Kumanovë, 08. 05. 2014 – Sali Berisha me shpurën e tij teksa ishte në pushtet përuronte figurën e Ahmet Zogut, ndërsa Edi Rama me suitën e tij ose përmes njerëzve të tij, tani përuron figurën e Enver Hoxhës. Mësuesja e jetës na rrëfen se njëri sikur një zog grabitqarë fluturoi përtej atdheut, ndërsa njëri që ishte satrap, nuk e lëshoi atdheun, as nuk lejoi që dikush ta braktiste atdheun, madje luftoi për çlirimin e vendit duke e çuar deri në mbyllje hermetike tërë vendin, por ata që guxuan të mendonin ndryshe, lehtësisht pushkatoheshin, burgoseshin dhe syrgjynoseshin, ndërsa ata që në këtë kohë e morën pushtetin, duke e sharë sa Hoxhën e sa Zogun, assesi nuk po mund të largohen prej këtyre dy figurave dhe këtyre dy ideologjive. Ky qëndrim, njëherësh shoqërinë e ndanë në dy blloqe të skajshme, ndarje kjo që na kushtoi dhe po na kushton shumë. Çmimin e kësaj ndarje si askush tjetër e pagoi vetë Shqipëria Natyrale me pamundësinë e saj për tu bërë e tillë. Ky kthim me prarim mbrapa, do të paraqet edhe një barrë të rëndë në rrotën e ndryshimit, që ka në spikamë të mirën e shoqërisë dhe të shtetit. Tragjike dhe komike bëhet gjendja me rastin e arsyetimit adoleshent të Pandeli Majkos, për sa i përket përshëndetjes me grusht.
Ai mes tjerash thotë se përshëndetja me grusht nuk të bën komunistë. Në rregull po i besoj, por nga kjo del se Enveri e paska kuptuar gabim domethënien e përshëndetjes me grusht, ose rastësisht e paska përdorur këtë përshëndetje, edhe pse dihej mirëfilli se çdo përdorim edhe i simbolit më të vogël, atëkohë patjetër duhej të ndërlidhej me ideologjinë që ai përfaqësonte, aq më tepër, argumentet historike na mësojnë se simboli i grushtit të ngritur lart është shenja e luftës së proletariatit. Ky simbol ka lindur në fundin e vitit 1923 nga Rotfrontkwmpferbund, ushtarët e kuq të vijës së parë, organizatë paraushtarake e Partisë Komuniste Gjermane. Përgjatë Luftës së Spanjës ky grusht i afrohej tëmthit të djathtë të kokës, por në fund të saj u zhvendos afër shpatullës, deri në lëvizjet anarkiste dhe majtiste të viteve ’60, ku u përdor grushti i majtë.
Në kohën kur më së shumti duhet ta dëshmojmë pozicionimin tonë gjeostrategjik, del dikush me ndikim në vend dhe haptas hedh gishtin drejt të kaluarës së zymtë, për t’i treguar paraprakisht dhe praktikisht orientimet e mëtejme të shtetit, aq më tepër një vend anëtar i NATO-s, organizatë kjo që ishte e kundërta e atyre që sot partia në pushtet i nderon për së vdekuri, duke mëtuar kështu ta ringjall atë botëkuptim mynxyrë, të paktën kështu na rrëfejnë pikturat e saposoditura.