IBRAHIM HAJDARMATAJ: UDHËTIMI I FUNDIT I BAJRAM CURRIT: DRAGOBI – KOLGECAJ – ZOGAJ KRUMË

Bajram Curr, 29 korrik 2018.
1. Babai im, Ukë Arif Ahmeti-Hajdarmataj, i cili u nda përgjithnjë nga jeta vitin e kaluar, në moshën 96-vjeçare, që në rini më ka treguar episode të ndryshme, për traditat atdhetare e luftarake të të parëve tanë. Sidomos, i kam dëgjuar me interes dhe i kam regjistruar në kujtesë kujtimet e tij, rreth figurës së ndritur të “Plakut të Maleve” dhe “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri-‘Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”. Është krenari për të gjithë ne që, me emrin e tij, është pagëzuar qyteti i bukur alpin, i cili më parë quhej fshati Kolgecaj.

Arif Ahmet Hajdarmataj, gjyshi im, kishte lindur në fshatin e bukur Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në vitin 1843 dhe vdiq po aty, në moshën 102-vjeçare. Shtëpia e tij dhe e kushërinjëve tanë, kanë qenë bazë e sigurtë për strehimin e Bajram Currit, me luftëtarët e tij, sa herë që atyre iu paraqitej nevoja. Po kështu, ata morën pjesë në betejat e zhvilluara, me udhëheqës Bajram Currin, në tërë krahinën e Bytyçit e më gjerë, si në : Zogaj, Kam, Qafë Prushi, Krumë e Gjakovë. Për këtë arsye, vetë Arifi është arrestuar e gjykuar, në Prishtinë, ku e kanë dënuar me 101 vjet burg. Aty i vuajti disa vite burgim dhe doli prej andej, vetëm kur burgu i Prishtinë u thye nga demonstruesit kosovarë. Më pas, ai erdhi në vendlindje, pra në fshatin Zogaj.

2. Siç është e njohur, në dimrin e ashpër të vitit 1925, kryetrimin Bajram Curri, i cili kishte dhënë aq shumë, me punën dhe luftën e tij të vendosur e të pandërprerë, për Kosovën e Shqipërinë, e rrethuan në Shpellën e Dragobis. Ishte pikërisht data 29 mars e atij viti, kur pas një qendrese heroike, ai u vetëvra, për të mos u dorëzuar i gjallë në duart e kundërshtarëve të tij zogistë. Por, gjithashtu, një këngë popullore dëshmon dhe bashkëkohës regojnë, se është e njohur edhe mundësia, që atë e prenë në besë, duke krijuar kushtet, që kundërshtarët e tij ta vrisnin atë, lehtësisht!?
Lajmi i vrasjes së Bajram Begit, siç e quanin malësorët me respekt të veçantë, u përhap kudo, siç thonë, ishte “më i idhtë se zana”. Ai mbërriti edhe në Zogaj e në familjen e Arif Hajdarmataj, kryefamiljar i asaj kohe, si dhe e mbuloi në zi tërë fshatin.
Pas vrasjes, trupin e Bajram Currit e zbritën nëpër Grykën e Dragobisë, në Shoshan e Margegaj dhe e lanë, pak kohë, në fshatin Kolgecaj, të Malsisë së Gjakovës (Tropojë). Pasaj, atë e hipën në një kalë dhe e nisën, udhës për në Krumë të Hasit, ku ishte qendra e Nënprefekurës, kur trupi i Bajram Currit dhe shoqëruesit e tij mbërritën në Zogaj, aty u bë një ndalesë e paparashikuar, bile e detyruar. I pari, u doli atyre përpara Arif Ahmet Hajdarmataj, bashkë me: Zmajl Zymerin, Rexhep Alinë, Ajdin Zenelin, Bajram Hoxhën e ndonjë tjetër. Sakaq, shkëmbyen fjalë paksa të ashpra, me shoqëruesit e të ndjeri Bajram Curri.
-A na la Begi-a?-iu drejtua atyre Arifi.
-Po, na la, Arif!,-u përgjigjën ata, njëzani.
-Pra, vdiq dhe “Ora e Malësisë së Gjakovës”!-shtoi Arifi, me za të nalt.
-Ashtu asht, Arif… Bile, Ora e Malësisë së Gjakovës, Kosovës e mar Shqipnis,-u përgjigjën disa të posa ardhur…
-Atëherë, ku po e çoni ju, trupin e Begit tonë?-iu drejtua atyre, me zë kumbues.
-Për në Krumë, kështu kemi vendosur,-u përgjigjën shoqëruesit e tij.
-Pse kështu, bre burra! A doni me na korit tan Malësinë e Gjakovës-a?-foli i vendour Arifi.-Nuk paska tokë, sa për ta shti në varr Begin, pa e dërguar atje-a? – Pastaj shtoi i vendosur:
-Unë dëshiroj që ta varrosim në tokën time, pra këtu në Zogaj. Tokë kam mjaft e nuk më dhimbset aspak. Kështu do të jemi të gjithë, si fshat, të nderuar, që ta mbajmë këtu Bajram Currin tonë…
Por shoqëruesit e kundërshtuan me forcë këtë propozim. Atëherë, nga faqet e rreshkura të Arifit rodhën lotë të valë. Sakaq, nxori nga xhepi kutinë e duhanit e ua dha mbështetësve të tij. Trupin e pajetë të Bajram Currit, Arif Hajdarmataj, me bashkëfshatarët e Zogajve, e shoqëruan me sy, me dhimbje e lotë, deri sa ata u larguan për në Krumë të Hasit.

Hasan Beg Kryeziu (vëllai i Ceno Beg Kryeziut), drejtuesi i prefekturës së Kosovës me seli në Krumë, pranë kufomës së Bajram Currit!!

…Për meritat e tij luftarake dhe mbështetjen, që i ka dhënë Bajram Currit, gjatë jetës së tij, Presidentët e Republikës së Shqipërisë e kanë dekoruar Arif Hajdarmataj me medalje e urdhëra të ndryshëm. Traditën e tij luftarake e vazhdoi edhe djali i tij e babai im, Ukë Arif Hajdarmataj. Ky u rreshtua partizan, në radhët e Brigadës së 25-të Sulmuese, e cila u krijua në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe luftoi për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë, deri në Kosovë e thellë në Jugosllavi. Gjithashtu, ky është dekoruar, disa here, nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë.
3. Në mbyllje të këtyre kujtimeve, më duket me interes të tregoj edhe diçka tjetër…Në muajin tetor 1962, në qytetin e Shkodrës zbriti nga Zogajt, Hyrë Islam Hajdarmataj, bashkëshorte e Arif Ahmet Hajdarmatajt. Ky kishte 10 vajza dhe vetëm një djalë, Ukën, pra babain tim, të cili i la trashëgim disa ha tokë, bagëti e bletë. Në atë udhëtim, gjyshja Hyrë vinte që të më takonte mua, nipin, pasi ndiqja shkollën pedagogjike për mësues. Kur ajo shkoi te hoteli “Adriatik”, mësoi se sportelistja ishte bija e vogël e Bajram Currit, pra Hajria. Kështu, të dyja u përqafuan me përzemërsi. Hajria i tregoi asaj se i jati i fliste vazhdimisht për mikpritjen e mjaft malësorëve, pra dhe atyre të fshatit Zogaj, ku veçonte pikërisht shtëpinë e mysafires, Hyrës, me bashkëshort Arif Hajdarmataj.
E mallëngjyer, Hyra iu drejtua Hajries: “Po gëzohem, sikur të më kishte lind një djalë, që u njohëm sonte bashkë dhe që je çika e Begit tonë të paharruem!…”. Ndësa Hajria e përqafoi, si nënën e saj dhe iu përgjigj: “Sonte, nuk ka hotel për ty!…”. Sapo e mbaroi punën e asaj mbrëmjeje, aty ku shërbente, Hajria e mori Hyrën në shtëpinë e saj bujare. Pas darkës, i vazhduan gjatë bisedat e tyre, duke kujtuar episode të ndyshme, për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Bajram Currit dhe vëllapritjen, që ai gjeti në fshatin Zogaj, te shtëpia e Arif Hajdarmataj dhe kudo, nëpër Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
4. Vajatorja e Bajram Begit
Në fshatin Gegëhysen, të krahinës Krasniqe të Malësisë Gjakovës (Tropojës), lindi Xhufe Sylë Rexhaj,në një familje me tradita të larta patriotike.
-Ajo u martua në fshatin Vlad, të krahinës Bytyçit të Malësisë Gjakovës (Tropojë), në familjen e Zeqir Muzli Gecaj të lagjes Veliq edhe kjo familje me tradita të larta patriotike.

Siç më tregon Dr. Skënder Demaliaj profesor në Universitetin e Tiranës, sjell kujtimet e babait të tij Bajram Haxhi Demaliaj për gjyshin e Skënderit, për Haxhi Mehmet Demaliaj nga fshati Pac krahina e Bytyçit e Malësisë Gjakovës (Tropojë). Dr.Skënder Demaliaj më thotë:”Në vitin 1937 më vdes gjyshi Haxhi Mehmet Demaliaj, asokohe e pamja për ngushëllim vazhdonte tre javë, si patriot që ishte gjyshi me një autoritet të madh vinin njerëz për ngushëllim edhe nga Kosova. Një javë në këtë pame qëndroi Xhufe Sylja si vajatore….”.
Xhufe Sylë (Rexhaj) Gecaj ishte femër fisnike,e urtë, punëtore, e thjeshtë dhe shumë e emancipuar. Flasim për fillimit e shekullit 20, dmth për vitin 1900-1950, ku ajo e veshur, me një veshje karakteristike, shkonte me guxim si vajatore (për të nderuar) të vdekurin, duke filluar nga qytetari i thjeshtë e deri tek kuadro të rëndësishëm të asaj kohe. Femër e emancipuar, me atë zë karakteristik me diksion të theksuar kishte lindur poete popullore, vargjet e saj i improvizonte në çast,kur dëgjoje atë, të fuste për së gjalli në dhe, me ato fjalë aq kumbuese, aftësia e saj për të kapur sa më shumë elementë.
Kjo ishte edhe patriote ,ishte shumë e guximshme. Ja si e vajton Bajram Begë Currin ditën që vdiq:
“… ajo pushkë vlla që mori ty
mori Krasniqen 700 shpi
mori Malsinë 2000 shpi
mori Kosovën bytevi.
(bytevi- dotë thotë krejt,e gjitha).
Përfundimisht Xhufe Syl (Rexhaj) Gecaj mbetet vajatorja më e madhe në tërë Malësinë e Gjakovës.
Ibrahim Hajdarmataj, Kryetari i OJF-se “Mesuesi”
Tel: 0692469145
E-mail : [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura