ILIR HAJDARI: SHQIPTARJA QË E DËNOI SHQIPTARIN MË 1981

Gjakovë, 12. 06. 2013 – Nga kryeqyteti i skamjes: Dëshmi e virgjër për një pushtet, të cilit i shërbyen edhe vet shqiptarët) – Ajo çka ishte më tmerruese për Demë Colin gjatë arrestimit dhe burgosjes së tij në vitin 1981, ishte përkushtimi i shqiptarëve ndaj sistemit, të cilët me pasion të madh vepronin kundër shqiptarëve dhe synimeve të tyre, si: Genc Juniku, Xhemajlie Mustafa, Orhan Basha, Masar Vula, Hysen Lushi, Gjergj Çuni, Ahmet Beqiri etj.
Kujtimi për ngjarjet e shkruara, nuk kalon në harresë nga gjeneratat e reja. E kaluara tronditëse e popullit tonë duhet shkruar dhe kujtuar, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo nuk mund të përsëritet.
Në vorbullën e zhvillimeve historike të popullit tonë për liri dhe pavarësi, padyshim se secili njeri ka përjetuar momente tronditëse nga aparati shtetëror shtypës e deri te lufta për liri.
Në fillim viteve të 80-ta, rinia filloi një proces të ri drejt lirisë së popullit, më një organizim ndryshe dhe me vetëdije të plotë për ato çka ne dëshironim të arrinim e që ishte ndarja e Kosovës nga robëria dhe çlirimi nga aparati shtetëror serb i asaj kohe.

Problem kyç në këtë periudhë përbënte pjesëmarrja e gjerë e individëve shqiptar në struktura të sigurimit shtetëror serb, të cilët ishin të mpirë nga ideja jugosllave e bashkim – vëllazërimi dhe çdo veprim apo mendim ndryshe paraqiste rrezik për shtetin dhe ballafaqim me tortura dhe ndëshkime çnjerëzore, ku këta individ e bënin “shërbëtorin” e përkushtuar të sistemit. I tillë ishte rasti edhe me Demë Colin nga Beci i Gjakovës, i cili u ndoq dhe u torturua nga shqiptarët, asokohe të përbetuarit e Beogradit.
Protagonisti rrëfen poshtërsitë e shqiptarëve të regjimit serb
– “Një ditë dimri të ftohtë me Demë Gjonin, duke udhëtuar në relacionin Prizren – Gjakovë hasëm në një pritë nga patrulla policore, e cila na ndalon dhe pasi bënë identifikimin, fillon me fyerje, provokime dhe sharje”, – ka filluar tregimin e tij, Demë Coli, ish i burgosur politik në vitin 1981, i cili kujton se atë ditë, ata po e kërkonin atë si organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave.
– “Ata, papritmas nxorën revolet dhe mi drejtuan. Në këto çaste unë me shpejtësi jam larguar në drejtim të lumit Trakaniq. Megjithëse, lumi ishte pothuajse i ngrirë nga të ftohtit, e kalova atë, pas meje e kaluan edhe policët në përpjekje për të më kapur”, – ka Shtuar Dema. Ai thotë se në ndjekje të tij, ishin vënë edhe Ahmet Beqiri e Rade Adjiçi. Me të parë se ata ishin të vendosur për ta kapur të gjallë Demën, po aq i vendosur ishte edhe ai që të mos u binte në dorë, madje, sikurse thotë Dema, në disa raste ka filluar të shtijë me revolen e tij në drejtim të ndjekësve.
– “Unë isha gjithmonë i armatosur. Fillova të shtijë në drejtim të policëve. Aty bëhej luftë. Por, nga ajo përpjekje, ishim me fat, e më së shumti fat pati polici, të cilit plumbi i revoles ia kishte qëlluar kapelen e tij zyrtare, e cila më vonë edhe u përdor si provë kundër meje”, – ka thënë Dema. Atë edhe pas rreth katër orë përpjekjesh për ta kapur, me një numër shumë të madh forcash policore, nuk ia kishin arritur ta kapnin të gjallë.
Si ma rrethuan shtëpinë Masar Vula, Hysen Lushi e Gjergj Çuni
Megjithatë, rrëfimi për ndjekjen dhe arrestimin e Demë Colit, nuk përfundon me kaq. Ekspedita ishte në përgatitje të re. Ata, në mesnatë kishin rrethuar shtëpinë e Demës në Bec, me një numër të madh forcash të aramtosura. Ajo që e kishte tronditur më së shumti protagonistin e kësaj ngjarje, ishte fakti se atyre u prinin Masar Vula e Hysen Lushi dhe bashkë me ta edhe Gjergj Çuni. Ata kishin filluar një kontroll të paparë, në çdo cep të shtëpisë dhe në çdo gjë. Atë ditë, Dema kishte qenë në shtëpi. “Unë kisha shkuar në shtëpi, sepse isha i shqetësuar për familjen dhe pasojat që ata mund t’i kishin. Ishte e qart se ata të pazotët hakmerreshin në shtëpi, duke terrorizuar dhe frikësuar gratë e fëmijët”, – ka thënë Dema. Mirëpo, edhe këtij rrethimi, Dema ka arritur t’i shpëtojë, falë ndihmës së kunatës së tij, por kjo gjë e ka vënë atë para dilemave të mëdha: të ikte në ekzil, e të linte familjen nën presionin e pushtetit, apo të qëndronte në Kosovë e të duronte torturat e kriminelëve. Dema kishte zgjedhur këtë të dytën, sakrificën për familjen dhe vendin e tij.
– “U dorëzova në SPB-në në Gjakovë. Policët, të cilët më kishin ndjekur ditën kur tentuan të më kapnin, ishin të tmerruar nga frika. Ndër ta mbajë në mend, Esat Resulin, i cili edhe pse ishte pjesë e atij sistemi, ishte shembull i një qytetari korrekt, pastaj Rade Rajqiq, Zvonko, Petroviq, Gjergj Çuni e Bude Bagashi”, kujton Dema, i cili ka shtuar se gjatë marrjes në pyetje, atë e kanë provokuar në mënyrë nga më të ulëta.
Xhemajlie Mustafa, prokurorja që u ankua edhe te ministri Stane Dolanc
Kërcënimet dhe torturat ndaj Demë Colit, kanë vazhduar për muaj me radhë. Prokuroja e rastit, Xhemajlie Mustafa, e ka kërcënuar atë me kastrim, e cila, sikurse thotë Demë Coli, drejtpërdrejt është ankuar te ministri i punëve të brendshme, Stane Dolanc. Gjygjtar paraprak ishte Veselin Cecanovic dhe gjyqtar kryesor, Orhan Basha. Provë e pamohueshme për ata ishte edhe vuajtja me burg prej 6 muajsh e babit të Demë Colit, Micit, i cili, sistemin komunist me në krye liderin e asaj kohe, Josip Broz Tito, haptazi i kishte quajtur të korruptuar dhe vjedhës.
– “Akuzës për organizim të demonstratave iu bashkangjit edhe tentim vrasja e policit në detyrë, Rade Rajqiq, të cilit gjatë përleshjes së armatosur, plumbi i kishte qëlluar yllin pescepësh të kapelës së tij”, – ka thënë Demë Coli.
Ajo çka ishte më tmerruese për Demën, se sa sjellja dhe qëllimi i pjesëtarëve serb e malazez, ishte përkushtimi i shqiptarëve, pjesëtarë të sistemit, kundër shqiptarëve dhe synimeve të tyre, si Genc Juniku, i cili pasi ia kishte marrë pasaportën, të cilën nuk ia kishte kthyer Demës për 12 vjet, me pretendimin se këtu nuk është Shqipëri, apo Xhemajlie Mustafa, e cila tre herë është ankuar për rritje të dënimit, derisa Dema është dënuar me një vit burg, sipas aktgjykimit PP NR 52/81, vendim ky që është ekzekutuar në burgun e Zajeqarit.
Me gjithë vuajtjet që ka përjetuar Demë Coli dhe familja e tij në vitet e okupimit serb, ai ndjehet krenar, sidomos përballë atyre shqiptarëve, të cilët ishin vënë në shërbim të pushtetit të atëhershëm për të keqën e vendit e të popullit të tyre. Prandaj, Demë Coli, apelon tek ata bashkëpunëtorë, të cilët edhe sot i shërbejnë armikut, të marrin mësim nga e kaluara jonë, sepse një ditë do të jenë humbës. Pa dyshim.

=================================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

– GJAKOVA – 

BECI
Beci është fshat në komunën e Gjakovës. Katundi Bec përkufizohet me katundet: Sapot – në perëndim, Zhdrellë dhe Rashkoc – në veriperëndim dhe veri, Cërmjan – verilindje, Meqe – lindje, Doblibare e Vraniq – juglindje dhe me Lugun e Bunarit – në jug dhe jugperëndim.
Historia
Ndër dëshmitë për vjetërsinë e fshatit Bec të Dushkajës duhet të merren edhe varrezat e moçme që janë në të dy anët e rrugës që i bie përmes katundit, në drejtimin jug – perëndim, ku gjenden varreza të moçme, për të cilat vetë fshatarët nuk dinë se të cilës kohë janë, por, për disa prej tyre, thonë se janë të kohës ilire (?). “Duke filluar nga krahu i poshtëm i vendbanimit, përkatësisht nga krahu juglindor, janë varrezat: “Vorret te Vorri i Mirë”, varret që mbajnë emrin “Te Ulica e Dervishbajrushve”, “Vorret Te Ulica e Madhe”, “Vorret në Dinopojë”, “Vorret Te Lisat e Manhalilve” etj. Vetëm në “Ulicën e Madhe” kanë qenë me qindra varreza, tash të zhdukura, të cilat kërkojnë të studiohen. Këto varreza mund të kenë qenë pasojë e ndonjë lufte të vjetër me bizantinët, mbase në mbrojtje të trojeve të tyre? E mu në atë kohë ka jetuar dhe vepruar Seid Oll – llah baba (dedja) që në popull është quajtur Sahit Dedja. Me këtë rrethanë, në njëfarë mënyre, mund të lidhet edhe vjetërsia e katundit Bec, i cili në atë kohë ka qenë i populluar.
Gjeografia
Beci është njëri ndër katundet më të mëdha të Dushkajës, shtrihet rreth pesë kilometra larg Gjakovës, në krahun verilindor të saj. Gjakovën e ka qendër administrative, arsimore e kulturore. Ky vendbanim shtrihet në një fushëgropë përmes së cilës bie një lumë i vogël që e quajnë Përroni. Kodrat përreth katundit Bec ishin të mveshura me pyje, mirëpo me zhvillimet që bëheshin dikur në bujqësinë e kësaj ane, pjesa më e madhe e tyre janë çelur dhe shndërruar në tokë pune, e që kryesisht qenë bërë vreshta. Dikur ne bec ishte edhe kooperativa mirepo me ardhjen e serbeve ne kosove kooperaitva ishte rrenuar. Kooperative kryente nje pune te rregullt ku drejtoret dinin ta udheheqnin ashtu si duhet.
Demografia
Ky katund, sipas traditës, ndahet në dy pjesë: Beci i Epër dhe Beci i Poshtëm. Ndërkaq, banorët e këtushëm, kryesisht janë të fisit Berishë, me përjashtim të një familjeje të fisit Thaç, një familje e fisit Krasniqe dhe Morint e ardhur më vonë. Popullata shqiptare janë të dy konfesioneve: disa të besimit islam e disa të besimit katolik. Respekti ndërfetar në këtë katund është shembull për të mirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura