(Pashtriku.org, 24. 05. 2012) – Kush është Ibrahim Shaqiri – Ibrahim Shaqiri ka lindur më 18. 02. 1965 në fshatin Llojan të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme ushtarake të aviacionit luftarak i kreu në Rajllovac të Sarajevës dhe në Batajnicë të Beogradit. Pas përfundimit të akademisë Shaqiri transferohet në komandën e korpusit të V-të në Zagreb. Gjatë qëndrimit në Zagreb, me sukses kreu kursin gjashtëmujor të aerologjisë. Në tetor 1985 transferohet në Prevllak të Herceg’Novit, në një qendër ushtarake ku kryheshin prova me armatime më bashkëkohore. Në këtë qendër Shaqiri kryen një kurs tjetër prej 18 muajsh për aerologji të lartë me radio-sonda dhe radarë. Pas fillimit të luftës në Kroaci (1991) ai tërhiqet nga radhët e AJ-së dhe kthehet në vendlindje. Ndonëse qëndrimi i Ibrahim Shaqirit në Kumanovë ishte i pasigurt, në shtator 1992 pas shumë peripecive, së bashku me familjen e tij emigron në Gjermani. Gjatë qëndrimit në Gjermani, Ibrahim Shaqiri ka dhënë kontribut të veçantë në financimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Kosovën Lindore „Luginë të Preshevës” dhe në Maqedoni. Si ushtarak, në prill 1999 do t´i bashkohet radhëve të UÇK-së, dhe marrë pjesë aktive në stërvitjen fiziko-taktike të ushtarëve që u përfshinë në operacionin e koduar “Shigjeta” në Pashtrik, ndërsa në vitin 2000/2001 kyçet në UÇPMB dhe në radhët e UÇ’Kombëtare në Maqedoni.
Flet Ibrahim Shaqiri, ish-epror i UÇK-së, UÇPMB-së dhe UÇ-Kombëtare në Maqedoni
______________________________________
Adresa e UÇK-së në perëndim ishte LPK-ja dhe fondi “Vendlindja Thërret”
PASHTRIKU: z. Shaqiri, pas largimit nga radhët e AJ-së për shkaqe sigurie ju emigruat në Gjermani…?
SHAQIRI: Pas largimit nga radhët e AJ-së, në shtator 1992 emigrova në Gjermani. Bëra një kërkesë për strehim politik dhe pas një kohe autoritetet gjermane ma pranuan këtë status. Ndërkohë, ndoqa një kurs intensiv (6 mujor) të gjuhës gjermane dhe më pastaj kalova nga objektet e refugjatëve, në një banesë private dhe kështu fillova një jetë krejtësisht normale. Nga qershori 1995 kalova me banim në qytetin Regensburg dhe aty u punësova si shofer i kamionit. Me kalimin e kohës u njoha me shumë shqiptarë të profesioneve të ndryshme. Asokohe, aty ku banoja, vepronte LDK-ja dhe UNIKOMB-i dhe kisha oferta për t´u inkuadruar në këto parti, por meqë nuk shihja veprime konkrete të tyre nuk u anëtarësova, ndonëse kisha kontakte të rregullta me aktivistë të shumtë. Duke e ditur situatën nëpër të cilën po kalonte Kosova dhe viset tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore, (që sot po i themi “Lugina e Preshevës”), gjatë takimeve të rastit me aktivistë të ndryshëm pata preferuar që të bëhet evidentimi dhe kontaktimi me eprorët shqiptarë kudo që ishin, për t´i bërë përgatitjet e para profesionale për situata lufte. Mirëpo, përgjigjja ishte gjithnjë e njëjtë, se: “ka kohë dhe i kemi njerëzit që po merren me këtë çështje!”
PASHTRIKU: Dihet mirëfilli se në vitet 1994-1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kryej dhjetëra aksione guerile, kundër forcave policore e ushtarake serbe, së fundi (1998-99) përballen edhe frontalisht, ndërsa mërgata shqiptare ishte ajo që e financoi këtë ushtri të lavdishme. Cili ishte angazhimi juaj në këtë drejtim?
SHAQIRI: Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, me aksionet e veta guerile kundër forcave policore – ushtarake serbe si dhe lufta frontale çlirimtare e vitit 1998-99, ndryshoi për së mbari rrjedhat e organizimit në Gjermani. Organizata LPK kudo mbante takime me mërgimtarë dhe grumbullonte mjete financiare për UÇK-në, për çka edhe kontributi im nuk ka munguar në këtë drejtim. Për më tepër, unë si epror nuk bëja më gjumë të qetë, madje as që kisha vullnet për punë. Tashmë kërkoja t´i gjeja rrugët për t´iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
_________________________
PASHTRIKU: Si e gjete këtë rrugë?
SHAQIRI: Shumë lehtë. Adresa e UÇK-së ishte LPK-ja dhe fondi i saj “Vendlindja Thërret”. Një ditë rashë në kontakt me veprimtarin e LPK-së Fatmir Gega dhe e ftova të vijë në banesën time. Fatmiri erdhi së bashku me një koleg tjetër dhe pasi ua dorëzova mjetet financiare që i kisha ndarë për UÇK-në, gjatë bisedës ju shpreha gatishmërinë time për t´ju bashkuar edhe fizikisht radhëve të UÇK-së. Ky vendim imi meqë u mirëprit nga ata, pas tri ditësh mi krijuan mundësit për t´u nisur në frontet e luftës, kah Shqipëria.
Nga Gjermania në radhët e UÇK-së
PASHTRIKU: Dhe, cili ishte itinerari juaj në këtë mision çlirimtar?
SHAQIRI: Më 8 prill 1999 nga Regensburgu mua dhe Burim Osmanajn (një i ri vullnetar), veprimtarët e LPK-së na dërguan në qendrën mobilizuese në Nürnberg. Nga Nurenbergu (ku takuam shumë vullnetarë të tjerë), në mënyrë të organizuar me autobusa udhëtuam nëpër Itali dhe nga Bari me anije zbarkuam në skelën e Durrësit, në Shqipëri. Në Durrës u vendosëm në restorantin “Drenica”, i cili shërbente si qendër e vullnetarëve të UÇK-së, që vinin parreshtur nga të gjitha shtetet e perëndimit. Në këtë qendër rekrutuese kemi plotësuar nga një formular me të dhënat personale dhe gjatë ditës jemi informuar për zhvillimet luftarake të UÇK-së në Kosovë… Në mbrëmje me dy autobusa kemi udhëtuar për në Kukës dhe aty shtabi i UÇK-së na shpërndau nëpër disa reparte ushtarake. Mua me një grup vullnetarësh na caktuan të shkojmë në repartin e Helshanit (në Has), ku si përgjegjës ishte kolonel Maliq Doçi.
PASHTRIKU: Sa ushtarë kishte ky repart dhe cili ishte stafi komandues?
SHAQIRI: Po, në Helshan ishin mbi 700 ushtarë, të vendosur në dy objekte banimi, jo sa duhet të rregulluara, por me kalimin e kohës u krijuan kushte më të mira. Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga SHP i UÇK-së… u shtua numri i ushtarëve dhe i reparteve ushtarake, prandaj ato ditë në repartin tonë erdhën edhe pesë eprorë të UÇK-së, si: Bilall Syla, Shaban Musliu, Ilir Daka, Ibër Elezi dhe Bashkim Lladrovci. Ndërkohë, në këtë repart, stafit komandues do t´i bashkohen edhe pesë eprorë të ushtrisë shqiptare, si: kolonel Spiro Butka, kolonel Arqileu dhe togerët: Driton Durmishaj, Agim Sallaku dhe Ermir Begaj.
Ibrahim Shaqiri (i pari nga e majta) me eprorët e Brigadës”Feken”
në Pashtrik (Maj 1999)
___________________________________
PASHTRIKU: Po, çfarë detyrash kishit ju?
SHAQIRI: Unë, fillimisht kryeja detyrat e një ushtari, si gjithë ushtarët tjerë dhe për komandant kisha eprorin Ibër Elezi. Mirëpo një ditë rastësisht komandant Elezi më pyeti nga vija dhe çfarë profesioni kam dhe kur i tregova se jam nga Kumanova dhe me profesion jam ushtarak, ai më tha se duhet të lajmërohem në shtab. Në mbrëmje u paraqita në shatorrin ku ishte vendosur shtabi dhe pasi u intervistova nga eprori Shaban Musliu, u emërova komandant i një kompanie dhe me këtë rast u bëra edhe anëtar i shtabit.
PASHTRIKU: Çfarë stërvitjesh ushtarake kryheshin në Helshan?
SHAQIRI: Në repartin tonë kryheshin intensivisht: stërvitjet taktike, sulmi dhe mbrojtja në frontin e luftës, lëvizja e ushtarit në fushë betejë, zënia e pritave armikut, kalimi nëpër fushat e minuara etj. Këto përgatitje ushtarake ndikonin që morali i ushtarëve të jetë i lartë për luftë.
PASHTRIKU: Derisa në Helshan bëheshin këto stërvitje të rregullta, në Koshare kishte shpërthyer fronti për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. A keni dërguar ushtarë në frontin e Koshares?
SHAQIRI: Po, ndonëse Fronti i Koshares (që me urdhër të SHP të UÇK-së, kishte shpërthyer në javën e dytë të prillit), ishte pjesë e gjithë operacionit ushtarak të UÇK-së që zhvillohej përgjatë vijës kufitare, në gjysmën e dytë të prillit me vendim të komandës sonë, në këtë front janë dërguar mbi 200 ushtarë të përgatitur e të pajisur mirë për luftë.
PASHTRIKU: Dhe, pastaj si u zhvilluan ngjarjet në zonën ku ju operonit?
SHAQIRI: Meqenëse për çdo ditë shtohej numri i vullnetarëve, që vinin nga vende të ndryshme të botës, në fund të prillit nga Helshani mbi 600 ushtarë u transferuan në qendrën e Akademisë Ushtarake – Skënderbeu në “Feken”. Atje kushtet për stërvitje ishin shumë më të mira. Në këtë qendër ushtarake kemi vazhduar me ushtrime taktike dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë profesionale ushtarake të UÇK-së dhe në këtë drejtim kontribut të veçantë kanë dhënë stafi i komandës së kësaj akademie, në krye me komandant Flamur Skraparlliun dhe kolonel Adriatikun.
Si u zhvillua operacioni “Shigjeta” në Pashtrik
PASHTRIKU: Dihet mirëfilli se Brigada juaj ishte pjesë e frontit të luftës në Pashtrik, që SHP i UÇK-së e kishte koduar si Operacioni “Shigjeta”. A mund të na thoni, se kur marshuat për në Pashtrik dhe si u zhvilluan luftimet gjatë këtij operacioni?
SHAQIRI: Në maj të vitit 1999 me urdhër të shtabit, dy batalione të brigadës sonë marshuan për në Frontin e Pashtrikut, ndërsa batalioni i tretë ka shkuar në frontin e Koshares. Marshimi për në Pashtrik ishte i vështirë, për shkak të peshës me pajisje ushtarake që kishim në shpinë (30 kg) si dhe terrenit të vështirë kodrinor… mirëpo falë përgatitjeve fizike dhe moralit të lartë, të gjitha i përballuam. Me të arritur në zonën e luftimeve në Pashtrik, menjëherë filluam përgatitjen e terrenit (hapjen e transheve, llogoreve…) për dislokimin e brigadës, ndonëse atje gjetëm disa njësi ushtarake si dhe Batalionin “Atlantiku”. Në operacionin “Shigjeta”, përgjatë tërë vijës sulmuese në Pashtrik, u zhvilluan luftime të përgjakshme dhe intensiteti më i madh i luftimeve ishte në fund të majit dhe fillim të qershorit 1999, kur njësitë tona arritën të depërtonin në thellësi të pozicioneve serbe. Forcat serbe ndërkohë kanë sjellë përforcime të reja dhe kanë përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë për ta përballuar sulmin tonë.
Ibrahim Shaqiri në mesin e bashkluftëtarëve, gjatë Operacionit “Shigjeta”
në Pashtrik (Maj 1999)
__________________________________
PASHTRIKU: Ku ishin të pozicionuara njësitë e Brigadës suaj dhe si i përballuat kundërsulmet e armikut?
SHAQIRI: Kundërsulmet e forcave serbe i përballuam me sukses, falë moralit të lartë të ushtarëve tanë dhe angazhimit maksimal të eprorëve të Brigadës në krye me komandantin Bilall Syla, i cili vazhdimisht ishte në pozicionet e para, ku zhvilloheshin luftimet. Brigada jonë operonte në maje të Pashtrikut, në një terren mjaft të vështirë dhe mbulonte 2 deri në 3 km të vijës së frontit, ndërsa në krahun e djathtë dhe të majtë të njësive tona, operonin njësi tjera të UÇK-së me drejtime të caktuara taktike, nga shtabi i operacionit “Shigjeta”. Vlen të theksohet se gjatë këtij operacioni nga Brigada jonë ranë dëshmorë 4 ushtarë, ndërsa u plagosën rreth 20 të tjerë.
PASHTRIKU: Kur përfundoi operacioni “Shigjeta” në Pashtrik dhe çfarë ndodhi pastaj?!
SHAQIRI: Luftimet në Pashtrik kanë përfunduar menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës (09.06.1999) dhe, kah mesi i qershorit me urdhër të shtabit të operacionit “Shigjeta” të gjitha njësitë e Brigadës kanë marshuar në drejtim të Kosovës dhe pas një rrugëtimi të gjatë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, kemi arritur në një fshat të Hasit. Aty, kemi qëndruar një natë dhe të nesërmen të gjithë ushtarët janë urdhëruar të shkojnë nëpër zonat operative të UÇK-së prej nga vinin ata, ndërsa ne, eprorët, udhëtuam për në Drenicë, ku patëm një takim me stafin e SHP të UÇK-së. Pas këtij takimi, meqë nuk kisha pretendime të vazhdoj jetën ushtarake, më 21 qershor 1999 bëra një kërkesë për demobilizim pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe u ktheva në Gjermani, tek familja ime.
Ibrahim Shaqiri në radhët e UÇPMB-së …
PASHTRIKU: Pas kthimit në Gjermani, me çfarë aktiviteti u morët dhe si u kyçet në radhët e UÇPMB-së?
SHAQIRI: Pas kthimit tim në Gjermani me mirëkuptim të shefit të firmës ku punoja më herët, vazhdova punën si shofer. Dhe punova deri në momentin kur plasi lufta në Kosovën Lindore në “Luginë të Preshevës”, të udhëhequr nga UÇPMB-ja. Për të financuar këtë ushtri, në Gjermani dhe gjithandej nëpër shtetet perëndimore, LPK-ja formoi këshillat për financimin e UÇPMB-s, në krye me atdhetarin e devotshëm Haser Maliqi. Një këshill të këtij fondi e themeluam edhe në Regensburg. Pas një kohe, unë shpreha gatishmërinë që t´i bashkohem edhe fizikisht radhëve të UÇPMB-së dhe me ndihmën e Haserit në janar të vitit 2001 nga Mynihu udhëtova për në Shkup. Për t´u futur në zonën ku kontrollohej nga UÇPMB-ja kam kaluar në Kosovë dhe prej Gjilanit jam futur në Konçul, ku kam takuar komandant Haxhiun dhe Komandant Vullnetin me të cilët pastaj kam shkuar në fshatin Dobrosinë. Aty jam sistemuar në shtabin e UÇPMB-së dhe gjatë tërë kohës kam punuar së bashku me komandant Danin.
___________________________________
PASHTRIKU: Si ishte organizimi i UÇPMB-së në Dobrosinë dhe me çfarë detyrash u ngarkuat nga shtabi?
SHAQIRI: Po organizimi ishte shumë i mirë, për faktin se në UÇPMB ishin radhitur tashmë djemtë më të mirë, që kishin fituar përvojë luftarake në Kosovë. Nga shtabi u ngarkova që të merrem me stërvitjen fizike dhe taktike-ushtarake të ushtarëve si dhe me hapjen e pozicioneve të reja në pozitat strategjike të UÇPMB-së. Atë kohë jemi përballur thuaja se për çdo ditë me forcat ushtarake serbe dhe me këtë rast vlen të përmenden luftimet e përgjakshme në kodrën e Lluçanit.
PASHTRIKU: z. Shaqiri, akoma pa përfunduar lufta në Kosovën Lindore, në Tanush u paraqit Ushtria Çlirimtare Kombëtare, si e përjetuat këtë ngjarje?
SHAQIRI: Thënë të drejtën në atë moment kur dëgjova për paraqitjen e UÇK-së në Tanush jam habitur, sepse ende nuk kishim përfunduar punën në “Luginë të Preshevës”. Mirëpo më vonë do të mësoja shkaqet e vërteta të fillimit të luftës në Maqedoni. Tani për çdo ditë vrisja mendjen për zhvillimet luftarake në Maqedoni dhe këtë gjë e vërejti komandant Haxhiu dhe një ditë më thotë që të kaloj në Kumanovë për t´iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Ibrahim Shaqiri në radhët e UÇK-së në Maqedoni
PASHTRIKU: Si u inkuadruat në radhët e UÇK-së në Maqedoni?
SHAQIRI: Po pa humbur kohë, unë nëpërmjet një lidhjeje shumë sekrete u futa në Sllupçan dhe rashë në kontakt me shtabin e UÇK-së për komunën e Likovës. Aty takova Fadil Nimanin – Komandant “Tigrin”, Sami Ukshinin – komandant “Sokolin” dhe Nazmi Beqirin. Ato ditë meqë Shtabi i UÇK-së në Likovë e më gjerë ishte duke u konsoliduar në çdo aspekt, unë shfrytëzova rastin të vijë për disa ditë në Gjermani, për t´i kryer disa punë që kishin nevojë për mua.
Eprori Ibrahim Shaqiri në mesin e bashkëluftëtarëve…
___________________________________
PASHTRIKU: Pastaj, u kthyet sërish në Maqedoni apo…?
SHAQIRI: Po, po meqë unë isha në kontakt të vazhdueshëm me shtabin e UÇK-së, pas disa ditësh, pikërisht më 2 maj 2001 (atë ditë kur Komuna e Likovës u shpallë zonë e lirë) më thërrasin që të kthehem në Maqedoni. Dhe pa humbur kohë, më 3 maj nisem për në Maqedoni dhe pas shumë peripetish të vështira u futa në fshatin tim të lindjes në Llojan. Fillimisht kontaktova me shtabin dhe aty u sistemova në sektorin operativ. Puna ime konkrete ishte përcaktimi i pozicioneve, hapja e istikameve, ndërtimi i bunkerëve dhe stërvitja fizike e taktike e ushtarëve të rinj.
PASHTRIKU: Në cilën Brigadë të UÇK-së keni qenë i sistemuar dhe a keni pas ndonjë pozitë ushtarake?
SHAQIRI: Kam qenë anëtar i Shtabit të Brigadës 113 Ismet Jashari “Kumanova” dhe më 17 qershori 2001 jam emëruar shef i operativës të kësaj brigade. Komandant i Brigadës ishte Sami Ukshini – komandant “Sokoli”, kurse anëtarët tjerë të shtabit qenë: Gjeneral Maliq Ndrecaj, Sadullah Duraku, Hajrullah Misini (Shpati), Ulusi Beqiri, Komandant “Guri” etj. Zona e veprimit të Brigadës sonë përfshinte terrenin prej Llojanit deri në Nakushtak ku fillonte zona operuese e Brigadës 114. Gjatë kohës së luftës këtë zonë e kanë vizituar edhe drejtues të SHP të UÇK-së Ali Ahmeti, Gëzim Ostreni, Fazli Veliu, Nazmi Beqiri etj.
Fadil Nimani – Komandant “Tigri”
_____________________________________
Si u zhvilluan betejat e përgjakshme në Vaksincë, Sllupçan, Mateç dhe në Haraqinë?
PASHTRIKU: z. Shaqiri në zonën operative të Brigadës 113 janë zhvilluar disa beteja të përgjakshme me forcat maqedone, siç janë: Beteja e Vaksincës, beteja e Sllupçanit, e Mateçit dhe mbi të gjitha Beteja e përgjakshme e Haraqinës. Si janë zhvilluar këto beteja?
SHAQIRI: Po është e vërtetë se Brigada 113 ka marrë pjesë në shumë beteja. Fillimisht dua t´ju them se më 18 maj 2001 Brigada jonë është përballur me forcat maqedone, në zonën në mes fshatit Llojan dhe Vaksincë, ku luftimet u zhvilluan edhe në 100 m largësi. Më 25 maj, mbi 40 tanke e autoblinda të forcave sllavo-maqedone sulmuan sërish fshatrat: Vaksincë e Llojan dhe beteja më e përgjakshme ishte në Vaksincë. Atë ditë forcat e armikut përveç forcave të motorizuara përdorën edhe helikopterët. Brigada 113 në krye me Komandant “Tigrin” Fadil Nimanin rezistoi me të gjitha forcat që kishte në dispozicion dhe kjo betejë zgjati 24 orë. Gjatë kësaj beteje të përgjakshme ranë dëshmorë komandant” Tigri”, dy ushtarë, një civil dhe shumë të tjerë u plagosën. Pas betejës së Vaksincës forcat maqedone sulmuan Matçin. Në këtë betejë morën pjesë tri kompani të këmbësorisë dhe njësia speciale e Brigadës 113, të cilat ishin të përgatitura fizikisht dhe të pajisur mirë me armatime. Në Mateç luftimet zgjatën gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve forcat tona duke e mbrojtur me çdo çmim popullatën, forcave maqedone ia shkatërruan një tank, si dhe i shkaktuam dëme tjera ushtarake. Lufta në Sllupçan zgjati dy muaj pa ndërprerë dhe aty u zhvilluan shumë beteja. Sllupçani u shkatërrua tërësisht, por populli heroik në krye me UÇK-në ia dolën t´i mposhtin shumë herë forcat sllavo-maqedone.
_________________________
BETEJAT E PERGJAKSHME….
……………………………………
……………………………………….
……………………………….
_____________________________
PASHTRIKU: Po, Beteja e Haraqinës?
SHAQIRI: Beteja e Haraqinës është një kapitull i veçantë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Më 22 qershor 2001, pikërisht në orën 4 të mëngjesit, forcat maqedone filluan ta garantojnë Haraqinën (nga të gjitha anët) me kalibra të mëdha artilerike dhe raketore. Fshati u mbulua me gazra toksike. Forcat maqedone tentonin me çdo kusht të hynin në fshat, mirëpo njësitë tona ishin fortifikuar mirë në pozicione dhe me asnjë çmim nuk lejuan depërtimin e forcave armike. Vlen të theksohet se në mbrojte të Haraqinës ishte një Batalion i Brigadës 113 dhe njësia speciale e kësaj brigade. Forcat maqedone për të realizuar qëllimet e veta, përdorën aeroplanë, helikopterë si dhe raketat tokë-tokë, të cilat hapnin kratere deri në 7-8 m thellësi me diametër 80 mm. Gjatë betejës së përgjakshme në Haraqinë ranë dëshmorë shtatë ushtarë, ndërsa 26 të tjerë u plagosën rëndë. Beteja në Haraqinë zgjati tri ditë dhe pas tri ditësh me urdhër të SHP të UÇK-së i kemi ndërprerë luftimet. Pas ndërprerjes së luftimeve në Haraqinë ka ardhur një delegacion i NATO-s dhe OSBE-së në krye me diplomatin Piter Fejt për të biseduar lidhur me gjendjen e krijuar. Në bisedime, (që zgjatën dy ditë), përballë delegacionit ndërkombëtar prej 12 vetash, nga pala jonë ishte: Komandant Hoxha, Kushtrimi, Qufa dhe unë si ushtarak. Pas bisedimeve të gjata u mor vendimi që njësitë tona të tërhiqen nga Haraqina. Ky ishte edhe vendim i SHP të UÇK-së. Nga Haraqina u tërhoqëm me 50 automjete amerikane dhe u vendosëm në fshatin Nakushtak.
PASHTRIKU: Dhe lufta në Maqedoni përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit?
SHAQIRI: Po, lufta në Maqedoni përfundimisht mori fund me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Derisa kjo marrëveshje u mirëprit nga popullata, thënë realisht nga një numër i eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së ka pasur një lloj skepticizmi në këtë drejtim. Marrëveshjes së Ohrit i ka paraprirë demobilizimi i UÇK-së dhe ky proces u zhvillua në tri faza. Faza e fundit e demobilizimit u zhvillua më 27.08.2001, ndërsa unë u demobilizova më 26.09.2001. Meqenëse nuk kisha pretendime për të vazhduar karrierën ushtarake apo politike, më 28. 09. 2001 u ktheva tek familja ime në Gjermani.
Bisedën e zhvilloi: Sheradin Berisha – kryeredaktor i pashtriku.org
______________________________