Tiranë, 14 qershor 2017: (Kujtesë për votuesit në prag të zgjedhjeve) – Tek po bëja blerje në dyqanin e fruta – perimeve në lagjen ku banoj, rastësisht u bëra dëshmitar i një skene pothuajse krejt të zakontë, nga ato që shpesh i ndeshim në realitetin e përditshëm, por që kësaj here më mbeti edhe në mëndje…
Një e moshuar tiranase që mbante mbi supe përmbi të ’80 – tat, sillej rrotull arkave me qershia. Përpiqej për minuta të tëra duke ndarë kokër për kokër frutin e mirë nga ai që ishte i prishur, ngase arkat ku ajo ishte drejtuar, ishin zhvendosur paksa mënjanë nga i zoti i dyqanit, për shkak të kualitetit të dobët dhe çmimit gati të papërfillshëm.
Veprimi i të moshuarës më tërhoqi vëmendjen, aq sa u hutova për disa çaste duke e vëzhguar me detaj çdo gjest të saj. I dridhej dora teksa seleksiononte frutin dhe e sistemonte në një qese, ku mesa dukej, po tregohej e kujdeshme për të marrë një sasi të vogël, aq sa i duhej për vete.
Nuk u përmbajta dhe për një çast vendosa ti flisja, për ta shkëputur nga ai moment që ndodhej në punën e saj.- Si je nëne, – e pyeta, – ç’farë po bën…!?
– Ja, – më thotë, ç’të bëj nona… Hapi me ngadalë duart e rreshkura me të cilat kishte mbështjellë kokrrat e qershiave që i kishte përzgjedhur, dhe ashtu me pak droje, priste reagimin tim.
– Po mos i merr nga ajo arka, i them, ato janë të prishura…
– Ajo kthehu kokën njëherë majtas, njëherë djathtas, pastaj mu afrua ngadalë. Me zë fare të ulët më tha: – E di nona, e di, prandaj po i zgjedh! Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…
U befasova nga reagimi dhe përgjigja e saj. Brenda atyre pak fjalëve të qeta plot përulësi, me timbër të butë e dhembshuri nëne, nuk ishte e vështirë të lexoje pakënaqësinë, por njëkohësisht edhe zemërimin e mpleksur bashkë me dhimbjen epike.
E moshuara, përmes përgjigjes, më la të kuptoja se, pamundësia financiare e detyronte ti drejtohej arkës të lënë mënjanë nga i zoti i dyqanit, duke zgjedhur të blej me më pak para nga ajo pjesë e qershiave.
Dhimbja më kaploi të gjithë qënien time, duke menduar se në mes nesh jetojnë jo pak njerëz si ajo nëna, që janë në pamundësi, të privuar nga gjërat më elementare, për të bërë një jetë krejt normale e me dinjitet.
E luta të moshuarën që ti largohej asaj arke që mbante frutin e prishur dhe të merrte qershia në arkën e mirë, duke i thënë se kësaj radhe ato do ti paguaja unë. E moshuara ngriti kryet dhe me një vështrim të çuditshëm bëri një gjest gati dyshues. Pastaj, me sytë e vegjël të mbuluara nga rudhat, nguli shikimin tek unë, si për t’u bindur nëse e kisha seriozisht apo jo…(!?)
U detyrova vetë ti mbushja një qese plot me qershia dhe ia lash në dorë duke i thënë: “…të bëfshin mirë nëno, kalofsh një ditë të mbarë…!”. Ja, kështu u takova dhe u ndava me këtë të moshuar. Atë çast, i përhumbur ashtu siç isha, u pushtova nga disa emocione të trazuara dhe u ktheva nga rruga pa bërë blerje për vete.
Po ecja me hapa të ngadalë drejt shtëpisë, dhe po meditoja njëkohësisht. Më mbetën në mendje gjesti dhe fjalët e të moshuarës, kur pasi e pyeta, ajo hodhi vështrimin andej – këndej dhe u afrua duke më thënë me zë të ulët: “Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…”.
Për dreq, nuk e di pse në atë moment mu kujtua koha e komunizmit, kur fshehtas, njerëzit shpotitnin vesh më vesh të revoltuar. Nxirrnin dufin dhe zemëratën e tyre duke shprehur pakënaqësinë kundër atij sistemi absurd, i cili e kishte zhytur popullin në një skamje e mjerim ç’njerëzor.
Atëherë, ndodhte shpesh që, për këtë arsye, ata që guxonin të flisnin hapur, të merrnin edhe shpagimin nga ai rregjim, duke u dënuar për vite të tëra me heqje të lirisë. Mbase ajo e moshuar ende nuk e ka kuptuar se kemi më shumë se njëçerek shekulli që nuk jetojmë më në diktaturë, por jetojmë në një tjetër kohë.
Jetojmë në kohën ku njerëzit janë të lirë të shprehin atë çfarë mendojnë. Por nga ana tjetër, e moshuara nuk mund ta kuptoj se, reminishencat e asaj kohe shfaqen sërish si fantazma edhe në kohën e sotme të demokracisë, në forma të ndryshme dhe të çuditshme.
Nëse sot, shqiptarët nuk janë të privuar nga ajo lloj diktature, kur dikur u mohohej e drejta e shprehjes së mendimit dhe fjala e lirë, tani, ata janë të privuar nga një tjetër lloj diktature, që quhet demokraturë, ose me saktë; “diktaturë e varfërisë”!
Ndryshe nga e para, kjo formë e re dhe e maskuar e diktaturës që lidhet me mungesën e prespektivës për çdo individ, me pasigurinë e jetës për të sotmen dhe të ardhmen, është edhe më e frikshme, edhe më e tmerrshme…
Është sindroma ankthioze e një epidemie që vret në heshtje, nga pak e për çdo ditë, që ka të bëj jo vetëm me rrënimin e cilësisë së jetës, por më së shumti edhe me cënimin rëndë të dinjitetit njerëzor.
A nuk është e tillë kur, shpesh qytetarët dhe nënëpunësit e administratës publike, kërcënohen nga politika me largim nga vendi i punës, kur dikush shfaq hapur bindjet e tij, ndryshe me atë që ka pushteti i radhës…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur specialistëve, teknicienëve dhe profesionistëve të zotë, që kanë investuar në profesionin e tyre vite të tëra shkollimi e specializimi, u rrezikohet qëndrimi në punë, ngase sa herë ndërrohen qeveritë, ata zëvendësohen me militantë dhe analfabetë funksionalë të diplomuar me diploma false!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur, me qindra e mijëra të rinj e të reja të shkolluar u vriten ëndrrat, u shuhen idealet dhe aspiratat që në embrion, ngase ndjehen të tepërt në vendin ku kanë lindur dhe jetojnë pa prespektivë e shpresëvrarë, duke synuar të braktisin një orë e më parë atdheun e tyre për një jetë më të mirë e më të sigurt, jashtë Shqipërisë…!?
Sipas një lajmi të kohëve të fundit që vjen nga organizata prestigjoze e sondazheve që ajo bën në gjithë botën, Gallup Interanational, në periudhën 2010 – 2012, vetëm 36 % e shqiptarëve donin të largoheshin nga Shqipëria dhe të emigronin. Ndërsa në tri vitet pasardhëse, pjesa e popullsisë që do të largohet nga Shqipëria gati është dyfishuar, duke arritur në 56 %. Ky fakt është tepër shqetësues dhe duhet të ngre të gjithë shtetin në këmbë.
A nuk është diktaturë e varfërisë kur shteti ynë, me një të rënë të lapsit, pa bërë asnjë studim të mirëfilltë analitik, nxjerrë në mënyrë arrogante nga skema e ndihmës ekonomike plot 40.000 familje në nevojë, ndërkohë, fëmijët dhe të rijntë jetimë me “status jetimi”, në mënyrë tallëse e denigruese, gënjehen dhe poshtërohen me një lëmoshë qesharake, kinse si “ndihmë” ekonomike në vlerën e 20 USD në muaj…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë fakti, kur një shtet si ky i yni, që paguan me super rroga të majme qeveritarët dhe pushtetarët tanë, të gjithë piramidën shtetërore, zyrtarët e administratës së vet, e nga ana tjetër nguron, apo ka frikë të deklaroj zyrtarisht minimumin jetik për shtresat në nevojë, që është një standart i detyrueshëm ligjor, i diktuar nga Konventat Ndërkombëtare, një kërkesë e përsëritur nga institucionet ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, si një kusht për anëtarësimin e vendit tonë në BE…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë fakti, kur sot në Shqipëri 70 % e popullsisë mezi mbyllin muajin, duke mos përballuar me dinjitet koston e jetesës, ndërkohë, 410.000 shtetas të republikës tonë, jetojnë me të ardhura poshtë nivelit të minimumit jetik, në ekstremin e varfërisë, me vetëm 0.8 USD në ditë dhe janë të kërcënuar nga sëmundjet dhe uria…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur në vendin tonë 27 % e fëmijëve të moshës 0 – 6 vjeç vuajnë nga deformimet fizike dhe nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshyerjes..!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur sot, në vendin tonë, 70.000 familje në nevojë gjenden në qiell të hapur, të pastrehë, dimër e verë, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Rama, nxjerr nga kuleta e qytetarëve taksapagues më të varfër të rajonit dhe evropës, plot 320.000.000 USD për shpenzime luksi për zyrat e administratës…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë, kur një forcë e majtë politike qeverisëse, që nga njëra anë propagandon mbrojtjen dhe ndihmën për shtresat e varfëra të shoqërisë, dhe nga ana tjetër, përmes masave shtrënguese, sillet me arrogancë dhe ndjek një politikë represive kundër këtyre shtresave, duke i penalizuar dhe i privuar nga nevojat më minimale jetësore, për ngrohje e ndriçim në motet e acarta, duke i’u prerë dritat qytetarëve të varfër, për shkak se nuk janë në gjendje të përballojnë koston e lartë të faturave të energjisë elektrike…!?
Kjo sjellje asociale është shumë larg asaj që quhet njerëzore. A nuk është diktaturë e varfërisë, kur e moshuara 91 vjeçare Barbulla Pepa që jetonte e vetme në Fan të Mirditës, e kthyer në simbolin e mjerimit të shqiptarëve, gjëndet e ngrirë dhe e pajetë nga mungesa e ngrohjes, duke jetuar në netët e gjata të territ pa energji, sepse OSHEE – ja i ndërpreu energjinë elektrike, ngase e moshuara nuk kishte me se ta paguante….!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur, kryefamiljarë të pamundur, vendosin të vetëflijohen ngase nuk munden t’ju sigurojnë të vegjëlve të tyre pak ngrohje dhe pak dritë për të përgatitur mësimet, sepse nuk përballojnë dot faturat e kripura të energjisë elektrike …!?
Si mundet një vend dhe një shtet si ky i yni, që aspirojnë ti bashkangjiten kombeve të qytetëruara e të civilizuara të evropës e më gjerë, kërkon të përparojë përmes metodave antihumane, duke nëpërkëmbur dhe shtypur më të dobtit…!?
A ka ndonjë mëndje dhe logjikë të shëndoshë, që të quajë sukses zhvillimin e një shteti, kur ky zhvillim synohet të realizohet në kurriz të të pamundurve…!?
Mbase dikush mund të thotë se qëllimi justifikon mjetet… Por, më thoni ju lutem, a ka qëllim që justifikon humbjet e jetëve njerëzore si pasojë e aplikimit të mjeteve ç’njerëzore….!?
A nuk është diktaturë e varfërisë, kur të gjitha qeveritë e marra së bashku në këtë tranzicion 27 vjeçar, kanë rrënuar me qëllim përfitimi, të gjithë sistemin e ngritur shëndetësor falas, të trashëguar para viteve ’90 – të, dhe pas kësaj periudhe, e mbajtën GDP për këtë sektor jetik për shëndetin e qytetarëve në nivelin e 2 – 3 %….!? Këtë shifër, asnjë qeveri e tranzicionit shqiptar nuk e ka bërë publike, por e kanë mbajtur gjithmonë të fshehur.
Ndërkohë, vëndet si Zvicra, shpenzojnë për shëndetësinë 11.5% të GDP, Gjermania 11.1 %, Kanadaja, 9.9%, Franca 9.8 % , Italia 8.4 % , Anglia 8.0 % , e kështu me radhë. Megjithë propagandën qeveritare për përmirësimin e këtij sektori të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve, ky shërbim nuk ka afruar dhe nuk mund të ofroj asnjë mundësi dhe asnjë akses për shtresat e varfëra e të pambrojtura, përkundrazi…
Ky shërbim, për mënyrën se si është organizuar dhe po menaxhohet, përmes formulës tashmë të njohur PPP, ka rrënuar dhe po zbras çdo ditë, deri në qindarkën e fundit, xhepat e qytetarëve shqiptarë, që kanë patur dhe kanë nevojë për këtë shërbim, duke i bërë ata edhe më të varfër, edhe më të pashpresë.
Ata që përfitojnë nga e gjithë kjo histori, janë vetëm kompanitë private koncesionare të preferuara nga qeveria, që kanë marrë përsipër të ofrojnë një pjesë të këtyre shërbimeve, duke u paguar me shuma të mëdha parash nga taksapaguesit shqiptarë.
A nuk është diktaturë e varfërisë, kur kryeministri ynë, për 44 muaj që ka qeverisur vendin, ka ngritur një makineri të tmerrshme propagandistike e indoktrinuese, (përfshi edhe një televizion të tijën personal me siglën ERTV), për të imponuar dhe trysnuar me idetë dhe qëllimet e tij vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë, me synimin e vetëm për të bindur ata të mendojnë se, gjithçka ai thotë, është profecia e radhës e cila duhet përmbushur me çdo kusht…!?
Teksa po shkruaj këto radhë, mendja më shkon këto ditë tek fushata e partive politike, e cila është përfshirë nga ethet e nxehta elektorale.
Janë shumë politikanë, nga të gjitha krahët, që pushtojnë çdo ditë me reklama, programe dhe emisione, të gjitha hapësirat televizive, faqet e gazetave, duke bërë propagandë e demagogji të shfrenuar me premtime boshe e butaforike për elektoratin e tyre.
A nuk ishin të tilla premtimet që kryeministri Rama bëri në zgjedhjet e 2013 – tës, i cili tha se do të hapte 300.000 vënde pune për shqiptarët…!? A nuk ishin premtime elektorale të kryeministrit Rama rritja e pensioneve përgjatë mandatit të tij qeverisës..!? A nuk ishin të tilla premtimet për shëndetësi falas, rritjen e ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë, uljen e çmimit të energjisë elektrike, etj, etj…!?
Sot, kryetari i opozitës Lulzim Basha, del dhe premton se, nëse ai i fiton zgjedhjet, nuk do të ketë pension minimal nën nivelin e 25.000 lekëve të reja. Ai premton gjithashtu se, për familjet dhe shtresat në nevojë, fatura e energjisë elektrike deri në fashën e 300 kw do të jetë falas. E gjithë kjo kosto sociale sipas z. Basha, do të përballohet nga buxheti i shtetit, kur sapo ai të jetë kryeministër.
Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, premton se forca politike që ai drejton, nëse vjen në pushtet, do të hapi 100.000 vënde të reja pune për fermerët dhe fshatarët në sektorin e bujqësisë, duke 3 – 4 fishuar subvencionet dhe financimet e këtij sektori jetik për ekonominë e vendit, etj, etj.
Të nderurar politikanë dhe pushtetarë, të mbarë e të prapë, nga cilado parti që vini! Një pjesë e mirë prej jush, kurrë nuk keni qenë ndonjëherë të sinqertë dhe me këmbë në tokë, ngase keni qenë jashtë realitetit në raport me hallet dhe problemet e qytetarëve. Shpesh, ata ju kanë besuar dhe votuar verbërisht!
Tash, që kanë rrjedhur shumë ujra në lumin kaotik të “demokracisë” shqiptare, a mos ka ardhur koha që ti bëni llogaritë pak më ndryshe, më thjeshtë e më mirë..!?
Merreni njëherë seriozisht, uluni dhe mendoni se, si mund të lehtësoni realisht dhimbjet që i keni shkaktuar popullit tuaj gjatë këtij tranzicioni të mundimshëm 27 vjeçar, përmes keqqeverisjeve tuaja dhe krizave politike të ricikluara njëra pas tjetrës.
Bëni përpjekjet e duhura dhe gjejeni rrugën e zgjidhjes për t’ju ardhë në ndihmë shtresave të pambrojtura, të ekspozuara e të rrezikuara nga fenomenet dhe plagët sociale të varfërisë. Jo rastësisht e solla shembullin e të moshuarës në fillim të këtij shkrimi.
Duke menduar për të, përfytyroja se, në jetën tonë të përditshme ka shumë nevojtarë, të moshuar, invalid, fëmijë të paushqyer e të braktisur, fëmijë të marrë peng nga fenomeni i gjakmarrjes dhe mungesa e ligjit, njerëz të pamundur, invalid shëndetlig që bëjnë një jetë ekstremisht të vështirë, të privuar nga shumë gjëra elementare me nevoja bazike.
Për fatin e tyre të keq, tashmë ata e kanë pranuar këtë realitet, duke bërë “aleancë” të përjetshme me statusin e tyre social të dizavantazhuar, me pamundësinë dhe varfërinë kronike.
Pikërisht, është ajo kategori që jeton në heshtje e dhimbje, por edhe me dinjitet në mjerimin e vet, përballë indiferentizmit tonë kolektiv, neglizhencës apo shurdhërisë së institucioneve tona.
E gjitha kjo, atyre i’u është kthyer në një normalitet, duke qenë të vetëdijshëm se, ju jeni arsyeja e dramës së tyre. Andaj dhe nuk kanë më besim tek viktimizuesit, që në mënyrë të paskrupull dalin në fushatë, e me maskën e populizmit, sërish kërkojnë votën e viktimës së tyre.
Ndërkohë, të pamundurit janë të destinuar të mbesin përgjithmonë viktima të ekspozuar të politikës, të një shoqërie pa rregulla loje, pa sistem vlerash, ku në fakt duhet të ekzistojnë dhe të funksionojnë mekanizmat shtetëror dhe ligjor të mbrojtjes, mbështetjes dhe fuqizimit të familjeve në nevojë, përmes politikave sociale dhe integruese. Ata janë të parët viktima që u shkelen në mënyrë të hapur dhe flagrante të drejtat më elementare, njerëzore e qytetare, për të bërë një jetë normale e me dinjitet.
E përsëris: për të gjithë këtë situatë të krijuar, ka një dhe vetëm një shkak kryesor. Ai shkak jeni ju, klasa politike e pamaturuar, ngase me mungesën e ndjeshmërisë, arrogancën, delirin, egoizmin dhe etjen tuaj për pushtet, me dashje dhe padashje, keni instaluar në mjedisin tonë të përbashkët “diktaturën e varfërisë”.
Dhe e dini pse !? Sepse pjesa më e madhe e politikanëve si ju, jeni krejt aksidentalë. Lumejntë e rrëmbyer të tranzicionit të zgjatur shqiptar, jo rastësisht ju kanë nxjerrë në krye të këtij vendi.
Ky fakt, e shpjegon fare mirë njërën prej shumë arsyeve se, përse ju i konsideroni shtresat në nevojë si pjesë e tepërt dhe bezdisëse të një shoqërie si kjo e jona. Ngase shpeshherë, ato j’ua prishin rehatin dhe gjumin, duke mos u lënë të qetë në jetët tuaja mondane, të zhytura në luksin e shfrenuar që burojnë nga plagët e mëdha të korrupsionit administrativ, nga pushteti i parasë, nga gjakrrjedhja emoragjike e dhimbjeve proverbiale të një populli të shumëvuajtur e të munduar prej jush…
Andaj, gjithmonë nuk jeni kursyer të shfaqni përmes maskës tuaj “sociale” demagogjinë, hipokrizinë dhe ftohtësinë tuaj vanitoze, që ju karakterizon nga mungesa e kulturës humane, nga mungesa e ndjeshmërisë dhe e dhembshurisë për NJERUN, e së fundi, edhe nga mungesa e dashurisë për vendin, për Atdheun. Atdheu për një pjesë të konsiderueshme të klasës tonë politike, nis dhe mbaron përmes pushtetit të parasë.
Në këtë mënyrë, e për këto arsye, prej afro tre dekadash, shfaqet i shëmtuar por edhe i frikshëm në sytë tanë sfondi gri social, i cili ka sjell polarizimin ekstrem të shtresave të shoqërisë, përmes shpërdorimit të pushtetit, skemave dhe formulave okulte e mafioze të oligarkëve, që pjellin dhe mbajnë gjallë një pushtet të korruptuar kriminal, asocial dhe antihuman.
Nga ana tjetër, vihet re një deficit i madh i humanzimit dhe i solidaritetit në hierarkinë e vlerave që kanë shoqëritë e përparuara dhe të demokratizuara, që lidhet me angazhimin dhe kontributin e përbashkët social. Kjo ka të bëj me nevojën dhe domosdoshmërinë gjithëpërfshirëse të një aksioni mbarëkombëtar për humanizimin e shoqërisë.
Është imperativ i kohës shfrytëzimi i të gjitha potencialeve dhe resurseve që ka vendi ynë, për të ndjekur një strategji që ndërthuret në mënyrë organike me kohezionin social, solidaritetin dhe vullnetarizmin, në përfshirjen e çdo anëtari të shoqërisë në këtë aksion të madh.
Nevojtarët dhe të pamundurit i kemi kudo, në mes nesh, para syve tanë. I shohim në rrugë, në lagje, janë komshinjtë tanë, i kemi në derë të shtëpisë. Për çdokënd që është i mundur, nuk kushton asgjë që për një çast të vetëm, të tregoj fare pak vëmendje në të tilla raste, duke dhuruar pak dashuri, pak buzëqeshje, të japë një shpresë për ta. Ata janë njerëz të Zotit ashtu si edhe ne.
Bëjeni një veprim kaq të thjesht e simbolik. E them me bindje dhe dorën në zemër se, nëse mundeni ta bëni, do të ndjeheni më të mirë e më të paqtë me veten tuaj, por edhe me mjedisin shoqëror që na rrethon, ku së bashku jetojmë të përditshmen tonë.
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: HISTORIA ZYRTARE DHE SHKAKTIMI I KRIZAVE TË PLANIFIKUAR POLITIKE QË PËRBËJNË HISTORINË E VËRTETË!
Pashtriku.org, 20. 12. 2015: Një analizë për këndelljen tonë! Më 03. 03. 2014 (para më shumë se 20…
SERBIA FASHIZMIN DHE URREJTJEN …
SERBIA FASHIZMIN DHE URREJTJEN NDAJ SHQIPTARVE E KA MARRË ME VETE EDHE NË BOTËRORIN E FUTBOLLIT “QATAR 2022”…
KF. LLAPI …
Krasniqi dhe Hyseni të KF. Llapi të Podujevës me të ardhme të ndritur Nga Arif Ejupi Klubi futbollistik…
ÇMENDURIA E FESTIVALIT!
ÇMENDURIA E FESTIVALIT! Globalizimi kulturor shkatërron kulturën e popujve! Ku na çon kjo rrugë? Në totalitarizëm kulturor! Nga…