IBRAHIM SHALA: HISTORIA E PRANVERËS SË MADHE TË VITIT 1981 (II)

Pashtriku.org, 12. 03. 2014 – (VI. A shpërthyen spontanisht demostratat e vitit 1981) – Shumë autorë tendenciozë për shkak të minimizimit të qellimshëm të rëndësisë historike të këtyre ngjarjeve shtrojnë pyetjen provokative dhe fyese se: a mos shpërthyen spontanisht demostratat e viti 1981? Nese nuk kanë shperthyer spontanisht atëherë gjoja organizimi është i dyshimtë. Autorët e pikpamjeve të tilla donin për të na bindë se nuk ka qenë në interes kombëtarë momenti (sipas sahatit të tyre) i shpërthimit të demostratave të tilla. “Demostratat e vitit ’81 i ka karakterizuar një organizim spontan. Ato u vetëorganizuan nga shtresat e gjera të popullit: nga studentët, nga pjestarët e grupeve ilegale, nga nxënësit, nga fshatarët, nga punëtorët, nga qytetarët” / Shemsi Reçica – Pasqyra, nr.4 – 2001, Prishtinë/. Kjo më tepër më duket se është një pyetje retorike që në raste të ngjajshme nuk harrohet për tu shtruar. Një levizje aq popullore me kërkesa shumë të qarta politike nuk mund të bëhet spontanisht e as në mënyrë instiktive. Shtrohet pyetja: atëherë pse nuk shpërthyen me 1978 ose më herët, por pikërisht me 1981? Në etapa të “qeta” të qeverisjes së pushteteve, te një popull me vetëdije të ngritur politike dhe me synime të qarta kombëtare spontaniteti nuk ka vend. Spontaniteti dhe instiktet do të vinin në shprehje vetëm poqese do të rrezikohej ekzistenca e substancës biologjike të një populli. Është e padiskutueshme dhe katercipërisht e argumentuar se demostratat e vitit 1981 i organizuan grupet dhe organizata ilegale. Fill pas shtypjes së demostratave në mënyrën ma barbare, nga organet e sigurimit u deklarua për zbulimin e organizatave “kundërrevolucionare” ilegale u theksuan si pjesëmarrëse dhe organizatore: “ 9 organizata pak si më të mëdha dhe i 83 grupeve ilegale “ /Ukshin Hoti po aty f.77/. Numri kaq i madh i grupeve të organizuara ilegale është fakt i pamohueshëm se kanë përgatitë opinionin dhe elektrizuar situatën politikisht për të shpërthyer nga një shkëndijë e vogël, qoftë edhe spontane. Por në mënyrë tendencioze nuk duhet ngatërruar shkasin me shkakun. Në fillim mund të kenë qenë në korrent me ngjarjen një apo dy organizata ilegale, por pas ngjarjeve të 11 marsit janë alarmuar të gjitha grupet dhe organizatat ilegale ekzistuese, duke konkluduar se erdhi momenti i shumëpritur, sepse të gjitha grupet veq e veq më herët kishin menduar sipas planeve të tyre për të bërë diçka të madhe. Në këto momente nuk duhet harruar se shumica e grupeve fillojnë njohjen në një shkallë më të lartë dhe fillojnë bashkim-shkrirjen ose kordinimin midis tyre. Në këtë rast merita e organizimit të demostratave të 1981 është e grupeve ilegale me aktivistët e tyre, të cilët dijtën ti shfrytëzojnë drejtë rrethanat objektive shumë të volitshme. Me të drejtë thotë Niçe: “Çë të bëhesh rrufe, kohë të gjatë duhet të jesh re”. Pikpamje të tjera mund të trajtohen por do të bien erë spekulimi dhe do të na largojnë shumë nga esenca e problemit të çështjes.


 VII. A i organizuan ngjarjet e ’81 agjenturat e huaja
Dy tezat më problematike janë:
1) Se ngjarjet e viti 1981 i ka organizuar UDB-ja dhe sigurimi shqiptarë, më mirë të citojmë vet autorin e një mendimi të tillë: “Në bashkpunim me “sigurimin” serbët organizuan skenarin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Logjika ishte shumë e thjeshtë. Zhvillimi kaq i hovshëm i Kosovës ishte një pasqyrë e keqe për regjimin e Tiranës” /Nexhmedin Spahiu, Serbia shtet i përpjekjes për tejkalimin e vetvetës, Lajmi Ditës, 4.01.1996, Tiranë/.
2) Kurse Mahmut Bakallin fatkeqsisht nuk kemi mundësi për ta cituar, por po e parafrazojmë nga një shkrim i më hershëm në “Zërin Shqiptar” të vitit 1995, ku ai shprehet se demostratat e vitit 1981 i ka organizuar KGB-ja ruse dhe sherbimi bullgarë në bashkpunim me Serbinë. Nuk mund ta dijmë në radhë të parë ku është qellimi i autorve të lartëpërmendur ku duan të dalin (dhe pse pikërishtë në këtë kohë 1995) me arsyetime të tilla dhe çfarë duan të arrijnë? Më lartë në mënyrë kronologjike trajtuam shkaqet që quan në formimin e organizatave ilegale dhe më pas shpërthimin e demostratave. Qellimi bazë i organizimit të tyre ishte për avancimin e aspiratave tona kombëtare.
Por të ndalemi te fakti i kryer se ja: demonstratat ndodhen. Kushdo që në një mënyrë ose tjetër si Serbia, Shqipëria, fuqit e mëdha dhe të gjtha ato forca që u përthyhen interesat në Kosovë natyrisht që janë munduar të përfitojnë secila për vete. Në fakt kanë përfitur duke instrumentalizuar popujt e vet për interesa të ndryshme: Serbia për të mobilizuar nacionalizmin shtetërorë për shuarjen e çështjes shqipatre dhe për të homogjenizuar popullin serb, kurse regjimi i Tiranës për të instrumentalizuar popullin e RSH, për të neglizhuar vështirësit ekonomike, homogjenizimin e popullit dhe sidomos udhëheqja partiake e shfrytëzoi për të dëshmuar patriotizmin e vet komunist. Fuqitë e mëdha duhet të kenë bërë llogaritë e tyre për dobësimin e rolit të njërës në rajon dhe forcimin e tjetrës. Shkaqet se pse nuk u avancua çështja kombëtare pas këtyre ngjarjeve duhet kërkuar tek dobsia e udhëheqjes së athershme politike e KSA të Kosovës. Konstatimi i mësipërm i autorve të lartëpërmendur nuk mund të jetë i qendrushëm, por është spekulim për rrethanat aktuale politike. Kur konstatimi është i pa mohueshëm se: demonstratat kishin aspiratë për të avancuar çështjen kombëtare atëherë lindin pyetjet:
• Pse u preokupua aq shumë Serbia me çështjen shqiptare dhe avancimin e saj?
• Kurë serbët u banë shqiptarë?
• Ata ishin pushtuesit tanë?
• Ata po të donin lehtë mund ta zgjidhnin këtë problem, vetëm të hiqnin dorë nga mitet dhe apetitet e tyre hegjemoniste.
• Pse serbët ishin të interesuar që Kosova të bëhej republikë?

Përgjigjja nga autorët e këtyre tezave do të ishte: kjo u bë për të shkatërruar përparimin e KSAK. Këtë deshirë të serbëve nuk mund ta mohojmë, por për shkak të kësaj shqiptarët nuk mund të vendnumronin. Ky arësyetim të qon tek përfundimi se Zoti Bakalli me bashkëmendimtarët e tij statusin e Kosovës të vitit 1974 e ka vlerësuar si zenit të avancimit të çështjes shqiptare dhe këtë status e ka identifikuar edhe si aspiratë të popullit shqiparë. Nga logjika e tij hiqet procesi i zhvillimit dhe për këtë ka të “drejtë” të mendojë ashtu si mendonë. Por ja që historia dhe aspiratat e një populli nuk përcaktohen me kutin individual.
Një argument tjetër i rëndësishëm është se në të gjitha seancat gjuqësore të burgosurve politik shqipatrë në Kosovë nga gjykatat jugosllave as edhe një veprimtarë nuk është denuar për spiunazh si agjent i ndonjë sherbimi të huaj e as të sigurimit shqiptarë edhe pse levizja politike ilegale ishte pro shqiptare, sigurisht se po të ekzistonte një rastë i tillë UDB-ja do të dinte me mjeshtri ta materializonte në propagandën e saj. Që në fillim e theksuam vijushmërinë historike si argument dhe me qellim bëmë një vështrim aq të gjatë historik sa që lexuesi i nderuar vazhdimisht duhet ta ketë parasyshë pas çdo arësyetimi dhe gjykimi. Nese vetëm një moment e pranojmë se demostratat e vitit 1981 i ka organizuar UDB-ja dhe Sigurimi atëherë në mënyrë shkajkore (duke pasë parasysh vijushmërinë historike) edhe grupet ilegale të pas 68 i ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe demostratat e 1968 i ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe grupet ilegale të para 1968 deri dhe NDSH-në e ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe kryengritjen e Drenicës me në krye Shaban Poluzhën, edhe Konferencën e Bujanit, edhe Lidhjen e dytë të Prizrenit, edhe kryengritjet e Drenicës me Azem Galicën deri edhe Shpalljene Pavarësisë me 1912, del se të gjitha na i paska organizuar UDB-ja dhe Sigurimi. Ja deri ku mund të qonë një logjikë e mbrapshtë vetëm e vetëm për të arsyetuar oportunizmin dhe deshtimin e një klase politike.
VIII. Demonstratat e vitit 1981 dhe RS e Shqipërisë
Menjëherë pas ngjarjeve të marsit u mbajtën në fillim mbledhje interne të Qeverisë Federative dhe të KQ të LKJ-së të cilat nuk informonin shtypin për çështjet që po trajtonin, vetëm kur nuk mund të mbulohej dielli me shoshë filloi shtypi të jepte informacion më të gjerë. Që më 7 prill të vitit 1981 në një intervistë në Rilindje Stane Dollanci ministër i mbrendshëm pat deklaruar se: “Shqipëria nuk kishte gisht në këtë ngjarje”. Më vonë pala jugosllave ndërroi deklaratë sepse i duhej një fajtorë kujdestarë, atëherë filloi të akuzohej Shqipëria për të gjitha. Reagimet nga Shqipëria ishin shumë të matura politikisht dhe shumë qellimëmira për palën jugosllave gati predikuese, se si duhej zgjidhur çështja në të mirë të shqiptarëve të Kosovës dhe vetë Jugosllavisë. Këtu një gjë nuk është e kuptueshme pse pala shqipare doli aq vonë në mjetet e veta të informimit për ngjarjet në Kosovë tek me 8.04.1981, gati një muaj pas 11 marsit të 81-shit.
– Pse një heshtje kaq e gjatë?
Në artikujt që lexoheshin në radio, TVSH dhe në artikujt e Zërit të Popullit kishte tone mbrojtëse. Me 8.04.1981 ndër të tjera ZP shkruante se: “Qendrimi ynë është i pandryshuar”, kurse në vonë ZP-ja do të deklaronte:”Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se as kemi çfaqur dhe as çfaqim kërkesa teritoriale” /ZP.17.05.1981/ Më poshtë në të njëjtin shkrim Shqipëria do të mbrohej nga insinuatat jugosllave:” Jo, zotërinj, nuk është kështu dhe ato që thoni nuk i beson njeri. Populli shqiptar që jeton në Jugosllavi është i zgjuar vetë dhe din çfarë bën. Ai ska nevojë ta mësojmë dhe ta nxisim ne, shqiptarët e Republikës Popullore socialiste të Shqipërisë. Ai është trim dhe i besës, ai di të kërkojë atë që i takon, siç di të mbrohet edhe vetë” /ZP.17.05. 1981/. Gjat veprimtarisë së grupeve ilegale në Shqipëri shpesh kanë kaluar individ të këtyre grupeve që të konsultohen me shtetin amë, se si dhe çfarë për të vepruar në të ardhmen, ose përfaqsues tjerë kanë kontaktuar me trupin diplomatik shqiparë dhe i janë bërë këresa të njëjta. Përgjigjja çdoherë ka qenë lakonike , përgjigjje shumë të përgjithsuara dhe kurr konkrete, edhe në ndonjë pyetje shumë direkte ata do të përgjigjeshin me shembuj shumë të vjetëruar se: ne gjat LNÇ edhe demonstrata kemi bërë, edhe atentate kemi bërë, të gjitha në këtë stil. “Ai pat treguar gatishmëri për të na mbështetur në punët tona në drejtim të levizjes për pavarësinë e Kosovës. Por, asnjëherë nuk e ka provuar që të nderhyjë në ndonjë formë autoritare.” /Abdulla Prapashtica, Zeri ditor, Fejtoni…, vazhdimi nr.8, shkurt 2001,Prishtinë /.
Nga kjo mund të konkludohet se sa të vëmendshëm kanë qenë pala shqiptare dhe sa shumë i janë friguar implikimit në ngjarje të tilla. Ne nuk duam të arsyetojmë Shqipërinë për një qendrim të tillë, përkundrazi e vlerësojmë si dobësi të mos shfrytëzimit të rrethanave të krijuara dhe në fund të fundit pse pikërisht ajo të mos ishte vërtet inspiruese e drejtpërdrejt e ngjarjeve të vitit 1981. Është e pa falshme që Shqipërinë ngjarjet e vitit 1981 në një mënyrë e befasuan. Por në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet teza se ato i organizoi UDB-ja në bashkëpunim me sigurimin, sepse është një kombinim shumë eklektik dhe në kundërshtim të plot me natyrën e zhvillimit të ngjarjeve. Duhet të theksojmë edhe njëherë se në ngjarjet e vitit 1981 edhe sovjetikët mbi idenë e pansllavizmit janë munduar që të xjerrin përqindjen e tyre të fitimit për interesa strategjike në rajon, për këtë Shqipëria zyrtare do të konstatonte: ”Sovjetikët kanë qenë, janë dhe do të jenë kurdoherë përkrah serbomëdhenjve. Interesat e tyre puqen. Kjo ndodh edhe tani me rastin e ngjarjeve në Kosovë. Si revizionistët sovjetikë, ashtu edhe serbomdhenjët janë armiq të betuar të shqiptarvë, qofshin këta në RSF të Jugosllavisë, qofshin në RPS të Shqipërisë”. /ZP. Ngjarjet e Kosovës dhe bashkpunimi i fshehtë Sovjeto- serbomadh, 5.06.1981/.
Në të njëjtin artiull më poshtë autori konstaton se: “Moska e ka kalkuluar që “dora e fortë” serbe që po godet Kosovën do të ngjitet nesër edhe lartë në Bosnjë, në Kroaci e në Slloveni. Kur të vijë kjo kohë që tashmë po duket se nuk do të jetë shumë e largët, klani serb do të ketë me doemos nevojën për ndihmën sovjetike” /Po aty/. Po e ritheksoj se artikulli i lartëcituar është shkruar me 5.06.1981, për konkluzionin parashikues gati profetik nuk do koment pavarsisht se kush ka qenë ky analist, që parashikimet e tij të përpara 10 vjetëve ia provuan ngjarjet që u zhvilluan në luftrat e shkatrrimit të ish Jugosllavisë dhe lufta e fundit në Kosovë. Se ku e ka hallin Z. Mahmut Bakalli që pas 15 vjetëve u mundua ti ngatërroj fijet qelimisht edhe me sherbimin Rus e Bullgarë do të merremi më poshtë.
IX. Masat e shtetit jugosllav dhe qendrimi i klasës politike të Kosovës
Masat e para të shtetit jugosllavë ishin masat rpresive dhe brutale kundër demostruesve përmes policisë, njisive speciale dhe trupave të ushtrisë jugosllave. Këto trupa kanë pasur sjellje të ngarkuar anti shqiptare deri në sadizëm në ndeshkimin e rinisë srtudentore dhe pjesmarrësve të demostratave. Prej masave më të ngutshme të Beogradit ishte vlerësimi (kualifikimi) i demostratave si; kundërrevolucionare, nacionaliste, irridentiste dhe antijugosllave Se janë të organizuara dhe të imponuara nga jashtë, se gjoja nuk kanë bazë në kontradiktat e mbrendshme ndernacionale në kuadër të federatës. Pala jugosllave kishte vlerësimet dhe komentet e veta për komplot nderkombëtar, me 6.04.1981 Stane Dollanci minister federativ i punëve të mrendshme deklaroi:” Mbas tyre qendrojnë forcat më reaksionare të botës, fashiste, më dogmate, të cilat në këtë rast sigurisht janë bashkuar dhe kanë pranuar një platformë” /S.Gjakoviq “Konfliktet në Kosovë” f.299- Beograd 1984/.
Pas kësaj faze duhej ndermarrë hapa konkretë për gjykimin dhe eleminimin e rrethanave dhe “leshimeve” që kanë mund të qojnë në organizimin e demostratave. Për veprim konkretë kërkohej legjitimitet para opinionit të mbrendshëm dhe të jashtëm, prandaj vlerësimet (denimet) duheshin të jipen nga udhëheqja më e lartë partiake (LKJ). Mu për këto shkaqe u nxorë Platforma Politike e KQ të LKJ për Kosovën. Në hartimin e kësaj platforme ndikim vendimtarë pati politika serbe, duke paraqitur hegjemonizmin e vet si interes gjithë jugosllavë. Udhëheqja politike e Kosovës pranoi vlerësimet e platformës pa u përpjekur që të mbronte të drejtat nacionale të shqiptarve që i gartantonte vet Kushtetuta jugosllave dhe programi i LKJ-së. Ata nuk kërkuan që të hiqet një vijë ndarëse në mes të nacionales (gjithëmon sipas standardeve zyrtare) dhe nacionalizmit. Me këtë qendrim ia mudësuan nacional – komunizmit serb që në emër të nacionalizmit të luftojnë nacionalen në të gjitha drejtimet dhe nivelet në Kosovë. Ky ka qenë qendrimi më opurtunë i udhëheqjes së Kosovës, sepse nuk rezistoi as aty ku kishte argumente zyrtare, por u vu në sherbim të fushatës antishqiptare, duke vlerësuar lulen e rinisë dhe bartësit e demostratave me emra të ndryshëm fyes dhe denigrues.
Hap konkretë i udhëheqjes jugosllave ishte ndërrimi i udhëheqjes politike Krahinore të vitit 1981. Goditje të parë mori njeriu i parë i partisë Mahmaut Bakalli. Ai nga funksioni i Sekretarit Krahinor të LKJ dha dorheqje me 5 maj 1981. “Mahmut Bakalli nuk bëri ndonjë veprim iritues: mbajti një konferencë me gazetarë, lexoi para tyre një fjalim të përgatitur me kujdes, ku merrte për sipër përgjegjësinë që i takonte, duke mbetur më tej “ushtar besnik i partisë” dhe u largua nga skena politike.” /Mehmet Kraja “Vitet e humbura” f.124, Tiranë, 1995/. Dorheqjen e Bakallit duhet analizuar më thellë, sepse ai ishte njeriu më i pergaditur ideologjikisht dhe politikisht për vijen zyrtare të RSFJ. Nga këndveshtrimi ynë është e rëndësishme çështja: Pse M.Bakalli nuk e priti shkarkimin, por dha dorëheqje? Këtë përgjigjje mund ta gjejmë duke u bazuar në sistemin e vlerave të shoqërisë komuniste, ku dorëheqja konsiderohej si akt moral e politik, si akt i pranimit të gabimit dhe dëmit të shkaktuar, si autokritikë dhe si gjestë i cili nuk të shkëput përfundimisht por që të lenë mundësinë të kthesh perseri në gjiun e partisë, kuptohet kur të jesh i nevojshëm për partinë. Shkarkimi do ti shkëpuste lidhjet me partinë një herë e përgjithmonë, me një aktë të tillë Bakalli do të ngelej figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës gati po aq sa vetë ngjarjet e 81. Po si duket ai nuk ka menduar atëherë për historinë dhe politikën sepse ka patur bindjen që ai është vetë historia dhe politika e Kosovës. Kjo ishte mendje lehtësi e pafalshme e një politikani të karierës, gabim dhe rënje për të mos u ngrit më në lartësinë që e kishte.
Në zbatim të platformës filloi procesi i diferencimit ideopolitik nëpër organizata, shkolla, ente dhe njisi punuese duke goditur bartësit e frymës kombëtare. Në qendër të goditjes u vu Universiteti i Prishtinës i cili cilësohej si kështjellë e nacionalizmit dhe inteligjenca që ishte pjesa më e emancipuar në sferën e vetëdijes kombëtare. Masë tjetër nga kreu i Beogradit ishte rikthimi në vendet udhëheqëse të atyre kuadrave që ishin treguar të zellshëm dhe besnik në ndjekjen dhe ndeshkimin e shqiptarve në emër të integralizmit jugosllavë këtë me të drejtë e kishin vërejtur edhe analistë të kohës: “Veli Deva, i cili zuri vendin e Mahmut Bakallit, si dhe përfaqësuesi i Kosovës në forumin më të lartë të Federatës, Fadil Hoxha, i përkasin asaj gjenerate, të cilët edhe para vitit 1966 kanë pasur poste të rëndësishme. Shpesh këta politikanë i pyesim në Kosovë, ku kanë qenë atëherë kur shqiptarët, në mënyrë masive keqtrajtoheshin dhe poshtëroheshin? Ndoshta shpejt këtyre do t’u bëhet pyetja ku ndodhen tani që po sulmohet e gjithë kultura kombëtare”. /Viktor Majer “Frankfurter Algemajne Cajtung” – 13.05.1981./ Pas ca dite edhe Mehmet Maliqi u riaktivizua (rikthye) si kuadër i verifikuar në krye të sektorit të Punëve të Mbrendshme të Kosovës. Ngjarjet e vitit 81 Beogradi do ti përdorë si pretekst për të luftuar sistematikisht çdo gjë shqiptare deri në verë të vitit 1990 kur bëri ripushtimin e plot të Kosovës, veprim ky që ishte objektiv i kahmotshëm edhe para këtyre ngjarjeve.
X. Karakteri dhe shkaqet e shperthimit të demostratave 1981
Karakteri i demostratave të viti 1981 është lehtë i përcaktueshëm nga vetë bartësit e tyre. Në fjalorin politik të kohës ato janë përcaktuar si “demostratat e studentore të vitit ‘81”. Përshkak se bartës ishin rinia studentore ato nuk mund të cilësoheshin si kundërrevulucionare, regresive dhe konservatore. Ka vlerësime të ndryshme se ato kanë patur të përfshirë në vete komponenten ideologjike, ekonomike, klasore dhe kombëtare. Dihet se në kuadër të shteteve moniste totalitare dhe të ideologjizuara nuk ka pasur mundësi ti iket këtij fenomeni. Por kjo nuk mund të interpretohet në mënyrën se si e interpretojnë ata që janë tendenciozë dhe duan të fshehin ideologjinë e vet e cila e kishte kokën në Beograd. Ideologjia ishte formë e grupeve ilegale dhe vetë ngjarjeve të vitit 1981 për shkak të ndikimit nga RPSSH si shtet amë, kurse përmbajtja ka qenë thellësisht kombëtare. Kjo më së miri deshmohet nga aktakuzat dhe gjykimet që i janë bërë grupeve ilegale. Askush nuk u denua dhe nuk ngarkohej për shkak të ideologjisë por për shkak të nacionalizmit, irridentizmit dhe separatizmit. Edhe komponenta e pabarazisë ekonomike e ka pasë rëndësinë e vet në rritjen e pakënaqësisë dhe revoltës shqiptare. Në këto ngjarje shumë shpejtë me studentët u solidarizuan klasa punëtore dhe fshatarësia si shtresa të popullësisë së Kosovës. “ Unë mendoj se pakënaqësia më e madhe është pakënaqësia kombëtare. Unë mendoj se kjo ka qenë me të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat. Kësaj i shtohet edhe kërkesa ekonomik. Kështu që unë mendoj që është një kombinim shumë i fuqishëm e revoltave nacionale, ekonomike dhe shoqërore” /Vëzhguesi i revistës angleze “ Ekonomist” Eris Sviç në një bisedë me radion angleze 7.05.1981/.
Në vendet socialiste shumë pak ka pasur ndikim levizjet me karakter social sepse ato ishin të amortizuara që në start nga propaganda komuniste që ishte ideologji shtetërore duke shpallur si absurd rrebelimin e punëtorve si veprim kundër vetvetës. Më 18 shtator 1981 grupi i punës i KQ të LKJ për hartimin e “ Platëformës për Kosovën “ Millojko Drulloviq, Sinan Hasani dhe Zharko Papiq ishte shkuar me projektin e parë të “ Platëformës” në Zagreb tek Vladimir Bakariqi për konsultime. Nga biseda e stenogramuar mësojmë se Bakariqi u ka thënë: “Çështjes të së ashtuquajturës parti marksiste-leiniste i paskeni dhënë shumë vend. Ky nuk ëshë program që do të mund t’i tërhiqte demosntrantët, as dikë tjetër. Nëse e shikoni diksionin dhe stilin e programit do ti gjeni aty të gjitha parullat që i përdor në Përëndim antikomunizmi profesional. Pra këtu është fjala për diçka tjetër. Dikush u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demosnstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste. Prandaj, mendoj se kjo nuk mud të hyjë farë në Platëformë…” /Blerim Reka – Demonstratat e 81-shit antikomniste – Rilindja, 12.03.1986, Tiranë/.
Zoti Bakariq për shkak të paragjykimeve e harron qellimisht komponentën kombëtare dhe kërkon shtegdalje te komplloti nderkombëtarë. Kur pranohet fakti se kerkesë bosht e këtyre ngjarjeve ishte “Kosova Republikë” atëherë përcaktohet kjartë karakteri politik, vrulli rinor revolucionar dhe përmbajtja thellësisht kombëtare e këtyre demostratave. “Kur studentët dhe demonstruesit dolën në rrugë në vitin 1981, çështja primare e diskutueshme ishte statusi e më rrallë deshira për pavarësi” /Kosovo report”- Indipedent International Commission on Kosovo -f.36-Oxford-2000/
Kërkesa gjenerale “Kosova Republikë” ngërthen në vete të gjitha kërkesat e të gjitha shtresave të popullit. Duke analizuar përmbajtjen e parrullave të 1981, Branko Horvati nxjerr konkluzionin: ”Përcaktohen qartë përafërsisht tre përbërës të atmosferës politike. Njërën e përfaqson nacionalizmi i zgjuar, kjo është e përbashkët për të gjitha regjionet jugosllave në fund të 60. E dyta mbeshtetet te kushtet e rënda sociale. Ndersa të tretën e përfaqëson irridentizmi” /Branko Horvati -“Çështja e Kosovës”-f.102, Lublanë-1988/. Në këtë kërkesë ishin të fokusuara të gjitha aspiratat dhe për këtë shkak nuk mund të eleminohet argumenti teorik se këto demostrata përveq përmbajtjes kombëtare patën edhe karakter ekonomik, kulturorë, emocional etj. Veprimet e organizuara dhe kërkesat politike janë shkalla më e lartë e vetëdijes së një populli të pushtuar sesa ato ekonomike.
XI. Demostratat e ’81 a e avancuan çështjen kombëtare
Që në fillim duhet të sqarojmë se demostratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarve ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga perpjekjet per integrimin e tyre në Jugosllavi përmes shpikjes së kombit jugosllavë në emër të vëllazërim- bashkimit. “Ishte revolucion kombëtarë, sepse objektiv kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese serbe; ky ishte karakteri i përgjithshëm i atij rrevolucioni, prej të cilit burojnë edhe aspekte të veqanta të tij.” /Hajdin Abazi – Demokracia shans për pavarësinë e Republikës së Kosovës, f.9- Tiranë,1996/.
Pas këtyre ngjarjeve çdo shqiptarë kishte projektuar në kokën e tij një republikë e cila në fantazinë e tijë funksiononte sipas ngritjes intelektuale të secilit veq e veq. Është faktë se në aspektin politik kjo kërkesë ishte bërë gjithë popullore dhe kjo ishte më e rëmdësishmja për Levizjen kombëtare sepse realizimi konkretë i saj për zhvillimet historike ishte i pandalshëm, vetëm çështje teknike, çështje kohe. Nga viti 1981 do të kemi përpjekje për organizimin e demostratave në çdo pranëverë në kujtim të atyre të viti 81, si pasojë kemi edhe arrestime vit për vit. Ky fakt tregon për këmbëngultësinë dhe vendosmërinë e shqiptarve në rrugën e re. Ngritja e statusit nga Krahinë në Republikë nuk u realizua për shumë shkaqe por njëri më i rëndësishëm është se udhëheqja krahinore nuk kishte shfrytëzuar në maksimum të gjitha ingerencat e kushtetutës së vitit 74 por kishte lënë vakum. Në përpjekjen për kërcim të natyrshëm nga niveli i krahinës në republikë mu në këtë vakum pati rënje, pati pengesa më vonë edhe veprime retrograde. Deri në vitin 1981 Levizja kombëtare ishte me hope kishte shkëputje, nga ky vit levizja ishte kontinuele dhe aktive (në shumicën e rastve prijëse) në të gjitha zhvillimet politike. Ajo perjetoi një ngritje të vazhdueshme politike dhe organizative deri më 1990, kur ndodhi procesi i ndarjes së levizjes politike në ate paqësore dhe çlirimtare.
XII. Demostrata e ’81 dhe proceset demokratike në Evropën Lindore
Çështja e tranzicionit nga monizmi në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist është një ndër problemet më të rëndësishme politike dhe shkencore të kohës moderne. Prandaj është shumë e rëndësishme të studjohen fillet dhe tendencat e këtij procesi për secilin vend veq e veq. Për historinë politike të Kosovës është e rëndësishme se cili ishte roli i ngjarjeve të vitit 81. Rëndësinë e këtyre ngjarjeve në këtë drejtim i pari dhe më së miri e ka trajtuar prof. Ukshin Hoti kur konstaton se:”Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qefin e tyre. Ishte e nderlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e nderlidhur me të tjerat “. /Ukshin Hoti, Po aty f.94/.
Është bërë zakon që të krahasohen ngjarjet e Solidarnostit në Poloni me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Këto ngjarje kanë edhe pika të përbashkëta si : Organizime anti shtetërore, anti sistemeve qeverisëse, masoviteti, antisovjetizmi, vazhdimësia deri në ditën e ndryshimeve të mëdha dhe mbi të gjitha se ishin më të parat në tërë bllokun e lindjes. Ndryshimi në mes tyre është se ndikimi i demostratave të Solidarnostit kishte ndikim në nivel kombëtarë dhe shtetërorë të Polonisë, kurse ngjarjet e 81 në Kosovë kishin ndikim vetëm në nivel të Kosovës që vlerësohej provincë e Jugosllavisë. Në Kosovë çfardo që të ndodhte kryeqendra e shtetit Beogradi ishte jashtë ndikimit të këtyre ngjarjeve. Kurse RPSSH ishte në kulmin e izolimit dhe monizmit të tipit të diktaturës së proletariatit. Sikur Kosova të ishte shtet më vete atëherë këto ngjarje me masovitetin dhe energjinë e tyre do të kishin përmbysë çfardo regjimi dhe qeverie të Kosovës.
Në fushën e ndryshimeve politike në planin e mbrendshëm këto ngjarje patën rëndësinë e vet në kuadër të kohës dhe regjimit totalitar komunist. Në shoqërinë kosovare u krijuan dy vija politike ajo zyrtare jugosllave e LKJ-së dhe vija politike kombëare që përfaqsohej prej levizjes kombëtare. Kjo e fundit edhe pse vepronte nga ilegaliteti si frymë ishte e pranishme në të gjitha poret shoqërisë kosovare. Ishte instaluar mendimi ndryshe, kishte shtyp opozitar(ilegal), organizim politik tjetër nga ai zyrtar. Kjo ishte një diçka e re që shumë vende të lindjes nuk kanë mund as ta paramendojnë. Në fakt këto ishin fillet e para të tranzicionit politik në tërë bllokun komunist.
XIII. Ngjarjet e vitit ’81 dhe zhvillimet e më vonshme
Më lartë konstatuam se ngjarjet e vitit 1981 do të jenë rifillimi i pandalshëm i levizjes sonë kombëtare dhe si të tilla ato do të kenë ndikim përmes bartësve të vet direkt ose përmes frymës (shkollës) së 81 në të gjitha zhvillimet e më vonshme politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Si kundër reakcion nacionalizmi serb dhe duke nxanë shkas nga ngjarjet e 81, perpiqej që të reduktonte të drejtat politike dhe institucionale të shqiptarve deri në maksimum. Për këtë qellim u muar fushata për reduktimin e kompetencave të krahinës përmes ndryshimeve kushtetuese. Bartësit e ngjarjeve të vitit 1981 dhe vetë Levizja ilegale nuk i kushtuan rëndësinë e duhur këtyre ndryshimeve në fazën e diskutimeve publike; duke menduar se ky është problem i udhëheqjes politike të Kosovës e cila nuk mund të mos e mbrojë një çështje kaq të mbrojtshme, transparente dhe obligative për te. Për kundër interesit kombëtar nuk u vendos lidhja në mes udhëheqjes legale dhe Levizjes ilegale. Ky bashkpunim (kordinim) mungoi nga udhëheqja politike edhe pse mund të vendoste kontakte të lehta me Levizjen ilegale, kur publikisht dihej se S. Millosheviqi bashkpunonte haptas me klerin ortodoks dhe me organizatat serbe si në diasporë ashtu edhe brenda. Mendim tjetër për ngurrimin e këtij kordinimi ishte edhe ndarja e kuptueshme nga distanca e punve; se ne e kemi për detyrë ta bëjmë republikën, kurse këta së paku le ta ruajnë krahinën. Besimi i tepruar në aspektin doktrinarë dhe filozofik se ngjarjet dhe rrota e historisë nuk mund të levizin prapa. U vertetua më vonë se ky konstatim kishte qenë fiksion se në momente të caktuara historia po levizke edhe prapa nese faktori i organizuar i neglizhon situatat nëpër të cilat kalon populli dhe vendi. Ndërsa fill pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese në protesta dhe demostrata post festum levizja politike (revolta popullore) ishte shumë aktive duke iu dhanë këtyre protestave një përmbajtje shumë militante.
Pas rrënimit të autonomisë dhe vendosjes së pluralizmit nën okupim, vija vazhduese e ngjarjeve të vitit 1981( tash të njohur si ish të burgosur politik) nuk krijoi parti të vetën legale, por u inkuadruan në partitë ekzisuese dhe sidomos në LDK që vlerësohej për momentin si një levizje legale kombëtare. Levizja ilegale (LPRK) vazhdoi veprimin në ilegalitet duke evlerësuar situatën si të pa përshtatshme për legalizim sepse Kosova me Serbinë do të ndahej vetëm me luftë dhe asaj i duhet një strukturë ilegale për ditët e vështira.
Si ngjarje më e madhe e viti 1990 ishte Deklarata kushtetuese e 2 korriktu e cila e shpallte Kosovën republikë. Kjo deklaratë u shpallë nga parlamenti i Kosovës që ishte konstitua pas rrënimit të autonomisë së Kosovës. Këta kuvendarë ishin pjesa më lojale e pushtetit jugosllavë që kishin pranuar (ne këtu nuk merremi me ate se në çfarë menyre) të ishin pjestarë të kuvendit të degraduar të Kosovës. Këtu ndodhi një paradoks politik dhe historik; në vendë që Republika e Kosovës të shpallej nga ata që e projektuan, luftuan dhe u sakrifikuan për të, ajo u shpall nga ata që kishin qenë dhe ishin zgjedhë për të mbrojtë krahinën (autonominë) e përdhosur. Ky argument (paradoks) nuk e ulë aspak vlerën historike politike dhe kombëtare të aktit të shpalljes së Deklaratës së pavarësisë dhe nuk nënçmon bartësit e këti akti. Kjo tregon se sa i thellë ishte dallimi në mes vijës shqiptare dhe asaj serbo- jugosllave, se bartësit e këti akti kanë vlerësuar shumë drejt ndryshimet historike dhe kanë vepruar në përputhje me rrethanat e reja historike, politike dhe kombëtare dhe kanë deshmuar forcën, shpirtin dhe përkushtimin kombëtarë të popullit tonë për të qenë i lirë dhe i pavarur.
XIV. Bartësit e ngjarjeve të 1981 dhe UÇK
Në trajtimet e ndryshme publicistike ka shumë koment edhe analiza se kush e themeloi UÇK-në? Më kompetentët me të drejtë thonë se është vazhdimësi e gjithë rezistencës shqiptare anti serbe. Është fakt i pamohueshëm se pikërisht Levizja ilegale është ajo e cila punoi në platformën dhe organizimin e kësaj Ushtrie. Si kuadri drejtues ushtarak dhe politik u deshmua se shumica ishin ose pjesmarrës të ngjarjeve të 81 ose ishin të inspiruar nga këto ngjarje dhe bartësit e tyre. I njëjti konstatim (me disa prijashtime) vlenë edhe për heronjët dhe deshmorët e UÇK-së që dhanë jetën në altarin e atdheut për lirinë që ne e gëzojmë sot.

( FUND )

*************************************

LEXONI PJESËN E PARË:
IBRAHIM SHALA: HISTORIA E PRANVERËS SË MADHE TË VITIT 1981 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2527

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura