SALIH KABASHI: UDBASHËT PËRDITË LËVIZIN PARA HUNDËVE TONA!

Pashtriku.org, 02. 06. 2012 – Edhe në Kosovë kohëve të fundit u kujtuan të shtrojnë pyetjen nëse duhet dënuar ose jo krimet e komunizmit (*Lexoni në fund shtojcën e pashtriku.org). Ky vend dhe ky popull do të duhej të ishte në mos i pari, atëherë me siguri ndër të parët popuj europianë që do të kishte vendosur që periudhën 1944-1999 ta shpallte kohë të degradimit ekstrem të të drejtave civile, njerëzore dhe të ndërhyrjes kriminale, të dhunës sistematike dhe të abuzimeve gjakatare me jetët njerëzore nga Partia – Shtet. Pse kjo nuk është bërë, nuk është vëshirë të jipet përgjegje.
Një ndër përgjigjet është se Kosova nuk ka pasur një shkëputje të njëmendët me sistemin socialist. Udhëheqja e kohës 1989-1999 nuk ka mundur të kërkojë shkëputje të tillë, sepse ajo ka qenë pjesë e një kontinuiteti. Edhe më saktë: ata që gjoja u vunë në ballë të lëvizjes për pavarësi të Kosovës, pozicionin e tillë e kishin marrë jo për të çuar gjërat përpara, po për të frenuar dhe mbajtur (bashkë me Serbinë) nën kontroll energjitë e potencialet e jashtëzakonshme çlirimtare e demokratike të shqiptarëve dyfish të shtypur të Kosovës, apo të shqiptarëve të shtypur në një anë e të mashtruar në anën tjetër.
Debati që po zhvillohet aktualisht në Kosovë lidhur me hapjen (ose jo !!!) të dosjeve në Kosovë është në esencën e tij demagogjik dhe pervers. Dokumenti për këtë çështje, i cili i është ofruar Kuvendit të Kosovës për aprovim, si tekst, lë shumë për të dëshiruar në aspektin e ndërtimit e të argumentimit më cilësor dhe më themeltar. Por, nuk është problemi këtu, sepse aty, megjithatë, kërkohet të merret një qëndrim dhe të nxirret një ligj.

______________________________________

Edhe debati në Kuvend, po edhe diskutimet djallëzisht e paturpësisht të dirigjuara në disa media të Kosovës, tregojnë se tash për tash janë shumë më të fuqishëm ata që në fakt nuk duan të hapen as dosjet dhe as debati për to. Këta që rezultojnë më të fuqishëm në kundërshtimin e dosjeve, gati se kanë arritur një unison edhe me ata që në dukje janë për hapjen imediate të tyre. Unison që ka ekzistuar edhe atëherë kur këta të fundit pranuan dhe ndihmuan, për ta parë më vonë se e kishin gabim – kyqjen në tymnajën e barakës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Nga ky krah i personalitetetve politike e mediatike që mbase janë për hapjen e dosjeve, ka një mosnjohje brengosëse të subjektit, i cili në një mënyrë po debatohet. Kam dëgjuar këto ditë një debat lidhur me hapjen a moshapjen e dosjeve. Moderatori kishte në studio tre të ftuar dhe në linjë të drejtërdrejtë telefonike dy figura të shquara, ndoshta më të njohurat e disidencës shqiptare të Kosovës. Kolegu gazetar ishte krejtësisht i papërgatitur apo i pavullnetshëm për të organizuar debat të mirëfilltë. Ai në vend se të shtronte pyetje dhe të intervenonte në raste të caktuara dhe të domosdoshme, ai bashkëbiseduesve të tij (vetëm) po ua jipte fjalën…
Dhe çka ndodhi?
– Ndodhi që një qenie komuniste vetëqeverisëse, me titull profesor filozofie, edhepse me një fjalor të varfër dhe aftësi tepër të kufizuara elokuence, prapëseprapë, me kopillëkun e mësuar tërë jetën e tij prej serviltori të pushtetit komunist, arriti që me disa floskula parademokratike të imponohej mbi të tjerët !
Si?
– Thjeshtë! Të tjerët donin të linin përshtypjen e zemërgjerëve, ndërkohë që ai herifi ishte i pacipë dhe abuzonte tmerrësisht me dhuratën e kolegut tonë në trajtë të fjalisë : E keni fjalën, zoti profesor… Dhe nga debati nuk doli asgjë. U përsërit pyetja e fillimit të emisionit: Duhet a nuk duhet të hapen dosjet? «Filozofi» i socilaizmit vetëqeverisës, që kishte kryer sociologjinë e marksizmin dhe që pastaj kishte arritur, falë besnikërisë së treguar si «junior» edhe të jipte mësim në Degën e Sociologjisë e të Filozofisë Marksiste në UP. Ai e pleqëroi punën siç i përshtatej atij dhe shokëve të tij titokomunistë të Kosovës: Kosova, nëse hap dosje, ajo paska nevojë t’i hapë dosjet nga 1989 deri më 1999! (Në atë kohë kumunizmi serb më nuk kishte nevojë për serviltorë shqiptarë, se ata i kishte mjelë e shterrë për dekada me radhë…). Ai «filozof» as nuk u skuq, (e thashë se ishte horr siç ka qenë gjithmonë të betuarit në rrugën e Titos), përkundrazi duke i bërë lajka atyre dy personaliteteve të disidencës, punën e dosjeve e paraqiti si punë të vështirë për t’u realizuar, jo vetëm pse ato gjenden në Serbi, por se, thoshte ai, për hapje dosjesh as koha nuk është…
Duke qenë se pohimi se dosjet nuk i paskemi ne, është një pretekst për ta lënë punën jo vetëm të ftohet por edhe të harrohet fare. Dua ta jap mendimin tim për këtë çështje. Ka njëzetë vjet që e kam thënë:
– Dosjet i kemi ne!
– Dosjet janë rrotull nesh!
– Janë në trajta të njerëzve të pushtetit të dikurshëm tito-stalinist.
– Dosjet për çdo ditë parakalojnë para nesh.
– Ata janë mësuesit që tradhtuan kolegët e tyre,
– janë mësimdhënësit që denoncuan në komitet e UDB nxënësit e vet,
– janë ndër gjyqtarët që dënuan edhe me dhjetë vjet burg pesëmbëdhjetëvjeçarët që kishin shkruar dy fjalë : Kosova Republikë apo vetëm dy shkronja KR.
– Dosje tonat janë sekretarët e gjallë e të vdekur të komiteteve komunale,
– të organizatave themelore të Lidhjes së Komunistëve,
– dosje janë shitës të ndryshëm dhe jo të pakët nëpër shitore fshati,
– dosje janë studentët aktivistë që spiunuan më 1968, më ’81, më parë dhe më pas.
– Dosje është secili kryetar komune i kohës së komunizmit.
– Dosje dëng të fryra janë kontributet «teorike» të biçimit të atij «filozofit» nga emsioni i përmendur.
– Dosje janë komentet e kohës në Radio Prishtinë,
– në TVP, në shtypin…
– Dosje janë anëtarët e kryesive të Lidhjes së Komunistëve,
– të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues,
– të Lidhjes së Sindikatave,
– të Lidhjes së Rinisë Socialiste…
– Dosje janë mediat e kohës. Atje krimi ka lënë gjurmët e veta.
– Dosje janë kryeshefat e shefat e Sigurimit Shtetëror dhe operativistët e tij.
– Dosje janë njerëzit që kanë lëshuar pasaporta.
– Dosja plot janë prokuroritë e Kosovës.
– Ka aq shumë dosje!
– Ato përditë lëvizin para hundëve tona.
– E ne? Ne duke e parë ujkun përditë, kërkojmë gjurmët e tij.
O burra! Shikoni rreth jush se ka plot dosje që ecin dhe, si puna «filozofit» i emisionit të sipërpërmendur, e devijojnë temën e debatit dhe fërkojnë duart: Ua hodhëm edhe një herë «enveristëve»!
E, nëse tito-komunistët na e hedhin edhe këtë herë, le të dihet se na e hodhën përfundimisht.(Shkruar më 05 Gusht 2009)


( Autori është themelues dhe botues i revistës Republika )

___________________________________

*) SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Pas përfundimit të luftës, në Kuvendin e Kosovës ka pas dy nisma për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë, në periudhën 1945-1999. E para ishte në nëntor të vitit 2006 dhe nisma e dytë në prill të vitit 2007. Atëkohë, përkundër vendimit që kishte marrë kryesia e Kuvendit të Kosovës, (më 10 prill 2007), që ky “ndëshkim” të bëhej përmes një rezolute, një gjë e tillë nuk ndodhi.

____________________________________

Pas shpalljes së Pavarësisë, kjo çështje u riaktualizua nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së Ramë Buja, dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e rregullt plenare të datës 17 tetor 2008 ka autorizuar Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi që në bashkëpunim me organizatat tjera të hartoi Projekt-Rezolutën kundër krimeve të komunizmit në Kosovë në periudhën 1945-1999 dhe Kuvendit t’ia paraqes për miratim. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e datës 18. 11. 2008, duke e shqyrtuar tekstin e Projekt-Rezolutës kundër krimeve të komunizmit në Kosovë prej viti 1945 deri më 1999, ka vlerësuar se ajo mund të ketë implikime buxhetore, prandaj ka vendosur që para se ta radhisë për seancë plenare, atë ta shqyrtojë edhe Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa. Lexoni procesverbalin: http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/proc/proc_0_2008_11_18_13_al.pdf ) Në Seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, datë 22 janar 2009, Bahri Hyseni kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës, të datës 17 tetor 2008, ia ka paraqitur Kuvendit “Projekt-Rezolutën kundër krimeve të komunizmit në Kosovë për periudhën 1945-1999”, për miratim. Pas debatit të gjatë në këtë temë, si dhe konsultimeve të kryeparlamentarit Krasniqi me shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që deri në seancën e 29 janarit, kur duhet të nxirret për votim rezoluta, teksti i saj duhet të harmonizohet nga shefat e grupeve parlamentare dhe Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi. Lexoni Procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit të datës 22 janar 2009: http://www.assembly-kosova.org/common/docs/proc/proc_s_2009_01_22_10_al.pdf . Edhe pse ishte vendosur që në seancën plenare të datës 29 janar 2009 të nxirret për votim rezoluta kundër krimeve të komunizmit në Kosovë prej viti 1945 deri më 1999, një gjë e tillë nuk ndodhi! Lexoni procesverbalin e seancës plenare të datës 29 – 30 janar, 1 shkurt 2009: http://www.assembly-kosova.org/common/docs/proc/proc_s_2009_01_29_10_al.pdf ….!!!! (Kryeredaktori i pashtriku.org, 02. 06. 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura