FATMIR BRAJSHORI: LPK-ja, FONDI ‘VENDLINDJA THËRRET” DHE UҪK’ja – PËRBALLË KOMPLOTISTËVE! (DËSHMI ARKIVORE)

Cyrih, 10. 04. 2016: – HYRJE – Sot ne nuk duhet të jemi të verbër ndaj kontradiktave dhe antagonizmave të së djeshmes ngaqë sinçeriteti dhe objektivizmi janë në anën e atyre, të cilët në çdo kohë qëndruan vertikalisht përballë çdo furtune. U fol shumë dhe u shkrua shumë për LPRK-ën, gjegjësisht LPK-ën, anëtar i së cilës isha që nga themelimi i saj mbrenda vendit, nga viti 1993 (në Tironë) dhe viti 1994 e tutje në Zvicër.
Gjatë gjithë kësaj kohe kam ardhur në përfundim se, në organizimin tonë ilegal kishim dy soj veprimtarësh:
1) Veprimtarët e ilegales, të cilët koha i tregoj se ishin bazuar në teoritë e interesave, ku dominante ishte: dobia, dëshira për t’u pasuruar. Pra u lidhën në një organizim shoqëror, si bashkësi individësh, për t’i realizuar interesat e tyre personale;
dhe
2) Veprimtarët e ilegales, të cilët si bazë të moralitetit, traditës dhe fisnikërisë kishin teorinë e vetflijimit – bazuar në një idealizëm praktik, vetmohues dhe vetdëshmues, pra me parimin e interesit të masave e jo të individit…
Mjerishtë grupimi i parë i egoistëve, që levërdinë dhe dobinë e kishin si të vetmin ideal, doli ngadhnjyes dhe nga ky triumf i tyre edhe sot e kësaj dite po vuan vegjëlia dhe shoqëria në tërësi…

VITI 1998, VIT I KOMPLOTEVE NDAJ LPK-ës!
Meqë po flitet për Komunikatën me numër 74, të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës, të shkruar gjoja më 22 janar të vitit 1999 dhe të lëshuar për publik në shkurt të atij viti, më lejoni që të jap versionin tim, rreth tërë ngjarjes, për aqë sa kam mundësi dhe hapësirë por edhe njohuri…
Në fakt, për anëtarsinë e LPK-ës ishte më se e qartë, që kishim të bënim me një komplot nga komplotistët e Mbledhjes së Gjashtë (6-të) të Përgjithshme, të mbajtur në maj 1998, dhe të cilët po bënin përpjekjen «hamletiane», për të futur nën kontroll edhe bastionin e fundit të LPK-ës , siç ishte Fondi ‘Vendlindja Thërret’!
Fondi u formua pas mbajtjes së Mbledhjes së Katër të Përgjithshme, në korrik të vitit 1993, atëkohë kur u morën vendimet për formimin e Ushtrisë Çlirimtare dhe që celulat e LPK-ës mbrenda vendit, në mënyrë të koordinuar, të kryenin sulme të armatosura, kudo që kishin mundësi…
Në mars të vitit 1994, erdha në Zvicër dhe qysh në ditën e dytë të qëndrimit tim, e takova Jashar Salihun, në shtëpinë e Gafurr Elshanit, ku po qëndroja, për disa ditë…
Atyre u tregova, se shokët mbrenda vendit ishin në vështirësi, ndërsa shokët tjerë, që gjendeshin në Tironë, kishin probleme me strehim dhe ushqime…
Mora aty për aty betimin e tyre, se urgjentisht do t’i nisnin, ca mjete financiare, për shokët në Tironë, por në vitin 1998, e mësova të vërtetën që: ato mjete, kurrë nuk ishin nisur dhe s’kishin arritur në vendin e destinuar… Së paku, jo ato mjete, për të cilat, mu dha fjala që do t’i nisnin, sa më parë…
Në vitin 1998, pas Epopesë së Jasharajve, në Arau u mblodhëm urgjentisht, të gjitha strukturat udhëheqëse të LPK-ës për Zvicër dhe caktuam detyrat për secilin veç e veç… Atë mbrëmje me propozimin e Bardhyl Mahmutit, u caktova në sektorin e logjistikës, dhe ky propozim u pranua njëzëri…
Kishte edhe zëra që thonin: »mos të ngutemi, që të marrim rrugë të gjithë për Tironë, ngaqë nuk duhet lënë mërgatën vetëm, dhe t’i japim hapësirë, siç më tha një shok në intimitet, që pa pranin tonë, qeveria e Bujar Bukoshit dhe e Xhafer Shatrit të ketë mundësinë e manipulimit me mërgimtarët për qëllime të tyre vetanake.”
Vetëm dy ditë më vonë, mora një lajm tjetër nga Kryesia e nëndegës së LPK-ës se, jam caktuar në sektorin e informimit, në redaksinë e gazetës « Zëri i Kosovës»!
Kur filluan komplotet mbrenda LPK-ës, e kuptova arsyen e ndërrimit të pozicionit tim nga logjistika në informacion dhe propagandë…
Gjatë kësaj kohe (1994-1998), duke qenë i pakënaqur me punën e kryesisë së nëndegës së LPK-ës, jo rrallë herë, kam shkruar letra drejtuar Kryesisë së LPK-ës, ku kryesisht kam shprehur shqetësimet e mia lidhur me punën, ose më mirë me thënë për mospunën e nëndegës…
Në një rast miku im Gafurr Elshani më kishte thënë:
«E kemi lexuar në kryesi letrën tënde dhe na ke lodhë… roman kishe shkruar»…

NËNTOR 1998: TENTIMI PËR LIKUIDIMIN E LPK-ës NË EMËR TË UÇK-ës, NGA KOMPLOTISTËT – HASHIM THAҪI DHE KADRI VESELI!
Tashti meqë më kishte rastisur fati të punoja në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”, ku në të njëjtin lokal ishte edhe Kryesia e Fondit ‘Vendlindja Thërret’, gjatë pauzave, takoja shumë nga ata që vinin aty me punë, e herë-herë vinin edhe të atillë, që s’kishin fare punë… Ndërkaq nganjëherë aty për vizitë vinin edhe «komandantët e luftës» të cilët i dinim se ishin në fronte të luftës, por nuk e di, nëse ishte rastësi apo e qëllimshme kjo gjë, ata kryesisht kur fillonin ofensivat e forcave serbëve ndaj pozicioneve të UÇK-ës nuk gjendeshin atje – mbrenda vendit por jashtë vendit, dhe atë gjoja me “punë”.…
Shumë vite më vonë, i kam kuptuar pyetjet djallëzore që i bënin ata, kur takoheshim në lokalet e ZIK-ut, si:
– «Tash kemi UÇK-ën çka mendon për LPK-ën?»
– «Pasi LPK-ja e ka formuar UÇK-ën at’herë s’ka nevoj të përmendet LPK-ja, por vetëm UÇK-ja»
Ndërsa mendimi im ishte gjithmonë që: »nuk mundet fëmija ta mënjanoj nga bota atë (prindin) që e ka lindur dhe i ka dhënë shpirtë…»
Pra, mbroja qëndrimin e anëtarsisë së LPK-ës dhe të mbledhjes së katërt të Përgjithshme, dhe të fundit të mbajtur mbrenda vendit (korrik 19939, në kushte të ilegalitetit dhe programin e saj të aprovuar jo vetëm nga militantët e radhëve të organizuar, por edhe nga masat e gjera popullore, program që duhej patjetër ta përmbushnim ngaqë kishim obligim edhe ndaj shokëve tanë, tashmë të rënë dëshmorë…
Gjuetia e shtrigave ndaj anëtarëve të devotshëm të organizatës!
Anëtarsia e LPK-ës ishte mjaftë e shqetësuar, ngase kishte nuhatur që punët nuk po shkojnë në rregull. Kontaktet që kishim me shokët mbrenda vendit, na sugjeronin që – të kemi kujdes ngaqë gjerë më atë kohë (viti 1998) nuk po i merrnin ndihmat e duhura nga logjistika. S’paku këto informacione i merrja nga Zona Operative e Llapit, por edhe nga Zona Operative e Dukagjinit…
Vërehej që kishte filluar një gjueti e shtrigave ndaj anëtarëve të devotshëm të organizatës. Komplotistët kishin studiuar secilin nga ne, mirë e mirë dhe tani ishin vënë në gjahë, për t’i përkulur dhe heshtur më fanatikët e LPK-ës…
Shi për këtë, një mbrëmje nëntori të vitit 1998, më viziton në shtëpi Sylë Zhitia, vëllai i Heroit të Kombit Afrim Zhitia, dhe më vë përpara një letër qarkore, të lëshuar për radhët e mbrendshme. Në këtë letër sugjerohej që, në takime dhe tubime me masat, të mos përmendet LPK-ja, por vetëm UÇK-ja… Të dy grupet konfrontuese kishin bërë llogaritë e tyre. Pra, kishin studiuar secilin kryetar të Këshillit Popullor dhe në shumicën e rasteve, kishin “shënuar“ emrat se, cili do t’jetë me LPK-ën dhe cilët do t’jenë me ata që kërkonin që, hë për hë, në kontakt me mërgimtarët të mos përmendet emri i organizatës…
– Me ta parë letrën (këtë letër e kisha marrë më parë dhe në mbledhjen e radhës me shokë mendoja ta diskutojmë) që mu vua përpara nga Sylë Zhitia, një veprimtar shumë i devotshëm dhe besnik ndaj parimeve dhe programit të LPK-ës…
– „Kush të ka dërguar?“ – ishte pyetja ime e menjëhershme.
– „Asnjeri, por dua të dijë se je me LPK-ën apo me ata që po duan të eliminojnë LPK-ën, duke u fshehur pas emrit të UÇK-ës? – më tha Syla.
(Kjo gjë bëhej, ngaqë duke e ditur që mbrenda vendit kisha qenë i organizuar dhe kisha vepruar pikërisht me grupin, i cili, tani më po identifikohej si grupi që kërkon të “mos përmendet LPK-ja”, logjika ishte që, të bëja pjesë në atë grup, megjithëse më vonë, miku im i shtëpisë më pohon se ai paska pohuar kudo që, unë nuk luaj për asnjë milimetër nga Programi i Lëvizjes).
Ndërsa unë ju përgjigja:
– „Unë jam rritur me organizatën, dhe ti e din më së miri që vëllai yt, e dha jetën për lirinë e kombit, por edhe për organizatën, edhe pse ai kishte mundësi, të ikte jashtë vendit, por që nuk iku kurrë… Ai gjjithnjë thoshte: “pa e parë që organizata mbrenda vendit u forcua nuk largohem!“ Prandaj ti duhet ta dishë që ne kishim një betim: Aty ku e lanë shokët do vazhdojmë ne… Unë do jem gjithnjë me LPK-ën në çdo kohë…“
Gjatë tërë mbrëmjes biseduam edhe për shumë tema tjera…
Të nesërmen, ata që e kishin dërguar ishin informuar se, Kryetari i LPK-ës për Gllatbrug dhe njëherit anëtar i kryesisë së gjerë të nëndegës, nuk është me grupin e komplotistëve, dhe se është për mbrojtjen e vijës së LPK-ës, dhe programit të vitit 1993…
***
Pas vizitës së Sylës, për t’u informuar rreth qëndrimit tim, më erdhi në vizitë edhe një tjetër mik, fëmijërie dhe shtëpie e të cilin e kisha (dhe e kam) më shumë se mik e shok, tanimë nga ata, që kishin ndarë mendjen për të komplotuar, ndaj LPK-ës… Më erdhi një nga shokët e mi, me të cilin në ilegale kishim vepruar s’bashku… Qëllimi i tij ishte t’më bindte, që të jem me idetë dhe veprimet e dy komplotistëve (H.Thaçin dhe K.Veselin), të cilët ishin kontrabanduar në Mbledhjen e gjashtë të Përgjithshme të LPK-ës (maj 1998), pa qenë të deleguar nga askush…
Shoku im i mirë, i ndershëm, fisnik sa të duash por edhe naiv, nuk më bindi, që të jem me njërin „krahë të LPK-ës“, e të cilët donin që në emër të UÇK-ës të mënjanonin tërësisht LPK-ën nga veprimi… Pra nuk arriti t’më bindë në të ‘drejtën’ e tij…
Meqë ai s’e bëri këtë gjë, dy ditë më vonë më telefonon Sabit Veseli (djalë axhe me Kadri Veselin) me të cilin banonim në Cyrih, shumë afër njëri tjetrit. Ai më fton në shtëpinë e tij, për t’pirë kafe (edhe ndonjë birrë) dhe për t’biseduar për situatën dhe kahjet e veprimit që do të duhej të mirrnim ne si organizatë. Më duhet të theksoj që Sabiti ishte njeri dhe veprimtar shumë i ndershëm por, me të cilin ishte shumë lehtë që të manipuloje… Biseda kryesisht zhvillohej në stilin, ai sulmo ca veprimtarë të LPK-ës e unë i mbroja pikërisht këta veprimtarë që i sulmonte… Sulmet bëheshin zakonisht në adresë të Emrush Xhemajlit, Gafurr Elshanit, Fazli Veliut, e sidomos të Ali Ahmetit… Mirëpo bindja ime asokohe ishte që pikërisht këta emra ishin ata të cilët bënin përpjekje skënderbeg’jane që të mbronin emrin e LPK-ës, anëtarsinë dhe Programin e LPK-ës…
Një Intermeco e vogël
Në javën e fundit të muajit shkurt 1998, Sabit Veseli më ftoi një mbrëmje t’i shkoj për vizitë në shtëpi, më tha mundësisht të marrë edhe shoqen time me vete ngaqë aty, e kishte musafir edhe Hashim Thaçin me të shoqen. Unë shkova atë mbrëmje s’bashku me shoqen time, dhe pas një bisede kuartazie, bashkëshortet tona dolën në një dhomë tjetër, ndërsa ne, pas një loje shahu që bëmë me Sabitin (e që unë e humba lojën) filluam bisedën për organizatën (LPK-ën), pastaj organizimin ushtarak (të UҪK-ës) si dhe për ata (veprimtarë), të cilët do të ishin të përshtatshëm si persona, për t’i emruar në teren si bartës të veprimeve dhe aksionëve…
U konfrontuam dhe nuk u pajtuam rreth emrit të Sejdi Veselit (nga Prishtina) për të cilin isha dakord, me arsyetimin se ai është njohës i mirë i çështjeve ushtarake dhe mund të jetë një nga bartësit e përgjegjësive në këtë fushë. Ndërkaq ata të dy (Hashimi dhe Sabiti) mu kundërvunë me arrogancë të paparë, me arsyetimin se “ai ndoshta mund t’i njehë mirë vetëm çështjet teorike ushtarake por, jo edhe ato praktike”.
Më pyetën se, a do të rreshtohem kundër nëse SHP i UÇK-ës, do të dalë me qëndrimin që, të gjitha partitë politike të mërgatës, e edhe LPK-ja të pushojnë veprimtarinë e tye?
Përgjjigja ime ishte: “Jo kurrë, sepse LPK-ja është themeluesja dhe finansuesja e UҪK-ës dhe se, Shtabi nuk mund të jetë i askujt tjetër, përpos i LPK-ës…
Nuk u pajtuam për asnjë çështje dhe asnjë temë për të cilën biseduam…
U ndamë atë natë jo si “miq” por sikur të ishim armiqë…!
(Fundi i Intermecos)
FORMIMI I KËSHILLIT TË RRETHIT NË CYRIH – SHPËTIM PËR LPK-ën DHE FONDIN “VENDLINDJA THËRRET”!
Pas Mbledhjes së gjashtë të Përgjithshme të LPK-ës (maj 1998), në të cilën nuk isha ftuar edhe pse isha delegat (kam qenë i deleguar në të gjitha Mbledhjet e Përgjithshme të viteve 1995, 1997, 1998) me arsyetimin siç m’u tha në të njejtën ditë kur po mbahej Mbledhja, se: “na është përvjedhur një gabim”, Këshillat Popullor ishin mjaftë të shqetësuar, ngaqë kudo ndjehej tentim likuidimi i LPK-ës nga skena, si bartësja kryesore e Fondit “Vendlindhja Thërret” dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…
Se kishte filluar ndjekja dhe izolimi i anëtarëve të devotshëm të LPK-ës, nga një qendër e mirëkordinuar, më së miri e dëshmon, rasti i Xhevat Zekës, i një militanti të devotshëm dhe besnik i organizatës, të cilin, disa anëtarë të papërgjegjshëm, në Këshillin ku ai vepronte, me urdhër të kush e di kujt, marrin vendim që ta përjashtojnë nga organizata. Vendimin me shkrim e kam në arkivin tim dhe i njëjti është edhe në arkivin e Nëndegës së LPK-ës për Zvicër). Pra lëshohet një Vendim i prerë dhe i pakorigjueshëm për largimin e Xhevatit nga Organizata…
Tashmë u dha sinjali i shpalljes ‘luftë’ ndaj LPK-ës, pikërisht nga ata, të cilëve LPK-ja, u kishte dhënë strehë, ngrohtësi dhe i kishte bërë emra të njohur! Pra këmbanat po binin!..
Duke e ditur që nuk më kishin „blerë“ në takim-përpunimet e tyre, shokët e Këshillit, kishin marrë kontakt me Këshillat e tjerë Popullor, të LPK-ës dhe më njoftojnë se, katër Këshillat Popullor të LPK-ës, për Kantonin e Cyrihut, duhet të mblidhen sa më parë, për të shpëtuar organizatën, sa nuk është bërë vonë…
Mbledhja Konsultative e katër Këshillave të LPK-ës për kantonin e Cyrihut, mbahet më 24.01.1999, me përfaqësues nga:
– Këshilli i Cyrihut (Rexhep Halimi, Sylë Zhitia, Ylki Krasniqi dhe Emin Palushi)
– Këshilli i Gllatbrugut (Fatmir Brajshori, Ramush Krasniqi, Agim Selmanaj),
– Këshilli i Raperswilit (Xhevat Zekaj) dhe
– Këshilli i Winterthurit ishte deleguar – Shefik Bajraktari…
Në cilësinë e përfaqësuesit të Fondit “Vendlindja Thërret” ishte ftuar Jashar Salihu por, ai nuk erdhi, dhe e kishte deleguar si përfaqësues të fondit – kordinatorin e saj për Zvicër, Iljaz Thaçin.
Në këtë mbledhje, s‘pari u anulua vendimi që mund të sillte ndokush për përjashtimin e Xh.Zekës, dhe u kërkua përgjegjësi dhe largim nga organizata i atyre që kishin lëshuar një vendim të tillë…
Po në këtë takim për temë dite kishim edhe dy pika:
a) Zgjedhja e Kryesisë Kantonale të LPK-ës, dhe
b) zgjedhja e Kryesisë Kantonale për Administrimin e Fondit ‘Vendlindja Thërret’…
Sa për ilustrim sjellë disa diskutime më interesante:
Fatmir Brajshori: Ne duhet të dimë arsyen se, pse nuk jemi të kënaqur me punën tonë, me punën e Kryesive të kontestuara nga zgjedhjet jo parimore dhe të drejta… diçka nuk është në rregull… Është shumë fatkeqe, që sot po dalin disa veprimtarë (edhe të Lëvizjes), të cilët fshehur, prapa Fondit ‘Vendlindja Thërret’, duke luftuar organizatën në mënyrë tinzare, me qëllim ose pahir, po shkelin mbi gjakun e dëshmorëve të lirisë, ose më mirë me thënë mbi gjakun e pishtarëve të LPK-ës, siç ishin: Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Fehmi Lladrovci… Pra sot po fyhet LPK-ja prej atyre që më së paku është pritur…
Xhevat Zeka: Është një përpjekje që LPK-ën ta zhveshin nga çdo veprimtari… Kryesia Kantonale, që do të zgjedhet do të marrë mbi vete një përgjegjësi të madhe, prandaj ajo duhet që ta ketë nën kontroll si: Fondin ashtu edhe aktivitetet e LPK-ës…
Rexhep Halimi: Ne do të shkojmë deri në fund në mbrojtje të emrit të LPK-ës.. nuk do t’lejojmë që dikush ta zhdukë LPK-ën… pse anëtarët e LPK-ës sot nuk janë askund? Kush po i mënjanon me qëllim? Kujt ju qorruan sytë prej anëtarëve të LPK-ës, e të cilët ia kthyen shpinën organizatës? Kush është Bedri Islami që dikush e zgjedhë si kryetar, a? Jashar Salihu qe 2,3 vite ka ardhë në organizatë dhe tani do të luaj me organizatën (aso kohe mendohej që Jashari ishte në grupin e komplotistëve, por nuk ishte i tillë – sqarim im F. Brajshori). Si nuk po ju vjen turp disa “shokëve tanë”, të cilët sot na i kanë kthyer në shpinë dhe po përçafen me ata të cilët deri dje, sa kanë mujtur na kanë sharë!
Sylë Zhitia: Kjo iniciativë është dashtë të bëhet shumë më herët. Tani ka ardhë koha që në Kantonin e Cyrihut të vendosim ne dhe askush tjetër. Nuk mund të lejojmë që shokët tanë të shkilen… sa ma e fortë që të jetë LPK-ja po aq ma e fortë do të jetë edhe UÇK-ja…
Shefik Bajraktari: edhe unë dakordohem me të gjithë ju dhe mendoj që kësaj pune duhet t’i shkojmë deri në fund me kërkesat tona…
Ramush Krasniqi: duhet të kalojmë në veprimtari konkrete!
Filluan propozimet:
Rexhep Halimi: Propozoj që kryetar të zgjidhet – Fatmir Brajshori! (me këtë propozim të gjithë ishin dakord pa asnjë kundërshtim).
Më pastaj u zgjodhë Kryesia e KANTONIT në këtë përbërje:
– Sylë Zhitia, Rexhep Halimi, Xhevat Zeka, Shefit Bajraktari…
Në të njëjtën mbledhje, u formua edhe Kryesia Kantonale për administrimin e Fondit “VTH”, në përbërje të së cilës hynë nga tre përfaqësues të Këshillave Popullorë…
Në Kryesi u Zgjodhën: Fatmir Brajshori (kryetar) Rexhep Halimi (nënkryetar), Ylki Krasniqi, Sylë Zhitia, Xhevat Zeka, Ilaz Morina, Shefik Bajraktari, Arif Tushi, Ilmi Pirku, Ramush Krasniqi dhe Agim Selmanaj…
Proqesverbali i Mbledhjes i dërgohet:
– Kryesisë së Nëndegës së LPK-ës
– Kryesisë së LPK-ës dhe
– Kryesisë së Fondit ‘VTH’

PROPAGANDA NDJELLAKEQE DHE PRESIONI NDAJ VEPRIMTARËVE QË MBRONIN VIJËN E LPK-ës!
Më 28 janar 1999, “Zëri i Kosovës” boton informatën që në Kantonin e Cyrihut janë bashkuar Këshillat Popullor në një…
Ndërkaq boton edhe këtë informatë: “Kryesia e F.VTH për kantonin e Cyrihut, njohton të gjithë veprimtarët e Fondit se, prej datës: 01.02. 1999 do të fillojë së funksionuari: Zyra e Fondit – Adresa: Weststrasse nr.138, 8003 Zürich.”
Me publikimin e lajmit për bashkimin e katër Këshillave Popullor në një, fillon propaganda kundër nesh se: ata kanë formuar një Fond tjetër dhe duan t’na marrin fondin nga duartë tona…, se gjoja ne po duam ta ndajmë Fondin, se jemi zyrë e Zonës Operative të Dukagjinit, se jemi e Zonës së Llapit, se janë të kordinuar me Ibrahim Kelmendin në Gjermani”, e budallaqe tjera nga më të ndryshmet!
Asnjëra nga këto akzua nuk ishin të vërteta!
Ne donim të mbronim vijën e LPK-ës politikisht, ndërsa vendimi i Fondit “VTH”, ishte i prerë dhe i zbatueshëm për të gjithë: “Të gjitha mjetët e grumbulluara të dorëzohen në Arau, ku ishte selia Kryesore e Fondit ‘Vendlindja Thërret’…”
Tashti në Cyrih, ishte një seli (në klubin Përparimi) ku mblidheshin para për F.”VTH” por aty, mërgimtarët shumë pak paguanin ngaqë sipas tyre, kishin parë shumë persona që thirreshin në emër të Fondit, të cilët nuk kishin reputacion të mirë dhe të njejtit, njiheshin si: alkoholistë, të dhunshëm dhe si njerëz të nëntokës…
Me t’u hapur zyra e jonë, mërgimtarët filluan parreshtur të derdhin mjete, dhe mbrenda pesë ditësh u mblodhë një sasi e madhe parash… Në ditën e gjashtë të gjitha paratë u dorëzuan, në zyrat e F.VTH në Arau. Ato para i pranoj, Halil Kopalla…
Dhe duket që puna jonë konkrete dikë e ka trembur…
Meqë isha anëtar i redaksisë së “Zërit të Kosovës”, udhëtoja vazhdimisht për në Arau dhe kontaktoja çdo ditë me njerëz të shumtë… Dhe atje për punën tonë në Cyrih tashti fillon trysnia tjetër ndaj meje, duke u munduar t’më bindin që të largohem, t’i braktisë shokët…
Emisarët ndërroheshin për çdo ditë; herë hynim në një zyrë, ku s’na pengonte askush dhe fillonte biseda me Jasharin, e që ishte më korrekti; herë rolin e mirrte Zenun Bajrami, një herë tjetër gjoja si rastësisht kishte ardhur Hashim Thaçi (pas një interviste dhënë në Koha Ditore) dhe një herë tjetër ishte edhe Kadri Veseli… Këta dy të fundit, me mua nuk e rrokën bisedën rreth formimit të Kryesisë Kantonale të LPK-ës dhe as atë të Fondit VTH…
Të gjithë kishin një arsyetim dhe një propozim:
– “Largohu prej atyre (Rexhës, Sylës, Xhevatit, Agimit, Ademit) se ata s’kanë ‘tope me u grahë punëve dhe po kapen për topet e tua’ dhe ne e kemi paraparë edhe për ty një funksion në tërë hierarkinë e organizimit”…
Edhe pse tash, isha në Arau (në cilësinë e gazetarit të ZiKut) në gojën e ujqërve, përpunimi kishte filluar…Qëllimi i tyre me mua dështonte…
PRESIONI ME TELEFON I AZEM SYLËS!
Një mbrëmje kur u ktheva në shtëpi, ime shoqe më njoftoi se: “Azem Syla (daja) kishte thirrë dy herë me telefon, dhe meqë mua s’më kishte marrë, i kishte thënë shoqës sime me një tonë mjaft nervozues:
– “Çka është ka bën Fatmiri? Me kënd është ai?”
Të nesërmen, e marrë me telefon Azemin dhe kur e pyeta se: “çka po ngjetë dhe se, cila ishte arsyeja që kishte telefonuar tek unë? – ai më tha:
– “Po ta pres shkurt dhe po i bie temës… çka është puna e zyrës së Cyrihut, dhe ku po i dërgoni paratë?”
I tregova që: “puna e zyrës së Cyrihut është pikë së pari të mbrojë LPK-ën, dhe e dyta mjetet që ajo zyrë i mbledhë, të gjitha, gjerë në rapin e fundit, ia dorëzon Jashar Salihut… E çfarë bën ai më tutje është punë e tij…”
– “A tek Jashari po i dorëzoshi a, e mirë mirë.. Po ju me kënd jeni?”
– “Si me kënd, – i thash – bëhu më i qartë sepse nuk po të kuptoj… Ne jemi me LPK-ën dhe kuptohet që ata që janë me LPK-ën janë edhe me UÇK-ën!”
– “Kryesorja paret po i dorëzojshi tek Jashari” – tha, dhe pa e pritur përgjigjen time e bylli telefonin…
***
Në ditët në vazhdim në zyrë na vinin njerëz të ndryshëm, jo vetëm miq por edhe armiqë. Kishte nga ata të cilët dikush i dërgonte me porosi…
Në redaksi atmosfera ishte e tendosur… Ca prej tyre ishin me grupin e komplotistëve, dhe për mua e dinin që jam me organizimin e ri në nivel organizate…
Një ditë më thotë redaktori (një djalë i mirë, i urtë dhe i drejt por pa karizmë t’vetën) në besim, ngaqë sipas tij vetëm mua mund t’më besonte që, nga dy ‘ilegalët’ e Mbledhjes së Përgjithshme (H.Th dhe K.V), kishte marrë një lloj “kërcënimi”:
– se cilën vijë duhej të ndiqte gazeta,
– se çka të botohej, dhe
– mundësisht tubimet në emër të LPK-ës që mbaheshin me mërgimtarët, të mos publikohen, por të publikohen vetëm tubimet e Fondit ‘Vendlindja Thërret’…
Ai donte nga unë t’i jap një përgjigje, si të vepronte!
– «Unë s’kisha përgjigje!»
***
Në këtë situatë trysnia mbi mua vazhdonte nga të gjitha anët, që të largohem nga të qenit: Kryetar i Këshillit Kantonal të LPK-ës dhe i Fondit ‘VTH’ për këtë kanton, me arsyetimin se për mua është biseduar dhe është vendosur për një pozicion tjetër!
O zot edhe kjo maskaradë ndodhi!

KOMUNIKATA E FAMSHME NR.74 E “SHP të UҪK-ës”!
Dhe pastaj i vjen radha komunikatës së famshme nr.74, të lëshuar nga i ashtuqujturi Shtabit i Përgjithshëm, me publikimin e emrave të bartësve të funksioneve kryesore në kuadër të F.VTH. Në këtë komunikatë figuronin edhe emra të atyre, të cilët më herët e kishin luftuar me të gjitha mjetet Fondin “VTH”!
Më vonë ne kemi kuptuar se, nga Zvicra ishin dërguar raporte të rrejshme,
– se gjoja LPK-ja e Cyrihut po don me e marrë « Fondin Vendlindja Thërret nën administrim» dhe se ata duan që të gjitha mjetet e grumbulluar, t’i dërgojnë në Frontin e Dukagjinit, se gjoja ne jemi të lidhur me pjesën tjetër të Gjermanisë dhe se jemi të kordinuar me Fondin që udhëhiqte Ibrahim Kelmendi etj., etj…
Por asnjëra nga këto broçkulla nuk ishin të vërteta!
Dhe, meqë nuk mundën dot të na mposhtin dhe heshtnin me lajka e me tentim përçarjeje dhe me joshje për poste, mendja më thotë se: ‘Shtabi dhe Drejtoria Politike e UҪK’, për të NEUTRALIZUAR punën dhe fuzionimin e Këshillave Popullor të Cyrihut, lëshojnë Komunikatën numër 74, ku emërohen bartësit e Fondit ‘VTH’.
Me publikimin e emrave, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryesisë së Rrethit Kantonal të LPK-ës, së bashku me Kryesinë e Fondit ‘VTH’.
Emërimet u shpallën si të paqena dhe me këtë rast shprehëm dyshimet tona se: »ato emërime nuk i ka bërë Shtabi i vërtetë në Kosovë, ngase kishte emra që s’kishin mundësi t’i dinin, por se ajo listë me emra ishte hartuar nga dy apo tre veta nga jashtë, dhe të cilët atë punë ia kishin atribuar (veshur) Shtabit…!
Në kontakt me Jashar Salihun kuptuam se edhe ai ishte i befasuar me ata emra dhe se, s’kishte pasur fare dijeni për këtë gjë…
Duke e parë se sa serioze ishte gjendja, Kryesia e LPK-ës dega jashtë vendit, me kërkesën tonë dakordohet për një takim të përbashkët. Por, duke parë që me këtë takim Kryesia donte të manovronte dhe të fitonte në kohë, ne u tubuam dhe mbajtëm mbledhjen e radhës…
Për këtë mbledhje ekziston Proqesverbali…
Në mbledhje, Fatmir Brajshori raportoi për shumat e parave që janë dorëzuar në zyrën qendrore të Fondit ‘Vendlindja Thërret’ në Arau…
Në këtë mbledhje Këshilli i Rrethit, duke mos pranuar që të vinin e të bisedonin me ne, kushdo dhe cilido, në fund nxjerrë këto konkluzione:
1. Këshilli i Rrethit kërkon takim urgjent me anëtarët e Kryesisë së LPK-ës, dega jashtë vendit dhe me e kryesinë Qendrore të Fondit «Vendlindja Thërret», me kërkesën kryesore:
Kërkojmë që në takim me ne të vijnë anëtarët e Kryesisë:
– Bedri Islami,
– Jashar Salihu,
– Sejdi Gega,
– Ilaz Thaçi.

Lexoni faksimilin:

Kryesia Qendrore e Fondit, na u përgjigj dhe ata nuk erdhën në takim me ne por thirrën një takim të zgjeruar edhe me Këshillat e tjerë popullor. Kjo për ne ishte një plus ngaqë në kontakte me të tjerët që kishim, të gjithë na përkrahnin dhe na jepnin të drejtë, përpos Këshillit Popullor të Luganos, i cili në një shkresë dërguar Kryesisë, thonin se, nuk e përkrahin organizimin e ri të Këshillit të Rrethit të Cyrihut, me arsyetimin se, kryetar është zgjedhur Fatmir Brajshori…
Në takimin, që ishte thirrur në Arau nga Kryesia Qendrore e F.VTH, u konfrontuam shumë ashpër me J.Salihun dhe me mikun tim R.A… dhe për këtë gjë, kam shkruar më herët…
– “Por poenta e gjithë fjalosjes sime me ta ishte kur shpërtheva me “Ju e keni vrarë Behajdin Allaqin!”
Vlenë të theksohet se më datën 20.12.1998 i dërgojmë një letër Kryesisë së LPK-ës,me rekomandimin që të mos lëshohet pe për asnjë milimetër, si organizatë para askujt dhe para cilit do shantazh të radhës…
“Shtabi” e lëshon komunikatën ose më mirë me thënë merr vendim më datën 22 Janar 1999 duke u nisur edhe nga ky fakt!
Në mbledhjen e radhës (më 18 janar 1999), të mbajtur në një shtëpi private, te një shok i organizatës, në përbërje të zgjeruar dhe me pjesmarrjen e dy anëtarëve të kryesisë së LPK-ës, shqyrtuam letrën e dërguar nga Këshilli i Përgjithshëm i LPK-ës, për Këshillat e rretheve, ku njohtoheshim se, F.VTH kalon në kompetenca të “Drejtorisë financiare të SHP të UÇK-ës”…
Që të mos e lodhi lexuesin me diskutimet, të cilat mund t’i nxjerrë nga proqesverbali, po sjellë vetëm vendimet e marra dhe shkresën që ia dërguam urgjentisht Shtabit…
a). Unanimisht (vota ishte unanime) hedhim poshtë vendimin pa bazë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-ës.
b).Në afat sa më të shkurtë të thirret Mbledhja e jashtëzakonshme e Përgjithshme e LPK-ës dega jashtë vendit.
c). Në qoftë se Mbledhja nuk do të thirret në afat prej tre muajsh (njohtimi të bëhet brenda muajit për mbajtjen e mblredhjes) atëherë përgaditjet për Mbledhje (të jashtëzakonshme) do t’i bëjmë vetë dhe do të thërrasim mbledhjen, me të gjithë ata (80% të Këshillave të Zvicrës ishin për) që janë kundër, këtij vendimi…
Post Scriptum
Kërkojmë (mundësisht) të informohemi, me shkrim nga SHP i UÇK-ës për arsyen e një kërkese të tillë që: Fondi “Vendlindja Thërret” të kalojë në kompetenca të tij, a është në pyetje se; Shtabi është në dijeni, të keqpërdorimeve të mundshme që janë bërë, dhe në qoftëse nuk ka keqpërdorime, atëherë një kërkesë e tillë është pa bazë.
Zürich, 18 janar 1999, Këshilli i Rrethit të LPK-ës për Gllatbrug

PRILL 1999: ATENTATI NË ZYRËN E LPK-ës NË CYRIH, NGA NJERËZIT E KADRI VESELIT DHE ADEM GRABOVCIT!
Pas gjithë kësaj beteje që bëmë, për të mos lejuar tjetërsimin e Fondit “Vendlindja Thërret”, devijimin e luftës si dhe atentatin kundër LPK-ës, Zyra e Këshillit të Rrethit të LPK-ës në Cyrih u bë pre e atentatit të radhës! Në fakt duhet të themi që gjatë gjithë kësaj beteje hamletiane, ‘të jesh a mos të jesh’, Kryetari i zgjedhur i LPK-ës, Bedri Islami, që për ne ishte kontestues, por, megjithatë ia pranonim legjitimitetin, gjatë kësaj kohe as njëherë nuk ishte bërë i gjallë, as njëherë s’kishte marrë mundin të takonte apo edhe të telefononte ndonjërin nga ne! Jo anjëherë!
Më vonë e kuptuam arsyen e vërtetë dhe inferioritetin e Bedri Islamit, karshi ‘rebelimit’ tonë!
Përshpëritej, se Kryesia e LPK’së Dega j.v (për shkak të gjendjes serioze), kishte frikë me shkue në takim në Cyrih, se mund të hanin dajak nga R.Halimi…!
***
Pasi nuk arritën t’na thyenin e heshtnin edhe me atë vendimin e ShP të UÇK-ës, për të cilin kemi thënë se ai vendim dhe ajo listë me emra ishte hartuar nga 2 a 3 vetë, krye në veti, dikush u kujdes që të organizonte disa persona, për të kryer një sulm makabër, mbi zyrën e LPK-ës në Cyrih!
Me publikimin e njoftimit në “Zëri të Kosovës” se, prej datës: 01.02.1999 do të fillojë së funksionuari: Zyra e Fondit V.TH – Adresa: Weststrasse nr.138, 8003 Zürich.”, mendonim se ishim bërë objekt sulmi nga shërbimet sekrete serbe…
Kur ndodhi sulmi dhe kush ishin sulmuesit?
Zyra e Fondit “Vendlindja Thërret” në Cyrihut për gati një muaj në zyrën qendrore të Fondit “VTH” në Arau, dorëzoj më shumë se 600.000 mijë franga zvicerane. Ndërsa më herët gjerë sa nuk ishim fuzionuar – bashkuar, argatët e komplotistëve (që kishin lëshuar komunikatën nr.74) në tërë kantonin e Cyrihut mezi kishin grumbulluar 50.000 franga zvicerane!
Zyra e Cyrihut, bleu uniforma ushtarake, bëri regjistrimin e vullnetarëve, i përgatiti dhe i nisi ata për në Front… Bëri demonstrata masovike në Cyrih (me 15.000 veta) dhe para ambasadës amerikane në Bern, për t’i dhënë mbështetje delegacionit të UÇK-ës në Rambuje…
Për çudi morëm kërcenime pse ishim solidarizuar me Adem Demaçin!
Pra, asokohe as Adem Demaçin nuk e donin dhe po t’u dilte para do ta vrisnin edhe atë!
Sulmi në zyrën e LPK-ës ndodhi më 12 prill 1999, vetëm 20 orë pas dorëzimit të 182.000 frangave Zvicerane, në zyrën qëndrore të Fondit “Vendlindja Thërret” në Arau…
Këtë shumë të parave e dorëzuam në Zyrën e Fondit “V.TH”, në natën e 11 prillit 1999, së bashku me Ramush Krasniqin dhe Agim Selmanajn. Paratë i pranoi Halil Kopalla në prani të Fatmir Istogut, rolin dhe detyrën e këtij të fundit në lokalet e Fondit asnjëherë s’e kam kuptuar…

Ishte muzgu i parë kur tre persona hynë në zyrë dhe filluan të silleshin si rrugaqë me të pranishmit… Ne, në zyrë mbanim për sigurinë tonë, gjithnjë një veprimtar të armatosur… Këta tre persona, mu ofruan s’pari mua dhe njëri prej tyre, papritmas më godet dhe në momentin e goditjes, aktivisti i devotshëm, nxjerr revolen dhe ia drejton sulmuesve në kokë (ai e kishte bërë këtë veprim në momentin kur njëri nga sulmuesit kishte nxjerrë revolen e tij)… Anëtari ynë i LPK-ës dhe sulmuesi ia mbanin njëri tjetrit revolen në kokë dhe të dy bërtisnin me zë të lartë «Lëshoje Revolen!»
Në këtë situatë të rëndë, dy sulmues përvidhen dhe ikin nga zyra, ndërsa sulmuesi i armatosur kur vëren se i ikën shokët, edhe ai merrë ikën me të katra!
Vetëm pak minuta më vonë, E.H. që me armë doli në mbrojtjen tonë, na tregon fishekun, ku gjilpëra kishte goditur plumbin por s’kishte kërcitur!
Më vonë morëm vesh, se tre sulmuesit e zyrës në Cyrih, ishin: njëri kushëri i Kadri Veselit, tjetri mik i Adem Grabovcit dhe i treti një njeri i nëntokës së Cyrihut, i cili më vonë për drogë u dënua me 10 vite burg…
Këta komplotistë me të tillë njerëz na luftonin, me të tillë donin ta largonin LPK-ën nga skena,dhe me sojin e këtyre njerëzve e vazhduan rrugën e tyre të dëmshme, ndërsa ne vazhduam rrugën e duhur deri në fund.
LPK-ja e VËRTETË NUK U DORËZUA, AJO FORMOJ UҪPMB-ën NË KOSOVËN LINDORE DHE UҪK-ën NË MAQEDONI
Megjithë kërcënimet që morëm, LPK-ja vazhdoj rrugëtimin e saj…
Ajo nuk mund të ndalej ngaqë ishte Nëna e Çlirimtarëve! NATO-ja më 24 mars 1999 nga ajri nisi bombardimet mbi caqet serbe, ndërsa në tokë luftonte UҪK-ja … dhe pas 78 ditësh forcat serbe u dorëzuan!
LPK-ja e vërtetë nuk u dorëzua para askujt… Ajo me Kryesi të re vazhdoi luftën e mbetur në gjysmë. Me Kryesinë e re, sepse ne e dinim që Kryesia e vjetër, që doli nga Mbledhja e gjashtë e Përgjithshme nuk ishte më në gjendje të përzë as macen nga përsheshi, e lëre më të mirret me Lirinë Kombëtare… Ata publikisht kapitulluan në Mbledhjen e Prizrenit (qershor 1999), ndërsa ne e dinim se kapitullimi i tyre kishte ndodhur qysh në orët e para të zgjedhjes së tyre, në maj 1998! Në të vërtetë ajo kryesi në krye me Bedri Islamin ishte projektuar për të dështuar nga ata (nga SHP i UҪK jashtë frontit të luftës dhe drejtoria politike) të cilët donin ta prezentonin LPK-ën si të tillë, si të dështuar!
Por, LPK-ja nuk u ndalë, formoi UÇPMB-ën, organizoi dhe udhëhoqi luftën në Kosovën Lindore, dhe më pas edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni! Për habi, edhe gjatë kësaj kohe ajo luftohej nga të gjitha anët, por si gjithmonë doli fitimtare para çdo sfide…
Dhe në fund,
Për të qenë ironia më e madhe, pikërisht ata që e luftonin më së shumti LPK-ën (gjatë viteve 1998-1999), në 30 vjetorin e LPK-ës, u bënë më të zëshmit e LPK-ës. I kemi parë se si vraponin për të dalë në foto pranë stemës së LPK-ës, dhe nuk turpëroheshin fare! Epo sikur ta dinin se
çfarë ishte turpi në vitet më të vështira,nuk do t’ia ngulnin thikën pas shpine, kësaj nëne çlirimtare që bëri histori…

Fatmir Brajshori – Cyrih, më 10 prill 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura