim atë me të gjitha gjërat e mundshme për plotësimin e nevojave tona të shumta njerëzore, ta blejmë veturën e shtrenjtë, të vishemi me rrobat e çmueshme, thjesht: edhe atëherë kur stërmbushemi me aspektin material, edhe atëherë zemra e njeriut ndien njëfarë zbrazëtie! Vallë, a keni menduar ndonjëherë – PSE?

Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse të gjitha gjërat e jashtme mbesin jashtë, nuk ekziston mënyra që ato t’i vendosim përbrenda. Kurse varfëria që na e shkakton zbrazësinë është e brendshme. Çështja është se ne nga brenda kemi prekur pakuptimësinë personale. Pse ekzistojmë? Për çfarë gjithë ky mundim? Pse fare jemi gjallë? Ku do të na dërgojë e tërë kjo?
Për çdo ditë punojmë, përpiqemi, sorollatemi për të fituar sa më tepër që sa më tepër të kemi mundësi t’i përmbushim nevojat materiale. Bëjmë shtëpia, blejmë vetura, blejmë kopshte, hamë e vishemi… Në mbrëmje përsëri bimë e flemë, që të nesërmen prapë ta vazhdojmë të njëjtën rutinë.
Esencialisht, krejt këtë e bëjmë për t’i mashtruar të tjerët. E palumturia jonë pason shkaku se vetveten nuk mund ta mashtrojmë dot assesi. Sepse ne jetën e bëjmë për sytë e huaj. Ne jetojmë për të qenë të mirë në sytë e huaj. Identiteti ynë përbëhet nga ajo se çfarë të tjerët thonë e mendojnë për ne. Domethënë, pikëpamjet e huaja janë pasqyrë për ne dhe ne vetveten e shohim me ndihmën e rrethit tonë. Dhe ky është problemi esencial: të tjerët kurrë nuk mund të shohin atë që ne vërtet jemi, sepse ata nuk mund të shohin qenien tonë të brendshme.
Vetëm nëse e posedon veten, vetëm atëherë je i pasur
Dhe çfarë ndodh atëherë? Ne përpiqemi që të grumbullojmë pasuri edhe më të madhe, që të jemi sa më të rëndësishëm në sytë e të tjerëve. Dhe, kur në një çast, vitet fillojnë të rrëshqasin me të madhe drejt fundit të tyre, kur pleqëria zë të na shkundë, kur në horizontet e jetës zëmë ta shohim përfytyrimin e vdekjes “me kosën e kobshme në dorë”, ne do të shohim se sa më shumë gjëra që kemi grumbulluar, aq më me pakuptim e kemi harxhuar jetën. Sepse, krejt ajo që kemi arritur është një grumbull plehu që nga dita në ditë rritet e rritet, ndërkaq të gjitha ato që i kemi arritur, i kemi paguar me çmim të lartë – me çmimin e jetës sonë.
Prandaj, zbrazëtia është e paevitueshme. Jehona e saj është lemeritëse dhe brerëse. Ajo është si kanceri që na ha për çdo ditë nga pak. E kthim prapa nuk ka. Sepse, është krejtësisht e qartë, se koha të cilënpakuptimisht e keni harxhuar, prapa më nuk mund të na kthehet. Me kohë, plakemi gjithnjë e më tepër e më tepër, dhe jemi gjithnjë e më të dëshpëruar. Pikëllimi është i pashmangshëm në të gjitha përmasat e shpirtit.
Kemi harxhuar jetën duke mbledhur gjëra e objekte të pavlera të kësaj bote! Kjo përafërsisht edhe do të ishte përcaktimi i pasanikut. Ai i ka mashtruar të tjerët, por tash nuk mund ta mashtrojë veten. Çdo pasanik, kah fundi i jetës gjithsesi është i dërmuar dhe i thyer. Sepse, ai përjashta ka ofruar dëshmi se diçka ka realizuar, por – përbrenda – për aq është i çrrënjosur: Posedon shumë, por ajo çfarë është më e rëndësishmja – nuk e posedon vetveten! Dhe, njeriu i tillë, a nuk do të duhej të ishte më i varfëri se gjithë të tjerët?! Njeriu i këtillë është sinonim i varfërisë së njëmendtë. Vetëm nëse e posedon veten, vetëm atëherë vërtet je i pasur!
Meditimi është absolutisht i domosdoshëm
Dhe çfarë ndodh në esencë? Sytë e huaj pasqyrojnë vetëm pasurinë tuaj, rrobat tuaja. Atëherë sytë e huaj fillojnë të ju japin vlerë, flasin se keni arritur fuqi ekonomike, se keni arritur prestigj të caktuar, status të caktuar shoqëror. Pra, identiteti juaj është i themeluar mbi pasqyrimin e gjërave. Por, njerëzit mund të pasqyrojnë vetëm gjëra dhe asgjë më tepër. Ata ju pasqyrojnë në bazë të atyre që keni grumbulluar materialisht në kuadrin e kësaj bote. Por, realisht, asgjë nga kjo nuk ju pasqyron JU. Ju, një ditë domosdoshmërisht do ta kuptoni se nuk jeni ata që me ndihmën e syve të huaj e keni krijuar si përfytyrim. Prandaj, shkaku i tërë kësaj, siç thotë Osho, njohësi, interpretuesi dhe agjitatori më i madh i meditimit ndoshta nga të gjithë mistikët e mëdhenj, MEDITIMI është absolutisht i domosdoshëm.
Ç’është meditimi?
Meditimi thjesht është mbyllje e syve, ndërprerje e të shikuarit në pasqyrime, dhe fillimi i vrojtimit të qenies sonë. Ne, thotë Osho, edhe ashtu tërë ditën jemi të zënë me të tjerët. Kjo jetesë vazhdimisht me të tjerët paraqet problem, sepse jemi të lindur në shoqëri, jetojmë në të, e në të edhe vdesim. Thjesht, e tërë jeta jonë është sociale. Kurse shoqëria, siç u tha më lart, nuk është asgjë më shumë sesa sytë që ju pasqyrojnë.
Në këtë kontekst, Osho shton: “Dhe tash – çfarëdo që sytë e shoqërisë të reflektojnë, ju jeni të magjepsur me atë pasqyrim. Nëse të gjithë fillojnë të flasin se ju jeni një njeri shumë i mirë, ju ndiheni shkëlqyeshëm, mrekullueshëm, bukur; por kur të tjerët zënë të flasin sesi ju jeni mjeran, një person i keq, gjendja juaj përkeqësohet me shpejtësi të pabesueshme, apo jo? Nëse të tjerët mendojnë se jeni të sëmurë, përnjëherë – me të vërtetë nuk ndiheni mirë. Identiteti juaj varet nga njerëzit tjerë – kjo, thënë me fjalë të tjera, është hipnozë përmes ndërmjetësuesit…”
Prandaj rekomandon: Së paku një orë në ditë kalojeni në meditim, me sytë mbyllur – ajo orë paraqet mbyllje në raport me ndikimin e shoqërisë, dhe atëherë jeni vetëm, askush nuk është përpos jush – ashtu që në këtë kohë mund të jeni në gjendje që drejtpërdrejt ta shihni e ta përjetoni vetveten.
Pasivitet plus zgjuarsi, ky është çelësi
Meditimi, sipas Oshos, është thjesht: mosidentifikimi ynë me mendjen, gjendje e jomendjes. Dhe meqë mendja është një komunikacion i pandërprerë, me anë të meditimit bëhet qetësimi i këtij komunikacioni, respektivisht neutralizimi dhe zhdukja e tij, gjë që sjell qetësinë shpirtërore të panjohur ndoshta për njeriun bashkëkohor. Esenca e gjithë kësaj është se në ne vazhdimisht zhvillohet një dialog i brendshëm i pandërprerë dhe mendja na mban në tension të përhershëm, madje shpeshherë, ne edhe duke mos qenë të vetëdijshëm, meqë kjo na është bërë gjendje e përhershme dhe e pranuar nga ne si normale. Sa më tepër mendime, aq më tepër paqetësi.
Qetësia nuk mund të jetë kualitet i mendjes assesi. Sepse mendja nuk mund të qetësohet. Nuk ka mendje që është e qetë, thotë Osho. Qetësia është kualitet i shpirtit, kualitet i qenies. Ky kualitet është përherë në ne, por për shkak të llomotitjeve të vazhdueshme të mendjes – nuk mund ta ndiejmë. Prandaj, vetëm kur jemi në vetëdijen pasive zë fill meditimi dhe qetësia. Kur mund të jemiplotësisht pasiv dhe plotësisht të zgjuar. Pasivitet plus zgjuarsi, ky është çelësi.
Jetoni në këtë çast! Të jetosh në këtë çast është meditim; thjesht, të jesh këtu dhe tash është meditim. Ata që thjesht janë këtu dhe tash me mua, pikërisht në këtë moment, janë në meditim.
Në ne është gjithçka: në ne nxen dielli, në ne lulëzon lulja
Esenca e meditimit
Këtu më poshtë sjellim disa margaritarë të Oshos mbi meditimin për të cilët konsiderojmë se janë esenca e të kuptuarit të meditimit:
Mendja pandërprerë e përsërit vetveten. Meditimi është e kundërta e kësaj: mosidentifikim me mendjen; ashtu që ta shikoni sesi mendja rrjedh, e të jeni të vetëdijshëm se nuk jeni ju ajo mendje.
*
Meditimi është parajsa jonë e humbur.
*
Jemi të helmuar, të ndotur me shoqërinë.
*
E para çfarë duhet të mësohemi të bëjmë është qeshja. … Asgjë nuk është serioze: qesharake janë madje edhe pakënaqësitë tuaja, qesharake është dhembja juaj, paj edhe ju vetë jeni qesharakë!
*
Mendja është shumë serioze, kurse meditimi është absolutisht joserioz…
*
Personi vërtet meditativ është i disponuar për lojë; jetën e ka argëtim, lojë. Personi i këtillë kënaqet fuqishëm në jetë, nuk është serioz, por i relaksuar.
*
Esenca e meditimit: në çdo gjë që bëni, jini dëshmitarë, mos humbni!
*
Jetoni në këtë çast! Të jetosh në këtë çast është meditim; thjesht, të jesh këtu dhe tash është meditim. Ata që thjesht janë këtu dhe tash me mua, pikërisht në këtë moment, janë në meditim.
Ky është meditimi: zëri i qyqes nga larg, aeroplani që kalon, sorrat dhe zogjtë, e çdo gjë që është e qetë dhe nuk ka lëvizje në mendime.
Ju nuk mendoni për të kaluarën e për të ardhmen. Koha është ndalur, bota është ndalur. I tërë arti i meditimit është ndalimi i botës. E të jetosh në këtë çast do të thotë të jetosh në përjetësi. Ta shijosh çastin pa mendime, pa mendjen, do të thotë ta shijosh pavdekësinë.
*
Fshehtësia është deautomatizimi ynë. Kur shëtisni, shëtisni ngadalë, zgjuarsish. Kur shikoni, shikoni zgjuarsish dhe do të shihni se drunjtë janë më të gjelbër sesa ndonjëherë tjetër kanë qenë, kurse trëndafilat më të kuqrremtë sesa ndonjëherë tjetër kanë qenë… Kur dikush flet, dëgjoni, dëgjoni me vëmendje. Kur ju flitni, flisni vëmendshëm. Të gjitha aktivitetet tuaja le të deautomatizohen.
*
Jetoni nga çasti në çast.
*
Kur mendja pushon, fillon meditimi.
Meditimi nuk është koncentrim. Ai thjesht është vetëdijshmëri.
*
Meditim do të thotë t’ia kushtosh disa minuta papunësimit. Në fillim kjo do të jetë tejet vështirë – gjëja më e vështirë në botë, në fillim, më e lehta në fund. Është aq e lehtë, prandaj edhe aq e rëndë.
*
Meditimi është mënyrë që t’i dilni në skaj me vetminë tuaj, që të takoheni me vetminë tuaj – në vend që të ikni prej saj, zhytuni në të dhe shiheni saktësisht se ç’është ajo.
*
Njeriu duhet të përballet një ditë me vetminë e vet. Kur njëherë ballafaqoheni me të, ajo e ndërron ngjyrën; shija e saj bëhet krejt tjetër fare. Bëhet vetmi e bukur. …
*
Kur ju ndryshoni, ndryshon e tërë ekzistenca.
*
Mendja e cila nuk është meditative, nuk mund të dashurojë.
*
Ekziston vetëm një çmenduri, e ajo është çmenduria e mendjes. Të mendosh së tepërmi është e vetmja çmenduri. Çdo gjë tjetër është bukur. Mendja është sëmundje.
*
Dëshmimi është burimi themelor.
… Prandaj fillojani me gjëra të vogla, me aktivitete të thjeshta. Provoni derisa hani. Provoni derisa ecni. Provoni derisa bisedoni, dëgjoni. Provoni derisa bëni çfarëdo qoftë. Le të ju bëhet kjo përkujtues konstant i brendshëm; le ta dijë i tërë trupi juaj dhe mendja se përfundimisht po bëheni të zgjuar, të vetëdijshëm. Vetëm kështu një ditë do të bëheni dëshmitarë. E po ndodhi kjo, ju ka ndodhur ekstaza – vezullimi i parë i hyjnores ka zbritur mbi ju.
*
Meditimi është mënyra e vetme që ta arrini vetveten, mënyra e vetme që të transcendentoheni.
Nga libri “Libër mbi shpirtin dhe mendjen – çelësi i përndritjes” (www.sa.kra.ch)
____________
*) Hidajet Bytyqi është i lindur me 04.05.1944 në fshatin Brestovc, rrethi i Rahovecit. Me profesion është Elektroteknik (ka të kryer shkollën e lartë elektroteknike), ndërsa në kohën e lirë merret me shërime alternative dhe me demonstrime të trukave magjik, pra, është edhe magjistar. Gjatë kohës së qëndrimit me punë të përkohshme në Zvicër (mbi 20 vite) ka kryer shumë kurse si: kursin për radiestezi, hipnozë (tri shkallët e hipnozës), magji, terapia me ngjyra, terapia me dritë, aurë, magnetoterapi, reiki (gradën e parë dhe të dytë), akupunkturë, telepati etj., si dhe kurse për magjistar. Pas luftës Hidajeti kthehet në Kosovë dhe hapë Qendrën Parapsikologjike në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura