IBRAHIM KELMENDI: KUVENDI I PARË I LËVIZJES ISHTE FUNDI I KOMPLOTEVE TË DERIATËHERSHME DHE PROFILIZIMI DEMOKRATIK I SAJ

Pashtriku, 23 shkurt 2019: (Kumtesë për simpoziumin në Prizren, më 19.01.2019) – Vetëkuptohet, anëtarët e Lëvizjes zor se ia dalin të prezantojnë kumtesa shkencore, meqë nuk mund ta sfidojnë subjektivizmin e tyre. Por, të shpresojmë që të jenë sa më korrekt në rrëfimet e tyre. Këtë po e potencoj qysh në fillim, sepse tashmë jemi dëshmitarë, që jo vetëm për zhvillimet e viteve të ‘80-ta, por edhe për Luftën e Kosovës, vet ne akterët po rrëfejnë tepër dallueshëm nga njëri-tjetrit.
Për ata që nuk e dinë, mua me ka rastis, nëse mund të shprehem kështu, të jem pjesëmarrës qysh në përpjekjet e para për themelim të Lëvizjes, në Kuvendin e saj të parë, por edhe në Kuvendin e saj të fundit. Prandaj po përzgjedh rrëfimin telegrafik, se si kemi hapëruar deri në Kuvendin e parë, në vitin 1987.
Deri më 25 mars 1981, kur studentët protestues dolën me kërkesën Kosova-Republikë, në Kosovë njiheshin tre organizata klandestine (gabimisht po përdorët shprehja “ilegale”), edhe pse kishin pak anëtarë dhe shtrirje të vogël. Kështu ka ndodhur edhe më herët, që organizatat klandestine të kenë më shumë famë, se sa ishte potenciali i tyre. Këto tre organizata ishin: Organizata e Marksistë-Leninistëve të Kosovës (OMLK), Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe Fronti i Kuq Popullor (FKP). Në maj 1981 u bë i njohur ekzistimi edhe i Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ).
Në emigracion kishte shumë organizata e parti. Ato ishin kryesisht të emigrantëve politikë nga Shqipëria londineze. Kishte edhe 3-4 organizata të emigrantë shqiptarë nga Jugosllavia. Ato ishin Lidhja e Dytë e Prizrenit, Lidhja Kosovare, Besëlidhja Demokratike Shqiptare.
Këto të gjitha në platformat e tyre politike kishin përcaktim kryesor: çlirimin e territoreve shqiptare, të pushtuara nga Jugosllavia dhe Greqia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Në aspektin ideologjik, katër organizimet që vepronin në Kosovë dhe në gjirin e emigracionit ekonomik, dominohesh nga ideologjia komuniste, e cila ngjasonte me ideologjinë që praktikonte PPSH-ja në Shqipëri. Ndërsa tre organizatat në emigracion, kishin platformë (pseudo)nacionaliste.

Kërkesa Kosova-Republikë u bë më e famshmja dhe dominuese, deri sa u shtyp me dhunë policore rrebelimi popullor, më 2 prill 1981. Aty e tutje ajo kërkesë jehoi në Perëndim, meqë i dhanë frymë e zë emigrantët patriotë, të organizuar në bashkëveprim nga OMLK-ja, LNÇKVSHJ-ja dhe FKP-ja.
Në qershor 1981 Kadri Zeka, përfaqësues i OMLK-së, i strehuar në Sant Gallen të Zvicrës, paraqiti Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës, të hartuara nga udhëheqja e OMLK-së. Ai informoi se në Kosovë ishte bërë e pamundur të kontaktoheshin udhëheqësit e organizatave të tjera, për të biseduar për bashkim, prandaj propozoi që të bisedohej në emigracion. Atë propozim e mirëpriti Jusuf Gërvalla, i cili prezantohej si përfaqësues i LNÇKVSHJ. Fatmirësisht apo fatkeqësisht, varësisht kush flet dhe nga cili pozicionim, edhe mua me çmonin për bashkëveprimtar, që përfaqësoja FKP-në. Aty e tutje filluam të bisedonim për bashkim, duke pas për bazë ato Teza. Në korrik kemi rënë dakord për platformën, të cilën e pat përmbledh me shkrim Jusufi, duke u bazuar në propozimet e dakorduara. Atë ua shpërndamë bashkëveprimtarëve, pjesëmarrës në tubime, protesta e demonstrata.
Po ofroj ca fragmente nga ato teza, që kumtesën ta shoqëroj edhe me dëshmi dokumentare:
“Në këto kushte, para gjithë lëvizjes komuniste, patriotike e revolucionare në Kosovë del detyrë e ngutshme bashkimi dhe organizimi më i mirë i gjithë popullit tonë dhe luftës së tij të drejtë.
Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës mendon se në kushtet e tanishme kjo mund të arrihet më së miri duke organizuar FRONTIN POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS.
Qëllimi i Frontit për Republikën e Kosovës është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e republikës brenda federatës jugosllave. (…)
Republika e Kosovës nuk u sjell asnjë të keqe popujve jugosllavë dhe federatës së tyre; përkundrazi ajo është dhe në interes të tyre dhe e forcon Federatën jugosllave.
Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë, një e drejtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi. (…)
Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara as me vendimin e Helsinkit dhe nuk sjell kurrfarë rreziku për paqen në Ballkan.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftë për Republikën të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare dhe elementë përparimtarë nga radhët e borgjezisë, të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet ideopolitike e nga dallimet klasore, fetare e krahinore.”
Me kërkesë të Jusufit, që bashkimin ta celebronte Sabri Novosella, të cilin Jusufi e çmonte për udhëheqës dhe veprimtar patriot veteran, u vendos për takim me Sabriun, i cili jetonte në Turqi. Në tetor 1981 në Turqi udhëtojnë Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Atje takojnë Sabri Novosellën. Ai kundërshton bashkimin.
Rëndom, pas dështimeve në bisedime në mes të palëve, ndodhin hidhërime dhe fajësime. Për rrjedhojë, Jusufi u përcaktua për botimin e “Zërit të Kosovës” (ZiK), si organ i LNÇKVSHJ, në nëntor 1981. Organi i OMLK-së, “Liria”, nuk u botua ca kohë. Ndërsa “Bashkimi” i FKP-së, nuk botohej qysh nga janari 1981. Në atë numër të “ZiK”, Jusufi, me stil ezopik, pat fajësuar Kadri Zekën për dështim të bashkimit.
Edhe mua më pat shkruar letër, më 15 janar 1982, ndoshta letra e fundit në rrojtjen e tij, për të më sqaruar për ca hidhërime që na kishin ndodhur pas kundërshtimit të Sabrit. Po citoj ca fjali:
“I dashur shok Ibrahim,
me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejt ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq. Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë, çka, më shumë organizatë revolucionare, madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë. (…)
Tani po të njoftoj se këto ditë na arriti në videokasetë me pesë filma shqiptarë. (…) Me këtë rrugë, për të njëjtën çështje po e njoftoj edhe shokun Z. (…)
Të fala vëllazërore e revolucionare
J.G. me, 15 janar 1982”
Më 2 janar 1982 Kadri Zeka dhe Sajime Jusufi organizuan dasmë në Zvicër. Aty ndodhen edhe bisedime për t’i sqaruar dezinformimet, fajësimet dhe hidhërimet që na kishin ndodhur pas takimit dështues në Turqi. Më 15 janar 1982 Jusufi fton Kadri Zekën dhe mua, për të marrë pjesë në një aktivitet në Bernhausen (Gjermani), në mbrëmjen e 16 janarit. Pasi mbaroi ai aktivitet, rreth mesnate, Jusuf Gërvalla na merr mysafirë Kadri Zeka, Sylë Nuha dhe mua. Aty rinisim bisedat për bashkim. Rreth agimit të 17 Janarit 1982 vendosim themelimin e Lëvizjes për Republikën e Kosovës! Rreth orës 15 Syla dhe unë detyrohemi të udhëtojmë për Dyseldorf, për të dërguar videokastetat me filma, sepse një javë më herët kishim bërë njoftimin, që më 17 janar 1982, ora 19.00, do shfaqet film artistik shqiptar në Klubin e Shqiptarëve në Dyseldorfd. Jusufi dhe Kadriu mbeten për të përgatit dokumentacionin e themelimit të Lëvizjes. Të hënën në mengjes Kadriu duhej të ishte në punë në Sant Gallen. Por, për shkak të atij angazhimi, anulon shkuarjen. Pas darke, rreth orës 22, Jusufi duhet t’i ketë thënë Kadriut të shkonin në kabinë telefonike të fshatit, që ta njoftonin Saimen se Kadriu nuk do të udhëtonte atë natë në Zvicër. Familja Gërvalla ende nuk kishte bërë kyçje telefonike në shtëpi. Dhe sapo dalin nga dera e terasës, të shoqëruar nga Bardhoshi që duhej t’i voziste, dhe sapo janë nisë me auto drejt kabinës telefonike, bien në pusi të vrasësve, rreth orës 22.15. Në vend nga plumbat vdesin Kadriu e Bardhoshi. Jusufi, me plagë të rëndë, transportohet në spital, por nuk e mbijeton operacionin…
Policia me atë rast bastis gjithë materialet në dhomën e punës së Jusufit, edhe shkresat që duhet t’i kenë pas sipër tavoline ku po i përgatisnin, dhe kështu, ato materiale që përmbajnë vendimin për themelim të Lëvizjes, vazhdojnë me qenë të fshehura, nga policia gjermane apo nga Bashkëshortja e Jusufit, Syzana…
Për shkak që në themelet e Lëvizjes u flijuan Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, atë themelim e kam karakterizuar si lindje të përgjakshme!
Fatkeqësisht, atë komplot të kobshëm, fizik, e pasuan komplotet organizative, meqë shërbimi kompetent jugo-sllav duhet të kishte planifikuar të kapte organizimin e deriatëhershëm të emigracionit patriotik. Kështu, më 17 shkurt 1982, po në Turqi duhet të jenë takuar Sabri Novosella, si “përfaqësues” i LNÇKVSHJ, dhe Abdullah Prapashtica, si “përfaqësues” i PKMLSHJ. Për Abdullahun tashmë dihej se kishte qenë shef i drejtorisë së UDB-së, për të mbikëqyrë Universitetin në Prishtinë. Por ai thoshte se ka dezertuar, sepse është dekonspiruar si kryetar i partisë se tij. Ata shpallin themelimin e Lëvizjes, por Sabriu thoshte të Lëvizjes për Republikë Shqiptare në Jugosllavi, ndërsa Abdullahu: Lëvizja për Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Me 9 maj 1982, Xhafer Shatri, duke u prezantuar si “përfaqësues” i OML-së, i bashkangjitet “themelimit” që kishin bërë Sabriu e Abdullahu.
Pas 4-5 muajve plasin grindjet mes të S. Novosellës dhe A. Prapashticës.
Në gusht të vitit 1983 mbahet një konsultë në Zvicër, me pjesëmarrje të rreth 70 bashkëveprimtarëve. Aty vendoset të dëbohet nga Lëvizja Abdullah Prapa-shica me 3-4 tifozë.
Në fund të vitit 1983 nga Turqia në Gjenevë udhëton Sabri Novosella, në vizitë Xhafer Shatrit. Atje plas një armiqësi mes tyre, në duke aksidentale. Deri në mars të vitit 1984 mundohemi t’i pajtojmë. Por ajo armiqësi eskaloi edhe me vrasje të një bashkëatdhetari në Sant Gallen, nga tifozët e Sabriut, dhe me plagosje të dy bashkëveprimtarëve në manifestim të Lëvizjes dhe Klubit Shqiptar në Dyseldorf, më 7 prill 1984. Aty e tutje Sabri Novosella me tifozët e tij u larguan nga Lëvizja.
Qysh në vitin 1982 kishim kërkesa të shumta që Lëvizja në emigracion të mbante kuvend, i cili do të zgjedhte udhëheqjen dhe do të definonte platformën ideopolitike. Më këmbëngulësi ishte Muhamed Kelmendi, ndërsa në anën tjetër, kundërshtari më këmbëngulës ishte Xhafer Shatri. Atij po i konvenonte gjendja, meqë na ishte imponuar si më kryesori dhe sajonte komplote edhe në Kosovë, pothuajse i pa penguar, duke u thirrur në konspiracion rigoroz.
Vetëm në vitin 1987, pasi u vetë-largua edhe Xhafër Shatri, mundem të mbajmë Kuvendin e parë.
Platforma ideopolike e Lëvizjes nuk ishte e definuar në të gjitha përmasat e saj, qysh në fillim, për disa arsye: Dy Bashkë-themeluesit kryesorë u vranë. Por edhe ata, deri atëherë ishin konfuz sa i përket konceptit ideopolitik, meqë të dy ishin më enveristë se sa vet Enver Hoxha, nëse me lejohet të shpërdoroi këtë mënyrë të (dis)kualifikimit, por duhej t’i përshtateshin kërkesës Kosova-Republikë, në kuadër të Kushtetutës së RSFJ-së. Ndërsa komplotistët që u penetruan pas vrasjeve, nuk kishin ideologji konstante, meqë ata ishin me mision për komplotime, prandaj herë prezantoheshin si nacionalistë të djathtë, herë si enveristë, varësisht me ke kishin raporte.
Nga Kosova po arratiseshin veprimtarë të klandestines, të cilët, gjithashtu, prezantoheshin enveristë. Megjithatë, Kuvendi i parë definoi platformë pluraliste, demokratike, edhe për shkak të përcaktimit politik se Kosova-Republikë duhej të realizohej në kuadër të rendit kushtetues të RSFJ-së. Pra, e gjithë platforma ideopolitike kishte për bazë vetëm barazinë politike, nacionale, ekonomike e sociale të popullit shqiptarë me popujt tjerë në Jugosllavi, duke u organizuar juridikisht në Republikën e Kosovës, pa u përcaktua për asnjë ideologji apo sistem politik.
Uroj të keni drejtkuptuar kumtesën time.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura