ILJASA SALIHU: LODHJA PREJ ZHVILLIMIT DHE TË MIRAVE!

Kumanovë, 18. 10. 2016: Në fund të vitit 2004 tërësisht u zbatua Marrëveshja e Ohrit. Madje edhe lëshimet që ishin bërë përgjatë hartimit të kësaj marrëveshje, përgjatë zbatimit të saj u përmirësuan dhe u plotësuan. Në fillim të vitit 2006 papunësia ishte ulur në 4 për qind. Rroga mesatare ishte 800 euro në muaj. Përfaqësimi i duhur nëpër institucionet shtetërore u përvijua në kohën dhe me njerëzit e duhur. Gardianët e burgut më shumë rrinin në shtëpi sesa në vendet e tyre të punës, ngaqë nuk kishin punë për arsye se shumë pak kishte të burgosur. Pse të shkohej në burg kur drejtësia gëlonte dhe ekonomia lulëzonte gjithandej në vend?
Ata që kishin luftuar, ishin të kënaqur pas lufte. Familjet e dëshmorëve merrnin rroga të mira mujore. Fëmijët e tyre shkolloheshin pa pagesë nëpër universitetet shtetërore. Luftëtarët e dikurshëm e kishin gjetur goxha mirë veten në proceset e ndërtimit të paqes. Shumë familje në mërgim kishin filluar të ktheheshin në vendlindje. Madje në një të dhënë të bankës botërore pamë se vetëm në periudhën 2004 dhe 2008 ishin kthyer 400 mijë qytetarë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Gjuha shqipe flitej gjithandej. Madje as që flitej nëse bën apo nuk bën të flitet gjuha shqipe, ngaqë ajo me kushtetutë ishte gjuhë zyrtare. Flamuri kombëtar shqiptar valonte në çdo qendër dhe skaj të Maqedonisë. Aq normal ishte bërë valëvitja saqë askujt nuk i fluturonte mendje nëse është mirë apo keq të fluturonte flamuri në qeveri dhe gjetke.

Në mes të vitit 2008, vendi kishte marr ftesë për anëtarësim në NATO. Investimet e huaja dhe ato vendore edhe më tepër kishin filluar ta zënë vendin e duhur. Vendet e punës lehtësisht ndërroheshin, ngaqë kishte alternativa sa të duash dhe konkurrenca në punë ishte rritur dukshëm, me këtë edhe cilësia në shërbime dhe prodhime. Policia më shumë shihej si dekor. Mbase duke qenë se ata së fundmi kishin marr rol këshillues dhe udhëzues të qytetarëve, ministria gjegjëse ishte përkujdesur edhe për rrobat e tyre cilësore dhe të bukura.
Zgjedhjet mbaheshin në çdo katër vjet. Si të mos mbaheshin zgjedhjet e rregullta kur dihej se shumëçka ishte në rregull në Maqedoni. Fitonte VMRO-ja dhe BDI-ja. Mbase me të drejtë. Kush tjetër mund ta krijonte këtë atmosferë të shkëlqyer dhe kush tjetër mund të ishte meritore për këto të arritura? Pikërisht në vitin 2012 kishte marr ftesë për anëtarësim të vendin në Bashkimin Evropian. Vendi tashmë ishte hapur tërësisht me rajonin dhe botën. Vendet fqinjë ia kishin zili Maqedonisë. Si rrjedhojë e këtij lulëzim shumëdimensional, në vitin 2015 një tufë shqiptarësh prej Kosovës kishin ardhur në Kumanovë t’i shijonin të arriturat e këtij shteti. Kishin kaluar shumë mirë! Po në këtë vit, qytetarët filluan ta shfaqin lodhjen e tyre prej vizituesve të jashtëm. Maqedonia si rrjedhojë e zhvillimit shembullor, çdo ditë vizitohej prej qindra e mijërave turistëve. Qytetarët kishin filluar të mendojnë më seriozisht rreth gjetjes së një mundësie të pakësimit të vizitorëve të jashtëm. Më në fund kishin ardhur në një përfundim se është mirë të ngadalësohet me zhvillimin e vendit. Ishin lodhur prej të mirave. As bakllava në vitin 2016 nuk i hahej. Ishin tejngopur me bakllava. Edhe e mira ishte bërë e tepërt dhe e mërzitshme. Përfundimisht, prurësit kryesor (VMRO-BDI) të këtij zhvillimi duhej ndërruar, ngaqë e kishin tepruar me të mira. Kishte nevojë për një pushim të zhvillimit, kuptohet duke mos harruar të shpërblehen edhe prurësit kryesor të kësaj atmosfere.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura