DR.PËLLUMB XHUFI: PËRTEJ ALBIN KURTIT – MUSTAFËT, THAҪËT DHE SKOTA E ZËDHËNËSVE TË TYRE!

Tiranë, 05. 12. 2015: Një ngazëllim anti-Albin e antiopozitë sillet sot në Kosovë, ngazëllim që del nga zyrat e Mustafës e Thaçit e përcillet në mediat e në gazetat kryesore të Prishtinës. Përfaqësuesit esadistë të politikës e gazetarisë kosovare, tentuan deri ta “interpretojnë” vizitën Sekretarit të Shtetit, John Kerry, si një mbështetje për qeverinë e si një “paralajmërim serioz” për opozitën, që po shqetësoka rendin kushtetues dhe rehatinë e tyre meskine duke kontestuar marrëveshjen mbi “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, nënshkruar me Beogradin në gusht të këtij viti.
Ndonjë analist këtu në Tiranë, dikur bashkëpunëtor i paçavures serbo-kosovare “Bota Sot” shkoi edhe më tutje, kur shkroi se Albin Kurti dhe “Vetëvendosja” rrezikojnë të bëhen katalizatori i ndjenjave antiamerikane dhe i tendencave islamike në shoqërinë kosovare (fjalë që atëbotë, i thoshte për UÇK-në). Gjithsesi, ta lemë Tiranën me politikanët e gazetarët e saj që s’duan t’ia dinë shumë për atë që ndodh në Kosovë.
Në vetë Kosovën fqinje, në mbrojtje të kësaj marrëveshjeje skandaloze (në Kosovë jo pa qëllim përdorin emërtimin serb të saj, “Zajednica”) kanë dalë emra gazetarësh e gjithëshfarësh, prej të cilëve vlen të veçohen Halil Matoshi e Berat Buzhala. Dy tipa si ata. Në të parë, njëri të ngjan me një druvar, tjetri me një shitës salepi. Në të shkruar, janë diçka më shumë se aq. Kur Mustafa e Thaçi nënshkruan “Zajednicën” në Bruksel, në mes të vapës së gushtit e në shkretëtirën politike që prodhon ai muaj, “druvari” që interesohet edhe për çështje elegante, siç është ajo e të drejtave të serbëve në Kosovë, deklaroi se “qeveria bëri një punë të mirë, ani se është boll e korruptuar”. A thua se historia shqiptare nuk ofron shembuj politikanësh të korruptuar që kanë nënshkruar çdo lloj marrëveshje antishqiptare që u kanë vënë përpara të huajt. Kujtdo i vjen në mendje marrëveshja e vitit 1914 midis Esad Pashës dhe Pashiçit, që ia linte Kosovën e Shqipërinë e veriut Serbisë në këmbim të mbështetjes për t’u bërë ai vetë zot i Shqipërisë së mesme. Edhe ajo u nënshkrua në muajin gusht, kur shqiptarët mërzenin hijeve nën zukatjen e gjinkallave.

Mustafa, Thaçi dhe skota e tyre Berat Buzhala dhe Halil Matoshi!

Por le t’i kthehemi abuzimit që bëhet këto ditë me deklaratat e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, dhe me emrin e SHBA. Në fakt, Sekretari Amerikan i Shtetit deklaroi në mënyrë lapidare se “marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar, nuk janë të lehta, kanë qenë vendime të vështira politike. E kuptojmë këtë. Por aftësia për të marrë vendime të zorshme, që janë të nevojshme për të mirën e vendit, quhet lidership”. Tani, le të vëmë disa pika mbi “i”.
Që Mustafa e Thaçi të jenë “liderë” që prodhojnë “lidership”, këtë nuk do ta pranonin as “druvari” e as “salepxhiu” ynë. Por përse atëherë, në një farë mënyre, z. Kerry ua dha këtë atribut qeveritarëve të sotëm të Kosovës. Le të themi se u shpreh ashtu për politesë, apo akoma më mirë për t’i inkurajuar politikanët e Kosovës për të bërë edhe ndonjë vepër të mirë në drejtim të luftës kundër korrupsionit e terrorizmit islamik, në një moment delikat për stabilitetin dhe paqen në Ballkan e në gjithë botën.
Përsa i përket nyjës së “Zajednicës”, më kot mundohen druvarët e salepxhinjtë e Kosovës e të Shqipërisë t’i venë asaj një vulë amerikane. John Kerry foli për një marrëveshje “të lehtësuar nga BE”, nënshkrimi i së cilës “nuk ka qenë punë e lehtë, përkundrazi, ka qenë vendim i vështirë politik”. Pra, marrëveshja paska pasur një përmbajtje, që e bënte të vështirë pranimin e saj dhe nënshkrimi nga pala shqiptare paska dashur një guxim e një “lidership” të vërtetë. Ndoshta z.Kerry ka menduar se “liderët” e Kosovës janë menduar e janë torturuar shumë përpara se të vinin firmën e tyre mbi “Zajednicën”. Në fakt, ata nuk janë menduar fare, përndryshe do u ishte tharë dora. E vetmja herë kur politikanët e Kosovës refuzuan të nënshkruanin “pa kushte” një marrëveshje që kishte të bënte me të ardhmen e Kosovës, ka qenë Marrëveshja e Rambujesë. Dhe, ndryshe nga ç’arsyeton Buzhala, bënë mirë, edhe pse këmbëngulja e tyre e mërziti paksa zonjën Ollbrajt. Në fund të fundit, falë këmbënguljes së tyre, në tekstin përfundimtar të marrëveshjes u hoq klauzola që parashikonte praninë e 5 mijë policëve serbë në Kosovë dhe mbi të gjitha u shtua klauzola që parashikonte përcaktimin e statusit final të Kosovës pas tre vjetësh, mbi bazën e vullnetit të shprehur të popullit të saj, d.m.th. të referendumit.
Për fat të keq, të njëjtët politikanë nuk deshën ta bënin referendumin e parashikuar nga Rambujeja dhe nga Rezoluta 1244. Dhe këtë e bënë pasi donin ta shisnin si “vepër të tyre”, e jo si vepër të popullit të tyre, shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Dhe me këtë egoizëm infantil të tyre, i hoqën që në embrion Republikës së Kosovës, një porcion të mirë të sovranitetit. Heshtën si peshku, kur nën presionin e Beogradit, në Vjenë e në Bruksel u ndërtua infrastruktura e kësaj palo-marrëveshje kapitulluese, e ashtuquajtura “Zajednicë”, që “liderët” kosovarë e nënshkruan hajnisht në një vapë gushti, duke iu vjedhur syve e vëmendjes së popullit e parlamentit të tyre. Një marrëveshje, të cilën as Mustafa dhe as Thaçi nuk guxojnë të dalin e ta mbrojnë, veç duke u strukur pas një “filo-evropianizmi” e “filo-amerikanizmi” që në gojën e tyre tingëllon i pështirë, sepse është fals.
E pra, kundër kësaj marrëveshje nuk janë ngritur vetëm “ekstremistët” e Vetëvendosjes apo të AAK e të Nismës. Janë ngritur edhe figura, si psh. Azem Vllasi, i cili gjithsesi është një personalitet, të cilin më së pakti mund ta akuzosh për ekstremizëm nacionalist e antisllav.
– Në fakt, përse duhej që Republika e Kosovës të nënshkruante një marrëveshje për minoritetin serb me Republikën e Serbisë?
– Kush në Evropë e në botë e ka bërë një gjë të tillë?
– A ka marrëveshje të tilla Shqipëria me Malin e Zi, me Maqedoninë apo me Greqinë për minoritetet respektive që jetojnë sot në Shqipëri?
Dhe nëse për Mustafët, Thaçët, “druvarët” e “salepxhinjtë” e Kosovës, Shqipëria nuk përbën një rast që duhet marrë si shembull, pyesim:
– A ka nënshkruar Italia ndonjë marrëveshje me Austrinë, Francën, Slloveninë e Kroacinë lidhur me trajtimin e minoriteteve austriake, franceze, sllovene e kroate në Itali?
– A ka marrëveshje të tilla midis Hungarisë e Rumanisë, Polonisë e Sllovakisë, Sllovenisë e Austrisë, Turqisë e Greqisë, Polonisë e Lituanisë, Suedisë e Danimarkës, Norvegjisë e Finlandës?
Sigurisht që nuk ka, pasi për trajtimin e minoriteteve shtetet përgjigjen përpara kushtetutës dhe legjislacionit të tyre dhe përpara traktateve e konventat ndërkombëtare. Dhe, meqenëse në Kushtetutën e Kosovës kanë vënë dorë të gjithë nga pak, përfshirë edhe Serbinë, në të pasqyrohen standardet më të larta në Evropë përsa i përket të drejtave të minoriteteve, duke filluar nga minoriteti serb.
Atëherë, kujt i duhej dhe përse i duhej një marrëveshje e tillë. Sigurisht i duhej Beogradit, i cili e ka bërë të qartë se me “Zajednicën” ai paska shlyer detyrimin ndaj komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në mënyrë që t’i hapet rruga për në BE. Sigurisht një marrëveshje e tillë nuk i lëndon aspak serbët në sedrën e tyre nacionaliste për mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Nga pikëpamja politike e protokollare marrëveshja nuk u trajtua aspak si një marrëveshje ndërshtetërore, por si një marrëveshje administrative, midis Serbisë sovrane dhe një province çfarëdo të saj, e cila bëhet e vlefshme me një vendim të thjeshtë të ekzekutivit, pa kaluar në Kuvend.
– E pra, si ta shpjegojmë faktin që ata qeveritarë të Kosovës (njëlloj si ata të Shqipërisë), të cilët nuk hezitojnë të kërkojnë miratimin e Kuvendit edhe për privatizimin e një koteci pulash, kur e lakmojnë atë për vete apo për shpurën e tyre, e konsideruakan të tepërt diskutimin në Kuvend të një marrëveshjeje që implikon integritetin, sovranitetin, dinjitetin dhe vetë të ardhmen e Republikës së Kosovës?
– Si mund të nënshkruhej, veçse duke mbyllur sytë, një marrëveshje që e shkëput komunitetin serb nga çdo lidhje organike me shtetin e vet të Kosovës dhe e lidh atë drejtpërdrejt me Serbinë; që ka për qëllim ta kompaktësojë bashkësinë serbe në funksion anti-Kosovë; që vetëm e detyron qeverinë e Kosovës të zgjerojë edhe më tej kompetencat e “Parlamentit” e të “qeverisë” së serbëve të Kosovës, madje të parashikojë edhe shtrirjen territoriale të “Zajednicës”, duke përthithur në të ardhmen edhe komuna të tjera të Kosovës?
– Dhe, për të mos hyrë në detaje, si mund të miratohet një marrëveshje, e cila, në kundërshtim flagrant me Konventën kuadër për minoritetet të Këshillit të Evropës (1995), inkurajon diskriminimin e shumicës dhe e çliron minoritetin serb nga detyrimi për të qenë luajal ndaj Republikës së tij, Republikës së Kosovës?
E pra, këtu nuk bëhet fjalë as për ekstremizmin, as edhe për burgimin e një Donika Kadaj-Bujupi apo të një Albin Kurti. Këtu bëhet fjalë për çështje madhore, që Mustafët, Thaçët dhe skota e zëdhënësve të tyre dëshiron t’i injorojë. Të gjithë këta e kanë në dorë të arrestojnë, të rrahin makar edhe të vrasin çdo Donikë e çdo Albin që guxon të ngrihet kundër paudhësive të tyre. Për ta do mund ta gjejnë gjithmonë një justifikim: Evropa, Amerika, MSA, stabiliteti, terrorizmi, etika parlamentare….Por, nesër, kur të provohen pasojat rrënuese të “Zajednicës”, do ta kenë fare të pamundur të justifikojnë përpara popullit të tyre papërgjegjshmërinë me të cilën nënshkruan aktin që vë në pikëpyetje të madhe të ardhmen e shtetit të pavarur të Kosovës.

 __________________________

*) Pëllumb Xhufi lindi në vitin 1951, në Durrës. Përfundoi studimet në vitin 1977 në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë, në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992, zhvilloi studime të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit “Humboldt”. Pasi punoi në Institutin e Historisë për 15 vjet, në vitin 1997, u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtor i Departamentit të Ballkanit, më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe më në fund Ambasador i Shqipërisë në Romë. Ka botuar shume vepra brenda dhe jashtë vendit në fushën e historisë së Shqipërisë dhe asaj ballkanike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura